Pluton Vasi: Fëmija i përdhunimit, një film mbi skenarin e Bashkim Hoxhës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Makineria është bërë gati, skenari tekniko-regjisorial është zbërthyer tashmë dhe njerëzit e ekipit mbështetës e dinë mirë se ku i kanë vendet e tyre. E, megjithatë, çaku i parë ende nuk është përplasur, që xhirimet të quhen të nisura. Ka ende ca detaje të papërfunduara, por kjo nuk i sjell ndonjë ngërç. Natyrisht, do të ishin në një situatë tjetër, nëse gjithçka nuk do ta kishte ndërprerë pandemia “Covid” dhe vendimi për izolimin e plotë të shoqërisë brenda mureve të shtëpisë që quhej karantinë…

Nga Leonard Veizi

…“Motor…” “Ka motor…” “Këtu vallëzohet me hijet! – 14 dubël një”.

Ai është mbreti i sheshit të xhirimit dhe si i tillë duhet të jetë një diktator në miniaturë, apo simbolikisht i tillë. Ndoshta kjo që them ka të bëjë me shkollën e vjetër, sepse ai nuk e manifeston një gjë të tillë dhe arrogancën nuk e zotëron. Por titullin e “mbretit” nuk ka përse ta refuzojë, përderisa çdo segment filmik nuk mund të bëhet pa urdhrin e tij. “Mbretëresha”, po nga e njëjta dinasti, është Vjollca Dedei, e me një begraund të gjerë mban pozicionin e producentes.

Thirrja e vjetër, arkaike, me një portavoçe me bateri tashmë i përket së kaluarës. Kamerat digjitale, aparaturat e zërit, miksterat dhe ekranet e kontrollit janë aty. Teknikat për realizimin e një filmi kanë ndryshuar dhe një dron milimetrik që regjistron nga ajri zëvendëson ngritjen e një helikopteri lufte.

Mbështetur te një skenarist me përvojë si Bashkim Hoxha, duket se Pluton Vasi ka siguruar suksesin paraprak dhe tani po mendon më së shumti se kujt do t’ia besojë rolin kryesor, një aktoreje shqiptare apo një të huaje, jo domosdoshmërisht. Për së fundi me shumë guxim regjisori i njohur shfaqi filmin “Ndërkombëtarët” dhe ca më herët “Maya” realizoi objektivin për të thyer një mori tabush provinciale. Këtë herë nuk e dimë nivelin e rrezikut, por, natyrisht, ai do të jetë i lartë.

Fabula që ka zgjedhur ngjall grishje pas një titulli fantazmë që, gjithsesi, të ngjeth: “Këtu vallëzohet me hijet!”. Skenat paraprake i ngjasojnë horrorit. Në një dhomë pihet konjak, cigare dhe dëfrehet. Në po të njëjtën dhomë përdhunohet. Dëshmitarë janë muret. Por ato nuk flasin. Flet vetëm Ziguri, një agjent ligavec i shërbimit sekret që përgjonte gjithçka ndodhte mes një grupi artistësh të cilët kërkonin të merrnin nga jeta ca më shumë sesa pikatorja me të cilën i ushqenin.

Piktori i filmit, Adnand Kastrati, ka skicuar qindra ide, ndërsa në kokën e regjisorit imazhet janë të qarta. “Nuk mendoj se ka ndryshuar ndonjë gjë… mendoj se “…akoma vallëzohet me hijet”! thotë regjisori i njohur i filmit artistik dhe dokumentarëve. E për më tej, për gazetën “Fjala” Pluton Vasi zbulon disa prej detajeve të filmit të ri:

Projekti juaj i fundit është një film artistik me metrazh të gjatë. Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë ndërmarrje?

Bashkëpunëtorët në zhanrin tonë nuk mund të futën në një dadabaze për të thënë në fund se janë “X” bashkëpunëtorë. Sepse bashkëpunëtorët në këtë profesion janë gjithmonë në lëvizje, shtohen dhe pakësohen. Por nuk mund të rri pa përmendur këtu bashkëpunëtorin tonë kryesor që është skenaristi Bashkim Hoxha.

Është fat për mua që pas kaq e kaq vitesh që jetojmë në një qytet, siç është Durrësi, erdhi ora që unë të bashkëpunoj me të. Përveç kësaj, në periudhën e gjimnazit e më parë, unë thuajse jam rritur me poezitë dhe tregimet e Bashkim Hoxhës. Thënë shkurt, është fat që po bashkëpunoj me një emër të tillë, si Bashkim Hoxha. Sigurisht, pasi ramë dakord për skenarin, në listën e bashkëpunëtorëve rreshtohet Vjollca Dedei, e cila është dhe producente e filmit që, sigurisht, është dhe një ndër bashkëpunëtoret e mia kryesore, si në aspektin e marrjes së vendimeve, ashtu dhe në aspektin e udhëheqjes drejt zhvillimit të filmit.

