Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i Divizionit të Tiranës, rrëfen luftën e ushtrisë shqiptare kundër asaj serbe në vitin 1999.
Nga Leonard Veizi
Që prej krijimit të shtetit shqiptar, të paktën në dy raste ushtria do ta tregonte veten se dinte të luftonte. Provokacionet greke të gushtit ’49 dhe ato serbe, 50 vjet më pas, nuk patën asnjë sukses.
Kolonel Sulejman Abazi, si një nga drejtuesit e ushtrisë shqiptare që mori pjesë aktive në mbrojtjen e kufirit shtetëror, gjatë Luftës së Kosovës, rrëfen ditët e vështira në verilindje të vendit përballë trupave të ushtrisë serbe.
Plani i ndërhyrjes
Në hartën e Drejtorisë së Zbulimit të Shtatmadhorisë Shqiptare, mbi dislokimin e forcave ushtarake në drejtimin Kosovë – Shqipëri, ishin të pasqyruara saktësisht forcat e Z2-3U të Armatës së Jugosllavisë, me qendër Nish e Shkup.
Në arkiv gjendet harta e shkallës 1:200 mijë, me nr. 927, dt. 29/12/1980, e cila përfshinte krahinën e Kosovës, ku parashikoheshin 27 pika dhe rajone të paracaktuara për depërtim e veprime në prapavijë të armikut, të koduara sipas rregullit ushtarak.
U pa e udhës që kjo hartë të përpilohej në bazë të të dhënave të zbulimit strategjik shqiptar pas ngjarjeve të vitit 1968, e më pas, të vitit 1981 në Kosovë, të cilat kishin karakter të hapur politik me motive etnike.
Operacioni i mundshëm i ushtrisë shqiptare, ishte i vështirë. Ideja e masave, në raport me zhvillimet ndërkombëtare, synonte përgatitjen e lartë për të realizuar në çdo kohë mbështetjen e fuqishme, deri ndërhyrje ushtarake, për çështjen shqiptare në ish-Jugosllavi. Në vitet ‘70-‘83, në drejtimin verilindor ishin vendosur 3 korpuse gjitharmëshe, brigada sulmuese, batalione kufiri, tanke e potenciale të fuqishme artilerie.
Përballja me shtetin jugosllav mendohej se “s’do të ishte veprim i lehtë”. U përpunuan çështjet e drejtimet e reagimit ushtarak. Realizimi i stërvitjeve komando-shtabi në nivel operativo-strategjik, si “Kështjella”, “Drini”, “Shebeniku”, “Taraboshi”, “A-81” etj., mbanin nën presion shtetin jugosllav.
UÇK
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një mësymje agresive gjithëpërfshirëse e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në zhvillimet e luftës në Kosovë, fillimisht do të veçoja dy momente kryesore.
Së pari: aktin heroik të familjes Jasharaj në Drenicë, ku u flijuan për lirinë e Kosovës 52 pjesëtarë të kësaj familje, duke dhënë mesazhin e qartë se tashmë lufta kishte filluar dhe me shtetin serb do të flitej vetëm me grykën e pushkës.
Së dyti, 15 janari i vitit 1999, kur hordhitë serbe kryen masakrën në Reçak, duke vrarë civilë të pafajshëm dhe duke nxjerrë në dritë fytyrën e tyre të vërtetë kriminale. Është kjo arsyeja se akti heroik nuk ishte një rastësi.
Ajo lidhet me ecurinë e ngjarjeve që kanë ndodhur me popullin shqiptar nën ish- Jugosllavi. Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, që pas Luftës së Dytë Botërore te shqiptarët nën ish -Jugosllavi, përkon me ngjarjet e vitit 1968, të cilat do të vijonin me demonstratat e rinisë shqiptare dhe popullit në Kosovë, në vitin 1981, për të kërkuar statusin federativ dhe në vitin 1989, kundër shtypjes dhe represionit të lartë ushtarako-policor të regjimit të Milosheviçit.
