Bizneset të godituara nga pandemia, sa kohë do u duhet të rikuperohen

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rikthimi në normalitet i biznesit është më i lehtë për t’u thënë se për t’u bërë. Vërtet që pas 15 majit janë lehtësuar disi masat anti-COVID të ndërmarra nga qeveria, por motorët e ekonomisë nuk mund të vihen përpara me shpejtësinë që u mbyllën. Periudha e rikuperimit do të jetë e gjatë. Parashikimet e vetë protagonistëve të bizneseve deklarojnë se rikthimi i tyre te gjendja normale do të jetë deri në një vit.

Gjatë kësaj kohe, biznesi vazhdon të kërkojë nga qeveria afate më të qarta në hapjen e vendit, lehtësim të pagesave të sigurimeve shoqërore me këste, zgjatje të afatit të ristrukturimit të kredive dhe ridimensionim të zhvillimit të tenderëve publikë, për të futur në punë prodhimin vendas dhe për të mbrojtur me dhjetëra ndërmarrje shqiptare. Situata bëhet edhe më e paqartë nëse do të shohim se çfarë e pret vendin në muajt tetor-nëntor, kur askush nuk thotë dot se nuk do të rikthehen masat shtrënguese për shkak të situatës me virusin.

Problem i madh mbetet sektori i fasonëve dhe sidomos i atyre kompanive që punojnë me porosi të veshjeve të modës, pasi stoku i krijuar, pasiguria dhe mungesa e likuiditetit nga partnerët porositës të këtij produkti, shkakton kaos financiar te procesi i menaxhimit të planeve për të ardhmen të këtyre kompanive.

Ulet prodhimi dhe eksporti i naftës

Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, për shkak të mungesës së shitjeve dhe depozitimit të produktit në muajin prill, dhe në 15 ditët e para të muajit maj, pati ndërprerje totale të punës, pra prodhimi ishte zero. Ndalja e prodhimit të kompanisë u reflektua edhe tek eksportet për muajin prill. Sipas të dhënave të INSTAT, rënia e eksporteve për grupin “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” ishin 57%. Si vlerë, për këtë grup, eksportet e prill 2020 janë 1,7 miliardë lekë, nga 3,9 miliardë lekë në 2019, pra rënie drastike mbi 50%.

Kompania Bankers Petroleum thotë se para ndërprerjes totale të punës, në muajin mars, prodhimi ka vijuar normalisht, pra ishte 14 mijë fuçi/ditë apo 434 mijë fuçi në muaj. “Në muajin prill deri në 15 ditët e para të muajit maj pati ndërprerje totale të punës, prodhimi ishte zero. Puna rinisi në mesin e muajit maj me ritme të lehta, ndërsa pritet që në fund të muajit, kompania të nisë edhe eksportin”, shpjegon kompania. Në vitin 2019, kompania prodhoi 885,692 tonë naftë duke zënë 88% të totalit të prodhimit vendas.

Ndërprerja e punës për një muaj e gjysmë do të sjellë efekte negative dhe në të ardhurat e buxhetit, pasi detyrimet vjetore të kompanisë për rentë minerare llogariten rreth 25 milionë dollarë, ku për muajin prill do të jenë 3 milionë dollarë rentë të munguara, pa llogaritur akcizën, TVSH-në.

Edhe kompania shtetërore e naftës Albpetrol pritet së shpejti të rinisë punën dhe shitjet e prodhimit të naftës. Kompania Albpetrol pritet në fund të muajit të rihapë tenderin e shitjes së naftës. Burime nga Ministria e Energjetikës konfirmojnë se sasia e shitjeve do të rishikohet.

Bie konsumi i karburanteve

Edhe konsumi i karburanteve në vend rezulton me ulje në mars e prill. Importet e karburanteve u rritën me 6.8% për 4-mujorin, me bazë vjetore. Por, kjo rritje ka ardhur si rrjedhojë e furnizimeve të larta në dy muajt e parë të vitit. Në mars dhe prill, importet ranë përkatësisht me 13% dhe 15% në raport me muajt përkatës të një viti më parë. Operatorët pohojnë se për shkak të konsumit të ulët, kanë krijuar rezerva të mëdha.

