10 më të pushtetshmit e Partisë Demokratike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kush janë njerëzit më të pushteshëm të Partisë Demokratike, që mund të shihen edhe si “qeveri në hije”. Shkëlqimi në shtatë vite opozitë i disa prej tyre nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe miksimi mes “gardës së vjetër” dhe të rinjve ambiciozë. Dështimi apo suksesi do të duket vitin e ardhshëm në provën gjenerale të zgjedhjeve të Parlamentare.

Nga ROLAND QAFOKU
https://youtu.be/tv2I_zWQSUY
Pas 7 vitesh në opozitë, Partia Demokratike endet mes dëshirës së madhe të ardhjes në pushtet dhe një pamundësie për ta bërë këtë realitet këtë dëshirë. Se kush do ta fitojë në këtë betejë, sot askush nuk mund të japë garanci, por e sigurt është që, nëse në zgjedhjet e vitit 2021 PD-ja do të arrijë të vijë në pushtet, do të jetë një fitore shumëplanëshe dhe përveç kurorave të dafinave, fituesit do të kenë moralin t’u thonë skeptikëve, kritikëve dhe akuzatorëve ta mbyllin gojën. Por, nëse PD-ja do të humbasë, kjo humbje nuk do jetë thjesht disfata e një beteje, por pritet të sjellë një kataklizëm në këtë parti. Por cilët janë ata 10 politikanë që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të lidershipit të Partisë Demokratike, ose 10 politikanët më të pushtetshëm në këtë parti? Cilët janë 10 politikanët më me ndikim në të gjitha strukturat e PD-së, ose më saktë fare, cilët janë ata që sot mund të quhen edhe qeveria hije, por që nesër mund të jenë qeveria në diell? Në njëfarë mënyre, pjesëtarët e kësaj liste janë përfaqësuesit më të rëndësishëm në PD, por janë edhe përfaqësues të një gjenerate të re. Për ta kuptuar këtë mjafton të kujtojmë që kur u themelua Partia Demokratike, kryetari Lulzim Basha ishte 16 vjeç, ndërsa kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Belind Këlliçi, ishte vetëm 3 vjeç. Por më mirë se çdokush këtë e ka thënë Sali Berisha në një intervistë që i kam marrë më 1 nëntor të vitit 2018, i cili, mes të tjerave, theksoi: “Në lidershipin e PD-së ndodhi një ndryshim gjeneracional. Basha është gjenerata juaj. Nuk është gjeneratë e imja. Basha përfaqëson gjeneratën e tij”.

Lista nis nga kryetari Lulzim Basha, që vetë shprehet i sigurt se do ta arrijë synimin që ta sjellë  PD-në në pushtet dhe se vetë do të bëhet kryeministër. Vijon te lideri historik, Sali Berisha, që  zyrtarisht nuk ka arsye për ta vendosur në këtë listë edhe për faktin se nuk është pjesë e kësaj gjenerate, por, ama, nëse nuk e vendos lista nuk ka vlerë fare. Dhe lista vijon deri tek ata që sot quhen rishtarë, por që janë aq të rëndësishëm, saqë kryetari jo vetëm nuk i konteston, por i mbështet fuqishëm dhe në rast fitoreje do të jenë pjesë e kabinetit të tij. Por, ama, në rast humbjeje, nuk do të jetë e pamjaftueshme të kalojnë me etiketime të tipit “mizerabël”, por do të ikin bashkë me lecka andej nga kanë ardhur.  Në listë mund të ishin edhe të tjerë, ose dikush që është përfshirë në këtë listë edhe mund të mos ishte. Kjo nuk është një listë zyrtare e një njeriu zyrtar. Si gazetar, jam konsultuar me shumë persona brenda dhe jashtë PD-së. Ata të PD-së me të cilët jam konsultuar sigurisht janë pjesë e rëndësishme në këtë parti, por më shumë se kaq nuk janë pjesë e klaneve, e kulisave dhe e sjelljes së tipit otoman lindor. Fjala vjen, për dikë, mund të ishte në listë edhe Grida Duma, të cilën mund ta shikosh nga shumë këndvështrime. Por, jam i sigurt që aktualisht jo vetëm PD-së nuk i bën më punë, dhe nuk pritet t’i bëjë në të ardhmen, por edhe vetë Grida Duma nuk e di se ç’po ngjet me të politikisht. Dhe si ajo janë disa në PD. Protesta e fundit për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar tregoi edhe një herë se cilët janë ata në PD që e duan vërtet protestën kundër qeverisë, që nuk kanë interesa personalë, që sakrifikojnë dhe mbështesin të gjithë ata që realisht kundërshtojnë qeverinë.

