Akuzat ndaj Thaçit e Veselit/ Asllan Bajrami: E nxitur nga qarqe të caktuara në Perëndim dhe në Lindje

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazetari i njohur nga Kosova, Asllan Bajrami, i cili në kohën e luftës në Kosovë ishte anëtar i redaksisë së Kosovës në Radiotelevizionin Shqiptar, në analizën e tij për gazetën “Fjala” e cilëson akuzën e Hagës ndaj Thaçit si të nxitur nga “qarqe të caktuara në Perëndim dhe në Lindje, me qëllim për  të justifikuar ekzistencën e  Gjykatës Speciale për Kosovën dhe paratë që derdhen për të”. Sipas tij, Brukseli do të bëjë përpjekje të marrë një rol më aktiv në negociatat e reja, por një marrëveshje për njohjen reciproke Kosovë-Serbi është ende larg.

Nga Blerina Gjoka

Në Kosovë Prokuroria Speciale për Krime lufte nisi procesin ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe shtatë anëtarëve të tjerë të UÇK-së. Përse pikërisht tani, dhe përse në këtë formë?

Publikimi i njoftimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë mbi ngritjen e akuzave ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si të dyshuar, “Për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, ndër të cilat, “Vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”, bëhet pikërisht tani, jo pse një veprim i tillë nuk është pritur, por sepse, ky pretendim i Prokurorisë së Specializuar, me gjasë mund të jetë nxitur nga qarqe të caktuara në Perëndim dhe në Lindje, me qëllim për  të justifikuar ekzistencën e  Gjykatës Speciale për Kosovën dhe paratë që derdhen për të.   Siç dihet, në janar të vitit 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës  miratoi një  rezolutë, me të cilën kërkoheshin hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në Veri të Shqipërisë, siç kishte akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran, Dik Marti. Ky i fundit  në atë kohë  ka marrë mbështetje të madhe për raportin e tij, jo vetëm nga aleatët e Serbisë, por edhe nga ata të Kosovës. Raporti akuzonte disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe Hashim Thaçin.  Sipas Dik Martit, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë bashkëpunuar sa duhet, ndërsa ka akuzuar edhe Tribunalin e Hagës për gjoja shkatërrimin e provave të mbledhura në të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë“, e identifikuar në krahinën e Matit.  Pavarësisht që raporti i Martit, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri është cilësuar dhe vlerësuar si një raport i sponsorizuar nga Serbia, katër vite me vonë, në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash miratoi ndryshimet kushtetuese, që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Sipas kryeministrit të asaj kohe, Isa Mustafa, krijimi i kësaj gjykate është “produkt i partneritetit të Kosovës me Bashkësinë Ndërkombëtare, dhe mbi këtë bazë Kosova duhet t’u përgjigjet obligimeve ndërkombëtare dhe një nevoje për të dëshmuar luftën e pastër dhe të drejtë, që zhvilloi UÇK-ja”. Nëse mazhoranca e kohës, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e justifikonin krijimin e Gjykatës Speciale, si një kërkesë nga bashkësia ndërkombëtare, opozita e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, meqë, sipas tyre, ky akt përbënte cenim të rendit kushtetues, duke krijuar një sistem paralel të drejtësisë. Duke pasur parasysh këtë kronologji ngjarjesh dhe situatën në të cilën po kalon Kosova, me mjaft probleme dhe kundërthënie, ky njoftim i Prokurorisë së Specializuar në Hagë, nuk përbën ndonjë befasi. Por, koha që është zgjedhur për t’u bërë publik ky njoftim, do të sjellë të tjera probleme në skenën e brendshme politike, dhe vetvetiu kjo do të dëmtojë në masë të madhe Kosovën.

Të shtunën pritej takim i Thaçit dhe presidentit serb Vuçiç në Uashington, tashmë gjithçka nga pala kosovare është anuluar, ngaqë edhe kryeministri Avdullah Hoti refuzoi pjesëmarrjen në takim. Sa e dëmtojnë këto procese për krime lufte imazhin e vetë Kosovës, por edhe të liderëve të saj në arenën nderkombetare?

Sponsorizuesit e Gjykatës Speciale siç duket kanë qenë tepër të kujdesshëm, madje do të thosha “në gjendje gatishmërie”, sepse një njoftim i tillë, me akuza kaq të rënda, në radhë të parë, për kreun e shtetit të Kosovës dhe njërin nga udhëheqësit më të rëndësishëm politikë të UÇK-së, siç është z. Thaçi, pa dyshim që ka bërë jehonë për të keq për Kosovën. Anulimi i takimit në Shtëpinë e Bardhë, është më se normal. Nuk do të ishte aspak serioze që në këtë situatë të pretendohej të diskutohej, e lëre më të arrihej ndonjë marrëveshje me Serbinë, e cila dashur pa dashur, duke përfituar nga kjo situatë, së cilës ajo i është gëzuar shumë, do të ishte më e avantazhuar, edhe pse Uashigtoni nuk do ta konsideronte si të tillë, por gjithmonë duhet pasur parasysh që në një bashkëbisedim ndërkombëtar, nuk tolerohet një format i tillë folësish, pavarësisht që e drejta është dhe do të jetë në anën e Kosovës, luftës së saj të drejtë dhe çlirimtare përballë presidentit serb Vuçiç, një eksponent dhe personifikues i një shteti siç është Serbia, që ka ushtruar një gjenocid sistematik ndaj popullit shqiptar në Kosovë, veçanërisht pas kolonizimit të  saj në  vitin 1914 e deri në  luftën e fundit 1998-1999, në  të cilën UÇK-ja doli fitimtare duke u mbështetur në radhë të parë nga SHBA-ja dhe vendet më të rëndësishme të BE-së dhe NATO, pa dyshim.

