Lobet në BE/ Izolohet Shqipëria, turizmi në kolaps

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Hapja e kufijve, BE-ja merr vendimin: Shqipëria mbetet jashtë listës së shteteve që u lejohet lëvizja e lirë, situata epidemiologjike në vend shkak i lënies jashtë listës. Sugjerimi i BE-së rrezikon turizmin. Shtetasit e huaj që udhëtojnë drejt “vendeve të treta”, (këtu përfshinë edhe Shqipërinë), rrezikojnë që në kthim të vetëkarantinohen. Lobet brenda vendeve të BE-së po favorizojnë turizmin në Mesdhe

Nga Ina Allkanjari

Shqiptarët nuk do të mund të udhëtojnë në Evropë pas datës1 korrik. Këshilli i Bashkimit Evropian ka zyrtarizuar listën me 15 shtete, të cilat konsiderohen të sigurta, ndaj qytetarëve të tyre do t’u lejohet të udhëtojnë lirisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, pavarësisht situatës së krijuar prej COVID-19. Fatkeqësisht, Shqipëria nuk rezulton të jetë pjesë e kësaj liste. Për këtë arsye, të gjithë shqiptarët, të pajisur me pasaportë të rregullt, nuk do të mund të lëvizin lirisht drejt destinacioneve Shengen, deri në një njoftim të dytë. Ndërkohë në vendimin e BE-së deklarohet se në varësi të ecurisë së pandemisë, lista do të rishikohet çdo dy javë, për të vendosur nëse një shtet do t’i shtohet apo do t’i hiqet listës. Pritet që ky vendim ta dëmtojë turizmin hyrës në Shqipëri, kjo pasi në një ndër pikat e Këshillit të Bashkimit Evropian, sugjerohet që qytetarët e 15 shteteve të përfshira në listë, nëse udhëtojnë drejt vendeve si Shqipëria, ku mbahet kufizimi i përkohshëm i udhëtimit, duhet të ndërmarrin masa të pasaçme, si vetizolimi. Lidhur me vendimin e BE-së për kufijtë e Shqipërisë, ministri i Turizmit, Blendi Klosi, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, u shpreh se gjithë Evropa po lobon që të ruajë gjithsecili turizmin e vet. “Pa dyshim, është pjesë e lobingjeve, të cilat kanë të bëjnë edhe me zhvillimet në botën e industrisë dhe turizmit. Është tani fakt që e gjithë Evropa po lobon dhe po lufton fort, që të bëjë sa më shumë të jetë e mundur, nëpërmjet politikave, që të ruajë gjithsecili turizmin e vet. Edhe ne, me politikën që ndoqëm për të hapur kufijtë me rajonin”, u shpreh Klosi.

Ndërkohë për sa i përket listës me 15 vende, qytetarët e të cilave do të mund të lëvizin lirisht, vihet re se nga vendet e Ballkanit, figurojnë të përfshira në listë Mali i Zi dhe Serbia. Pavarësisht rekomandimit të Komisionit më 11 qershor për t’i përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit. Konkretisht, në listën aktuale përfshihen: Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji. Këtyre vendeve do t’u shtohet edhe Kina, nëse pranon të respektojë reciprocitetin me vendet e BE-së. Në këtë marrëveshje të parë që pas mbylljes së kufijve në mars, marrin pjesë të gjitha vendet e BE-së dhe vendet e asociuara të zonës Shengen, por jo Britania e Madhe që është jashtë Shengenit, dhe as Irlanda e Danimarka që nuk e pranojnë këtë listë. Bëhet me dije se vendimi u mor bazuar në një mesatare të të prekurve për një periudhë dyjavore për 100000 banorë. Mesatarja e pranueshme për Bashkimin Evropian është 16 të prekur për 100000 qytetarë, ndërkohë që Shqipëria numëron dyfishin. Për vendet që nuk janë pjesë e listës, do të përjashtohen qytetarët e BE-së dhe anëtarët e familjes së tyre; banorët afatgjatë të BE-së dhe anëtarët e familjes së tyre; udhëtarët me një funksion thelbësor ose nevojë thelbësore. Gjithashtu, ky vendim ndalon çdo vend të BE-së dhe të zonës Shengen të hapë kufijtë me një vend të ndryshëm nga ato në listë, pa marrë dakordësinë e të gjitha vendeve të tjera.