Partisë Demokratike i duhen njerëz që janë e kundërta e veseve që ka zënë pushteti. I duhen njerëz që kanë me vete moralin, ndershmërinë, sinqeritetin dhe, mbi të gjitha, që ngjallin besim. Nëse kjo listë është kështu, nuk u bën nder vetëm demokratëve, por vetë vendit, sepse PD-ja vërtet u përket demokratëve, por nëse ajo do të qeverisë mirë, kjo do të jetë në dobi të Shqipërisë.

  1. LULZIM BASHA

Një mik i imi në PD më betohej që e kisha gabim për të gjitha kritikat ndaj Lulzim Bashës. Se ai në rastin më normal të mundshëm është një kryetar normal i një partie normale. Dhe më e rëndësishme, Lulzim Basha do të jetë një kryeministër normal. Por si ky, nuk janë pak ata që mendojnë kështu, e po aq janë edhe ata që mendojnë ndryshe. Analiza për kryetarin e PD-së nis me vetë historinë e jetës së tij politike. Nëse një ditë Lulzim Basha do të bëhet kryeministër, ai nuk do jetë vetëm numerikisht kryeministri i 34-t në aradhën e kryeministrave shqiptarë. Ai do të ishte fillimisht i pari kryeministër i diplomuar në Perëndim që drejton një qeveri pas 87 vjetësh. Kryeministri i fundit shqiptar që ishte diplomuar në Perëndim, konkretisht në Vjenë të Austrisë, ishte Ibrahim Biçaku. Biznesmeni dhe politikani nga Elbasani ishte diplomuar për Agronomi në Akademinë Tregtare të Vjenës, por që bëri 20 vjet burg si kundërshtar i regjimit dhe vdiq si pastrues i banjove të qytetit të Elbasanit. Që nga ai moment asnjë kryeministër tjetër nuk është diplomuar në Perëndim. Lulzim Basha ka shansin e artë të jetë pasuesi i Biçakut me pasaportën e dijes, por edhe të asaj që pritet prej tij. Po a është kryetari Lulzim Basha një lider i vërtetë i Partisë Demokrartike dhe i të Djathës Shqiptare? Nuk janë të paktë ata që shprehen se Lulzim Basha është vërtet kryetar i Partisë Demokratike, por Lulzim Basha nuk është lideri i saj. Është e vërtetë, ai ka 7 vjet në krye të kësaj partie dhe tashmë është politikani që e ka drejtuar më shumë këtë parti pas Sali Berishës. Vlen të kujtojmë se Sali Berisha e drejtoi PD-në për 17 vjet, nga shkurti1991- mars 1992 dhe shtator 1997-qershor 2013. Eduard Selami e drejtoi Partinë Demokratike për 3 vjet, nga marsi1992 – mars1995. Tritan Shehu e drejtori Partinë Demokratike për 2 vjet, nga prilli 1995 – qershor 1997 dhe Azem Hajdari e drejtoi Partinë Demokratike për 2 muaj, që nga themelimi, më 12 dhjetor 1990 – shkurt 1991. Nga 5 kryetarët e PD-së, vetëm Sali Berisha ka mbajtur dy detyrat më të larta të shtetit shqiptar, 8 vjet si kryeministër dhe 5 vjet president me fuqi ekzekutuese. Tritan Shehu ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, ndërsa Eduard Selami dhe Azem Hajdari, përveçse kanë qenë deputetë, nuk kanë mbajtur asnjë post të lartë qeveritar. Pra, pak a shumë, të gjithë ata kanë një bilanc të kënaqshëm. Lulzim Basha ende nuk e ka një të tillë. Ose, ka një bilanc negativ. Që nga 22 korriku 2013, kur është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike, kjo parti ka humbur zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ka humbur zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe në zgjedhjet e vitit 2019 nuk mori pjesë fare, duke shënuar rastin më të paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar jo vetëm të tranzicionit. Por Basha ka një bilanc me të cilin duhet të krenohet, edhe pse është në opozitë. Dekriminalizimi i politikës dhe ligji përkatës është meritë e padiskutueshme e tij personale dhe e Partisë Demokratike në opozitë. Vetë ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, e ka përmendur më shumë se një herë këtë fakt. Në intervistën që unë i mora më 20 shkurt 2016 Berisha tha: Lulzim Basha ia doli t’i bëjë vendit një shërbim që unë e quaj të madh, për dekriminalizimin. Merita është e tij më shumë se e kujtdo tjetër. Kur një forcë politike bën kazus edhe me bojkot, dekriminalizimin, asgjë më të vështirë nuk ka. Ku është parimi dhe ku është mbështetja. Dhe e arriti, dhe fakti që John Kerry e paraqiti këtë si gjënë më konkrete që vlerësoi në zhvillimet, është një arritje për opozitën. Paçka se Edi Rama ditën tjetër del me Roshin dhe me Poçin”.

