Michael Jordan është një nga emrat më të madhej të basketbollit që nga fillimet e këtij sporti. Adhurimi për të vijon të jetë në nivele më të larta aq sa kur dalin në ankand objekte apo veshje të legjendës së Chicago Bulls, njerëzit lënë shifra marramendëse për t’i blerë ato.
Një palë nga atletet që Michael Jordan ka përdorur në kohët e arta kur luante për Chicago Bulls, pikërisht në vitin e largët 1985 janë shitur për një shifër goxha të majme.
Atletet e tij Nike Air Jordan 1 u shitën tre herë më shumë se çmimi i parashikuar duke thyer rekordin botëror për atlete, bëri me dije Sotheby’s. Atletet e Jordan u shitën për 560.000 dollarë në një ankand në internet ku garuan 10 persona.
Ato u veshën nga basketbollisti gjatë periudhës kur luante me Chicago Bulls dhe pritej që të shiteshin 100.000 deri në 150.000 dollarë. Ndërkohë rekordi i mëparshëm mbahej nga një palë atlete të Nike të vitit 1972 që u shitën për 437.500 dollarë./Fjala.al/