test

Lorenc Vangjeli: Humbi demokracia, marrëveshja pasojë e aktit, jo e paktit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tre vjet më parë, mes tensionit të fortë politik, u arrit marrëveshja e 18 majit 2017, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Në ata pak muaj “jetë”, pati një paqtim dhe ulje të fortë tensionesh. Kush humbi dhe kush fitoi nga kjo marrëvshje?

Përgjigjja e parë, automatike, sipërfaqësore dhe bardhezi është fare e thjeshtë: fitoi Rama maksimalisht dhe maksimalisht humbi Basha. Mazhoranca e vetme e PS-së, rezultati më i ulët i PD-së në minorancë, humbja e çdo mekanizmi kontrolli dhe ndikimi të opozitës mbi qeverisjen, mentaliteti i humbësit i instaluar në PD, janë të gjitha detaje që do të dëshmonin portretin e triumfuesit dhe fytyrën e humbësit. Por nuk është kështu. Kështu ulërin vetëm forma dhe jo thelbi. Humbësi i vërtetë është publiku dhe demokracia edhe më tej e brishtë dhe anemike shqiptare.

Marrëveshja e mesnatës së 17 majit dhe çfarë doli më pas, janë pasojë e aktit, por jo e paktit, e hiles dhe jo e rregullit, e errësirës dhe jo e transparencës, e interesit të individit dhe jo e nevojës së shoqërisë. Ajo nuk ishte marrëveshja klasike në politikë, por pëshpëritja në vesh e dy njerëzve që gjykuan se lufta i dëmtonte të dy, kurse paqja u jepte të dyve pushtet mbi gjithë të tjerët.

Në atë ndeshje taktike tek e tek dhe kokë për kokë, Rama dëshmoi epërsi të padiskutueshme përballë dikujt që deri në atë çast kishte luajtur në politikë si në “playstation”-in që i kishin dhuruar për datëlindjen e fundit të adoleshencës. Ramën e kishin thirrur për ta kryqëzuar në atë mbasdite të largët dhe ai, më shumë dinak se i mençur, i vetëm kundër të gjithëve, diti fillimisht t’i ndajë kundërshtarët nga njëri-tjetri, arriti t’i vërë përballë njëri-tjetrit, u dha hapësirë në bashkëqeverisje për një muaj, duke shmangur gjithë llogarinë dhe kostot e qeverisjes së tij të deriatëhershme.

Fiks atëherë kur të gjithë e kujtuan të dorëzuar dhe kishin nisur të bënin “Twerking” me ëndrra pushteti, Rama kishte shpallur luftën e tij të jetës. Dhe çfarë ishte perla e zezë në atë kohë  midhjesh të vetëkënaqura, ishte aftësia e tij e pabesueshme për t’i tërhequr zvarrë kundërshtarët në ndeshje në fushën e tij dhe me armët që zgjidhte vetë. U afroi garë me batutat që sajonte vetë dhe debat për shallvaret që vishte po vetë. Shumë më pak Ilir Meta që po bënte provat e kostumit të ri presidencial dhe shumë më tepër Lulzim Basha ranë në këtë kurth brilant, ku asgjë nuk ishte ashtu siç dukej. As miqësitë, as armiqësitë, as aleancat dhe as kundërshtitë.

Fushata zgjedhore ideale për një qeverisje është të hyjë në zgjedhje në kushtet e paqes sociale dhe të paqes me opozitën, dy dhurata që Basha i dha atëherë në këmbim të ajrit që iu afrua. I paqartë, i paduruar, i paprovuar, konfuz dhe maksimalisht naiv në kushtet e lojës serioze, Basha jo vetëm dukej, por edhe sillej si një politikan që nuk synonte zyrën e kryeministrit, por kërkonte të ishte vetëm një faktor kyç në zgjedhjen e tij.

Në shumicën dërrmuese të kohës ai dukej se e kishte futur PD-në në garë për vend të dytë e tretë përballë LSI-së, dhe dukej sikur më shumë donte të ishte ministër i Ramës, sesa ta largonte Ramën nga Kryeministria. Në njëfarë kuptimi, 17 maji ishte dita kur Bashës i plasi cipa që ia kishte endur e qepur me zor vetes plot dy vjet në opozitë, mbasi e kishin nxjerrë edhe nga Bashkia e Tiranës.

Gjithë sjellja e PD-së në atë kohë postçadër është një manual i përkryer se si nuk duhet të sillet një parti në politikë. Kaq e jashtëzakonshme është gafa e asaj kohe, sa ajo ka ndikuar në të gjithë vendimmarrjen që ka pasuar në atë parti, një vendimmarrje që është bërë gjithmonë e më e çartur dhe e papërshtatshme me demokracinë.

Pakkush e di që, nëse rezultati do të kishte qenë fare pak më ndryshe, një bashkëqeverisje Rama – Basha me një opozitë të vetme si LSI-ja, do të kishte qenë realiteti që pakush do ta ndryshonte për shumë kohë. Fati ishte me qytetarin që me mençurinë që japin shpesh numrat, ia ngeci të gjithë numrat Ramës.  Më shumë se qeverisjen, tre vjet më parë, qytetarët zgjodhën institucionin e opozitës. Nëse ajo sot nuk ka më shumë finesë se Babalja dhe ka më pak fantazi se Vini, ky nuk është faji i shqiptarëve.

Lexo edhe :  Rienergjizimi i PS/ Çupi: E vetmja parti që rinovohet dhe paraqet alternativa të reja

 I “zhgënjyeri” i madh doli lideri aktual i opozitës, Lulzim Basha, i cili prej kohësh shprehet se nuk do të ketë kurrë më një “marrëveshje të ngjashme”. Përse ende në vendin tonë “marrëveshjet normale” konsiderohen fitore për njërën palë dhe humbje për tjetrën?

