Halit Valteri: Pse opozita parlamentare nuk do ta votojë marrëveshjen PS-PD

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tri grupet parlamentare të opozitës në Kuvend nuk e kanë mirëpritur marrëveshjen politike të arritur në Këshillin Politik për reformën zgjedhore.

39 deputetë që u futën në Kuvend pas djegies së mandateve parlamentare nga PD-ja dhe LSI-ja, prej listave shumemërore të këtyre partive, kanë vendosur të mos e votojnë reformën zgjedhore në Kuvend.

Ky vendim u është bërë me dije me një letër të hapur kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa janë vënë në dijeni edhe ambasadorët që “e bekuan” marrëveshjen në Këshillin Politik.

Deputetët e opozitës parlamentare kanë kushtëzuar votën e tyre me kërkesën për një sistem të ri zgjedhor që do të garantonte lista të hapura të kandidatëve për deputetë, votën e emigrantëve dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.

Duke iu frikësuar një shitblerjeje votash mes radhëve të tyre për këtë çështje, ata shkruajnë se “markata e trafikimit të votave në Kuvend, nëse “aplikohet” nga mazhoranca socialiste është legjitimim i çdo trafikimi apo shitblerjeje votash te qytetarët”.

Deputeti Halit Valteri, i cili vjen lista shumemërore e Partisë Demokratike, në një intervistë për gazetën “Fjala” tregon se si u arrit në këtë vendim dhe strategjinë e këtij grupimi për të mos lejuar që të kalojë në Kuvend një reformë zgjedhore gjysmake, që nuk e prek sistemin zgjedhor.

Ai, gjithashtu, tregon përpjekjet për një parti të re të djathtë, që synon të mbledhë  rreth vetes gjithë ish-funksionarët e PD-së dhe të pakënaqurit ndaj opozitës.

“Opozita parlamentare nuk do të lejojë të zhvillohet kurrë një seancë e tillë dhe në kushte të qeta, siç duan t’i kalojnë këta.” – thotë Valteri.

Zoti Valteri,  pse opozita parlamentare ka dalë kundër marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik për reformën zgjedhore? Çfarë prisnit ju nga kjo reformë?

Nuk është se jemi surprizuar nga marrëveshja e fundit, nuk është as e para e as e fundit që ndodh midis palëve politike.

Në historinë 30-vjeçare kemi parë që nga ’90-a, kur u bë ndarja e Shqipërisë në Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, sa herë kanë pasur nevojë për njëri-tjetrin përpos sharjeve e akuzave publike, kemi parë që janë bërë marrëveshje, por të gjitha këto në kurriz të shqiptarëve.

Ne, pak a shumë, kemi qenë në dijeni të kësaj marrëveshjeje që do të bëhej, por ambasadorët që ishin mentorët e uljes së palëve kishin harruar një detaj shumë të vogël, por që është i madh në fakt; votën në parlament.

Opozita parlamentare është shprehur shumë hapur që në fillim të nisjes së reformës me 39 firma që kali i betejës sonë është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe askush nga këta të 39 deputetë nuk ka dalë sot kundër asaj çfarë ka firmosur.

Kjo tregon se opozita parlamentare është e bashkuar dhe kanë ngarkuar me këtë punë tre kryetarët e grupeve ku shprehen se nuk do ta votojnë këtë pazar të fundit të partive politike.

Vendimi për të mos e votuar ka kaluar në një vendimarrje politike të grupeve parlamentare?

Janë bërë mbledhjet dhe, në dijeninë time, të tria grupet kanë bërë mbledhje dhe ditën e  enjte pas seancës plenare jemi mbledhur dhe kemi vendosur që 39 mandatet tona të mos e votojnë reformën zgjedhore.

Kjo do të thotë se mazhoranca me 77 votat që ka, nuk mund ta kalojë, sepse kalimi i kësaj reforme kërkon 84 vota. Në një takim me ambasadorët,  zoti Murrizi, zoti Musai dhe zoti Stojku, u kanë thënë që nëse ndodh që të bëhet trafikimi i votave brenda parlamentit, atëherë çfarë garancie kemi që nuk do të trafikohen votat drejt kutive të votimit.

Kjo këmbëngulja juaj për lista të hapura, a nuk është pak  aburde, duke pasur parasysh që  që ju të gjithë keni ardhur në parlament nga listat e mbyllura? Pse e kërkoni këtë sistem të ri?