Një tjetër bashkëpunëtor është piktor i filmit, Adnand Kastrati. Nuk mund të lë pa përmendur konsulencat me miq të ndryshëm. Sepse, pasi vendoset për skenarin, merren konsulenca se ku duhet ndërhyrë dhe ku jo, çfarë duhet sugjeruar dhe çfarë nuk duhet. Filmi është një art kompleks, pra është një martesë e disa gjinive siç është muzika, loja e aktorit, piktura, imazheria. Në këtë aspekt, bashkëpunimi paraprak është në konsulencë e sipër.

Është tërësisht produksion shqiptar?

Në këtë status që jemi është produksion shqiptar. Por ne kemi marrë një “ok” dhe pothuaj është një proces i mbyllur, bashkëpunimi me një studio belge përfaqësuesit e së cilës e kanë pëlqyer jashtëzakonisht projektin. Së fundmi, kemi një trokitje dere nga ana e maqedonasve, sepse mendohet që do të hyjnë edhe ata në bashkëpunim.

D.m.th gjithmonë shikohet statusi i subjektit, i asaj që serviret, që në historinë e bashkëprodhimeve, unë do t’u thosha në kuptimin simbolik “paterica”. Janë këto patericat që na ndihmojnë. Do të ishte shumë mirë që bashkëprodhimet të mos ishin të karakterit të shpëtojmë dhe të zgjidhim problemet financiare dhe të mbeten paterica. Bashkëprodhimet të ishin të përcjellëse të ideve, sa më koncize e sa më konkrete.

Filmi do të luhet i gjithi në Shqipëri, apo ka dhe skena jashtë vendit?

Kjo varet nga bashkëprodhimi, sepse një pjesë e mirë e bashkëprodhuesve kanë kushte edhe për lokacionin, për vendet ku kryhen xhirimet. Por nëse hyjnë në lojë maqedonasit, do të ketë skena edhe në Maqedoni. Sepse duhet thënë që në film është personazh edhe figura e Nënë Terezës. Karakteri kryesor i filmit është një gazetare, e cila jeton jashtë dhe vjen në Shqipëri për të bërë një reportazh për Nënë Terezën.

Lexo edhe :  Vizita dy ditore në Paris, Rama: Do të hedhim hapa konkretë për forcimin e miqësisë

Përveç takimeve me të afërmit e shenjtores në Tiranë, ajo do të shkojë edhe në Maqedoni, të regjistrojë vendin ku ka lindur Nënë Tereza, ku ka shtëpinë në Shkup, apo nga ka dalë në manastirin e Strugës. Këto janë elemente që sjellin apo ndërtojnë  historinë e bashkëprodhimit.

Sapo treguat detaje nga filmi, por do të doja të dija më shumë rreth përmbajtjes së skenarit?

Skenari i Bashkim Hoxhës është mbështetur mbi një ngjarje të vërtetë. Fillimisht ka qenë e shkruar si dramë, por pasi ramë dakord u përshtat për skenar. Është historia e një vajze shqiptare, e lindur në Shqipëri; nëna e saj ishte një artiste, balerinë. Në vitet ‘90 edhe vajza bashkë me shumë shqiptarë të tjerë emigrojnë. Jeton në një vend perëndimor dhe pas shumë vitesh rikthehet në Shqipëri për të bërë një reportazh për Nënë Terezën.

Ditën e parë që vjen, shkon në shtëpinë ku është rritur. Ajo është një shtëpi e braktisur, pasi nëna kishte më shumë se një vit që i kishte vdekur. Por në shtëpi troket dikush. Është një burrë i moshuar i cili i prezantohet si Ziguri dhe i thotë se i bëhej qejfi që takohej me të.

Ai i thotë se dinte gjithçka rreth asaj shtëpie, njihte çdo tingull e çdo lëvizje. “Dhe dua që këtu të vdes, të var veten”,  – i thotë në fund.

Kjo është ndër gjërat që krijon goditjen e parë, ose hedh ngjitëset e para për të krijuar një suspancë interesante. Pyetjes së vajzës se kush ishte, ai përgjigjet se ishte një ndër njerëzit, por më kryesori, që kishte përgjuar jetën e nënës së saj. Sepse në atë shtëpi nëna e saj bashkë me miqtë bënin mbrëmje dëfrimi apo party, siç quhen sot. Dhe Sigurimi i Shtetit i përgjonte të gjitha lëvizjet e këtij grupi artistësh, ku midis të tjerave kishte dhe elementë përtej barrikadës.