Kërcënimi serb
Situata ishte e rënduar për shkak të goditjes që morën elementet e sigurisë kombëtare në ngjarjet tragjike të vitit ‘97. Atëherë ushtria shqiptare kishte në organizim 8 divizione dhe një numër repartesh e njësish të Komandës së Përgjithshme.
Të mos harrojmë se akoma ishim në sistemin e mobilizimit me trupa rezerviste dhe kishte një kufizim të thellë të trupave aktive. Mundësitë e drejtpërdrejta në atë kohë ishin shumë të kufizuara.
Veçanërisht Divizioni i Kukësit, në kontakt të drejtpërdrejtë me ushtrinë serbe në kufi, në një shtrirje frontale 187 km, e kishte të pamundur të rezistonte pa mobilizimin e të gjitha strukturave rezerviste, të cilat ishin ushtria reale që do t’i dilte në mbrojtje vendit.
Në vitin 1998 u morën masa urgjente për ringritjen e strukturave të ushtrisë, për stabilizimin e armatimeve, pasi ky vit shtrihej në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, të cilat në muajt prill e deri në fund të qershorit, rezultonin me një situatë të ndezur luftarake midis ushtrisë serbe dhe strukturave të UÇK-së.
Në kohën e përgatitjes operacionale për dislokimin e Divizionit të Tiranës në veri, plotësuam mjaft detyra, veç grupeve të rikonicionit në Kukës edhe në zonën e Tiranës.
Dislokimi në verilindje
Në 15 shtator të vitit 1997 u riktheva në ushtri, fillimisht me detyrën e shefit të shtabit të Divizionit të Tiranës dhe pas 8 muajsh, i komanduar komandanti i Divizionit. Divizioni i Tiranës kreu manovrën taktiko-operative dhe u dislokua në grykën e Morinit në kufi, deri në përfundimin e luftës në Kosovë. Ishte koha kur shikoja karvanet me njerëz të traumatizuar që kalonin kufirin dhe dislokoheshin në Kukës e fshatrat përreth.
Kukësi atëherë, me 15 mijë banorë, mbante në gjirin e tij mbi 100 mijë njerëz. Divizioni i Kukësit ishte vënë në eficencë të plotë më të gjithë kapacitetin e tij aktiv dhe pjesërisht rezervist. Ishim në vitin 1998. Në atë kohë ushtria jonë nuk ishte aspak operacionale. Elementet mbrojtëse ishin me probleme të mëdha, ndërrimi i strukturave kishte lënë hapësira boshe.
Përforcimi i kufirit
Në vitin 1998 në institucionet e shtetit shqiptar ra kambana e alarmit. Në kufirin verior u morën masa përforcuese. U thirrën pjesërisht strukturat rezerviste. U planifikua dhe filloi lëvizja graduale e njësive të tjera të ushtrisë.
U urdhëruan njësitë e repartet e vartësisë së drejtpërdrejtë të Komandës së Përgjithshme, respektivisht Divizioni i Tiranës dhe disa njësi të specializuara, Brigada “Komando”, BrK së Mekanizuar në Laç, batalione të forcave speciale, Regjimenti i Policisë Ushtarake, reparte të Brigadës Xheniere, Regjimentit të MADM, Brigadës së Ndërlidhjes, Brigadës së Transportit Ushtarak dhe elemente të tjera logjistike, të cilat u integruan brenda elementeve të rendimit të luftimit të Divizionit të Kukësit, pa folur për një sasi të konsiderueshme të trupave të UÇK-së, të dislokuara në 4 qendra stërvitore, brenda zonës së mbrojtjes së divizionit, e po kështu në Burrel, në Feken, në Durrës, Mamurras etj.
