https://www.youtube.com/watch?v=nZWqJp0iSRA&feature=youtu.be
Në dy muaj janë regjistruar 11 atentate me 15 të vrarë. Shifra e lartë si “akumulim” i grupeve kriminale pas karantinës. Një i vrarë në katër ditë. Krimet e rënda që tronditën vendin pas periudhës së pandemisë. Gazeta “Fjala” publikon të gjitha atentatet dhe pistat e hetimit. Ndonëse janë ngjarje të rënda, zbulueshmëria e krimeve është relativisht e lartë.
Pas lehtësimit të masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, karantinën e la edhe krimi i organizuar. Shifrat janë disi të frikshme, ku në 60 ditë janë shënuar 11 atentate me 15 viktima. Një shifër e lartë ku edhe një vrasje rëndon, por kemi të bëjmë në një pjesë të tyre me atentate që nuk mbyllen aty, duke lënë hapur konflikte të reja hakmarrjeje.
Pas një pauze prej më shumë se një muaji, ku krimi nuk u ndie, duke u “mbyllur” edhe ai në karantinë, me lehtësimin e masave disa ngjarje kriminale tronditën vendin. Për gati gjashtë javë edhe ata që “jetojnë” me krimin u mbyllën në banesat e tyre, duke lënë pas konfliktet apo hasmëritë që kishin.
Gazeta “Fjala” mori në analizë statistikat dhe rezulton se nga 11 marsi deri më 23 prill u regjistrua vetëm një vrasje, edhe ajo mes fisit, (xhaxhai vrau nipin). Por, menjëherë pas rikthimit në normalitet, vendi u trondit nga humbje jetësh. Nga atentatet mafioze e deri te konfliktet për pronat e sherret për motive të dobëta, i morën jetën 15 njerëzve.
Ngjarja e parë kriminale pas lehtësimit të masave, për shkak të pandemisë, do të shënohej në Korçë, ku pas një konflikti për motive të dobëta, një 67-vjeçar do të masakrohej me thikë nga fqinji i tij. Dy ditë më pas, pas 6 javësh “pushim”, dy atentate mafioze do të tronditnin Lezhën dhe Durrësin.
Të dyja ngjarjet, ku mbetën të vrarë 4 persona, ndodhën në të njëjtën kohë. Më pas, vrasjet dhe ekzekutimet mafioze u shpëndanë në të gjithë vendin, ku krismat e armëve u zhvendosën në qytetin bregdetar të Vlorës dhe disa ditë më parë një atentat i dyfishtë mafioz do të trondiste edhe Kurbinin.
Në 4 nga 11 ngjarjet, autorët kanë lënë të vdekur dy persona, ku në dy raste viktimat kanë qenë vëllezër mes tyre. Në shtatë javë kur Shqipëria u fut në karantinë, në vendin tonë u regjistrua vetëm një vrasje në Krujë. Ngjarja u regjistrua në Halil të Fushë-Krujës, ku xhaxhai ekzekutoi nipin e tij pranë banesës së viktimës. 41 vjeçari Julian Halili u qëllua 5 herë më armë zjarri nga xhaxhai tij, Shkëlqim Halili.
Vrau fqinjin pas konfliktit për llambën
Ngjarja e parë kriminale pas daljes nga karantina do të shënohej në Korçë. Ishte mbrëmja e datës 23 prill, kur 67-vjeçari Petrika Treska do të masakrohej me thikë nga fqinji tij. Viktima u gjet në shkallët e pallatit nga gruaja e tij, e cila e dërgoi me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, por fatkeqësisht i moshuari nuk mundi të mbijetonte, për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë.
Për këtë ngjarje policia vuri në pranga fqinjn e Treskës. Si autor të kësaj ngjarjeje policia vuri në pranga fqinjin e viktimës, Apostol Bozhgolin. Grupi hetimor doli në përfundimin se vrasja e 67-vjeçarit ishte kryer me gjakftohtësi nga Apostol Bozhgoli, i cili pasi e qëlloi plot 9 herë komshiun, shkoi në banesën e tij dhe ka fjetur.
