Qerveria shqiptare ka miratuar sot marrëveshjen e firmosur 12 shkurt të 2020-ës, për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit të automjeteve midis Shqipërisë dhe Turqisë.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi”
Marrëveshja u nënshkrua në muajin shkurt nga ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Turqisë, Gent Cakaj dhe Mevlüt Çavuşoğlu. Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë, Cakaj deklaroi se marrëveshja do të shmangë të gjitha burokracitë dhe se shoferët shqiptarë mund të lëvizin në territorin turk duke përdorur patentat shqiptare. Të njëjtin lehtësim do të kenë edhe shoferët turq në Shqipëri.