Në manovrën taktiko-operative të Divizionit të Tiranës u dislokuan në Kukës reparte të tankeve, të artilerisë së rëndë top obuz 152 mm, të artilerisë reaktive 189 mm, (katjusha), mjete të tjera të mekanizuara, të cilët së bashku me repartet e Kukësit, duke llogaritur kapacitetet e grykave dhe drejtimeve të mësymjes së mundshme të ushtrisë serbe, gjykoj se ishin të mjaftueshme për t’i bërë ballë çdo lloj sulmi kundër kufirit shqiptar.
Në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit funksiononin 4 qendra të bazimit dhe përgatitjes së kontingjenteve të UÇK-së. Prej këtej bëheshin manovrat taktike me lëvizje të organizuara me mjete, natën dhe ditën, dhe shfrytëzoheshin korridoret e kalimit në territorin e Kosovës, për t’u bërë pjesë aktive e UÇK-së, që luftonte direkt në terren.
Sulmet serbe
Më 16 prill 1999 qeveria e Serbisë njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Veprimtaritë agresive ushtarake të paramenduara u shoqëruan atëherë me qëndrime ekstreme politiko-diplomatike. Kush mund ta bënte këtë përveç se një shteti agresor? Ka pasur shumë raste të penetrimit të trupave serbe në territorin këtej kufirit shqiptaro-shqiptar.
Goditjet e ushtrisë serbe brenda territorit të shtetit shqiptar u realizuan përgjithësisht me forca të pakta, deri në kompani, me trupa speciale, kryesisht komando, në goditjet me snaiper dhe me artileri të kalibrave 82, 120, 160, 155 mm, nga distanca, por dhe me qitje të drejtpërdrejtë. Këto goditje u bënë kryesisht mbi objektet civile dhe rrallë mbi objektet ushtarake. Në veçanti, në rrezen e këtyre goditjeve synoheshin bazat e UÇK-së, që ishin në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit.
Reagimi nga trupat e ushtrisë shqiptare ishte i reduktuar, por në disa raste, i ashpër dhe mjaft i vendosur me përdorimin e armëve automatike dhe të artilerisë, e në disa raste edhe të tankeve. Reagimi i ashpër i forcave të Brigadës së Këmbësorisë në Tropojë u imponoi shtabeve serbe idenë se, nuk ishte e lehtë të depërtonin në territorin shqiptar. Kjo situatë në teatrin e veprimeve luftarake shmangu me gjakftohtësi konfrontimin e përgjithshëm. Synimi i ushtrisë serbe në vijën kufitare ishte shkëputja e ushtrisë shqiptare nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Objektivi i tyre dështoi, pasi rrugëkalimet e lidhjes në të dyja anët e kufirit nuk u mbyllën asnjëherë.
Përballja mes dy ushtrive
Ka pasur përplasje midis ushtrisë shqiptare dhe asaj serbe, po të kemi parasysh betejën e Koshares, ku nuk pati asnjë dallim midis forcave të ushtrisë shqiptare të UÇK-së e të FARK-ut. Të gjithë luftuan si shqiptarë dhe i dhanë një mësim të mirë Brigadës së Reagimit të Shpejtë të ushtrisë serbe. Në datën 26.04.1999 një grup prej 35-40 ushtarësh serbë hyn në thellësi dhe u vunë zjarrin shtëpive të braktisura të fshatit Stoberdë.
Në të njëjtën kohë, në fshatin Lajthizë filluan të godisnin me mortaja të rënda, të vendosura në malin e Padinës. Në datën 29.04.1999, në Malin e Pëllumbit u diktua vendosja e mortajave serbe dhe në orën 16:00 serbët hynë në fshatin e boshatisur, Mëhalla e Sipërme. Me veprime të shpejta e të specializuara batalioni special kreu afrimin dhe rrethimin e grupit të ushtarëve serb në fshatin Xhuxh.