Krimi i rëndë ndodhi për motive banale, ku shkak i konfliktit mes fqinjëve u bë llamba e shkallëve të pallatit. Autori njihej si person i sëmurë dhe kishte probleme me të gjithë banorët e pallatit ku banonte, për shkak të çregullimeve mendore që kishte.
Atentati ndaj vëllezërve Haxhia
Një atentat i dyfishtë lëndoi fort jo vetëm familjen që humbi dy bijtë e saj, por edhe qytetarët e Durrësit. Pasditen e 27 prillit, dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, do t’u bëhej pritë dhe mbi ta do të zbrazeshin dy karikatorë kallashnikovi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:40, te vendi i quajtur “Tregu i Makinave” në Shënvlash. Shkak për vrasjen e dy vëllezërve dyshohet të ketë qenë prishja e pazareve të drogës. Një nga viktimat, Besmir Haxhia, në vitin 2018 është deportuar nga Franca, ku ka qenë person i dyshuar për përfshirje në narkotrafik.
Në dosjen hetimore që mban firmën e prokurorit Gëzim Veizi, thuhet se trupat e pajetë të dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia, janë gjetur në makinën me të cilën udhëtonin, tip Golf VI, me targa AA716ZZ. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, mbi asfalt në afërsi pranë mjetit është gjetur një sasi prej 55 gëzhojash arme model 56”- thuhet në dosje, ku theksohet ndër të tjera se mjeti ka marrë dëmtime të shumta.
“Nga këqyrja e kufomave ka rezultuar se në trupin e tyre konstatohen dëmtime të shkaktuara nga arma e zjarrit në pjesë në të trupit dhe të kokës”, thuhet në dosjen e prokurorisë, bazuar në provat e mbledhura në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu, në dosjen e prokurorisë theksohet se autorët me makinën tip “Toyota” ngjyrë e zezë me portobagazh dhe targat AA 375 NX (e vjedhur disa muaj më parë dhe targa false) i ka ndjekur dy vëllezërit që po lëviznin me një ‘Golf’ më pas te vendi i quajtur “Tregu i Makinave” i kanë parakaluar duke u bërë pritë dhe zbrazur kallashnikovin drejt tyre. “Në datën 27 prill vëllezërit kanë qenë në lagjen 15, në Spitallë, dhe kanë qarkulluar me mjetin tip Golf VI në drejtim të Shënavlashit.
Me pas, gjatë kohës që ishin në lëvizje me mjetin e tyre në vendin “Tregu i Makinave”, autorët e ngjarjes i kanë ndjekur dhe më pas i kanë parakaluar me automjetin e tyre dhe i kanë qëlluar me armë zjarri automatike. Si pasojë e plagëve të shumta, viktimat kanë ndërruar jetë menjëherë”, thuhet në dosje.
Tri ditë pas ekzekutimit të dy vëllezërve, policia zbardhi vrasjen, duke vënë në pranga dy autorët e dyshuar, Altin Ndocin dhe 22-vjeçarin Klevis Alla. Policia tha se këta dy persona janë autorët e vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ngjarje e ndodhur në muajin mars, po në të njëjtën zonë ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia. Sipas policisë, këto ngjarje janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Ekzekutimi i rapsodit dhe i mikut të tij
Po në datën 27 prill edhe Lezha do të tronditej nga një krim i dyfishtë, ku dy burra, miq mes tyre, do të ekzekutoheshin me breshëri kallashnikovi. Viktimat janë rapsodi i njohur i zonës së Lezhës, Kol Murrani, dhe miku i tij Simon Prenga.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Lalm të Vjetër të Lezhës, e cila është një zonë e thellë malore në këtë qark. Policia zbardhi ngjarjen e rëndë pas disa orësh, duke vënë në pranga, si autor të dyshuar të vrasjes së dyfishtë që tronditi mbarë opinionin publik, 40-vjeçarin Aleksandër Përdoda. Dyshohet se krimi i rëndë ka ndodhur për shkak të konflikteve të vjetra mes palëve, ndërsa objektiv i sulmit rezultoi se ka qenë Kol Murrani.