Kriteret e marra parasysh nga KE-ja për miratimin e listës

-Numri i rasteve të reja COVID-19 gjatë 14 ditëve të fundit për 100000 banorë, afër ose nën mesataren e BE-së.
-Tendencë e qëndrueshme ose në rënie e rasteve të reja gjatë kësaj periudhe, në krahasim me 14 ditët e mëparshme.
-Përgjigjja e duhur shëndetësore ndaj COVID-19, duke përfshirë aspekte të tilla si testimin, mbikëqyrjen, gjurmimin e kontaktit, kontrollimin, trajtimin dhe raportimin, si dhe besueshmërinë e informacionit. – Merret parasysh gjithashtu informacioni i ofruar nga delegacionet e BE-së për këto aspekte.

Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian

Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi që shtetet anëtare duhet të heqin gradualisht kufizimin e përkohshëm për udhëtime jo thelbësore në BE, që nga 1 korriku 2020, në mënyrë të koordinuar në lidhje me banorët e vendeve të treta të listuara. Kriteret e përcaktuara nga BE-ja për listën e shteteve të përzgjedhura lidhen me situatën epidemiologjike dhe masat e kontrollit, përfshirë distancën fizike, si dhe konsideratat ekonomike dhe sociale. Për sa i përket situatës epidemiologjike, vendet e treta të listuara duhet të plotësojnë në veçanti kriteret e mëposhtme:

Lexo edhe :  Qeveria miraton pr/ligjin për pagesat e prapambetura të ish-punonjësve të Kombinatit

-Pranë ose nën mesataren e BE-së, të vendosur më 15 qershor 2020, për rastet e reja me COVID-19 gjatë 14 ditëve të fundit, në raport për çdo 100000 banorë;

-Tendenca e rasteve të reja gjatë së njëjtës periudhë në krahasim me 14 ditët e mëparshme është e qëndrueshme ose në rënie;

-Të merret parasysh kundërpërgjigjja e përgjithshme ndaj COVID-19, duke marrë parasysh informacionin e disponueshëm, si testimi, mbikëqyrja, gjurmimi i kontaktit, kontrollimi, trajtimi dhe raportimi, si dhe besueshmëria e informacionit dhe e burimeve të të dhënave në dispozicion dhe, nëse është e nevojshme, rezultati mesatar i përgjithshëm në të gjitha dimensionet. Informacioni i ofruar nga delegacionet e BE-së, gjithashtu, duhet të merret parasysh.

Në vendim gjithashtu theksohet se çdo dy javë, lista e vendeve të treta duhet të rishikohet, dhe pasi çështja të azhornohet, nga Këshilli, pas konsultimit të ngushtë me Komisionin dhe agjencitë dhe shërbimet përkatëse të BE-së, pas një vlerësimi të përgjithshëm, bazuar në metodologjinë, kriteret dhe informacionet e përmendura. Kufizimet e udhëtimit mund të ngrihen plotësisht ose pjesërisht, ose të rivendosen për një vend specifik të tretë, sipas ndryshimeve në disa nga kushtet e përcaktuara dhe, si pasojë, në vlerësimin e situatës epidemiologjike. Vendimmarrja duhet të zbatohet në rast se situata në një vend të tretë përkeqësohet. Gjithashtu, nënvizohet se kur kufizimet e përkohshme të udhëtimit vazhdojnë të zbatohen për një vend të tretë, kategoritë e personave sa vijon duhet të përjashtohen nga kufizimi i udhëtimit, pavarësisht nga qëllimi i udhëtimit: qytetarë të BE-së; shtetas të vendeve të treta që janë rezidentë në vendet e BE-së. Megjithatë, theksohet se shtetet anëtare mund të ndërmarrin masa të posaçme për këta, si vetizolim ose masa të ngjashme me rastin e kthimit nga një vend i tretë për të cilin mbahet kufizimi i përkohshëm i udhëtimit. Një tjetër specifikë që vihet re në vendim është se një shtet anëtar nuk duhet të vendosë ta heqë kufizimin e udhëtimit të vendosur nga BE-ja për një vend të tretë specifik para heqjes së kufizimit pa u koordinuar më parë me BE-në, dhe në përputhje me këtë rekomandim. Në përfundim theksohet se ky rekomandim duhet të zbatohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Shoqata e Transportit Ndërkombëtar

Në një reagim për gazetën “Fjala”, Kujtim Hashorva, kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar, tregon se transporti rrugor ndërkombëtar do të jetë i hapur për Shqipërinë vetëm me Kosovën dhe Maqedoninë, teksa thekson se nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë.