Ata nuk kishin llogaritur në kohë tërheqjen e tyre. Ishin të gjitha mundësitë e asgjësimit të tyre, apo dhe të zënies rob. Por një arsye tjetër më e fortë bëri që të veprohej ndryshe. Fshati Xhuxh ishte i paevakuuar dhe në çdo çati jetonin 10-15 frymë. Zjarri nga të dyja palët do të sillte fatkeqësi të rënda në njerëzit e pafajshëm. Forcat serbe nxorën 6 mortaja 200-300 metra mbi fshatin, në vijën e kufirit. U zbatua një marrëveshje pa fjalë, por me veprime konkrete.
U krye një manovër e shpejtë me tërheqje. Kjo bëri që serbët me shpejtësi e lebeti të dilnin nga kurthi ku kishin rënë dhe të largoheshin matanë kufirit. Goditjet e vazhdueshme të artilerisë serbe kishin shkatërruar pothuajse godinat e postave kufitare të Zherkës, Zogajt dhe të Qafës së Prushit. Forcat e Divizionit të Kukësit, të tërhequra më në thellësi, u përforcuan me bateri të mortajave 82 mm dhe të topave KT 75 mm. Në këto kushte arrihej të plotësohej misioni “i pengimit” të forcave serbe deri në mbërritjen e forcave kryesore të ushtrisë sonë.
Bashkëpunimi me amerikanët
Në ditët e kalimit të Brigadës së UÇK-së, që u përgatit në Burrel, duke pushtuar malin e Pashtrikut, pasi ushtria serbe kishte kaluar në kundërveprim përgjatë dy anëve të vijës së kufirit, drejt majës së malit, pas një telefonate informative, erdhi grupi i oficerëve amerikanë të Forcave Ajrore. U hapën hartat mbi tavolinë dhe filloi shkëmbimi i informacionit.
Kërkuan të dinin me koordinata të sakta, nga major Shyqyriu, shefi i zbulimit të Divizionit të Kukësit, se ku mund të ndodheshin bateritë e artilerisë serbe dhe ishin të interesuar se a kishte popullsi civile në këtë zonë të ngushtë. U kufizuan në një sipërfaqe 6 km2 nga Qafa e Prushit, Krajlicë deri në fshatin Zhur, në thellësi të territorit të Kosovës.
Kërkonin, me sa kuptuam, garanci për prezencën e popullsisë civile në këtë zonë. Punuan me kujdes në hartë dhe mbajtën shënim koordinatat. Vëreja se hartat e tyre nuk kishin të njëjtën kuadraturë me hartat tona. Për disa nga objektivat, për të cilët kishte të dhëna, u përcaktuan koordinatat me saktësi. U larguan pas 30 minutash, duke përshëndetur “allashqiptarçe”.
Flamuri i bardhë
Në orën 20:30 avionët e NATO-s realizuan një “spektakël” mbi objektivat ushtarakë serbë. Pas dy orësh, në orën 22:30 dëgjojmë në drejtim të Krumës shpërthime të forta artilerie, të cilat përcilleshin deri te ne me një zhurmë të mbytur. Në krahun e majtë të vendvendosjes sonë shtrihej kurrizi i malit të Tregtanit. Nën këmbët e tij, në pjerrësitë perëndimore, ndodhej qyteti i Krumës.
Nga raportimet e menjëhershme në radio kuptova se po goditej spitali i qytetit. Pas 7-8 shpërthimeve të para, në të gjithë zonën e Krumës e të Kukësit u ndërpre energjia elektrike. Ndodheshim në një kuotë të favorshme ku na jepet mundësia të vrojtonim një pjesë shumë të madhe të zonës së Kukësit dhe drejtimeve më kryesore drejt kufirit. Nga raportimet e para në radio u konstatua panik dhe mungesë informacioni të saktë për atë që po ndodhte në Krumë.
E ndjeva veten ngushtë, por nuk më lejohej të ndërhyja. Pas disa minutash dëgjova zërin e qetë e të sigurt të kolonel Selimit, shefit të shtabit të Divizionit të Kukësit, i cili u kërkoi të gjithëve të ruanin gjakftohtësinë. Po para disa orësh serbët kishin hedhur disa predha artilerie në fshatin Nikoliq, kishin plagosur disa fëmijë e kishin dëmtuar shtëpi.