Rapsodi dhe miku i tij u qëlluan me breshëri automatiku nga largësia, ndërsa më pas autori është afruar dhe i ka qëlluar sërish edhe nga afër, duke i lënë të vdekur në vend. Simoni e Murrani kishin shkuar në fshatin ku kishin shtëpitë e të parëve, ndërsa djali i njërit prej tyre, i shqetësuar nga fakti se babai nuk i përgjigjej në telefon, ka shkuar t’i kërkonte dhe ka gjetur trupat e pajetë duke njoftuar menjëherë policinë. Policia e Lezhës 2 javë pas ngjarjes arrestoi edhe bashkëpunëtorin e autorit të krimit, i cili dyshohet se e ka ndihmuar 40-vjeçarin, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së dyfishtë.
Vrasja e 60-vjeçarit nga krushku për kamerat e sigurisë
Dy ditë pas vrasjeve të dyfishta në Durrës e Lezhë, një tjetër krim i rëndë do të trondiste Vlorën. Bujar Muhametaj do të masakrohej për vdekje me shkop bejsbolli nga 25-vjeçari Jurgen Liçi. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00 pranë një karburanti në lagjen “11 Janari” të qytetit bregdetar të Vlorës.
Dy fqinjët të cilët kanë pasur edhe lidhje krushqie mes tyre, fillimisht patën një debat me fjalë, por konflikti ka agravuar me sende të forta. Shkak i këtij konflikti u bënë kamerat e sigurisë të banesës së viktimës. 25-vjeçari e akuzonte fqinjin e tij se e përgjonte. Bujar Mehmeti u godit disa herë me shkop bejsbolli nga i riu, ku edhe pse u dërgua në Spitalin Rajonal të Vlorës, fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetonte dot plagëve të marra. Pas ngjarjes Jurgen Liçi u largua nga vendngjarja duke humbur gjurmët. Arratia e tij zgjati vetëm një javë, pasi mëngjesin e datës 6 maj u vu nën prangat e policisë.
Konflikti për pronën
Mesditën e 10 majit, një 77-vjeçar do të ekzekutohej me thikë nga kushëriri i tij. Ramadan Çela u qëllua me thikë buke nga kushëriri i tij, Hamza Çela, 37-vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 10 majit rreth orës 17:00, në Jaupas të Skraparit. Ramadan Çela, u ekzekutua nga kushëriri i tij, për shkak të konflikteve që kishin për pronën. I moshuari ka qenë duke punuar tokën kur është masakruar nga Hamza Çela, i cili përveçse fqinj, ishte edhe kushëri i viktimës.
37-vjeçari kur ka parë të moshuarin duke punuar tokën ka shkuar tek ai duke i thënë se duhet ta linte lopatën e të mos punonte më, pasi ajo ishte toka e tij. Fillimisht dy kushërinjtë janë konfliktuar me fjalë mes tyre, por 37-vjeçari pas debatit ka shkuar në banesë, ka marrë thikën e më pas ka qëlluar 77-vjeçarin dhe duke e lënë atë të vdekur në vend. 37-vjeçari Hamza Çela mësohet se ka qenë i dënuar më parë për “dhunë”, ndërkohë që rezulton se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe kurohej prej vitesh me medikamente.
Ai u arrestua nga policia teksa po tentonte të largohej nga vendi i ngjarjes, pasi shëtiste nëpër fshat me thikë në dorë dhe me duart e bluzën me gjak. Viktima jetonte pjesën më të madhe të vitit në Poliçan te nipërit e tij, por rikthehej herë pas here në shtëpi në fshatin Jaupas, ku kujdesej për tokat.
Ekzekutimi i 25-vjeçarit në Vlorë
Nata e Fiter Bajramit, përgjaku Vlorën. Breshëria e kallashnikovit i mori jetën një 25-vjeçari. Kristian Breshanaj u ekzekutua vetëm 10 m larg derës së shtëpisë. 5 plumba që i përshkuan trupin ishin fatalë për të riun. Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 maj, pranë zonës së quajtur “7 Pallatet”, pak pasi akrepat e orës shënuan orën 12:00.