Megjithatë, Lulzim Basha ende nuk ka arritur të krijojë tharmin që PD-ja të jetë një alternativë besuese që do të zëvendësojë pushtetin socialist. Nuk ka arritur ta bashkojë brezin e vjetër dhe brezin e ri që përfaqëson. Shumë janë larguar nga PD-ja dhe ata janë jo vetëm të brezit të Berishës, por edhe të brezit të vet, dhe kjo është çështje kardinale në këtë parti. Por, edhe mënyra se si drejton dhe funksionon nuk të lë shumë përshtypje, për të kuptuar nëse është apo jo në rrugë të mbarë. Lulzim Basha herë bëhet modern, duke deklaruar se PD-ja nuk do të funksionojë si më pare, dhe herë bëhet radikal, duke përdorur shprehje që e kundërshtojnë parimin e parë, si për shembull: “Ka ardhur koha ta tërheqim zvarrë nga piedestali ku e ka ngritur ky palo kryeministër kultin e mashtrimit, dhunës dhe arrogancës”. Ose: “do të vijë ora që do t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Vala e ardhshme do t’i fshijë nga zyrat. Gjeni vrimë miu të futeni nga zemërata. Nuk do të qëndrojmë si dele, do të luftojmë deri në fund. Ngrihuni, protestoni, reagoni! Thyeni xhamat, shponi gomat!”. Apo deri në ekstrem si: “O Thoma Gëllçi, o pleh, do të të tërheqim zvarrë nga TVSH” e deri te stili piroteknik: “Zjarri do të shkojë në Surrel”.

Por, pavarësisht këtij bilanci dhe këtyre oshilacioneve, shumë syresh në PD dhe të ikur prej saj habiten përse Sali Berisha e mbështet Lulzim Bashën dhe ç’do të bëjë Berisha, nëse Partia Demokratike humbet zgjedhjet parlamentare në vitin 2021. Vetë Berisha e ka dhënë këtë qëndrim në disa forma. Në një intervistë që i kam marrë Berishës, më 20 shkurt 2016, tha: “Përveç humbjes së zgjedhjeve, unë dhashë dorëheqjen dhe nuk kemi të bëjmë më me një kalim të drejtimit nga një kryetar te një tjetër, por nga një gjeneratë në një gjeneratë tjetër. Ky është ndryshimi më i madh, më i thellë. Basha është gjeneratë tjetër. Kjo ndofta është specifika, e cila, për mendimin tim, është pozitive, por, nga ana tjetër, adaptimi ndaj një ndryshimi kaq të madh është një proces më kompleks. Kështu e gjykoj unë. Përpjekjet e PD-së janë të mëdha. Ka arritur në këtë periudhë, duke mos injoruar dobësitë dhe të metat, por ka arritur disa suksese spektakolare të qëndrueshme, të rëndësishme”.

Por pyetja që u rri mbi kokë si çak demokratëve dhe më gjerë është: A e mbështet Berisha Bashën? A duhet ta drejtojnë PD-në Basha si Berisha? A mërzitet ai me gabimet dhe gafat që bën Basha? A i bën ai vërejtje dhe a “ia shkul veshin” ndonjëherë? Në një intervistë që i kam marrë më 2018 Berisha pothujase u dha përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve: “Në PD ndodhi një ndryshim jo vetëm lidershipi, por ndryshoi edhe gjenerata. Ai përfaqëson gjeneratën e tij. Mund ta akuzosh për shumë gjëra, por jo ta akuzosh se po më imiton mua. Ai ka krijuar konturin e vet të opozitarizmit”. Kur e kam caktuar ministër të Punëve Publike e thirra dhe më pyeti: Përse unë këtu? Për këtë rrugën (Durrës-Kukës-Morinë). Kjo është gjithçka, i thashë. Ne do ta ndërtojmë këtë rrugën me çdo kusht. Kur i shkoi Orsalia në zyrë dhe i tha çfarë e ke këtë hartë, Basha iu përgjigj (E mbante hartën edhe në tavolinë dhe në mur):  E kam këtë hartë për të më kujtuar misionin tim kryesor, ndërtimin e rrugës. Lulzim Basha ka dhënë një kontribut shumë të madh në atë vepër.  Ka pasur kundërshti të mëdha. Unë isha i vendosur, edhe sikur të ikte Banka Botërore, unë do ta ndërtoja rrugën. Por Lulzim Basha i bindi përfaqësuesit e Fondit Monetar. Kjo është meritë e madhe e tij, edhe për shumë të tjera, por kjo është më e madhja. Basha nuk u dorëzua ndaj asnjë presioni për t’u tërhequr nga ndërtimi i rrugës. Dhe së treti e ndoqi bashkë me financat procesin. Basha ka një meritë historike të padiskutueshme, sepse zbatoi një projekt që është sot korridori më vizibël i Ballkanit.