Në hapësirën mbi zonë pas 10 minutash u dëgjuan zhurmat e avionëve të NATO-s. Goditjet e artilerisë serbe u ndërprenë. Ishte dita kur delegacionet e të dyja palëve, përfaqësuesit e NATO-s dhe të ushtrisë serbe, u takuan për herë të parë në kufirin maqedonas, në qytetin e Kumanovës, për firmosjen e marrëveshjes së kapitullimit të Serbisë.
Viktimat e luftës
Prej datës 10 prill e deri në përfundim të luftës, janë plot 41 raste të agresionit të drejtpërdrejtë në forma të ndryshme të ushtrisë serbe kundër territorit dhe popullsisë shqiptare, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe viktima të pafajshme. Sipas të dhënave, në datën 18.04.1999 armata jugosllave kishte dislokuar në Kosovë 400 tanke, 300 transportues të blinduar dhe 400 njësi artilerie.
Ky diapozitiv i fuqishëm ushtarak meritonte vlerësim dhe vëmendje, sepse aktualisht vepronte mbi bazën e një plani të paracaktuar dhe objektivat e tyre mund të shkonin shumë larg. Në datën 10.04.1999 regjistrohen incidente në kufirin shtetëror, në vijën Padesh – Kamenicë. Lidershipi politiko-ushtarak serb paralajmëronte Shqipërinë, pas këtyre luftimeve në kufi, se mund të bëhej ajo përgjegjëse për një shtrirje të konfliktit dhe për përhapjen e një lufte ballkanike.
Një ditë më vonë u kryhen provokime të rënda në kufi. Prej orës 11:50 e në vazhdim, artileria serbe me mortaja godiste në drejtim të pikave kufitare të Padeshit, Zogajt e Kamenicës, si dhe në Tropojën e Vjetër, deri në 15 km në thellësi të kufirit shqiptar. Pas bombardimeve të zonës së Hasit pati 4 civilë të vrarë dhe 14 të plagosur.
Kalimi i kufirit
Në datën 13.04.1999 mbi 100 ushtarë serbë, të mbështetur nga mjete të blinduara, pushtuan postën kufitare të Kamenicës dhe më pas atë të Padeshit në Tropojë, rreth 2 km në thellësi të territorit shqiptar. Në këtë periudhë mbi 4000 banorë u shpërngulën në thellësi të vendit.
Disa ditë më vonë trupat serbe hapën zjarr kundër fshatit Dobrunë dhe për 15 minuta u bë shkëmbim zjarri midis tyre dhe kufitarëve shqiptarë. Për rreth 20 minuta u goditën më artileri fshatrat Kamenicë, Padesh dhe Zherkë në Tropojë. Po atë ditë, në pikën e kalimit të Morinit, një predhë e rëndë mortaje shpërtheu pranë vargut të refugjatëve, duke vrarë një dhe duke plagosur 22 prej tyre.
Aventurizmi ushtarak nuk kishte kufij për shtabet ushtarake serbe. Në datën 21.04.1999, rreth orës 10:30, forca të shumta serbe, të mbështetura me artileri sulmuan territorin shqiptar në Has, në një vijë disakilometërshe. Luftimet midis tyre dhe forcave tona vazhduan për 8 orë dhe më pas serbët u tërhoqën.
Në datën 26.04.1999, rreth orës 22:00, një grup ushtarësh serbë hynë në thellësi të territorit shqiptar, me synimin për të minuar zonën e Qafës së Prushit. Për 6 orë pati shkëmbim zjarri në një vijë prej 3 km. Forcat serbe përdorën artilerinë dhe mortajat. Goditën me artileri tanket e Brigadës së Krumës, të cilët shkuan në përforcim të forcave në vijën e kufirit shtetëror. Raste të tilla ishin të shumta në harkun kohor të dy muajve të fundit të luftës.
la.mi