Në të njëjtën kohë, askush nuk di të thotë se kur do të hapet përfundimisht vendi ndaj turistëve të huaj, ndaj rikthimit masiv të emigrantëve shqiptarë që ndodh zakonisht në muajin gusht e kështu me radhë dhe kjo krijon dizavantazhe të mëdha për sektorë si ai i karburanteve. Në një periudhë normale, konsumi gjatë muajve të verës qershor-korrik-gusht përfaqëson rreth 70% të shitjeve të karburantit nga pikat e pakicës, ndërsa ky sektor ka rënie me 50% të kapacitetit shitës që përveçse dëm i madh financiar në xhepat e punonjësve dhe gjithë zinxhirit të biznesit të këtij lloji shkakton edhe dëm në buxhetin e shtetit prej fitimit të munguar.

Përfaqësuesi i Shoqatës të Hidrokarbureve pohon se nëse do të hapen kufijtë, do të fillojnë të vijnë turistët dhe emigrantët dhe situata do të rikuperohet. Në total, konsumi i karburanteve vetëm nga automjetet në vend llogaritet 500 mijë tonë në vit.

Prodhimi i hekurit dhe çelikut vuan mungesën e investimeve

Kompania Kurum, më e madhja në vend e prodhimit të hekurit dhe çelikut deri në muajin korrik, parashikon rënie të prodhimit. Arif Shkalla, drejtor i Financës i kompanisë, shpjegon se arsyet e uljes së prodhimit janë për shkak të rënies së kërkesës dhe investimeve, si dhe inventarëve me sasi të lartë stoku të mallit të pashitur.

“Pritshmëritë janë që edhe në muajin qershor dhe korrik nuk do të ketë punë, do të ketë një frenim për shkak të rënies të investimeve në çdo vend. Ende nuk ka ndonjë lëvizje pozitive, kontrata të mëdha, klientët janë treguar të gjithë të rezervuar. Jemi në negociata me bankat për të shtyrë ristrukturimin e kredive përtej afatit prej 31 majit, pasi pritet që ky vit të jetë i vështirë. Nëse në muajt në vijim, kërkesa do të rritet, do të rikthehemi në kapacitet të plotë prodhimi.”

Kompania aktualisht po punon 12 orë, pra me një turn e gjysmë. “Ne po punojmë 12 orë, me gjysmë-turnesh, si dhe kemi ulur numrin e punonjësve për shkak të përgjysmimit të turnit. Punonjësit kanë shfrytëzuar ditët e lejes, po punojnë një turn, turni tjetër qëndron pushim, punon një herë në dy ditë për të respektuar masat kundër COVID-19.

Një arsye tjetër është për shkak të respektimit të masave dhe jo të gjithë punonjësit janë nxjerrë në punë, po ashtu janë paraqitur vështirësi dhe në transportin e tyre”, shpjegon zoti Shkalla.

Efektet e krizës te këpucët dhe veshjet e modës

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve për muajt janar–prill të këtij viti shënuan rënie në krahasim me 2019. Sipas të dhënave të INSTAT në 4-mujorin e 2020 u eksportuan si vlerë 30,5 miliardë tekstile dhe këpucë.

Lexo edhe :  “Kisha vetëm 3 euro të fundit, mami po qante”, si mbyti varfërinë Olen Çezari në Itali

Në krahasim me 2019, eksportet shënuan rënie, ku si 4-mujor vlera e tyre ishte 41,2 miliardë lekë. Efektet e eksporteve janë më të lartë në muajin prill, ku vendi ishte në karantinë të plotë. Për muajin prill 2020, eksporti i mallrave për grupin tekstile dhe këpucë është 4,8 miliardë lekë nga 10,2 miliardë lekë për prillin 2019, pra rënie mbi 50%.

