Ekskluzive/Roland Peqini: Ju tregoj të rinjtë shqiptarë që po kapin klubet evropiane të futbollit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në një intervistë për gazetën “Fjala”, ish-futbollisti dhe instruktori Roland Peqini, tregon për stërvitjen “online” në kohë karantine. Peqini: Futbollistët në Shqipëri do të kenë shumë probleme, të bëjnë kujdes me dëmtimet

Nga Katerina Tafa

Ish-futbollisti dhe njëkohësisht trajneri Roland Peqini,ka folur për gjendjen në të cilën do të ndodhen futbollistët që luajnë në Shqipëri pas karantinës, dhe ka theksuar se do të jetë shumë e rëndë.

Teksa ka sqaruar situatën në të cilën ndodhen djemtë që luajnë në klubet e vendit tonë, Peqini ka marrë si shembull lojtarët e kampionatit gjerman, që patën një sërë problemesh në javën e parë të rikthimit, dhe ka theksuar se në Shqipëri gjendja do të jetë shumë herë më e vështirë.

“Mendoj se kjo situatë ka ndikuar dhe do të ndikojë shumë në ekipet shqiptare, sepse po të shikoni javën e parë të kampionatit gjerman që u luajt pas karantinës, kishte shumë dëmtime dhe kjo për shkak të përgatitjeve gjatë kësaj periudhe. Mendoni kampionati gjerman i çfarë niveli është, dhe mendoni se çfarë mund të presin më shumë futbollistët në Shqipëri. Uroj që të mos i ndodhë askujt, por unë u sugjeroj që të kenë shumë kujdes e të përgatiten mirë.”- shprehet ai në një intervistë për gazetën “Fjala”.

Ndërsa për ndikimin në rezultatet e ekipeve të Superiores ai theksoi se Tiranën e sheh që do të vijojë të ketë rezultate pozitive, ndërsa për Kukësin shtoi se do të ketë probleme të shumta.

“Tirana është e shkëputur dhe, nëse nuk do të ishte ndërprerë kampionati, ata do të ishin shpallur kampion, por jam i sigurt që për bardheblutë përfundimi i sezonit do të jetë i njëjtë.Ndërsa përsa i përket Kukësit, uroj ta kem gabim, por shoh një ekip me shumë probleme, duke ditur që edhe stafi i trajnerëve është ndërruar pak para ndërprerjes së kampionatit.”-thotë Peqini.

Për herë të parë trajneri i futbollistëve të rinj ka nxjerrë disa emra që, sipas tij, do të jenë e ardhmja e Kombëtares dhe e disa prej klubeve më të mëdha evropiane e shqiptare.

“Unë asnjëherë nuk kam folur me emra për lojtarët që stërvit, por sot po ju tregoj disa dhe besoj shumë shpejt do t’i shohim në nivele të larta, vetëm se të rinjtë duan besim e t’u japësh mundësinë. Prej kohësh stërvit Devid Fejzullain që ka firmosur me Boavisten në Portugali, Kleis Bozhanajn që luan te Napoli, por edhe shumë djem të talentuar që luajnë në akademitë më të mira në vend, si Franc Marinaj, Endi Rrahmani për Partizanin, Aldi Gjumsi për Tiranën, Eogen Sula, Rejan Alivoda i Vllaznisë, por ka dhe shumë djem të tjerë të talentuar.”-vijoi ish-futbollisti.

Duke folur me nostalgji për Dinamon e kohës së tij, ish-kapiteni i klubit kryeqytetas ka thënë se futbolli ishte i një tjetër niveli në atë kohë, dhe ka theksuar se tashmë lojtarët nuk kanë mjaftueshëm pasion e nuk punojnë saç’duhet. Për shumëkënd karantina ishte vetëm një “mbyllje në shtëpi”, por Roland Peqini u ndoq shumë nga të gjithë gjatë kohës së kulmit të shpërthimit të koronavirusit, pasi instruktoi lojtarët shqiptarë se si të stërviten në kushte shtëpie.