Por a po e drejton Basha PD-në i ndikuar nga Berisha? Një pjesë janë shumë të bindur për këtë, por vetë Basha dhe bashkëpunëtorët e tij janë gati të betohen që kjo nuk ndodh. Përsëri vetë Berisha kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje disa herë. Në intervistën që i kam marrë më 2018, ai sqaroi: “Po ju tregoj me sinqeritetin më t֝ë madh në 2013, kur Basha është zgjedhur kryetar i PD-së. I thashë se në qoftë se Edi Rama këput lidhjet me krimin, ne do të vendosim një bashkëpunim për sa u përket çështjeve të integrimit evropian, sepse kemi qenë lokomotivë e këtij procesi. Mund ta akuzosh Bashën për shumë gjëra, por nuk mund ta akuzosh se po imiton Sali Berishën. Çka unë e përgëzoj. Sepse ai nuk duhet të më imitojë mua. Ai ka krijuar konturin e vet të opozitarizmit. Nuk ka humbje të përhershme dhe nuk ka fitore të përhershme në politikë”. Po a do vijë fitorja për PD-në në 2021? Si përgjigje parashikuese po përdorim edhe një herë atë që shkruam në hyrje të këtij shkrimi: Nëse në zgjedhjet e vitit 2021 PD do të arrijë të vijë në pushtet, do të jetë një fitore shumëplanëshe dhe përveç kurorave të dafinave, fituesit do të kenë moralin t’u thonë skeptikëve, kritikëve dhe akuzatorëve ta mbyllin gojën. Por, nëse PD-ja do të humbasë, kjo humbje nuk do jetë thjesht disfata e një beteje, por pritet të sjellë një kataklizëm në këtë parti. Të presim.

  1. SALI BERISHA

Ku ka nevojë Sali Berisha për listë. Ta vendosësh, asnjë listë e PD-së nuk e nxë. Të mos e vendosësh është njësoj sikur anëtarësisë së PD-së t’i heqësh ajrin. Edhe pse ka 7 vjet që nuk është më kryetar, legjenda e historisë së Partisë Demokratike është aty. Është i tillë, saqë nuk ka asnjë vendim që kjo forcë merr prej 7 vitesh, në rastin më të mire, ta pyesin, në rastin më të keq vendosin vetë, por, ama, në mendje pyesin: Mirë e vendosëm, por doktori çfarë mendon? Po sikur ai të mendojë ndryshe?

Por çfarë ka sjellë kjo interferecë dhe a e mban Bashën në një pozicion të ngrirë si kryetar? Dhe pyetja më e rëndë për Berishësn: A do të ishte më e udhës që dorëheqja e Sali Berishës nga drejtimi i PD-së të shoqërohej më tërheqjen e tij nga politika? Këtyre pyetjeve Sali Berisha u është përgjigjur më 20 shkurt 2016, kur në intervistën që i mora tha: “Problemi është kështu. Së pari, në mënyrë absolute, në vlerësimin tim nuk ka asnjë lloj interference. Unë e kam thënë të qartë që në fillim, se unë tërhiqem nga çdo funksion në PD, përveç deputetit. Dhe, në qoftë se, kam dhënë dorëheqje nga funksionet, nuk kam dhënë dorëheqje nga Sali Berisha. Sali Berisha fjalën e tij e thotë vetëm me një qëllim. Unë nuk kam asnjë interes karriere më. Kategorike”. Po përse e bën gjithë këtë angazhim Berisha saqë opinioni mendon se kryeministri Edi Rama nuk ka çfarë t’i bëjë atij, pa për Lulzim Bashën nuk do t’ia dijë? A do të ishte më mirë që ai të tërhiqej nga jeta politike dhe publike? A do të ishte më mirë që duke u tërhequr Lulzim Basha do ndihej më i çliruar dhe më  sigurt në krye të PD-së?  Në të njëjtën intervistë Berisha tha: “Nuk kam interes personal. Gjithçka bëj aty, gjithçka them, gjithçka shkruaj e bëj për një qëllim, të mbroj interesin public, siç e gjykoj unë. Pa pretenduar se unë kam monopolin e të vërtetës për interesin publik. Por, siç e gjykoj. A mundem unë të rri indiferent ndaj interesit publik? Kurrë”. Është një situatë që vetë Basha e mendon shpesh gjatë ditës së punës, por askush nuk vë bast se është hija e Berishës që e pengon atë të shkëlqejë apo është mungesa e disa aftësive të veçanta që ende nuk po e ngre veten atje ku duhet. Berisha vazhdon të thotë për Bashën se po e pyeti i jep këshilla, nëse nuk e pyet, jo. Kjo besohet se është kështu. Por ajo që është bindje në anëtarësinë e demokratëve është që ndikimi që ka ende Sali Berisha në këtë parti është i jashtëzakonshëm. Kush ishte në sallën e mbledhjeve përkujtimore të vrasjes së Azem Hajdarit më 12 shtator 2018 e kupton këtë më së miri. I pari hyri Lulzim Basha, duatrokitjet ishin të zbehta. Kur hyri Bujar Nishani duartrokitjet ishin pak më të forta. Por ama kur hyri Sali Berisha salla u çua në këmbë dhe për 5 minuta pothuajse aty u bë miting. Apo në protestën e të hënës, pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, kur sapo pa Berishën që u afrua te protestuesit, një djalë i ri thirri: Kthehu edhe një herë Sali Berisha!

