Për kë bien kambanat e Yuri Kim? -Nga Sebi Alla

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Sebi Alla
https://youtu.be/GU-okmHNP5E
Nëse ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, po mëton t’i futet “botës së medias” si “analiste”, me siguri që në një editorial të vetëm ajo qëlloi në shenjë, por dikush që i do të mirën, duhet ta këshillojë të mos e vazhdojë më tej, sepse mjafton vetëm kaq.

Mesazhin e dha, shumë të qartë, madje edhe për ata që janë analfabetë funksionalë! Në një shënim që mban emrin e saj, Yuri Kim shkroi pesë ditë më parë për drejtësinë e re dhe reformimin, duke mos e ndarë togfjalëshin: “ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm”.

Ndërsa dje, ambasadorja amerikane në Tiranë, foli qartë për konkurrencën e pandershme, për korrupsionin, klimën e biznesit dhe, mbi të gjitha, për zhgënjimin e popullit shqiptar nga politika aktuale, pa i vënë kah drejtimi se për kë, por duke i futur të gjithë në një thes, madje edhe duke ua ia mbyllur grykën këtij “thesi” të madh… Disa fraza i ka përdorur edhe më parë, ashtu të shkëputura, sipas rastit, por ajo në episodin e parë me temë drejtësinë, u ndal më shumë në interpretimin e interpretimeve që vijnë nga politika, mbi raportin e Komisionit të Venecies.

Këtu është edhe thelbi i analizës së Kim-it, që u publikua në çdo media! “Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecies pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat ‘çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese.”- shkruan Kim, e cila bën edhe një interpretim mbi interpretimin e Komisionit të Venecies.

Në fakt, ajo po thotë: Heshtni mëkatarë! Ata që e orkestruan këtë valle dhe e hoqën disi gjatë, kur dorovitja vinte edhe nga pushteti i mbetur në këmbë i dyshes drejtësi e korruptuar – politikë, për fat të keq, i kanë sërish duart e lira. Prej politikës sonë pritet të merren vendime për t’i bërë funksionale institucionet e reja të drejtësisë.

Do të jetë po sërish në duart e atyre, por me monitorim shumë më të fortë. Presidenti Ilir Meta (me të drejtë në dukje), brohoriti i pari për fitore, pas mbërritjes së raportit nga Komisioni i Venecies që, gjithsesi, nëse vihej në peshore, anonte shumë më pozitivisht nga veprimet e kreut të shtetit për procesin dhe zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Parlamenti dhe qeveria në analizën e “profesorëve evropianë” të drejtësisë kishte çeduar, por aty-këtu, gjendej ndonjë përmbledhje që nuk e anatemonte aq shumë.

Por Ilir Meta, që më 2 mars shëtiti Kushtetutën ne mes të bulevardit, në lëshim ultimatumesh dhe përbetim se do të udhëhiqte popullin në kërkim të demokracisë dhe mbrojtjes së ligjit themeltar të vendit, nuk do ta kalonte modestisht “fitoren e parë” që i erdhi nga Komisioni i Venecies. I veshur sportiv, me uniformën e klubit agresiv Sëlltik, presidenti maste kohën për vrapime kilometrike në buzë të detit, jo shumë larg vilës së tij mahnitëse në gjirin e Lalzit.

Një formë e gjetur për të “kremtuar fitoren”, por “ahengut” iu ça darja. Dorovitësit mbetën të shtangur, por edhe “valltarët e politikës” nuk mundën ta vazhdonin më tej këtë shfaqje, as me fërshëllimën e tyre të melodisë. Ka katër vjet që hiqet një valle shpatash dhe askush nuk lëndohet. Përkundrazi, të gjithë aktorët argëtohen, duke pasur si protagonistë të saj dyshen president-kryeministër dhe “dasmorë të ekzaltuar” deputetët e Kuvendit, që me një kaba vihen në radhë…

Sa për opozitën jashtëparlamentare, nuk është as spektatore, as popull i thjeshtë, por, mbi të gjitha, as vetë nuk e di se ç’është në çështjen e reformës në drejtësi. Dhe kjo pa dyshim që është pjesa negative e një reforme që nisi me unanimitet dhe u përçudnua po me unanimitet, minimalisht për ta zvarritur, apo për ta kontrolluar.

Lexo edhe :  Përse e “ha” provokimin Meta?