Lexo edhe :  Rekrutimi i ushtarakëve të rinj/ Të rinjtë kanë interes të vazhdojnë arsimin ushtarak

Pas akuzës zyrtare, a mendoni për një dorëheqje të mundshme të Thaçit si president i vendit, duke ndjekur “praktikën” e mëparshme nga Ramush Hardinaj, i cili dha dorëheqjen si kryeministër dhe shkoi para gjykatës si qytetar i thjeshtë? 

Nuk besoj dhe nuk është e nevojshme që presidenti Thaçi të japë dorëheqjen. Së pari, për faktin që akuza e Prokurorisë nuk ka marrë verdiktin e Gjykatës. Së dyti, Prokuroria Speciale në njoftimin e saj më tepër është shërbyer me terma politikë, duke i shndërruar akuzat e saj në një lloj pamfleti politik. Së treti, kjo prokurori ka devijuar nga procedurat e parashikuara qoftë në Rregullorën e punës së saj apo edhe në Statutin e vetë Gjykatës Speciale. Rasti Haradinaj dhe rasti Thaçi, mendoj unë, nuk mund të krahasohen. I pari akuzohej nga Serbia dhe në të tri rastet ka dalë fitimtar, ndërsa Thaçi akuzohet nga një Gjykatë Ndërkombëtare, e ngritur dhe miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.  Dorëheqja e Thaçit mund të vinte sikur Gjykata do të kishte konfirmuar akuzat e pretenduara nga Prokuroria, por kjo ende nuk ka ndodhur.

A është kjo lëvizje e Prokurorisë Speciale dhe nisja e procesit ndaj Thaçit edhe një përplasje SHBA-BE për çështjen e “korrigjimit të kufijve”? Shtëpia e Bardhë ishte thuajse e bindur në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë me ndikimin e drejtpërdrejtë të Grenell-it, ndërsa tashmë duket se kthehemi në pikën zero.

Asgjë nuk është e rastësishme. Takimi i paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë, normalisht nuk është pritur me entuziazëm në Bruksel. I aqpërfoluri “korrigjimi i kufijve”, kohët e fundit thuajse është venitur. Kjo ide nuk ka gjetur një përkrahje as brenda në Kosovë, as në Bruksel, ndërsa Uashigtoni ka mohuar se ka një marrëveshje të tillë. Vetë presidenti Thaçi në paraqitjet e kohëve të fundit ka mbrojtur pozicionin se në çfarëdo lloj bisedimesh, qoftë në Bruksel, apo në Uashigton, ai do t’i përmbahet Kushtetutës, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës, pa përjashtuar kërkesën e ligjshme që Kosova Lindore (Presheva, Bujonovci dhe Medvegja) dikur pjesë e territorit të Kosovës t’i bashkohet asaj. Për momentin nuk mund të pritet një marrëveshje e shpejtë Kosovë-Serbi. Ndoshta duhen pritur zhvillimet e ditëve në vijim, madje gjithçka mund të shtyhet pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. Në një situatë si kjo, Brukseli do të bëjë përpjekje të marrë një rol më aktiv, por një marrëveshje që presupozon njohjen reciproke Kosovë-Serbi, ende është larg.

Në Kosovë po hetohen dhe dënohen për “krime lufte”, ndërkohë, në Serbi, e cila është përgjegjëse për mijëra viktima në Bosnjë, Kosovë dhe Kroaci nuk po mbahet i njëjti kriter. A mund të flitet për një lloj “lobimi antishqiptar”?

Për fat të keq, Serbia nuk ka marrë dhe ende nuk po merr dënimin e merituar për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj popullit boshnjak, kroat dhe shqiptar. Aleatët e vjetër dhe të rinj të Serbisë vazhdojnë të jenë përkah Beogradit në radhë të parë për interesat e ndërsjella që kanë. Por, nuk duhet harruar se liria e Kosovës dhe pavarësia e saj nuk kanë kthim prapa. Lidershipi në Kosovë duhet të jetë i bashkuar, sikurse edhe faktori shqiptar në rajon. Ne si shoqëri, si politikë, ekonomi e të tjerë, duhet të kuptojmë njëherë e përgjithmonë se vetëm të bashkuar e të bashkërenditur në çdo veprim dhe punë, do të arrijmë të përballojmë sprovat e kohës dhe të bashkohemi sa më shpejtë në familjen euroatlantike së cilës i përkasim. Nëse punojmë me seriozitet dhe përkushtim në këtë drejtim, aletatët tanë të vërtetë, SHBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja, do të na mbështesin edhe më shumë.

Lexo edhe: Aktakuza e paralajmëruar, Kosova për herë të dytë në dorë të aleatëve

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit rrugor, Besmir Qibni në një...

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të rikthej në pushtet në vitet...

Ledjona tregon për të atin pas daljes nga “BBV3”: Ka pasur probleme shëndetësore

Në një intervistë të dhënë në “Ftesë në 5”, Ledjona ka folur për herë të parë për familjen e saj dhe mënyrën sesi ata...

Lajme të tjera

Web TV