  1. GAZMEND BARDHI
Lexo edhe :  Berisha kërkon të shkojë në Kuvend/ Përfundon seanca, vendimi jepet sot

Zyrtarisht numri dy i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka fuqi aq sa është detyra e tij si sekretar i përgjithshëm. Ai ka besimin e kryetarit Basha, por edhe të struktrurave dhe kjo u duk që nga 277 votat që mori ai kur u zgjodh në janar të vitit 2019, kundrejt 44 votave të Dorian Telitit. Një besim që në fakt është një lloj basti që, nëse arrin të fitojë në zgjedhjet e vitit 2021, do të jetë jo i vogël, por nëse humbet, Bardhi duhet të largohet vetë nga kjo detyrë dhe nga PD. Juristi 34-vjeçar, Gazmend Bardhi, spikati si politikan në nivel të lartë, kur kryetari Basha e caktoi ministër të Drejtësisë në qeverinë e Edi Ramës, pas marrëveshjes së 18 majit 2017. Që nga ajo kohë ka një fakt që në lidershipin e PD-së ka prurje cilësore juristësh që nisi që nga kryetari Lulzim Basha, numri dy Gazmend Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkeled Alibeaj, Ivi Kaso, Çlirim Gjata etj. Një grup juristësh që me këtë nivel dhe me këtë sasi Partia Demokratike nuk e ka pasur kurrë më parë. Sigurisht që “kryetari” i këtij grupi është sektari i përgjithshëm, Gazmend Bardhi. Nuk ka asnjë investigim apo denoncim publik ndaj pushtetit të Edi Ramës që të mos ketë impenjimin e tij. Janë me dhjetëra rastet që ai ka denoncuar për lidhjet e pushtetit me krimin, për deputetë dhe kryetarë bashkie me të kaluar kriminale, me zyrtarë dhe pushtetarë të korruptuar dhe afera që vënë me shpatulla pas murit qeverinë. E fundit është ajo që lidhet me abuzimet gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit. I karantinuar dhe pa asnjë mundësi kontakti, Gazmend Bardhi doli publikisht nga foltorja e PD-së dhe bëri denoncimin e bujshëm: Provat e krimit janë aty, plot 1 milion e 200 mijë maska të skaduara, të shpërndara në thyerje të ligjit në të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore të Republikës së Shqipërisë.

  1. BUJAR NISHANI

Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shumë arsye të jetë një nga njerëzit më me ndikim në Partinë Demokratike. Jo thjesht se ka mbajtur detyrën më të lartë të shtetit, por ai ka krijuar formatin e një politikani të pakorruptuar, të papërfolur, me integritet dhe me pasionin e madh që të japë kontribute në këtë parti. Nëse Partia Demokratike ka dikë që e ka dhe duhet ta ketë për model se si duhet të jetë një politikan që nuk i ndryshon pikëpamjet për interes, nuk ndryshon preferencat politike, që qëndron besnik për shkak të karakterit të tij, ky është Bujar Nishani. Është nga të rrallët në PD që mbart me vete moralin e lartë që kjo forcë politike të vijë në pushtet. Aktiviteti i tij politik tashmë është i konsoliduar, duke krijuar edhe një eksperiencë të vyer në disa detyra, jo vetëm si president. Ai shkëlqeu po aq edhe në detyrën e ministrit të Brendshëm dy herë, por edhe atë të Drejtësisë, aq sa e detyroi që Edi Ramën, atë kohë kryetar i opozitës, të shkruajë një letër publike plot lavde, gjë që nuk është në natyrën e tij. Pikërisht për këto cilësi Nishani u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së në janar të vitit të shkuar dhe mori votat maksimale në anëtarësinë e PD-së. Por më shumë se kjo detyrë Nishani ka krijuar autoritetin e një politikani në PD që ka shumë ndikim. Nuk është çudi që në një largim të mundshëm nga drejtimi të Lulzim Bashës, Bujar Nishani të jetë një alternativë shumë më bindëse, vizionare dhe e besueshme për të drejtuar Partinë Demokratike.

