Provimi i Gjuhë-Letërsisë/ Shtatë pyetjet me “kleçka” që trazuan maturantët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ankthi që kaploi 31111 maturantë pas provimit të Gjuhës e Letërsisë. Protestat e vazhdueshme dhe pretendimet e nxënësve për “çoroditje” alternativash.

Gazeta “Fjala” analizoi pyetjet dhe përgjigjet e testit të Gjuhë-Letërsisë me dr. Ardian Dokën, pedagog pranë Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.

Nga Ina Allkanjari

“Nga këqyrja që i bëra testit dhe përgjigjeve korrekte të çelësit, mund të them se nga 60 pyetje gjithsej, 7 prej tyre shfaqin probleme”. Kështu shprehet në një intervistë për gazetën “Fjala”, dr. Ardian Doka, pedagog pranë Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë.

Pedagogu, duke iu përgjigjur interesimit të gazetës lidhur me problematikat e shfaqura nga maturantët për provimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, na tregon se për cilat pyetje mund të kenë të drejtë maturantët.

Doka veçon 7 pyetje, të cilat, sipas tij, paraqesin probleme me natyra të ndryshme, teksa thekson se pavarësisht prej problemeve që mund të ketë pasur testi dhe atyre që mund të ketë vlerësimi, nuk vihet në pikëpyetje e ardhmja e asnjë maturanti dhe aq më pak e atyre të ekselencës.

Pas testit të Gjuhë-Letërsisë pati kontestime të shumta nga maturantët, por edhe nga të tjerë aktorë, të cilët pretendojnë që testi përmbante pyetje që nuk ishin pjesë e programit me të cilin maturantët janë përgatitur, për më tepër, disa pyetje nuk ishin formuluar drejt, kurse në disa të tjera alternativat ishin shumë të afërta me njëra-tjetrën. Në vlerësimin tuaj, a qëndrojnë këto pretendime?

Është fakt tashmë që prej disa vjetësh, pas çdo provimi mature të Gjuhës e Letërsisë shqipe ka pasur zëra që kanë reklamuar testin si të tillë, mënyrën e formulimit të pyetjeve e jo rrallë edhe përgjigjet e sakta të përfshira në çelës.

Nga kjo pikëpamje ajo që po ndodh sot, nuk është një gjë e re. Ajo që të bën përshtypje kësaj radhe ka lidhje me faktin që, sipas meje, një niveli nën mesataren e cilësisë së pyetjeve, “i përgjigjet” një reagim me tone të larta, shpeshherë edhe fyese që kërkojnë rivlerësimin e gjithë testit.

Për mendimin tim, testi paraqet probleme, por ato nuk janë të asaj shkalle që pretendohet nga maturantët dhe nga ata që u janë bashkuar. Nuk është e vështirë të shquash në këtë kor të revoltuarish edhe zërat e prindërve të shqetësuar për vlerësimin që do t’u bëhet fëmijëve të tyre.

Folët për probleme, të ç’natyre janë?

Nga këqyrja që i bëra testit dhe përgjigjeve korrekte të çelësit, mund të them se nga 60 pyetje gjithsej, 7 prej tyre shfaqin probleme.

Për cilat pyetje e keni fjalën?

Në pyetjen 12 nga pjesa e gjuhës, maturantët pyeten për tezën e një paragrafi. Nga 4 alternativat, të paktën dy prej tyre mund të quhen përgjigje korrekte të pyetjes, por çelësi vendos vetëm për njërën.

Jemi në rastin kur në pyetjet me alternativë si zgjidhje e mundshme ofrohet më shumë se një. Më tej, më pyetjen 21, përsëri nga pjesa e gjuhës, maturantët pyeten lidhur me emrat e dygjinishëm. Alternativa korrekte e dhënë nga çelësi vjen nga një rubrikë e mëparshme për tekstin e së cilës thuhet që në krye se ka gabime.

Nga ana tjetër, emri i dygjinishëm ‘vende’ shoqërohet me një mbiemër të gjinisë mashkullore. Kjo e bën të vështirë, në mos të pamundur që maturanti t’i përgjigjet drejt pyetjes për të marrë pikët e parashikuara nga pyetja. Jemi në rastin kur vështirësia e pyetjes rritet artificialisht, për shkak të një gabimi njerëzor ose të një mendjelehtësie të pafalshme.