Është shumë e thjeshtë. Ne që jemi sot në parlament vërtet nuk kemi qenë në listat fituese, por të gjithë kemi punuar në zonat tona, duke mbledhur vota dhe aq sa kemi mbledhur dhe, po ta shikosh,  në të gjitha zonat, të 11 mandatet e grupit tim parlamentar janë ish-funksionarë të Partisë Demokratike, të përjashtuar me vendim “Byroje” nga zoti Basha, pasi “tradhtuan” kauzën dhe i “tradhtuan” marrrëveshjen që ai bëri me Ramën.

Ne kërkojmë lista të hapura vetëm për një gjë; listat e hapura nxjerrin në pah ose tregojnë se kush ka vota dhe kush ka besimin e popullit. Në listat e mbyllura votohej subjekti politik dhe paçavurja që dërgonte kryetari i partisë në KQZ, kurse me lista të hapura populli vendos drejtpërdrejt për atë që do ta përfaqësojë në Kuvend.

Kemi tri palë zgjedhje që i zgjedhuri dhe zgjedhësi nuk takohen kurrë me njëri-tjetrin, pasi votohet vetëm subjekti politik dhe, nëse do të kishte pasur pak mend dhe prirje për lider, zoti Lulzim Basha do të kishte pranuar hapjen e listave, pasi çdo deputet nuk do të binte në gjumë letargjik, kur janë nga i pari tek i 10-i në listë, por kemi parë që vetëm emrat që janë në vendet e fundit luftojnë fort për të kapur mandatet.

Me hapjen e listave çdokush që ka emrin në atë listë punon fort për t’i çuar votat te thesi i partisë. Me lista të hapura çdo partie i bëhet më mirë, por ka vetëm një rrisk, se humb pushtetin kryetari i partisë, fiton demokracia dhe fiton Shqipëria.

Lexo edhe :  Berisha: Beteja për teatrin është betejë mes mosqenies dhe qenies shqiptare

A ka një shans të dytë për ju që të luftoni për sistemin zgjedhor, meqë reforma zgjedhore nuk është mbyllur akoma, por pret kalimin në komisionin parlamentar?

Këshilli Politik nuk është mandatuar nga Kuvendi, është një këshill honorifik që është ngritur nga ambasadorët për të gjetur një marrëveshje midis palëve. Aty ku kalohen ligjet e reja është komisioni i reformës zgjedhore .

Nëse në këtë komision ky draft nuk merr dakordësinë e bashkëkryetares dhe gjithë votat e opozitës, drafti nuk vjen të votohet në Kuvend. Përpos kësaj duhet të theksojmë se opozita parlamentare nuk do të lejojë që të zhvillohet kurrë një seancë e tillë dhe në kushte të qeta, siç duan t’i kalojnë këta.

I bëj thirrje dhe zotit Rama që t’u japë mundësinë shqiptarëve që të zgjedhin njerëzit që duan të sjellin në Kuvend, se me këto listat e mbyllura ai është shembulli i sjelljes së kriminelëve në Kuvend, i atyre njerëzve që kanë hyrë me lule dhe kanë dalë me pranga nga Kuvendi.

Janë 6 mandate të djegura të mazhorancës që nga vrasës, falsifikatorë, përdhunues e ku di unë çfarë ka sjellë Rama me sistemin e  listave të mbyllura. Po të shikojmë Bashkimin Evropian, të gjitha vendet e kanë sistemin me lista të hapura, vetëm 4 vende nuk e kanë. Ne po shkojmë drejt Evropës apo po shkojmë drejt gropës? Nëse do të vazhodjmë të shkojmë drejt Evropës, atëherë t’u japim mundësi shqiptarëve të zgjedhin lirshëm.

Po zonja Hajdari, si përfaqësuese e opozitës parlamentare e ka nënshkruar marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik?

Zonja Hajdari ka dy mundësi, o të jetë me opozitën, ose të jetë me mazhorancën e me firmën. Unë di që ajo ka firmosur një marrëveshje që i është thënë se i jep mundësi Shqipërisë për çeljen e negociatave, por ajo s’ka firmosur për mosndryshim sistemi.

Opozita parlamentare s’ka qenë kurrë kundër hapjes së negociatave, ne kemi kërkuar listat e hapura, depolitizimin e administratës zgjedhore dhe votimin e emigrantëve. Votimi i emigrantëve nuk u realizua, edhe pse ata e kanë ndërtuar këtë vend, me djersën e gjakun e tyre mbajnë stabilitetin ekonomik në këtë vend me remitancat e tyre.