  1. FLAMUR NOKA

Flamur Noka është i vetmi politikan i ri në PD që mban të ndezur shpirtin e PD-së së kohës së Sali Berishës. Janë të shumtë militantët që shikojnë te Noka instinktet dhe energjinë e opozitës 1997-2005. E nëse duket rrallë në selinë e PD-së dhe për disa duket i tërhequr, vetëm nga një gjë nuk është i tërhequr Noka: nga opozitarizmi. Kjo u duk edhe ditën e diel, kur shkatërrimi i godinës së teatrit bëri që Lulzim Basha ta thërrasë me urgjencë dhe ta mbajë në krah, pikërisht atë që kishte kohë që nuk e kishte takuar. Flamur Noka është ai tip politikani në PD që edhe nëse duket pak mënjanë, ka ndikim te militantët edhe më shumë se ata që rrinë non stop në ekran. Edhe kur duket në hije, hija është e gjatë. Kundërshtarët e akuzojnë, e kritikojnë dhe, madje, edhe e përçmojnë, por ama shkunden mirë sa herë që ai flet. A ju kujtohen mbledhjet e komisionit parlamentar të sigurisë? A ju kujtohet se sa herë i vuri në vështirësi përfaqësuesit e mazhorancës me qëndrimet e tij gjatë mbledhjeve të zakonshme, por edhe gjatë hetimeve që ky komision ka bërë? Por i gjithë ky aktivitet në atë komision gati u tret kur PD-ja mori vendimin e heqjes dorë nga mandati. Nga gjithë mazhoranca duket se anëtarët e komisionit të sigurisë kanë fërkuar duart se aty në mbledhje nuk do ta kishin më Flamur Nokën. Megjithatë, edhe jashtë parlamentit Noka ka vijuar aktivitetin e tij, sikur të ishte në parlament. E ka ndihmuar shumë fakti që dikur ka mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm dhe zotëron një informacion që rrallë e kanë politikanë të tjerë në opozitë. Në një intervistë që i kam marrë më 3 nëntor 2017, Flamur Noka tha: “Në Shqipëri aktualisht janë 5 mijë persona si pjesë e grupeve kriminale dhe klaneve mafioze dhe kjo nuk është kambanë alarmi, por një arsye e madhe që ne duhet të kemi një qeveri antimafia dhe jo qeveri promafias”. Në mazhorancë ia kanë frikën edhe për metodat që mund të përdorë ai. Por si do të arrihet të realizohet ky revolucion, duke pasur parasysh se kjo mund të sjellë destabilizimin vendit? Vetë Noka iu përgjigj: “Ne nuk do ta djegim Shqipërinë, por do të rrëzojmë Edi Ramën”.

  1. EDMOND SPAHO

Edhe vetë kryeministrit Edi Rama i mungon në parlament Edmond Spaho. I vetmi që kur replikonte i thërriste professor, dhe replikat me të ishin më shumë profesionale sesa politike. Burri i urtë i PD-së, në moshën 62-vjeçare, mund të quhet edhe plaku i PD-së, mes të një stafi krejt të ri. Por Edmond Spaho e ka krijuar atë reputacion vetëm me përkushtim dhe impenjim maksimal. Nënkryetari i Partisë Demokratike është thelbësisht nga senatorët e PD-së që e ka krijuar autoritetin dhe pushtetin e tij, duke qëndruar urtë, duke punuar dhe duke studiuar. Në njëfarë mënyre është ministri i ardhshëm i Financave apo i Ekonomisë, nëse PD-ja fiton zgjedhjet. Aktualisht ka një mëkat në PD. Duke qenë se ishte ai që koordinonte punën me aleatët, tradhtia e tyre, duke mos hequr dorë nga mandatet, u pa shtrembër në PD. Por përgjigjja unikale e profesor Spahos ishte: Unë i shkreti i gjeta këtu aleatët, nuk i zgjodha vetë. Në një intervistë që unë i mora më 5 dhjetor 2014, shumë pak kohë pasi u zgjodh numri dy i PD-së, ai tha: “Alternimi i përvojës të atyre me eksperiencë me ata që sjellin një frymë e të re, është suksesi i finalizimit të këtyre strukturave”. Por a ka dhënë rezultat ky alternim? Sigurisht që PD-ja ka diçka mangut, nëse nuk do të ketë më në strukura Edmond Spahon. Është përvoja e tij që i ka shërbyer në shumë raste lidershipit të ri të PD-së. Por kur bën lidhjen me partinë e Bashës me atë të Berishës, Spaho përherë e ka bërë dallimin. Një dallim që nuk lidhet me ndikimin ose jo të Berishës në PD-në aktuale. Në të njëjtën intervistë Spaho tha se Berisha nuk ndikon në zgjedhjet e PD-së dhe, sigurisht që Berisha nuk ka nevojë të marrë në telefon dikë. Hija e tij është e gjatë në atë parti. Dhe Spaho besoj e di mirë këtë.

