Një palë këpucë me taka të larta të veshura nga Amy Winehouse dhe tekstet e shkruara me dorë nga Bono janë ndër artikujt më tërheqës të një ankandi që do të drejtohet nga Island Records. Ky ankand ka për qëllim të ndihmojë për bamirësi në situatën e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Fondet e mbledhura nga ankandi i quajtur “One Love Covid-19 Relief” – frymëzuar nga njëri prej teksteve më të famshme të Bob Marley – do të shkojnë në NHS Charities Together në Mbretërinë e Bashkuar dhe Feeding America në SHBA. Island Records u themelua nga Chris Blackwell më 1959 dhe vazhdoi të nënshkruajë bashkëpunime me artistë të tillë, si U2, Roxy Music dhe Ariana Grande. Një nga shumë ankandet do të mbahet në hotelin me pesë yje të Blackwell, Strawberry Hill, në Malet Blu të Xhamajkës.
Bono do ta shkruajë vetë me dorë tekstin e këngës së tij “Where the Streets Have No Name” për fituesin e një seti Joshua Tree, ndërsa Annie Lennox do të shkruajë me dorë sturkturën e tekstit të njërës prej këngëve të famshme të grupit Eurythmics, “Sweet Dream”. Beth Gibbons i Portishead do të shkruajë tekstin e zgjedhjes së fituesit, ndërsa Jon Bon Jovi do të shkruajë këngët e tij të suksesshme të “Livin’ On A Prayer” dhe “Wanted dead or alive”. Motra e vogël e Nick Drake, Gabrielle, do të nënshkruajë për fituesin kartën e botimeve të plota të katalogut të tij.
Në ankand do të ketë pjesëmarrje dhe nga artistë të tjerë, të cilët do të ofrojnë instrumentet e tyre për shitje. Bëhet fjalë për Adrian Utley të Portishead, i cili ka ofruar përveç kitarave elektrike dhe sintetike, edhe një disk të artë. Iniciativës i janë bashkuar edhe Shawn Mendes, Ben Howard, OneRepublic dhe Bombay Bicycle Club. Ankandi do të mbahet online në orën gjashtë pasdite, sipas orës lokale, në datën 21 maj, në faqen e Broadway dhe Billy Porter./Fjala.al/