Pra, ishin pjesë disidente. Jo në kuptimin e disidentëve aktivë, por disidentë të shkarkimit emocional dhe ideor. Filmi ka një retrospektivë ku kthehet, dhe e bija njihet me të gjitha ngjarjet. Paralelisht, teksa bën punën për Nënë Terezën, ajo është e detyruar të dëgjojë edhe historinë e nënës së saj prej Zigurit, i cili e ka përgjuar.

Në fund të tregimit Ziguri i thotë që, veç të tjerave, ishte babai i saj, pasi ai kishte përdhunuar nënën e saj. Por i thotë, gjithashtu, se ajo grua ishte dashuria e tij e rrallë. Ndërsa vajza nuk e pranon dhe ia kthen që ajo e kishte një baba. Ditën që mbaron reportazhin për Nënë Terezën, dhe bëhet gati të ikë, në shtëpinë e saj gjen të varur Zigurin. Pra, ai kishte varur veten pikërisht te vendi i krimit, pikërisht në vendin ku ai kishte përdhunuar nënën e vajzës.

Dua ta theksoj këtë që thelbi i filmit është një ndër problemet kryesore që kemi ne shqiptarët, sipas mendimit tim, krejt ndryshe nga çfarë thuhet dhe krejt ndryshe nga ç’është. Ne e kemi shumë lehtë të themi, të flasim për të tjerët dhe, ç’është më kryesorja, mbetet shumë e rëndësishme marrëdhënia e njerëzve, pavarësisht ambientit dhe vendit ku ndodhin. Për mua është shumë e rëndësishme marrëdhënia midis njerëzve, edhe po qe në diktaturë, por edhe po qe në demokraci.

Janë të tjerë parametrat që përcaktojnë marrëdhënien midis njerëzve më fort sesa sistemet. Kodi që vendosin dy njerëz, duke u marrë vesh me sy, mund të jetë dhe një superdiktaturë,  por komunikimi midis njëri-tjetrit është shumë më me vlerë dhe shumë më njerëzor. Ky është dhe thelbi i filmit.

Postproduksioni, është shpejt për të folur, por a do ta lançoni këtë film në festivale ndërkombëtare, duke qenë se tema të tilla janë të prekshme jo vetëm për shqiptarët?

Përpjekjet dhe hapat e parë janë shumë premtues. Sigurisht, nuk mund të lë pa thënë se përgjithësisht në festivale të kategorive ku bërtitet, apo janë ato festivale që po “shenjtërohen”, e them me cinizëm këtë, duhet se s’bën një ndërmjetësim i domosdoshëm i shtetit.

Ku ndërmjetësimi nuk ka si qëllim individin, por përfaqësimin. Prej kohësh shteti ynë është shumë  indiferent karshi  artit, dhe kur them shteti, e kam fjalën për njerëzit, sepse shteti nuk është një mobilie. Pra shteti janë njerëzit që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë ose të zhvillojnë artin,  ose përfaqësimin e Shqipërisë  kudo në botë, jo kanë fjetur gjumë, por nuk janë dukur fare.

Insistoj që shteti duhet të rishikojë rritjen e buxheteve  në sferat e artit. Nuk them vetëm për kinemanë, them për teatrin për pikturën… Duhet ta marrë shumë seriozisht këtë gjë. Jemi një komb që mendohemi para se të flasim, dhe kjo është treguar historikisht. Dhe në fushën e artit, në një vend ku ka 300 ditë diell, ku lulëzon gjithçka, dhe është një vend i bekuar nga natyra, sigurisht që komunikimi është shumë më i mirë dhe shumë inteligjent.ka.ta/Fjala.al/

Të fundit

Durrësi, temperatura ekstreme deri në 2040/ BB: Shkak mungesa e hapësirave të gjelbra

Deri në vitin 2040, qyteti i Durrësit do të përjetojë rritje ekstreme të temperaturave. Sipas Bankës Botërore, në raportin...

Çfarë ndodhi? Jep dorëheqjen nënkryetari i njohur, ja arsyeja (Emri)

Pas akuzave të Ilir Metës, ka plasur konflikti në Partinë e Lirisë. Endrit Braimllari ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit. Reagimi Jap dorëheqjen nga funksioni...

Varg kilometrik automjetesh, ja segmenti rrugor që është bllokuar

Bypass-i i Murrizit është bllokuar pasditen e kësaj të marte rreth orës 16:00 duke krijuar një varg kilometrik automjetesh. Segmenti i bllokuar në rrugën e...

Sa është vlera e financimit?/ Rinovohet deri në 2030 marrëveshja me USAID

Qeveria Shqiptare ka nënshkruar sot rinovimin e marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Për forcimin e...

Një dëshirë e realizuar dhe sqarim i debateve. Ja çfarë do të ndodhë sonte në ”BBV 3”

Big Brother Vip Albania është një fenomen social që mbërthen fort jo vetëm vëmendjen por edhe debatin publik. Këtë vit synimet janë akoma më...

Lajme të tjera

Web TV