Skënder Pashaj, administrator i fabrikës së këpucëve “Fital”, thotë se humbjet për 3 muajt, mars-prill-maj, janë të larta. Tre janë arsyet kryesore të humbjeve të shkaktuara, sipas tij, ecuria e punës me ritme shumë të ngadalta, moskryerja e pagesave nga porositësit dhe krijimi i stoqeve në magazinë, pasi për shkak të mungesës të tregut, klientët refuzojnë të tërheqin prodhimin e porositur.

Zoti Pashaj pohon se, pavarësisht se gjatë karantinës nuk ka pasur mbyllje totale të punës, për kthimin në normalitet po hasen shumë vështirësi. Pavarësisht se më 25 maj, puna në fabrikë pritet të rinisë me kapacitet të plotë të fuqisë punëtore, administratori ngre shqetësimin e mallit stok, që është krijuar në magazinë dhe 30% e tij nuk do të tërhiqen për këtë vit nga porositësit.

Si do t’i mbijetojnë krizës fasonët

Pandemia e COVID-19 ka nxjerrë në pah dobësinë e madhe të sektorit fason në vendin tonë, ku shumica e kompanive nuk punojnë me cikël të mbyllur prodhimi.

Karakteristikë e sektorit është varësia e lartë nga Italia, ku 72% e totalit të eksporteve të tekstileve dhe këpucëve, për muajt janar-prill 2020, sipas INSTAT shkuan drejt shtetit fqinj dhe 10% në Gjermani.

Tekstilet e këpucët janë grupmalli kryesor i eksportuar në vend, me rreth 39% të totalit. Tendenca e tyre ka qenë në rritje të fortë, përveçse në 2019, kur u goditën nga zhvlerësimi i euros.

Kjo do të thotë që industria e tekstileve dhe e këpucëve është ndikuar shumë nga kriza e madhe pas COVID- 19 në shtetin fqinj. Fakti që pjesa më e madhe e sektorit (sidomos tekstilet) nuk e ka mbyllur ciklin, po kryejnë vetëm disa procese, kryesisht pret-qep-hekuros, e bën të vështirë diversifikimin në shtete të tjera.

Strategjia që ata pritet të ndjekin për të vazhduar punën do të jetë në varësi të projekteve për mbijetesë që do t’u servirin porositësit e tyre. Humbjet e sektorit parashikohen të jenë të konsiderueshme, për shkak të përgjysmimit të shitjeve të veshmbathjeve dhe kostos së lartë që po krijon malli stok.

“Fillimisht me hapjen e kufijve do të takoj personalisht klientët e mi në Gjermani, Francë dhe Itali për të parë se çfarë projektesh mund të zbatojmë për të mbijetuar. Parashikoj që shitjet e veshmbathjeve të shkojnë në nivele 55%, si dhe frika më e madhe e madhe është e mallit që kemi stok në magazina, të cilat do të dalin në treg me çmim shumë të ulët, pasi 3 muaj dyqanet kanë qenë të mbyllur”, pohon zoti Pashaj.

Saimir Bidaj propozon si alternativë kryesore për t’i mbijetuar situatës shfrytëzimin e të gjitha resurseve të brendshme. Përfaqësuesi i “ProEksport Albania” thotë se qeveria, ashtu siç përfshiu ndërmarrjet fason vendase për prodhimin e veshjeve mjekësore dhe maskave, duhet t’u mundësojë atyre pjesëmarrje edhe te tenderët e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve.

“Shteti duhet të ndjekë një politikë në ndihmë të biznesit vendas. Pse tenderin e prodhimit të veshjeve të policisë ta marrë një kompani p.sh., e huaj, kur ne jemi në gjendje të prodhojmë këto veshje, pasi i prodhojmë për Gjermaninë e vende të tjera perëndimore”.

Për shkak të situatës, sipas zotit Bidaj, është i domosdoshëm ridimensionimi i tyre, duke i përshtatur në lote me vlera financiare më të vogla, për t’u ardhur në ndihmë kompanive vendase. “Në këtë situatë tenderët duhet të ridimensionohen në të gjitha fushat. Tenderi mund të ndahej në lote më të vogla financiare, edhe sipas artikujve që do të prodhohen me nevojën dhe kapacitetet e biznesit vendas.