Këto kanë të bëjnë me formulimin, me rritjen artificiale të vështirësisë dhe me alternativa njësoj të vlefshme për të njëjtën pyetje. Të tjera probleme keni vërejtur?

Po, kam vërejtur edhe probleme të një natyre tjetër, nga të cilat do të veçoja atë që ka lidhje me poezinë “Dritë fshehtësie” të Lasgush Poradecit. Është pa dyshim një nga poezitë më të bukura, por edhe më të vështira të poetit tonë, lidhur me të cilën edhe kritika jonë e vjetër dhe e re nuk e ka thënë fjalën e fundit.

Prandaj nuk më duket e udhës që maturantët të pyeteshin për poezi të këtij lloji.  Në pyetjen 35, tani nga pjesa e letërsisë, maturantët pyeten lidhur me paradoksin. Në alternativat e pyetjes, përveç asaj që mbahet si korrekte: “Bukuri! Tmerisht e dashur, llaftari! tmerisht e bukur”, gjejmë edhe: “Dritën që buçet sëfshehta përmes ditësh edhe netësh”, që, sipas meje shfaq gjithashtu paradoks. Kjo sepse drita është një gjë që shihet, nuk e dëgjojmë.

Thënë ndryshe, drita nuk mund të buçasë. Midis dy zgjidhjesh që e përmbajnë paradoksin si element, për cilën mund të shpreheshin nxënësit? Lidhur me pyetjen 42 nga pjesa e letërsisë, ndonëse fjalëforma ‘dlirnja’, edhe sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe e ka kuptimin çliroj/çlirohem, gjë që e pasqyron edhe çelësi i përgjigjeve, kuptimi që surgjeron vargu është një tjetër, sipas meje. Shpëtoj jo çliroj. Për të qënë më i qartë le të japim të gjithë vargun: “Si do mund t’i dlirnja vallë kupëtimit t’im të ngushtë.”

Maturantët kanë shfaqur rezerva edhe lidhur me pyetjet e letërsisë që kishin të bënin me fragmetin nga Iliada…

Për mendimin tim, pyetjet lidhur me Iliadën janë teknikisht korrekte, vetëm në njërën prej tyre, pikërisht në pyetjen 57, ku nxënësit pyeten se cilat grupe fjalësh na tregojnë se kjo poemë i takon eposit homerik, me përgjigje korrekte alternativa A- Hyner, tarogzë, parzmore, unë do të thosha që ato mund të tregojnë në të vërtetë se cilit variant përkthimi i takon fragmenti dhe jo autorësinë. Kjo sepse për ta përcaktuar atë duhet ta lexonim veprën në original.

Lidhur me shqetësimin e nxënësve se mund të penalizohen në vlerësim dhe vihet në pikëpyetje e ardhmja e tyre, ç’mendim keni?

Pavarësisht prej problemeve që mund të ketë pasur testi dhe atyre që mund të ketë vlerësimi, unë mendoj se nuk vihet në pikëpyetje e ardhmja e asnjë maturanti dhe aq më pak e atyre të ekselencës. Në pyetjet problematike kanë gabuar të gjithë. Ajo që mund të ndodhë është se nuk do të kemi nxënës me 10.00, por do të kemi nxënës me 9.00 dhe, për pasojë, fakultetet do t’i plotësojnë kuotat duke marrë në konsideratë këtë kontigjent. Në këtë kuptim edhe protesta, edhe shfrimet e të tjerëve lidhur me provimin, për mua, janë të pavend.

Disa pyetje të provimit

  1. Cila fjali është teza e këtij paragrafi?

Megjithëse më pëlqen të shkruaj, zakonisht krijoj vetëm histori të shkurtra. Për mua, historitë e shkurtra janë më të lehta për t’u shkruar sesa shkrimi i një romani. Të shkruaja një roman, do të ishte me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme. Një libër i tillë kërkon shumë imagjinatë, përqendrim dhe përkushtim. Ndonjëherë çuditem se si disa njerëz ia dalin ta shkruajnë.

