Protesta për teatrin e një argjentinaseje në Tiranë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 

Argjentinasja 34-vjeçare, në një protestë larg vendit të saj, me një të kaluar jo shumë të ndryshme nga e jona. Si një qytetare e botës, për identitetin, dinjitetin dhe historinë e një populli.

Nga Alessia Selimi

Gjashtë muaj në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Por, dita e parë në një protestë pa godinë. Nuk bëhet fjalë për një aktiviste, aktore, inxhiniere apo pedagoge shqiptare. Sesi de Zabaleta, 34 vjeç, është nga Buenos Aires, Argjentina, një vend me një  të kaluar jo shumë të ndryshme nga e jona, ku ka lindur një ndër shkrimtarët më të mirë të shekullit XX, Jorge Luis Borges. Teatri i parë i kësaj republike federale daton më 1783. “La Rancheria” funksionoi deri në shkatërrimin e tij në një zjarr më 1792. Kur përfundoi regjimi i ashpër dhe diktaktorial i Juan Manuel de Rosas, u bë e qartë se një teatër i ri ishte i nevojshëm, dhe pas një procesi 20-vjeçar, “Colon” u hap në 25 maj 1908, me operën “Aida” të kompozitorit italian Giuseppe Verdi. U rinovua jo pak herë, me një qëllim fare të thjeshtë: të ruajë karakteristikat e saj të shquara të tingullit, stilin francez-romantik, si dhe muzeun në hyrje.

Sesi nuk është një spektaktore e rrallë veprash, dhe skenat teatrale duket se mbartin të njëjtën peshë e magji. Jo më kot po proteston për Teatrin Kombëtar. Mes qindra protestuesish, kjo argjentinase pikaset fare lehtë. Mban veshur një palë pantallona të shkurtra me bel të gjatë, si dhe një bluzë me figurë raketash, stampuar kudo. Në trup ka jo pak tatuazhe, ndërsa në fytyrë një maskë ndaj COVID-19.

Teksa artistët mbajnë fjalime të njëpasnjëshme në shesh, ajo rrëfen për gazetën “Fjala” se ndodhet në Tiranë prej gjashtë muajsh, për shkak të punës si operatore turistike. Sesi pohon se u njoh me çështjen e Teatrit nga miqtë e saj të rinj, dhe se që nga ajo kohë ka protestuar krah aktivistëve për identitetin, kulturën dhe historinë e një vendi. Sot Sesi ndien trishtim dhe njëkohësisht mëri. Kur artikulohet, ndonëse kemi bërë një pakt për të folur në gjuhën angleze, i paraprin gjuha mëmë.

“Teatri Kombëtar nuk duhej shembur kurrsesi. U bë në një mënyrë të padrejtë, në një orë të vonë të mbrëmjes, ndërkohë që një qytet i tërë po flinte. Pirgjet e gërmadhave të cilat shtrihen sot në truallin e teatrit, më kthejnë pas në kohë, në një kohë të përshkruar me lot në sy nga prindërit e mi. Nuk duhej të ishte prishur në këtë mënyrë kaq të shëmtuar. Minimalisht të kishin vepruar në dritën e diellit”, shprehet Sesi.

“Argjentina ka pasur një diktaturë të ashpër në  vitet ’70. Asokohe u vranë dhe u zhdukën dhjetëra mijëra persona, për të mos përmendur qëndrimin absurd ndaj kulturës. Por, shumëçka ka ndryshuar nga ajo kohë”, vijon 34-vjeçarja duke shtuar se argjentinasit nuk ngurrojnë t’i dalin në mbrojtje asaj çka konsiderojnë të drejtë.

Sesi po qëndron në Shqipëri shumë më tepër nga ç’kishte planifikuar. COVID-19 i ndaloi rikthimin në Argjentinë, sikurse i kushtoi edhe vendin e punës. Por ajo nuk shfaq trishtim. Duket se kujtimet e ndërtuara në Shqipëri, ia kanë vlejtur përpos gjithçkaje.

Lexo edhe :  Sulmet e Iranit ndaj Izraelit, reagon kryeministri Rama

Përpara se e gjithë bota të luftonte me pandeminë COVID-19, ndërmora një udhëtim të mrekullueshëm në të gjithë Shqipërinë. Mund ta cilësoj pa frikë si vendin më të panjohur, që po arrij ta dua më shumë nga ç’mund ta kisha imagjinuar. Më ka vjedhur zemrën”, shprehet Sesi teksa i shpëton një e qeshur e çiltër.