Në Shqipëri është vështirë të gjesh një marrëveshje normale mes palësh. Duke nisur që nga marrëveshja e famshme e 9 marsit 1997, për të vazhduar me atë të 2002-shit, 2008-s apo edhe 2017-s, sa për të përmendur disa të tilla, asnjë prej tyre nuk ka qenë normale. Sepse palët, të dyja dhe jo njëra, që kur “firmosnin”, mendonin se si do ta shkelnin. Zoti Basha ka edhe më shumë arsye të ngrihet kundër marrëveshjeve. Njëlloj si ato adoleshentet që mbas një drame dashurie, druhen se mbeten shtatzanë edhe nëse vetëm puthen, ai është bërë viktimë e frikës së tij. Ai dhe të tjerët duhet të kuptojnë që nuk ka marrëveshje të keqe, por rrethana të këqija për një marrëveshje dhe synime të liga të një marrëveshjeje. Pra, nuk është mjeti që gabon, por njeriu që e përdor atë në mënyrë të gabuar.

Çfarë mendoni se do të ndodhë në vijim, kur duket se historia përsëritet. Në atë kohë (2017) opozita ishte në çadër para bulevardit (jashtë institucioneve), sot gjithashtu është edhe më në ekstrem, duke djegur mandatet dhe duke mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në këtë situatë, a mund të flitet për një 18 maj të dytë? Nëse po, a është koha që Rama të lëshojë më shumë, pas shtatë vitesh qeverisjeje qendrore dhe kontrollit të plotë të qeverisjes lokale?

Mbjellja e furtunave në gotë dhe sjellja në çdo ditë të perëndisë në këtë vend, si në kohë lufte, është mënyra e vetme e sjelljeve të opozitave në këtë vend. Kush kujton për shembull, çështjen e kryetarit të qarkut të Fierit në 2013-n, kur gjithë PS-ja dukej sikur marshonte nën ritmin luftarak: jetën e japim, kryesimin e qarkut të Fierit jo, kush numëron sot vijat e kuqe që shënon në rërë kryetari Basha, së fundi për çështjen e Teatrit Kombëtar, do të ketë një argument më shumë për të kuptuar se politika normale dhe ata që paguhen për ta bërë një gjë të tillë, nuk kanë ndonjë lidhje domethënëse.

Largimi i PD-së nga institucionet, djegia e mandateve dhe refuzimi i zgjedhjeve lokale, janë dy nga “p.e.n.i.s.llëqet” e frikshme mbi të cilat ajo do të ulet që të bëjë llogaritë për nesër. Duke ndenjur qetësisht, sepse çdo ngut me ato akte brenda, i shkon Ramës në llogari.Opozita duhet të kërkojë e të presë t’i rimarrë me të vetmin mjet që afron demokracia, zgjedhjet periodike, ato që la nga padituria.

Rama duhet të ishte një dashnor i madh i demokracisë që të lëshojë ato që i dhuruan. Dhe ai nuk është as iluminist, edhe pse goxha i artikuluar, nuk është as aq perëndimor, sa vetëdeklarohet, që të besojë në ndarjen dhe ekuilibrin e pushteteve. Si individ që jeta dhe pushteti i ka sjellë arrogancën si virtyt, si i vuajtur dhe i sakrifikuar në të djeshmen e tij, ai nuk ka asnjë arsye të tërhiqet, përveçse nëse tërheqja nuk i sjell garanci vetjake dhe, mbi të gjitha, rilegalizim në mos të shumicës së vetme, të pakicës që kushtëzon.

Rama nuk ka kohë të mendojë që pushteti më i fortë nuk është pushteti absolut, siç duket në vështrim të parë, por pushteti që ndahet dhe ekuilibrohet. Aq më tepër kur ai i sheh të gjithë nga lartësia e padurueshme e zyrës në katin e dytë të Këshillit të Ministrave, hipotekën e së cilës më shumë se merita e vet, e ka firmosur naiviteti prej adoleshenti i kundërshtarit. Ndaj nuk duhet pritur se çfarë mund të lëshojë Rama, por çfarë mund të bëjë Basha në ditën e ritakimit me votën, në jetën reale dhe jo në karriget e spektatorëve të Teatrit Kombëtar, ku thotë se do të kalojë netët, ndërkohë që shfaqja luhet tjetër kund.

Nga Lorenc Vangjeli për Gazetën Fjala

Të fundit

Dorëheqja e Ceno Klosit/ Elidjana Çela drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve përkohësisht

Elidjana Çelaj është emëruar përkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve, pas lirimit nga detyra të ish-drejtorit të përgjithshëm Ceno...

Grafite në muret e ambasadave hungareze e sllovake, mesazhe nga gjenocidi në Srebrenicë

Grafite me numrin 8.372 - që është numri zyrtar i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë më 1995 - u vendosën  dje (14 qershor) në...

Sheshi ‘Skënderbej’ i zënë për Evropianin/ Ja ku do falen nesër besimtarët myslimanë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar besimtarët myslimanë se falja e Kurban Bajramit do të jetë në datën 16 qershor, ditën e diele, në...

Sokol Mëngjesi doli nga koma, reagon e motra: Sytë e tij u zgjuan nga një ëndërr e keqe

“U zgjua nga ëndrra e keqe” Avokati Sokol Mëngjesi  I cili ishtë në gjëndje kome prej 29 majit është zgjuar nga koma ndërsa vijon...

Zvicër/ 100 liderë botërorë mblidhen sot në përpjekje për planin e paqes në Ukrainë!

Njëqind delegacione do të marrin pjesë në Konferencën e Paqes për Ukrainën në Zvicër, duke përfshirë 57 krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë...

Lajme të tjera

Web TV