Si ishte periudha e karantinës për ju, duke qenë se jeni marrë me shumë aktivitet dhe keni ndihmuar në stërvitjet e shumë të tjerëve?

Periudha e karantinës për mua ka qenë shumë aktive dhe, me thënë të drejtën, shumë e lodhshme. Kjo jo vetëm fizikisht, por edhe sepse bëja programe për shumë njerëz të tjerë, përveçatyre që stërviteshin online me mua.

Si lindi ideja për t’u bërë trajner i futbollistëve gjatë karantinës?

Kisha shumë ditë që e mendoja diçka të tillë dhe doja që në atë kohë të vështirë që po kalonim të gjithë të bëhesha i dobishëm dhe të ndihmoja sadopak. Në fillim mendova që të jepja instruksione vetëm për djemtë e rinj që nuk kishin mundësi të stërviteshin, sepse mendova që ekipet e të rriturve kanë trajnerët e tyre nga të cilët marrin programin, por doli se kisha edhe futbollistë të Superiores dhe të Kombëtares që po stërviteshin me mua.

Pse erdhi tani vendimi për të realizuar stërvitje online, a nuk e kishe menduar diçka të tillë më parë?

E theksova dhe po thosha që doja vetëm të ndihmoja në këtë situatë të vështirë që po kalonim dhe, për të qenë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, as nuk e kam menduar ndonjëherë dhe as nuk e mendoj as tani që të bëj stërvitje online, pasi nuk e kam as kohën në dispozicion për të bërë diçka të tillë. Në jetën normale kam qenë shumë aktiv dhe kam pasur punë të tjera me futbollistët në palestër, por edhe në fushë duke u stërvitur.

Të instruktosh për stërvitje shumë persona njëkohësisht, ishte e vështirë?

Ishin të shumtë futbollistët që punonin me mua e më vinte mirë për këtë gjë që kisha krijuar. Në fakt, nuk e kisha aspak problem apo të vështirë, por gjithmonë mendoja dhe theksoja që nuk e dija moshën e të rinjve që po stërviteshin dhe mënyrën sesi. Kjo gjë më shqetësonte pak, pasi duke mos e ditur si po vepronin, as nuk i ndihmoja dot të perfeksiononin lëvizjet kur ishin duke i bërë keq. Ka qenë sikleti i vetëm që kam pasur, sepse çdo gjë tjetër ka shkuar mirë.

Sa futbollistë ke trajnuar gjatë kësaj periudhe?

Kishte ditë që stërviteshin edhe 250-300 persona dhe kjo më bënte ta vazhdoja me shumë dëshirë atë gjë, sepse po shikoja që po shkonte mirë dhe merrja mesazhe të shumta edhe për rezultatet që djemtë po merrnin për aq kohë sa punonin me mua.Unë nuk e kisha aspak të vështirë atë gjë që po bëja, sepse çdo ditë isha i përgatitur dhe kisha bërë programin për atë orë që punonim. E bëja çdo gjë vetë gjatë gjithë kohës që të bëhesha motivim për ata që më ndiqnin e stërviteshin me mua. Siç e thashë, vështirësia ishte vetëm pjesa që nuk dija kush po stërvitej me mua dhe se nuk e korrigjoja dot, sepse e di që ka pasur shumë për t’u korrigjuar, por edhe njëherë e kam përfunduar i kënaqur, pasi nuk kemi pasur asnjë dëmtim apo problem.

Lexo edhe :  Pse lëngu i freskët i frutave nuk është gjithmonë i shëndetshëm

Si ka funksionuar procedura e trajnimit në kushte shtëpie, a mund të na e shpjegosh?

Nuk kishte asnjë procedurë, sepse unë e bëja falas për të gjithë në “instagramin” tim personal. Kush dëshironte, ishte aty me mua dhe punonim live. Stërvitja bëhej gjithmonë në kushte shtëpie dhe programi ishte i ndërthurur me objekte apo gjërat që kemi në shtëpi e që mund të na ndihmonin.

