Reforma në SHISH, sa do të paguhen të larguarit nga puna

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Personat që kanë shërbyer në Shërbimin Informativ Shtetëror për 25 vjet dhe janë mbi moshën 57 vjeç do të largohen nga puna. Efektivët e SHISH-it do të marrin gjysmën e pagës neto deri në momentin që mbushin moshën për të dalë në pension.

Aktualisht në Shërbimin Informativ Shtetëror janë të punësuar me pagë 998 punonjës, sipas shkallës së hierarkisë nga drejtuesi, zëvendësdrejtuesi, inspektori dhe nëninspektori. Gazeta “Fjala” disponon projektligjin “për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar, të cilin Këshilli i Ministrave e ka depozituar në Kuvend.

Kriteret e reformës

Në nenin 4 të projektligjit janë përcaktuar kriteret e përfitimit të trajtimit financiar në strukturat e SHISH-it. Sipas draftit,  efektivët duhet të kenë mbushur moshën 57 vjeç dhe të kenë kryer 25 vite shërbim në strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror, AISM, SHÇBA, strukturat e ministrisë përgjegjëse për sigurinë e rendit publik me status policor, si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm dhe në struktura të tjera shtetërore me gradë policore ose ushtarake.

Sipas draftit, ndryshe nga trajtimi financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit etj. pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, për punonjësit e SHISH-it plotësimi njëkohësisht i kriterit moshë dhe vjetërsi shërbimi 30 vjet nuk gjen dot zbatim në praktikë.

Kjo pasi në SHISH nuk ka një shkollë specifike që të përgatisë punonjësit vetëm për shërbimin, siç është Akademia e Rendit apo ajo ushtarake, ku mosha e marrjes së tyre fillon nga 18 vjeç.

Në draft përcaktohet se nga eksperienca e deritanishme, mosha mesatare e punësimit në SHISH është rreth 30 vjeç, ku në shumicën e rasteve kërkohet eksperiencë në fushën përkatëse, sipas drejtimit që SHISH-it i nevojitet në luftën kundër një fenomeni të caktuar.

Prandaj, në projetkligj për punonjësit e shërbimit është menduar që vjetërsia në shërbim të jetë 25 vite dhe për të kompensuar uljen e viteve të vjetërsisë në shërbim është menduar rritja e moshës në 57 vjeç.

Kush përfiton gjysmë page

Në projektligj përcaktohet se trajtimi financiar është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

Sipas tabelës, mësohet se drejtuesi paguhet me 107851 lekë në muaj dhe në rast se plotëson kriteret për t’u bërë pjesë e reformës, do të marrë 53926 lekë në muaj deri në momentin që mbush moshën për pension; ndërkohë zëvendësdrejtuesi i cili aktualisht e ka pagën mujore neto 92021 lekë, do të marrë 46010 lekë në muaj; inspektori që sot paguhet me 79143 lekë, do të marrë 39572 lekë, kurse nëninspektori, i cili pagën mujore e ka 46256 lekë, do të marrë 23128 lekë.

Trajtimi financiar pas ndërprerjes së karrierës përfitohet me kërkesë të punonjësit, ose kërkesë të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. Përbërja dhe kriteret e vlerësimit të Komisionit të Posaçëm përcaktohen me urdhër të drejtorit të SHISH-it, duke qenë se në ligjin organik strukturat e SHISH-it janë të klasifikuara.

Reforma

Projektligji “Për trajtimin financiar të punonjësve të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës” ka për qëllim t’u garantojë punonjësve të SHISH-it trajtim financiar në rastet e shkëputjes së marrëdhënieve të punës, përpara daljes në pension të plotë pleqërie.

Lexo edhe :  Rritet sërish euro, si këmbehen sot monedhat e huaja

Në relacion thuhet se projektligji synon që t’u japë mundësi punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror që kanë një karrierë të gjatë në shërbim, të përfitojnë trajtim financiar, në rast se ata dëshirojnë të ndërpresin shërbimin, ose titullari i institucionit kërkon që ta ndërpresin marrëdhënien e punës përpara plotësimit të moshës për pension të plotë pleqërie.

Në vlerësimin e kërkesës për të ndërprerë marrëdhënien e punës merret në konsideratë edhe pamundësia fizike e shëndetësore e punonjësit për të vazhduar karrierën e mëtejshme.