  1. OERD BYLYKBASHI

Oerd Bylykbashi është truri juridik i Partisë Demokratike. Nuk ka asnjë nismë, asnjë çështje juridike nga kjo parti që të mos ketë vulën e tij. Juristi ka pasur rol primar në shumë procese  juridike që kanë qenë pejsë e angazhimit të PD-së. Ka pasur një rol parësor në marrëveshjen e  18 majit 2017, mes kryeminstrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Dhe të mendosh që në Partinë Demokratike ka shumë konkurrencë në fushën juridike, por Oerd Bylykbashi qëndron ndoshta mbi të gjithë në disa çështje specifike. 46-vjeçari Byklykbashi ka një meritë që mbi të gjithë ka qenë violina e parë në orkestrën e juristëve në PD. Trofeu kryesor i tij është ideimi dhe angazhimi i tij i ligjit të dekriminalizimit, një nga ato që quhen suskese të padiskutueshme të Partisë Demokratike të gjeneratës së re. Ndonëse kurorën e ka marrë për vete kryetari Basha, nëse lexojmë CV-në e Oerd Bylykbashit në Ëikipedia shkruhet: “Së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ai është arkitekti i ligjit për dekriminalizimin e politikës dhe administratës në Shqipëri. Ky ligj u kërkua me forcë nga Partia Demokratike në opozitë dhe kryetari i saj, Lulzim Basha, për të pastruar Parlamentin dhe administratën shtetërore nga njerëz me të kaluar kriminale, ose me precedentë penalë”.Nuk ka vend për diversion, por kuptohet qartë që rreshtat e këtij ligji historik kanë firmën dhe vulën e Bylykbashit, sepse te Basha ende nuk kemi parrë ndonjë intuitë të lartë në fushën e jurisprudencës. Një tjetër fuqi dhe ndikim në figurën e Oerd Bylykbashit e ka fakti që ai mbulon një qark kaq të rëndësishëm si Durrësi. Mes personazheve që vijnë dhe ikin nga Durrësi, ai mbetet aty. E provoi shumë prej tyre, deri tek dështimi me sukes i Grida Dumës në zgjedhjet lokale të vitit 2015, por Oerd Bylykbashi qëndroi dhe është aty. Ndoshta për të rigjallërimi dhe ringritja e këtij qarku është një sfidë edhe më e vështirë se projektligjet që Oerd Bylykbashi i shkruan. Ndoshta nuk duhet të qahet më. Vangush Dako është vërtet i fortë, por historia e Sokol Olldashit në vitin 2005, kur fitoi edhe ndaj të fortëve, është një model që duhet t’i shërbejë mirë Bylykbashit.

  1. ALBANA VOKSHI

Albana Vokshi është i vetmi personazh në Partinë Demokratike që më shumë vlen tani që është në opozitë, sesa kur ishte në pushtet. Kur kjo parti kaloi opozitë, në vitin 2013, shumë  syresh nga kjo parti e gjetën ndonjë cep pushteti, Albana Vokshi bëri më të vështirën. Ajo iu  përkushtua Partisë Demokratike duke u bërë nga politikanet më aktive, më të zëshme dhe  më shumë se kaq, duke krijuar një format larg atyre që e deshën PD-në vetëm për ta vjelë. Tashmë kryetare e Forumit të Gruas, Albana Vokshi, ka besimin jo vetëm të kryetarit Lulzim Basha, por edhe të shumë vajzave dhe grave në PD. Si një mike e mirë e medias, Vokshi ka arritur të kthehet në një stacion denoncimi të medias të shumë gazetarëve që kanë probleme me pushtetin. Dhe kjo është një marrëdhënie natyrale dhe aspak preferenciale. Rasti i fundit pas dhunës ndaj gazetarëve e bëri edhe një herë Albana Vokshin një denoncuese të atij formati që nuk e bëjnë as ata politikanë që vijnë nga media. Por si do jetë Albana Vokshi në pushtet? Nuk e dimë. Politika ka një rregull të artë, si sillesh në opozitë, ashtu do të jesh edhe në pushtet. Albana Vokshi ka shkëlqyer në opozitë, në pushtet do ta ketë më të lehtë. Pikërisht për këtë sjellje ajo i ka rritur aksionet e veta politike.