Ekzekutimi i Breshanajt u krye me të njëjtën skemë ekzekutimi si të tjera vrasje që kanë ndodhur vitet e fundit në qytetin bregdetar. Pas krimit autorët dogjën makinën që përdorën gjatë vrasjes rreth 1 km larg nga vendngjarja, në lagjen “10 Korriku”, brenda së cilës policia gjeti edhe armën e krimit, me të cilën u ekzekutua 25-vjeçari. Breshanaj, ishte djali i një mjeku të njohur në qytetin e Vlorës. Ai kishte vetëm një javë që ishte kthyer nga Belgjika. Ngjarja është ende e pazbardhur, ndërkohë që 25-vjeçari dyshohet se u ekzekutua për shkak të prishjeve të pazareve të drogës.
Atentati me dy të vrarë në Kurbin
Më 30 maj, një tjetër atentat mafioz do të trondiste vendin. Bujar Lika dhe biznesmeni Paulin Gjergji u qëlluan me armë automatike, kallashnikov në ambientet e një hoteli që ndodhet në aksin rrugor Mamurras-Lezhë. 37-vjeçari Lika ndërroi jetë në vend, ndërsa biznesmeni Gjergji nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe vdiq në Spitalin e Traumës, në Tiranë, disa orë pas ngjarjes.
Lika, i cili dyshohet se ishte edhe objektiv i këtij atentati, u është kundërpërgjigjur me armë autorëve, duke plagosur njërin prej tyre. Kreshnik Tusha, 21 vjeç, mbeti i plagosur në këtë ngjarje. Sipas policies, ai dyshohet se është një nga 4 autorët që morën pjesë në ekzekutimin e dyfishtë. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, në pritje të hetimit dhe më pas gjykimit. Nga të dhënat që disponon institucioni i akuzës, dyshohet se shkak për ekzekutimin e Likës dhe Gjergjit është bërë përplasja mes grupeve kriminale në kryeqytet.
Vrasja e rojës në Kuç
Muaji maj do të mbyllej me një tjetër krim misterioz. Mbrëmjen e 31 majit, 65-vjeçari Ylli Luçaj, i cili punonte si rojë i rrugës së re, në fshatin Kuç, do të gjendej në një zonë pyjore i ekzekutuar me automatik. Ai kishte marrë 7 plumba, ndërsa në vendin ku u gjet trupi i pajetë policia gjeti dhe sekuestroi 14 gëzhoja.
Ngjarja është ende e pazbardhur. Nuk ka asnjë person të dyshuar për vrasjen e 65-vjeçarit. Prokuroria e Vlorës për këtë ngjarje po heton në dy pista: për shkak të konflikteve për rrugën ku ai punonte si rojë, pasi jo pak herë ka pasur tensione për rrugën e re mes firmës ndërtuese dhe banorëve dhe në atë të trafikut të drogës. Kjo është edhe pista kryesore ku janë përqendruar hetimet për shkak se 65-vjeçari u gjet i vdekur në një zonë pyjore. Hetuesit ngritën dyshime që roja mund të ketë gjetur ndonjë fushë të mbjellë me kanabis dhe trafikantët e kanë ekzekutuar.
Ekzekutimi i dy vëllezërve në derë të shtëpisë
Ditët e para të muajit qershor do ta trondisnin Krujën dhe mbarë opinionin publik. Dy vëllezër, Gramoz dhe Xhontil Bardhi, përkatësisht 34 dhe 24 vjeç, u ekzekutuan në derën e shtëpisë së tyre. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:25. Dy vëllezërit u qëlluan me kallashnikov, ndërsa ndërruan jetë rrugës për në Spitalin e Traumës. Policia identifikoi në kohë rekord autorin e kësaj ngjarjeje.
Roland Pula, 32 vjeç, i cili është ende në kërkim, ekzekutoi me kallashnikov mbrëmjen e 5 qershorit dy vëllzërit. Autori dhe viktimat përpara ngjarjes së rëndë ishin konfliktuar mes tyre në lokalin e fshatit. Pas këtij konflikti Pula u bëri pritë dy vëllezërve në banesën e tyre dhe më pas u largua në drejtim të paditur. Dy familjet kanë pasur përplasje të vazhdueshme për këtë ngjarje dhe asnjëherë lidhje miqësore. Madje, të dy palët janë konfliktuar dhe rrahur me njëra-tjetrën edhe më parë.