  1. A) Megjithëse më pëlqen të shkruaj, zakonisht krijoj vetëm histori të shkurtra.
  2. B) Për mua, historitë e shkurtra janë më të lehta për t’u shkruar sesa shkrimi i një romani.
  3. C) Një libër i tillë kërkon shumë imagjinatë, përqendrim dhe përkushtim.
  4. D) Të shkruaja një roman, do të ishte me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme.
  5. Cili nga variantet e mëposhtme përmban një emër të dygjinishëm?
  6. A) Apo, edhe më mirë, ku duhet të shkojnë njerëzit?
  7. B) Ajo ka të njëjtën natyrë të stinës së verës me Gjeorgjinë.
  8. C) Schultz vë në dukje se media sociale kanë nxjerrë në dritë shumë vende më pak të njohur.
  9. D) Ka një vijë të bukur bregdetare dhe shumë turistë të rinj që shkojnë atje.
  10. Nëse do ta rishkruajmë fjalinë:

“Fan Noli si për formimin e tij poetik, si për shprehjen gjuhësore rri më vete në literaturën shqiptare”, duke e vendosur foljen në mënyrën habitore (pa ndryshuar kategoritë e tjera), varianti i duhur do të jetë:

  1. A) Fan Noli si për formimin e tij poetik, si për shprehjen gjuhësore rrika më vete në literaturën shqiptare. B) Fan Noli si për formimin e tij poetik, si për shprehjen gjuhësore ndenjkësh më vete në literaturën shqiptare.
  2. C) Fan Noli si për formimin e tij poetik, si për shprehjen gjuhësore qenka më vete në literaturën shqiptare.
  3. D) Fan Noli si për formimin e tij poetik, si për shprehjen gjuhësore ndenjka më vete në literaturën shqiptare.
  4. Motivi kryesor i kësaj poezie lidhet me:
  5. A) dashurinё pёr natyrёn, si ndjenjё qё ushqen shpirtin poetik.
  6. B) raportin e ngushtё të njeriut me vendlindjen e tij.
  7. C) pёrsiatjet e njeriut krijues nё procesin e njohjes sё thelbit tё jetёs.
  8. D) shmangiet filozofike në lidhje me mënyrën e krijimit tё gjithёsisё.
  9. Cili nga vargjet ёshtё ndёrtuar mbi bazёn e paradoksit?
  10. A) Ti pёrflakje mёngjezore! Harg ylberi-i shtatёngjyrshmё!
  11. B) Dritёn qё buçet sёfshehta pёrmes ditёsh edhe netesh,
  12. C) Bukuri! tmerisht e dashur, llaftari! tmerisht e bukur;
  13. D) E prej sysh mё bjenё lotё posi helm e plumb i tretur.
  14. Kuptimi i fjalёs sё nёnvizuar nё vargun:

Si do mund t’i dlirnja vallё kupёtimit t’im tё ngushtё, është:

  1. A) gёzohem,
  2. B) çlirohem,
  3. C) gjunjёzohem,
  4. D) shmangem.
  5. Cilat grupe fjalësh na tregojnë se kjo poemë i takon eposit homerik?
  6. A) Hyner, tarogzë, parzmore.
  7. B) Dorë, gju, sup.
  8. C) Krifë, atbotë, heshtë.
  9. D) Krahnor, mbret, hijegjatë.

Shënim: Përgjigjja e saktë, sipas testit, është shënuar me bold dhe italik

Maturantët në protestë: Të ulet kufiri i notës, rivlerësim i testit të Gjuhë-Letërsisë 

Maturantët vijuan edhe dje protestat përpara Ministrisë së Arsimit ku kërkojnë plotësimin e disa pikave, ndër të cilat rivlerësimin e testit të Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe uljen e kufirit për notën 9 dhe 10. Pas protestës së djeshme maturantët kanë paralajmëruar reagim edhe ditën e sotme, e cila pritet të zhvillohet pas përfundimit të provimit të Matematikës.

