Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia që po kërcënon globin, e pashmangshmërisht edhe futbollin, po jep efekt në financat edhe të klubeve të njohura. Futbollisët e Borussia Dortmund do tëheqin dorë nga një pjesë e pagave deri në fund të vitit 2020.
Këtë e paralajmëroi shefi ekzekutiv i klubit Hans-Joachim Watzke. Lojtarët ranë dakord njëzëri që të marrin më pak gjatë krizës me koronavirusin, që të mund të ndihmojnë klubin, ndërsa Watzke shtoi se skema do të vazhdohet deri për vitin e ri.
Kjo do të thotë se çdo lojtar do të marrë rreth 20 për qind më pak nga ajo që e ka nënshkruar edhe për gjashtë muaj. Borussia publikoi një parashikim me humbje prej 45 milion euro si rezultat i pandemisë. Watzke, gjithashtu tha se nuk do të vendosen qëllime specifike për ekipin gjatë sezonit 2020/21.
Para një viti hierarkia drejtuese, theksoi se do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tyre për ta zbritur Bayern nga maja e Bundesligës, por në fund verdhezinjtë përfunduan në vendin e dytë sërish – 13 pikë pas bavarezëve.