“Në luftë flija pak, i sfilitur nga dilemat”,Thaçi: I vetmi ligj që kam shkelur është ai i Millosheviçit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gjatë fjalimit prekës që bëri presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, reagimi i parë në lidhje me aktakuzat e ngritura nga Gjykatë Speciale në Hagë, për krime lufte, u kuptuan shumë mesazhe.

Ai kthehu kohën pas kur i duhej që të përballej me pushkë si një nga nismëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se i vetmi ligj që kishte shkelur ishte ai dëbimit të Slobodan Milosheviçit nga territoret e shtetit të tij.

Fjala e plotë

“A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje. Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh?!
Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krimet e luftës!

Megjithatë, nuk dua të zgjatem sot me këtë teme krahasimi të proporcioneve të
drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada.
Qytetarë të nderuar. Në këto dy dekada kam pasur privilegjin të kem mbështetjen e shumicës prej jush, duke shërbyer në krye të institucioneve më të larta shtetërore. Natyrisht, në këto dy dekada, pa dashje, kam bërë edhe ndonjë lëshim. Disa prej këtyre sot i di edhe vetë. Unë nuk hezitova që me bashkëluftëtarët të bëj luftë me armë e me diplomaci kundër Serbisë, pa marrë parasysh çmimin që mund të paguaja, deri edhe me jetën time. Lufta ka përfunduar.

Kosova është e lirë dhe shtet sovran. Prandaj në dy dekadat e fundit kam punuar dhe do të punoj për paqe dhe pajtim me Serbinë dhe në tërë Ballkanin. Sot jetoj jo thjesht për veten e për familjen time,
… por edhe për ata shokë që kam varrosur gjatë luftës,
… për prindërit dhe për fëmijët e tyre e për nipat e mbesat e tyre.
Jetoj për misionin historik të cilit i përkas bashkë me Kadri Veselin, Ramush
Haradinajn, Fatmir Limajn, e shumë të tjerë që ishin të parët në luftën për liri, por edhe të parët të goditur e të sulmuar pas lufte.

Të dashur qytetarë,

Ne nuk shkuam në luftë për të fituar zgjedhje e as për të marrë pushtet.
Shkuam ja për të jetuar të lirë, ja për të vdekur për liri!
Nuk kishim asgjë përveç ëndrrës së madhe për liri dhe pavarësi. Bashkërisht ëndrrën e bëmë realitet. Por, kalimi nga shtigjet e luftës çlirimtare në korridoret e institucioneve nuk mund të ishte për ne as i thjeshtë, as i lehtë. Mund t’ju them se më shumë kisha drojë nga këto korridore, se sa shtigjeve të luftës. Në luftë flija pak, por gjumi më ripërtërinte. E pas luftës, flija pak po ngrihesha i sfilitur nga dilemat si ta bëja më mirë punën e ditës së re. Bëra sa munda, por jo aq sa do të doja. Por, sot nuk dua të rendis të arriturat e karrierës sime, sepse ky nuk është as një mesazh lamtumire, as një moment bilanci pune për mua. Dua vetëm t’ju them se kam mbajtur mbi kurriz shumë akuza dhe shumë ofendime gjatë tërë këtyre viteve. As nuk e kam mohuar ndonjëherë kur kam qenë në krye të Qeverisë, as nuk e mohoj sot, se ashtu siç ka pasur arritje në zhvillimin e Kosovës, po ashtu kam pasur sfida në qeverisje dhe drejtim të shtetit. Kjo është e natyrshme për një lider. Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji.

Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit. Unë nuk jam i ramë prej qiellit dhe nuk jam shenjtor. Fati im në rrethana krejt të veçanta historike ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes sime. Politika nuk ishte asnjëherë burim jetese për mua, por mision i shenjtë për t’i shërbyer vendit dhe juve qytetarë të dashur. Nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh.

Lexo edhe :  Dita e gjyqit për “portalet”/ Rama: Komision për dezinformimin!

Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm njëherë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them:

Me fal në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar. Përkulem para besimit tuaj. Të nderuar bashkëqytetarë, Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë. Por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira. Ky është një kapitull i ri edhe për mua dhe në këto momente ende nuk e di se sa i vështirë do të jetë. Por, unë jam gati ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time përballë kujtdo qoftë. Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë
– doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar.
A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës?
Rrugën ma prenë.

Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës. Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh.
Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik. Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.

Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor?
Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Ndërsa përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është se:
Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në
Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes
Kosovë-Serbi.
Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është:
Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë.

Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike. I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike. Të dashur qytetarë,

Duke ju falënderuar të gjithëve që me keni çuar fjalë dhe mesazhe inkurajuese, ju uroj nga zemra çdo të mirë.
Ju falënderoj për vëmendjen!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe kombin shqiptar!” përfundoi Thaçi.

 

 

la.mi/fjala.al

Të fundit

Rryma e oqeanit përshpejtohet me nxehtësinë. Problem për akullin e Antarktidës

Shkenca Rryma Rrethore e Antarktikut intensifikohet me rritjen e temperaturave: është e destinuar të rritet në shpejtësi dhe të...

I lumtur deri në… budallallëk

Nga Leonard Veizi Të lumtur në jetë të jetëve... Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund për t’u kuptuar se është...

Investimet e huaja/ Rama projekton rritje me 4 miliardë dollarë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, e sheh dialogun mes qeverisë dhe sipërmarrjes, si një nga rrugët...

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën...

Lajme të tjera

Web TV