“U mor vendimi dhe u publikua që transporti rrugor ndërkombëtar nuk do të funksionojë për udhëtarët, vetëm për disa raste të veçanta. Nuk dihet sa do zgjasë kjo situatë, na kanë thënë që komunikimi do të bëhet nëpërmjet ambasadës. Ne, gjithashtu, duhet të na njoftojnë dhe protokollin se si do të funksionojmë në momentin e hapjes, jemi ende në pritje”, u shpreh Hashorva. Për sa i përket kufirit rrugor me Greqinë, kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar tha se nuk do të jetë i mundur kalimi i shqiptarëve të cilët dëshirojnë të shkojnë në Greqi me pushime, pasi shteti fqinj ka vendosur të respektojë vendimin që ka marrë BE-ja për kufijtë. “Në Greqi, p.sh. vetë operatorët grekë janë të interesuar që të hapen kufijtë, pavarësisht se ata në ndryshim nga ne e marrin një farë kompensimi. Shqiptarët që kanë leje qëndrimi në Greqi dhe që kanë dokumente të rregullta, mund të vijnë në Shqipëri. Aktualisht ne kemi qarkullim me Kosovën, edhe me Maqedoninë funksionon, ndërsa me Malin e Zi është ndërprerë. Ndërkohë grekët thanë që do të respektojnë vendimin që ka marrë BE-ja, ku Shqipëria nuk është e përfshirë në listën e shteteve, ku qytetarët mund të lëvizin lirisht në BE”, deklaroi Hashorva për gazetën “Fjala”.

Nga ana tjetër, në një njoftim për mediat “Tirana International Airport”, deklaroi se pavarësisht se kishte shumë shpresë për datën 1 korrik për shqiptarët, vendi ynë nuk figuron në listën e shtetëve të cilët mund të lëvizin lirisht. “Situata shëndetësore në Shqipëri duket se nuk i ka bindur zyrtarët e Bashkimit Evropian që t’i hapin dyert për shqiptarët. Ndaj, pas takimit të mbrëmshëm të diplomatëve të EU, Shqipëria është lënë jashtë listës së shteteve, që mundëson qytetarët të mund të hyjnë lirisht në vendet e Bashkimit Evropian. Pavarësisht se kishte shumë shpresë për datën 1 korrik, të gjithë shqiptarët, të pajisur me pasaportë të rregullt, nuk do të mund të lëvizin lirisht drejt destinacioneve Shengen”, njofton Tirana International Airport.

/En.Br./Fjala.al

 

Të fundit

U arrestua nga policia zviceriane, reagon Soni Malaj

Ditën e djeshme, në media qarkulloi lajmi se këngëtarët Soni Malaj, Don Phenom dhe Sinan Vllasalliu, janë arrestuar nga...

Google pushon 28 të punësuar pas protestave kundër marrëveshjes me Izraelin

Google pushoi nga puna 28 punonjës për përfshirjen e tyre në një protestë 10-orëshe në dy nga zyrat e gjigantit të teknologjisë në California...

Pasi të lexosh këtë artikull, do hash më shumë luleshtrydhe

Luleshtrydhet nuk janë vetëm të shijshme, por i bëjnë mirë shëndetit më shumë se sa mund ta mendosh. Studiuesit janë të bindur se luleshtrydhet...

Kikia zbardh detaje mbi rastin e zhdukjes së 3-vjeçarit/ Fëmija ka pësuar traumë!

Një fëmijë 3-vjeçar në qytetin e Durrësit raportohet të jetë zhdukur. Ka qenë e ëma e të miturit ajo e cila ka bërë denoncimin...

“Çdo bub kur leh e ka me të keq do dhe të hajë”, Basha akuza ndaj Rithemelimit

Kryetari i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha është ndalur të flasë për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, pak minuta para nisjes së seancës, duke...

Lajme të tjera

Web TV