Pakënaqësitë e krijuara nga provimi i Gjuhë-Letërsisë kanë nxjerrë sërish në protestë ditën e djeshme dhjetëra maturantë. Sipas tyre, testi nuk ka qenë sipas udhëzimeve, ndaj me pankarta në duar, maturantët janë ulur në rrugën kryesore para MASR-së dhe kanë kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, siç është rivlerësimi i testit dhe ulja e kufirit për notën 9 dhe 10.

Lexo edhe :  "S'bëra fëmijë tjetër për shkak të punës", Najada Çomo tregon zgjedhjen e vështirë

Po kështu, maturantët kanë kërkuar një tryezë të hapur me MASR-në dhe mediat, teksa kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre. Kjo pasi, sipas tyre, testi ishte i vështirë dhe i formuluar jo sipas udhëzimeve të Ministrisë, ndërsa theksuan se pyetjet ishin absurde dhe nuk kishin të bënin aspak me lëndën apo me ato që kanë mësuar gjatë 3 viteve gjimnaz.

Maturantët dorëzuan në MASR draftin me të gjitha problematikat që ata mendojnë se kishte testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, duke sjellë edhe pyetje konkrete, të cilat janë pakuptimta dhe thuajse të pamundura për t’iu përshtatur një alternativë. Kjo pasi më herët maturantët kërkuan mundësi për rivlerësimin e provimit, uljen e katofit (skemës së pikëve) të vlerësimit dhe mosvlerësim të pyetjeve jashtë programit.

Në një deklaratë për mediat drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, u kërkoi maturantëve që t’i çojnë ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë programit në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi.

Në draftin me 10 pika maturantët argumentojnë se përse duhet bërë rivlerësimi i testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Në dokument ata shprehen se pyetjet ishin të hartuara në mënyrë të gabuar, ku më shumë i ngatërronte nxënësit se i testonte për njohuritë e marra. Sipas tyre, pyetjet ishin formuluar më tepër për t’i ngatërruar, që testonin njohuri shumë periferike dhe kishin karakter shumë të lartë filozofik.

Gjatë protestës e cila zgjati për rreth 2 orë maturantët u shprehën se teza ishte hartuar një një mënyrë jo të qartë dhe të saktë, teksa theksuan se pyetjet ishin subjektive dhe kërkohej përgjigje qarkimi i vetëm një alternative. Në përfundim të protestës maturantët paralajmëruan se do të rikthehen sot në protestë në orën 13:00, pas mbarimit të provimit të matematikës, të cilin kanë deklaruar se nuk do ta bojkotojnë.

Protesta në Lezhë

Gjatë ditës së djeshme ka pasur protestë të maturantëve edhe në qytetin e Lezhës, duke kundërshtuar tezën e Gjuhës-Shqipe dhe Letërsisë. Nga qendra e qytetit maturantët marshuan drejt godinës së Zyrës Arsimore, duke i vendosur pankartat me mbishkrime në hyrjen e këtij institucioni, ndërsa kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen derisa problemi i tyre të marrë zgjidhje. Në shenjtë revolte me thirrje turp për ministrinë dhe me pankarta në duar, maturantët kërkuan rivlerësimin e provimit. Ata thonë se në tezë ka pasur pyetje jashtë kurrikulës për të cilën ishin përgatitur.

Shahini: Testet nuk penalizojnë nxënësit, por masin aftësitë e tyre për të aplikuar njohuritë

Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe Komiteti i Maturës i kanë adresuar të gjitha shqetësimet që janë ngritur nga nxënës dhe mësues për mënyrën se si është zhvilluar Matura Shtetërore këtë javë dhe për dy provimet që do të zhvillohen javën tjetër.

Kështu u shpreh ditën e djeshme ministrja e Arsimit, Besa Shahini, lidhur me pakënaqësitë e shprehura nga maturantët për provimin e Gjuhë-Letërsisë. Shahini deklaroi se provimet kombëtare nuk i penalizojnë nxënësit, duke theksuar se ata janë të dizajnuar të matin jo vetëm njohuritë e nxënësve që kanë ndërtuar për 12 vite në arsimin parauniversitar, por dhe aftësitë që ata kanë për të aplikuar këto njohuri në jetë apo në punë.