Gjithashtu, propozimi i këtij projektligji synon uljen e moshës mesatare të punonjësve të institucionit, duke siguruar që në institucionin e SHISH-it, i cili ka si objekt të punës mbrojtjen e sigurisë kombëtare, të krijohet mundësia e punësimit të gjeneratës së re, në moshë më aktive dhe efikase në luftën kundër krimit në përgjithësi e atij të organizuar në veçanti, si dhe rritjen e parametrave të sigurisë kombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Garancia për punonjësit e SHISH-it

Në projektligjin e hartuar nga Këshilli i Ministrave, i cili do të diskutohet në komisionet parlamentare së shpejti, thuhet se drafti është një garanci për punonjësit që janë në marrëdhënie pune dhe një vazhdim logjik i statusit të tyre, kur ndërpresin karrierën.

“Miratimi i këtij projektligji do të ndikojë në cilësinë e punës dhe të performancës së punonjësve në detyrë, në rezultatet në luftën kundër krimit, në treguesit, si dhe në objektivitetin e zbatimit të ligjit, duke synuar që punonjësit të arrijnë të punojnë mbi 25 vjet në këto struktura.” – thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Sipas qeverisë, kjo nismë e re ligjore, për të përmirësuar përfitimet aktuale të punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, do t’i motivonte ata në përmbushjen me sukses të misionit për rritjen e sigurisë kombëtare, të cilat kërkojnë rritjen e parametrave aktualë të trajtimit të punonjësve, duke i përafruar ato me standardet e shërbimeve informative të vendeve të huaja.

Nisur sa më sipër, projektligji i paraqitur për miratim është në harmoni të plotë me reformat e ndërmarra dhe prioritetet e përcaktuara nga qeveria edhe për institucione të tjera të zbatimit të ligjit.

Detyrimet e punonjësve të SHISH-it

Subjektet e përfitimit kanë detyrimin t’u përgjigjen nevojave të Shërbimit Informativ Shtetëror, për t’u aktivizuar në shërbim në interes të realizimit të misionit të shërbimit deri në 700 orë në vit. Mosplotësimi i këtij detyrimi bëhet shkak për ndërprerjen e trajtimit financiar me propozim të titullarit të institucionit përkatës dhe miratim të Komisionit të Posaçëm.

Kostoja e reformës

Nga përllogaritjet rezulton se efektet financiare vjetore, nëse zbatohet ligji, duke filluar nga viti 2020, për të gjithë punonjësit që plotësojnë kriteret, është 35665680 lekë. Nisur nga mundësitë për trajtim financiar të punonjësve, sikurse është shpjeguar në këtë rubrikë, është vlerësuar që numri i punonjësve që do të përfitojnë trajtimin financiar të përcaktohet çdo vit, në varësi të mundësive për fonde financiare për këtë qëllim.

l.m/Fjala.al

 

Të fundit

Nuanca blu si askund tjetër / Ky plazh në Jug të Shqipërisë renditet i pari

Plazhi i “Pasqyrave” mes Sarandës dhe Ksamilit është renditur i pari në botë për ujin me ngjyrën më blu...

Arrestimi i dy kryebashkiakëve, sot zgjidhet kryetari i ri i Himarës

Pas arrestimit dhe dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti kryebashkiakut në detyrë të Himarës, vendi ka mbetur pa drejtues. Përpos Jorgo Goros, në burg ndodhet...

Universiteti i Harvardit heq kopertinën prej lëkure njeriu nga një libër i 1800-s

Universiteti i Harvardit thotë se pronari i parë i librit të një romancieri francez ia mori lëkurën një pacienteje femër të vdekur pa pëlqimin...

Dallimet mes fëmijëve që lexojnë në letër dhe atyre që lexojnë në ekrane digjitale

Në një kohë dhe epokë ku gjithçka po shkon drejt digjitalizimit, studuesit kanë vendosur të kuptojnë si ndikon leximi te fëmijët duke parë rezultatet...

Ndryshon paga për disa kategori/ Sa do jetë rritja për mjekët, infermierët dhe mësuesit

Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024. Vendimi “Për miratimin e...

Lajme të tjera

Web TV