A ndikon te lojtarët kjo situatë?

Mendoj se kjo situatë ka ndikuar dhe do të ndikojë shumë në ekipet shqiptare, sepse po të shikoni javën e parë të kampionatit gjerman që u luajt pas karantinës, kishte shumë dëmtime dhe kjo për shkak të përgatitjeve gjatë kësaj periudhe. Mendoni kampionati gjerman i çfarë niveli është, dhe mendoni se çfarë mund të presin më shumë futbollistët në Shqipëri. Uroj që të mos i ndodhë askujt, por unë u sugjeroj që të kenë shumë kujdes e të përgatiten mirë.

Pezullimi i kampionatit a favorizoi ndonjë ekip?

Nuk e di se kush është favorizuar dhe nuk do të flisja asnjëherë për gjëra që nuk më takojnë.

Nëse kampionati nuk do të rikthehet normalisht dhe stërvitja vijon e kushtëzuar, çfarë pasojash mund të lërë kjo?

Nuk jam specialist i gjendjes dhe nuk di të them të vërtetën, por e kam parë të vështirë këtë situatë. E kam menduar dhe kam pyetur miqtë që, nëse del pozitiv një futbollist mbas ndonjë ndeshjeje, si do të vazhdojmë? Megjithatë, uroj qëçdo gjë ta kemi lënë pas e të vazhdojmë jetën normalisht pa koronavirus.

A mendon se pas rikthimit lojtarët do të jenë në formën e tyre të parandërprerjes së kampionatit?

Mendoj që lojtarëve u duhet më shumë kohë se ajo që kanë për dispozicion deri në rifillimin e kampionatit për t’u përgatitur, pasi ka për të qenë shumë e vështirëpër të kapur të njëjtin ritëm që kanë pasur. Mbaj mend kur luaja futboll që për festa pushonim vetëm 10 ditë e kur ktheheshim na duhej faza përgatitore për të marrë veten. Imagjinoni me kaq kohë të gjatë që kemi ndenjur mbyllur, sa është rënduar gjendja e tyre.

Mund të na thuash disa nga emrat që kanë ndjekur më rregullisht se të tjerët instruksionet e tua dhe që mendon se kanë shumë ndikim nga to?

Kishte futbollistë nga të gjitha ekipet në Shqipëri, duke nisur nga vendi i parë e deri te vendi i fundit. Kishte futbollistë që luajnë jashtë Shqipërisë e tëshumëakademive në vend, por edhe nga Kosova. Në shumë seanca me ne është stërvitur edhe Armando Sadiku.

Duke ditur që para ndërprerjes së kampionatit nuk ishin mirë, a mendon se kjo periudhë do të ndikojë për mirë tek ekipi i Partizanit?

Unëmendojqë nëse të gjitha ekipet kanë qëndruar në karantinë dhe janë stërvitur në kushte shtëpie, atëherë të gjitha do të jenë të barabarta.

Po për Tiranën dhe Kukësin, si dy ekipet që kryesojnë kapionatin,a do të ndikojëkjo periudhë në ecurinë e tyre dhe të përmbysë rezultatet?

Tirana është e shkëputur dhe, nëse nuk do të ishte ndërprerë kampionati, ata do të ishin shpallur kampion, por jam i sigurt që për bardheblutë përfundimi i sezonit do jetë i njëjtë. Ndërsa, përsa i përket Kukësit, uroj që ta kem gabim, por shoh një ekip me shumë probleme, duke ditur që edhe stafi i trajnerëve është ndërruar pak para ndërprerjes së kampionatit.

Para kësaj situate merreshit me stërvitje edhe të personave të tjerë, a mund të veçosh dikë prej tyre që duket se së shpejti do të ketë një “shpërthim”?