Tenderi për prodhimin e veshjeve të policisë është me vlerë 25 milionë euro dhe faza e dytë u bë më 11 maj. Nga ne është ngritur problemi për rishikimin e këtij tenderi, pasi u krye faza e parë, por shqetësimi nuk u mor në konsideratë. Pra ky tender duhej të ridimensionohej, pasi aty mund të përfshiheshin 25 kompani fason vendase, pra kjo gjë vendos në punë kompanitë vendase”, pohon zoti Bidaj.

Pjesëmarrja në tender është e hapur, sipas tij, por ka vështirësi menaxhimi nga një kompani e vetme shqiptare, pasi artikujt që do të prodhohen janë të shumtë, që përfshijnë këpucë, veshje, grada, jelekë antiplumb dhe kjo sjell që të përfshihen kompanitë e huaja. “Kjo praktikë që një kompani e vetme të marrë të prodhojë disa lloje veshjesh nuk haset në asnjë nga vendet ku punoj, siç është Gjermania dhe Italia.”

Sektori i tekstileve dhe lëkurë-këpucëve është mjaft i rëndësishëm për punësimin, sidomos mes shtresave të varfra, me rreth 68 mijë të punësuar në vitin 2019 dhe 60,021 të punësuar në vitin 2018, sipas të dhënave të INSTAT. Sektori ka avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore. Por me krizën aktuale që shpërtheu në rang global dhe në mënyrë të veçantë në Itali, kompanitë fason të veshjeve dhe këpucëve për muajin prill hasën vështirësi financiare për pagesat e punonjësve.

“Për shkak të frikës për infektim, më shumë se 200 punonjës nuk janë paraqitur në punë dhe deri më 30 mars janë munduar të mbaj shumë prej tyre në punë. Të gjithë punonjësit që janë larguar nga puna para datës 10 prill janë paguar 40,000 lekë me paketën e dytë financiare. Në kompaninë time, 315 punonjës kanë përfituar “pagën e luftës” dhe shumica e përfituesve të këtij bonusi janë punonjës që nuk u paraqitën në punë për shkak të frikës dhe për këtë arsye u detyrova t’i hiqja nga puna. Punonjësit e larguar kam nisur t’i marr të gjithë në punë, ndërsa 30 prej tyre nuk janë paraqitur”, shpjegon zoti Pashaj./ Dorina Azo/monitor/

Të fundit

VIDEO/ Mbetet e hapur gara për vendin e katërt, Atalanta bën “vetëvrasje” ndaj Veronës

Atalanta lë të tjera pikë të rëndësishme që e vështirësojnë arritjen e objektivit final në Serinë A, që është...

Chelsea shkatërron Evertonin në “Stamford Bridge”, Palmer realizon “Poker-in” e parë

Pas barazimit ndaj Sheffield United, Chelsea është rikthyer te fitorja. Blutë e Londrës triumfuan pastër 6-0 në shtëpi, ndaj Everton. Natyrisht, një nga më...

Nëse doni të jetoni gjatë, krijoni këtë zakon të ri

Kur bëhet fjalë për shëndetin, zemra dhe truri janë organet e para që na vijnë mendje, sidomos me kalimin e viteve ku faktori moshë...

Çfarë po ndodh me tregjet e naftës pas sulmit të Iranit?

Shumë investitorë po mbajnë frymën e tyre pas sulmit të paprecedentë të Iranit me dron dhe raketë ndaj Izraelit që filloi më 13 prill....

Jetmiri paralajmëron ‘tërmet’: Nesër marr valixhen dhe do iki. Do jap një pau, pau, pau…!

Jetmiri ka paralajmëruar sot se gjatë spektaklit të së martës do të sqarojë çdo gjë. Gjatë bisedës me Roza Latin, shumë i irrituar, Jetmiri...

Lajme të tjera

Web TV