Ambasadorja Kim bërtet me të madhe: “lërini vallet e fitores”, sepse çdo ditë e shkuar dëm rëndon shumë, për më tepër nën dyshime dhe “thashetheme se po tentohet të vritet reforma në drejtësi”. Në këtë mes ka vetëm një të lënduar; qytetarët që presin dhe duan drejtësi. T’i kërkosh sot popullsisë që ende të presë, është po aq e rëndë sa vetë tentativa për ta vrarë reformën.

“Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndiesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar, pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tone.” – shkruan Kim.

Institucionet po vihen në lëvizje, veçanërisht Këshilli i Lartë Gjyqësor, që duhet të kishte përfunduar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e më pas t’i hapej udhë plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Edhe sot Kim “shkundi” Parlamentin dhe u kërkoi të zgjedhurve shpejtësi në çdo nismë që ka për qëllim krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka mbetur vetëm si godinë, që hapet e mbyllet sa për ajrosje, për të mos zënë myk muret e larta, që dikur shërbenin si Komiteti Qendror i PPSH-së.

Episodi II

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka nisur “fushatën” e saj, një vit para se forcat tona politike në matin forcat në elektorat.

“Shqiptarët janë të lodhur nga politika. Duan zgjidhje, jo të vazhdohet me një lojë faji, duan që udhëheqësit të punojnë së bashku për të mirën e popullit. Duan të kenë shanse, mundësi dhe jo korrupsion, mundësi që t’u japin një të ardhme më të mirë fëmijëve të tyre. I sfidoj të gjithë në qeveri apo jo, në biznes që ta marrin parasysh këtë raport që të ndryshoni, të ecni përpara. Populli do rezultat, vizion dhe jo ofendime.” – tha Kim dje, ndërsa gjendej në një takim me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Togfjalëshi: “Shqiptarët janë të lodhur nga politika”, i artikuluar nga Kim, tregon shumë. Ambasadorja amerikane sot po ua thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë, në sy, eksponentëve të klasë-kastës që populli nuk ju do, por nëse do të bëhet ndryshimi i madh, ajo do të vijë po nga ju “të padëshiruarit”, por me imponim, për t’u kthyer kundër vetes.

Kim ka një armë më shumë në duar sesa një “penë analize”, dhe këtë ajo e di mjaft mirë. Në këto momente ambasadorja amerikane ndjek një agjendë të qartë; vijimin e reformës në drejtësi dhe rikthimin e besimit qytetar te SHBA-ja. Për ambasadoren është koha e aksionit dhe jo e profesionit të ngurtë të diplomates.

Basti i saj mbetet reforma në drejtësi, jo vetëm se këtë e kërkon populli, por edhe sepse klasa politike deshi të vinte dorë dhe të shembte një produkt që më së pari është investim amerikan. Vallen në një rast ua prishi! Tenativën për t’i dirigjuar nismat e reja është ende shpejt për ta parë. Gabimi që po bën polielita jonë mund të jetë se ambasadoren Kim po e merr për editorialiste…!

la.mi/Fjala.al

Të fundit

COVID-19 në Shqipëri/ Rritet numri i infektimeve, humbin jetën 6 persona në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë: 3342 testime, 534 të shëruar, 360 raste të reja dhe 6 humbje jete në 24...

Kokaina në Durrës/ Flet administratori i firmës: Jemi komplet të pambrojtur

Një sasi kokaine, prej rreth 200 kilogramësh është sekuestruar këtë të enjte në Portin e Durrësit, pas kontrolleve të imtësishme që u është bërë...

“Nuk më kthehet gruaja në shtëpi”/ Rama zbulon ‘hallin’ e qytetarit: Më tha nuk ta jap votën sepse…

Kryeministri Rama ka zbuluar në Vlorë një bisedë interesante që ka patur me një qytetar, i cili i ishte ankuar se i kthehej vonë...

Çuçi takime në Memaliaj dhe Tepelenë: PS i fiton zgjedhjet, këtë e di edhe opozita

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokasër dhe kandidati për deputet, Bledi Çuçi ka vijuar takimet elektorale në Memaliaj. Gjatë një bashkëbisedimi me...

“Të dëmshme dhe të pavlera”/ Mozzik i del kundër Qeverisë Kurti

Këto tre ditët e fundit, mbi 15 mijë kosovarë janë futur në Shqipëri, për shkak masave të ashpra që qeveria Kurti ka vendosur, për...

Lajme të tjera

Web TV