  1. BELIND KËLLIÇI

Lënia jashtë listave si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 e Belind Këlliçit vazhdon t’i djegë akoma Lulzim Bashës, por jo vetëm atij. Kryetari i Forumit Rinor të PD-së është nga njerëzit më me ndikim tek të rinjtë në këtë parti, falë një stili krejt të veçantë. Nuk ka asnjë aksion politik të Partisë Demokratike ku të mos jenë të rinjtë që e mbajnë gjallë, të mos jenë ata sakrifikuesit dhe të mos jenë ata pjesa manifestuese e këtyre aksioneve. A e patë vetë Belind Këlliçin në protestën e fundit, pas prishjes së teatrit, kur disa policë e tërhoqën zvarrë për disa metra, duke i thyer edhe krahun. Po ditën tjetër, me krahun e hedhur në allçi? Imagjinoni ta krahasoni Këlliçin me disa aty në PD, që presin vetëm ta vjelin PD-në. Ndërsa ku është Këlliçi, është aksioni. Dhe këtë status ai e ka arritur duke bërë beteja në radhë të parë ndaj të përkëdhelurve në PD dhe, në radhë të dytë, ndaj atyre që krekosesishin se ishin të sigurt në fitore. Janë të gjitha protestat e Partisë Demokratike që janë ideuar dhe ndikuar nga Belind Këlliçi. Nuk e teprojmë të themi se të rinjtë e PD-së janë më shumë të ndikuar nga Belind Këlliçi sesa edhe nga vetë kryetari Lulzim Basha. Aq sa nën zë thonë që forumi rinor është parti brenda Partisë Demokratike. Paqja e vendosur mes kryeatrit të partisë dhe kryetarit të Forumit Rinor, më shumë i ka vlejtur Lulzim Bashës sesa Këlliçit.

  1. INA ZHUPA

Emri i Ina Zhupës mund të ngjallë më shumë xhelozi se çdo emër tjetër i kësaj liste. Zëdhënësja e kryetarit Lulzim Basha është një personazh që nuk i përket kujt. Asnjë klani, asnjë grupazhi e asnjë rryme. Ka vetëm një shtyllë në fortë në karrierën e saj, besnikërinë, një cilësi që rrallë e kanë aty në PD, dhe kjo i ka dhënë shumë kredite te kryetari Basha. Nuk e braktisi as kauzën, e as kryetarin në ditët më të vështira, kur humbi zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Edhe pse mund të bënte viktimën, të zhgënjyerën, të zemëruarën dhe të ofenduarën, pse nuk ishte në listë për deputete, Ina Zhupa nuk foli e nuk përfoli askënd. Ajo vuri në funksion idetë dhe vizionin e saj dhe jo interesin e vet. Një vajzë dhe politikane e re që fuqinë e saj e ka në faktin që përtej besimit të kryetarit gëzon respektin e shumicës në PD. Një vajzë familjare, pa vese dhe cene e, mbi të gjitha, me vete ka moralin si armën e saj më të fortë dhe për këtë nga disa aty shikohet si jashtëtokësore. Gruaja e re që njeh disa gjuhë të huaja, por më shumë se kaq njeh gjuhën e komunikimit qytetar, të përulur dhe të edukatës larg një pjese në PD, që edhe pse janë në opozitë sillen me prepotencë dhe të sigurt në atë që bëjnë. Pikërisht për këto arsye kryetari Basha i ka dhënë besim, por duhet t’i japë edhe më shumë vlerësim. Ina Zhupa, pa dyshim, që ka krijuar një ndikim të padisktueshëm në Partinë Demokratike falë cilësive të mësipërme./Fjala.al

Të fundit

Tavo zbulon nëse do të kandidojë për PS në Himarë: Kemi shumë punë përpara

Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo ka komentuar në një prononcim për mediat mbledhjen e këshillit bashkiak të Himarës, ku...

Jam i Kuq

Nga Edison Ypi Kam kujtu se jam i zi. Por kam rrejt veten. Nuk jam i zi. Jam i kuq. Kam fakte që nuk jam...

Blerina Bala kryetare e komanduar, analisti bën paralajmërimin e bujshëm: Nëse Beleri…

Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe 4 kundër komandoi Blerina Balën si drejtuese të bashkisë Himarë. Juristi Kreshnik Spahiu tha në një...

E keni menduar ndonjëherë? Zbuloni çfarë i ndodh trupit nëse konsumoni çdo ditë supë

Edhe pse supa konsiderohet si një ushqim i mirë për rastet kur keni temperaturë ose ndonjë sëmundje tjetër, duhet të dini se kjo varet...

U pështy në fytyrë, Tavo: Interesat e vogla kanë marrë peng komunutetin himariot

Prefekti i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo u përball me një incident në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do zgjidhej drejtuesja e komanduar e...

Lajme të tjera

Web TV