“Do të më marrë malli për këtë vend, për njerëzit që kam njohur, për buzëqeshjet që kam shkëmbyer me ta, ushqimet e shijshme që kam ngrënë, si dhe peizazhet e mrekullueshme që kam pasur fatin të shoh”, vijon Sesi, ndërkohë që diç e shqetëson, dhe nuk ngurron ta shprehë.

Është fatkeqësi të shohësh një vend të tillë, kaq magjik, e të shohësh njerëz të urtë, të cilët të lënë të mendosh se me ta mund të bësh çfarë të duash. Nuk po nisem vetëm nga shembja e godinës së Teatrit Kombëtar. Në fund të fundit, teatri u mbrojt intensivisht për dy vite me radhë nga një grup i konsoliduar aktivistësh. Është diçka që e kam konstatuar në çdo ditë timen të kaluar në Tiranë”, thotë 34-vjeçarja, e cila i drejton sytë krejt instiktivisht nga përfaqësuesit e opozitës.

Dua të marr një shembull ndoshta banal, por të vlefshëm. Çdo vit, 1-2 milionë vajza e gra argjentinase mblidhen për të protestuar për të drejtat e tyre, në atë çka njihet botërisht si Dita e Gruas. Dhe nuk janë të vetme. Përkrah tyre mund të shohësh edhe djem e burra. Në këtë shesh ku ndodhemi sot, duhej të ishin më shumë pjesëmarrës. Çështja e Teatrit Kombëtar nuk mund të mbyllet me rënien e mureve të saj. Rekuizita, garderoba, impiantet, mobiliet brenda asaj godine, janë transferuar diku tjetër, të paktën kështu më është thënë. Por kjo nuk duhet t’i hapë rrugë nënshtrimit dhe humbjes.  Shembja e teatrit duhet të shërbejë si akt udhërrëfyes për shqiptarët në rrugën e vlerave”, thotë Sesi.

Asaj i duhet të ikë tashmë, t’i bashkohet mikes me të cilën po fliste rrjedhshëm në gjuhën spanjolle. Por për t’u larguar në një tjetër kënd të protestës, i duhet të përçajë një grup djemsh, të gjatë e të bëshëm, të cilët e shohin çuditshëm. Ndoshta për shkak të asaj që ka veshur, ndoshta nga tatuazhet e shumta, kjo nuk është e lehtë për t’u kuptuar. Por kaq i mjafton që të shprehet sërish, të ndalet edhe një herë në sjelljen dhe reagimet e qytetarëve të këtij vendi.

Dhe si për rastësi, nga ato që të bëjnë të mendosh në ekzistencën e tyre, regjisori Edmond Budina dëgjohet të thotë: Duhet kudo mosbindje civile, të gjithë bashkë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen me këto kauza njerëzore. Ne do ta rindërtojmë Teatrin Kombëtar ashtu siç ishte. Të mos i ndalim protestat!

Të fundit

Virozat e stinës, mjeku i njohur tregon se kush janë më të rrezikuarit

Dy javët e para të muajit prill sollën rënie të numrit të pacientëve të prekur nga virozat. Në spitalin...

Lazio merr fitoren e dytë radhazi në Serie A dhe triumfon në transfertën e Genoas

Java e 30-të e Serisë A nisi me ndeshjen Genoa-Lazio, që përfundoi me suksesin e bardhekaltërve. Në “Luigi Ferraris” gjithçka u mbyll 0-1, me gol...

E keni ditur! Ja çfarë i ndodh organizmit nëse konsumoni djathë në mëngjes

Kush nuk e do djathin? Shqiptarët e konsumojnë shumë. Një fetë djathi e shndërron edhe sallatën apo vaktin më të mërzitshëm në një gosti...

“Përplasje” brenda familjes, Kryemadhi ia thotë në sy Metës: Unë jam tradhtarja

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka mbajtur fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit Drejtues të partisë. Teksa theksoi se për këtë parti...

“Më arrestuan pa asnjë bazë”/ Berisha: U synua që të zhdukej opozita!

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka komentuar pasditen e sotme sulmet qeveritare që sipas tij kanë përfshirë Partinë Demokratike nga 2021 e deri më sot për...

Lajme të tjera

Web TV