Cila është strategjia juaj për ta bllokuar këtë marrëveshje dhe për ta rifutur në diskutim çështjen e sistemit zgjedhor?

Sistemi zgjedhor është në diskutim. Nuk është mbyllur reforma zgjedhore. Është mbyllur vetëm Këshilli Politik, të cilin nuk e kam mandatuar unë që të më përfaqësojë mua dhe as shqiptarët nuk e kanë votuar. Për mua, komisioni i reformës zgjedhore do të vendosë fatet se si do të shkojnë zgjedhjet e ardhshme.

Por nëpërmjet këtij pazari u bë e qartë se dosja 339 dhe 184 nuk paska qenë problem për Lulzim Bashën, derisa ulet me Damian Gjiknurin dhe vendos të ketë marrëveshje me të. Zgjedhjet në Dibër nuk qenkan vjedhur, dhe 30 qershori nuk paska qenë kali i betejës së tij, përderisa e noterizon këtë gjë dhe opozita jashtëparlamentare nuk paska asnjë lloj problemi me Edi Ramën kryeministër, i cili do të kalonte mbi trupat e tyre për të bërë disa gjëra, por, me sa shoh unë, ka kaluar 5-6 herë mbi trupat e Monikës dhe të Lulit, por kanë vetëm një hall, sipas meje, që të kthehen sa më shpejt në sistemin politik ku kanë dalë pas djegjes së mandateve në vitin 2019.

A do të krijojë një parti të re grupi i deputetëve të opozitës në Kuvend, dhe në çfarë koalicioni e shihni  veten në zgjedhjet e ardhshme, duke qenë se ky sistem i imponon koalicionet zgjedhore?

Po, patjetër që po, do të krijojmë një parti politike. Ne jemi të djathtë dhe nuk shikojmë kurrsesi një koalicion me të majtën. Më përpara e bën PD-ja një koalicion me të majtën, siç bëri bashkëqeverisjen e milionave në vitin 2017-n, sesa ne. Në 2017-n, duhet t’u kthejmë kujtesën shqiptarëve që opozita mori 6 ministri dhe 4 drejtoritë më të forta të vendit, dhe u punua çdo ditë si të ishte dita e fundit, duke vjedhur dhe duke përvetësuar çdo gjë.

Ne nuk po kërkojmë as ministri dhe as drejtori, se do të ishte e thjeshtë t’i merrnim, sipas atyre që na akuzojnë se jemi paterica të Ramës. Ne po kërkojmë të hapen listat dhe të votohen njerëzit dhe atëherë ta provojmë, ne si forcë e re politike apo ajo e vjetra. Nëse shohim sot, Partia Demokratike është shumë larg asaj për të cilën është krijuar më parë.

Figurat e vjetra të Partisë Demokratike janë përzënë prej partisë dhe nga listat brenda partisë. Një bashkim i ish-kryetarëve të degëve të PD-së, ish-funksionarëve të PD-së që janë hequr pa të drejtë do të afrohen pas partisë së re. Ne kemi një vit që po punojmë për këtë gjë, dhe ju siguroj emra shumë të njohur të PD-së do t’i shikoni përsëri në skenë në lëvizjen tonë.

 

l.m/Fjala.al

Të fundit

Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 Korriku, ja sa do të jetë shtesa

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga...

Gazetari bën paralajmërimin e frikshëm: Serbia është gati të sulmojë Policinë e Kosovës

Gazetari Venhar Isufi tha në një intervistë televizive se grupi që po trajnohet nga xhandarmëria serbe në Rashkë janë një grup më profesional, me...

Plas skandali, okulistja i ngatërron numrin e syve qytetares tek “Iraniani”

Një qytetare u ankua në Fiks Fare se, pasi bëri një vizitë te një okuliste te Poliklinika e Specialiteteve Nr.1, ‘Iraniani”, shkoi dhe bëri...

Albano Bogdo ‘thumbon’ Robert Berishën për Nora Istrefin, moderatori habit me përgjigjen

Konkurrentët e “Ferma VIP” janë vënë përballë disa pyetjeve pikante në sfidën “E vërtetë ose Dënim”. “Ne të dyve na pëlqen shumë kënga  “Ana” të...

Ndahet nga jeta në moshën 82 vjeçare ish-senatori amerikan

Ka ndërruar jetë Ish-senatori amerikan Joe Lieberman, i cili ishte shumë pranë postit të Nënpresidentin kur kandidoi me demokratin Al Gore në zgjedhjet e...

Lajme të tjera

Web TV