Deputetja e opozitës Rudina Hajdari i ka shprehur solidaritet 15-vjeçares të abuzuar seksualisht nga roja i shkollës në Babrru të Tiranës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ligjvënësja shqiptare shkruan se drejtësia për abuzuesin nuk duhet të ketë mëshirë. Sipas saj, faji është i institucioneve dhe i personave që e dinin këtë histori dhe heshtën.
Deputetja njofton se do të konsultohet me grupet e interesit për të pare se si mund ta përmirësojmë legjislacionin.
Postimi i plotë:
“Si nënë dhe si grua jam e shokuar nga ngjarja e para pak ditëve kur u mësua se një vajzë vetëm 15 vjeçe abuzohej seksualisht nga një shtazë pa shpirt e pa zemër I cili nuk u mjaftua me kaq por e ekspozoi ndaj personave të tjerë viktimën.
Dua të shpreh së pari solidaritetin tim me atë vajzë dhe dua shumë ti jap kurajo.
Kurajo për të vazhduar jetën, kurajo për të ecur përpara!
Mos ki frikë, mos ki turp!
Ti nuk ke asnjë faj!
Faji në rradhë të parë është i shtazës që abuzoi me ty, drejtësia për të nuk duhet të ketë mëshirë.
Faji është i drejtorisë arsimore e cila kishte punësuar një pedofil si roje shkolle. Ky gabim nuk mund të kalojë pa ndëshkim.
Faji është edhe i Ministrisë e cila edhe pse raste të ngjashme u shfaqën jo shumë kohë më pare në një shkollë të Fierit, ka bërë asgjë ose shumë pak për ti parandaluar.
Faj kanë edhe ata që e dinin historinë por heshtën.
Ju lutem mos heshtni!
Sepse heshtja vret. Heshtja e ka sjellë Shqipërinë në këto ditë.
Nëse nuk dënojmë të keqen sapo ajo shfaqet, nuk do vonojë dita që do të na bjerë mbi kokë.Si deputete do të konsultohem, sapo te mbaroj angazhimet me këshillin politik, me grupet e interesit për të pare se si mund ta përmirësojmë legjislacionin.” shkruan Hajdari./E.B./Fjala.al