Ekzekutimi i Hekuran Billës
Një javë më parë kryeqyteti do të tronditej nga një atentat mafioz. Në zonën e “Komunës së Parisit”. Hekuran Billa, i dënuar për vrasjen e Prel Markut në Angli, 16 vite më parë, do të ekzekutohej me automatik MP5 me silenciator, brenda automjetit të tij BMW X6. Mbrëmjen kur u ekzekutua 40-vjeçari, në zonë kishte shumë kalimtarë të rastit, por fatmirësisht, breshëria e plumbave nuk lëndoi njeri. Policia i përqendroi hetimet te pista e hakmarrjes. Si një nga personat që bashkëpunoi për ekzekutimin e 40-vjeçarit, policia vuri në pranga 22-vjeçarin Sebastian Mali, nipin e Prel Markut. Ndërsa vazhdon të jetë në kërkim policor vëllai i Prel Markut, Viktor Marku.
Vrau fqinjin për vijën e ujit
Ngjarja e fundit ndodhi mbrëmjen e kësaj të mërkure në fshatin Labovë të Xhapës. Andrea Xhavarra u qëllua për vdekje me sende të forta nga Jano Koleta, 67 vjeç. Autori e qëlloi viktimën, pasi e akuzonte se i kishte vjedhur pelën. Debati mes tyre agravoi në përdorimin e sendeve të forta. Andrea Xhavara u godit me një dru nga Janaq Koleta, i cili u vu në pranga disa orë pas ngjarjes, i fshehur në një shpellë.
ATENTATE TË DËSHTUARA
Gjatë këtyre dy muajve viktimat e ngjarjeve kriminale mund të ishin edhe më shumë, pasi në disa raste objektivat e atentateve u kanë shpëtuar mrekullisht plumbave që janë zbarazur në drejtim të tyre. Pas lirimit të masave kufizuese, për shkak të pandemisë e deri më sot, janë 5 raste, kur janë përdorur armët, por fatmirësisht ka pasur vetëm të plagosur. Kur kishin kaluar vetëm tri ditë që qeveria kishte liruar masat anti-COVID, më konkretisht më 24 prill, një 50-vjeçar nga Shkodra do t’i shpëtonte një atentati, duke marrë vetëm dy plumba në shpatull. Për këtë ngjarje policia arrestoi Hasan Isufin.
Një tjetër krim i rëndë u shënua më 6 maj, në Kurbin. Dajë e nip u qëlluan me breshëri kallashnikovi në afërsi të Urës së Drojës. Ngjarja e rëndë ndodhi për shkak të konflikteve banale. Disa orë pas krimit, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, 26-vjeçari me inicialet A. Sh., u vetëdorëzua në polici. Pasditen e 15 majit një tjetër ngjarje e rëndë do të shënohej në Laç.
Pas një konflikti të çastit mbeti i plagosur me armë zjarri 32-vjeçari Zef Marku. Policia identifikoi autorin e kësaj ngjarjeje, por ende nuk ka bërë të mundur arrestimin e tij. Një ditë më pas, më 16 maj, Vlora do të troditej nga një atetntat i mirorganizuar. Ndaj Jetnor Xhaferrajt do të derdhej një karikator kallashnikovi, por fatmirësisht ai mori vetëm një plumb në dorë.
Pas atentatit, autorët dogjën automjetin në një fshat të Vlorës, duke humbur gjurmët. Shkak dyshohet se është konflikti dhe hasmëria mes dy fiseve Llanaj-Xhaferaj. Një plagosje e rëndë u raportua mëngjesin e datës 8 qershor. Ardian Çapja, i njohur si “i forti” i Elbasanit, do të plagosej në banesën e tij.
Autorët e qëlluan 52-vjeçarin me snaiper nga kodrat e Krastës, në një largësi prej gati 300 m. Pas atentatit mafioz autorët u larguan për nga periferia e qytetit. Në zonën e Fushë-Mbretit ata dogjën makinën së bashku me armën e krimit. Ardian Çapja i shpëtoi mrekullisht atentatit, ngaqë plumbi e kapi vetëm 7 mm larg zemrës.
la.mi/Fjala.al