“Këtë e bën pikërisht testi PISA, që është standardi i vlerësimeve për nxënësit dhe mat aftësitë e nxënësve për të aplikuar njohuritë e tyre”, tha Shahini duke nënvizuar se ky lloj testi e informon edhe QSHA-në që t’i orientojë provimet kombëtare drejt një matjeje të tillë.

Ndërkohë lidhur me protestat e organizuara ditët e fundit nga maturantët, Shahini e cilëson “një stërpolitizim të skajshëm dhe të tmerrshëm”. “Me sa pashë të premten para Ministrisë, kishte studentë të vitit të fundit në universitet, pjesë e strukturave të partive opozitare, të cilët e kanë bërë Maturën Shtetërore para 7-8 viteve, shumë para se të futej në funksion kurrikula e re.

Kam parë gjithashtu dje që para Ministrisë kishte dalë një burrë, i cili kishte sharë e ofenduar duke përdorur fjalët më të këqija të mundshme. Unë jam e bindur që maturantët tanë nuk identifikohen me këta persona”, tha ajo.

Në fjalën e saj ministrja e Arsimit nënvizoi se është e domosdoshme të shihet nga ekspertët mënyra se si po zhvillohet gjuha shqipe, se si po zgjerohet ajo, se si po zhvillohet letërsia shqipe, dhe se si po u mësohet gjuha dhe letërsia shqipe nxënësve në shkolla.

Në fund, ministrja Shahini u uron maturantëve suksese në provimet e javës që vjen dhe i siguron ata që për çfarëdo shqetësimi që mund të kenë, strukturat arsimore janë në dispozicion të plotë për t’i adresuar ato.

Matura Shtetërore, Zamira Gjini: Pikët e Gjuhë-Letërsisë do të rishihen me kujdes

Notat dhe pikët e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të rishihen me kujdes. Këtë fakt e garantoi ditën e djeshme kryetarja e Komitetit të Maturës Shtetërore, Zamira Gjini në daljen e saj publike nga ambientet e Ministrisë së Arsimit.

Gjini theksoi se Komiteti i Maturës Shtetërore që ditën e parë të provimit të Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë ka vlerësuar me kujdes reagimet e maturantëve, si dhe kërkesat e tyre drejtuar Ministrisë së Arsimit, duke gjykuar zgjidhjen e tyre, si dhe cilësinë e zgjidhjes së tyre pa ndikuar në procesin e maturës shtetërore.

Sipas saj, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe shumë mësues të Gjuhës Shqipe që janë pyetur lidhur me testin, për modelin e testit, përshtatjen e tij me programin orientues të lëndës: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi kanë gjykuar që të rishihet edhe një herë mënyra e shpërndarjes së pikëve të maturantëve dhe të notave të tyre, për të shmangur çdo shqetësim të maturantëve mbi notat, gjë që ka efekt të njëjtë, të barabartë për të gjithë maturantët por kjo do të bëhet vetëm pasi të dalin rezultatet e pikëve të maturantëve.

Pas daljes së mediat të kryetares së Komitetit të Maturës Shtetërore, QSHA publikoi testin e plotë të lëndës Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, si dhe përgjigjen e saktë për çdo pyetje të testit, në mënyrë që çdo maturant referuar përgjigjes të mund të bëjë një rivlerësim të asaj çka ai është përgjigjur në testin e tij.

“Maturantët duhet të jenë të qartë, duhet të jenë të bindur se puna e tyre në 3 vitet e gjimnazit, edhe e mësuesve të tyre do të vlerësohet me objektivitet, duke iu garantuar se personalizimi i testit që u bë këtë vit, nuk sjell shmangie të vlerësimit real të tyre në notë”, tha Gjini.

Kujtojmë se ditën e sotme maturantët do të realizojnë provimin e Matematikës dhe më pas atë me zgjedhje, kohëzgjatja e të cilit tashmë do të jetë 2,5 orë, pra 30 minuta më shumë se provimi i Gjuhës së Huaj dhe i Gjuhë-letërsisë.

Të fundit

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

Lajme të tjera

Web TV