Unë asnjëherë nuk kam folur me emra për lojtarët që stërvit, por sot po ju tregoj disa dhe besoj se shumë shpejt do t’i shohim në nivele të larta, vetëm se të rinjtë duan besim e t’u japësh mundësinë. Prej kohësh stërvit Devid Fejzullain që ka firmosur me Boavisten në Portugali, Kleis Bozhanajn që luan te Napoli, por edhe shumë djem të talentuar që luajnë në akademitë më të mira në vend, si Franc Marinaj, Endi Rrahmani për Partizanin, Aldi Gjumsi për Tiranën, Eogen Sula, Rejan Alivoda i Vllaznisë, por ka dhe shumë djem të tjerë të talentuar.

Dikur ke qenë edhe vetë person aktiv i fushës së blertë, cili është ndryshimi i asaj periudhe dhe forme stërvitjeje me këtë tani?

Në kohën kur unë firmosa një kontratë profesionale ishte viti 2007, dhe isha vetëm 16 vjeç. Kisha fatin të luaja për Dinamon, që në ato kohë ishte ekipi më i mirë në Shqipëri dhe klubi më i mirë në vend. Mendoj se ka qenë tjetër niveli i futbollit atëherë, dhe kishte lojtarë që sot është e vështirë t’i shohësh. Sot janë kushte më të mira dhe të rinjtë kanë më shumë mundësi, por duhet shumë pasion e shumë punë për të rritur nivelin.

A do të doje që të ishe sërish duke luajtur në fushë dhe, nëse po, te cili ekip do ta shihje veten më mirë tani?

Unë e nisa futbollin te Dinamo dhe e mbylla po te Dinamo si kapiten skuadre, edhe pse në atë kohë klubi ishte në situatë shumë të vështirë. Sigurisht që më mungon futbolli dhe e di që, nëse nuk do të kisha pësuar dy operacione brenda dy viteve, sot mund ta jepja intervistën nga diku tjetër dhe jo si Roland Peqini që jam tani.

Diçka të fundit që do të doje ta shtoje për këtë situatë, në lidhje me futbollin, por edhe për çdo person tjetër?

Dua t’i them çdokujt që e lexon këtë intervistë se çdo gjë do të kthehet si më parë, e ne duhet të jetojmë pozitivisht, të bëjmë mirë e gjëra të bukura. Duhet të hapim zemrën e jo të vazhdojmë të gjuajmë çdo gjë me gur. Jemi vetëm një grimcë e vogël në këtë botë. Për çfarë do të mbahemi mend? Sigurisht që për veprat tona.

 

Të fundit

Ku i ka rrënjët marrëdhënia e vështirë dhe (e rrezikshme) mes SHBA-së dhe Iranit?

Sulmi i fundit i Iranit ndaj Izraelit e lë botën në pezull, sepse rrezikon të rindez rivalitetet e vjetra...

“Shumë totemike dhe shumë aborigjene”/ Hyrja e Australisë në Bienalen e Venecias

Hyrja e Australisë në Bienalen e Venecias është një pemë familjare që shkon 65,000 vjet më parë Gjenealogjia e përpiktë e Archie Moore, të afërmit...

Turizmi, lokommotiva e rritjes së PBB-së shqiptare edhe më 2023

Rreth 3/5 e rritjes së PBB-së vjet mund t’i atribuohet drejtpërdrejt apo tërthorazi rritjes së turizmit. Në qoftë se në ekonominë e një vendi nuk...

Kam frikë se po harrojmë mësimet nga ajo histori e tmerrshme

E kaluara e familjes sime dhe e Gjermanisë, rëndon shumë mbi mua. Dhe kjo është arsyeja pse ndihem kaq fort për Gazën Nga Eva Ladipo Zakonisht...

Amerika e përshkruar në Luftën Civile nuk është gjysma aq alarmante sa ajo reale

Me Donald Trump dhe trazirat në Capitol Hill në gjykatë, atmosfera e stuhishme apolitike e kësaj distopie ndihet si një polic. Nga Ema Brockes Ndërsa gjykata...

Lajme të tjera

Web TV