Një leksion nga Elez Biberaj, intervistë me “Mister Interviewer”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU

Dy vjet më parë kisha kënaqësinë të intervistoja Elez Biberajn në emisionin politiko-shoqëror që drejtoj prej 11 vjetësh në televizion. Është intervista e fundit dhe nga të rrallat që ai ka dhënë derisa dje të emërohej Drejtor i Përgjithshëm i “Zërit të Amerikës”. E kam thekuar edhe atëherë. Realizova një nga intervistat nga më të rëndësishme dhe më interesante në karrierën time si gazetar. Isha i nderuar që për rreth 2 orë kisha në studio në një rrëfim ekskluziv 360 gradë një nga personazhet më njohura për shqiptarët në këto 30 vitet e fundit. E përcaktoj kështu Elez Biberajn jo vetëm për faktin se ai është një nga protagonistët e ngjarjeve më të rëndësishme në Shqipëri të tranzicionit, jo vetëm se “Zëri i Amerikës” falë tij dhe stafit që ai drejtoi u bë zëri i Shqipërisë, por edhe për mjeshtërinë e tij në realizimin e një interviste. Nuk besoj se ka një politikan apo zyrtar të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës që nuk është vënë në vështirësi kur është vënë në morsetën e pyetjeve nga gazetari Elez Biberaj. Dhe ta bindësh ta intervistosh atë dhe më shumë se kaq, ta intervistosh mjeshtrin e intervistimit është vërtetë një sfidë. Nëse kjo intervistë ia ka arritur apo jo cilësisë, këtë nuk mund ta them unë, por shikuesi, por ajo që më mbeti në mendje ishte ajo që Biberaj më tha pas intervistës; “Roland, nuk e di nëse mbete ti i kënaqur nga intervista. Nëse ke mbetur i kënaqur, kjo është një gjë shumë e mirë. Por nëse ke mbetur i pakënaqur, nuk është faji im. Është faji yt që nuk më bëre mua të them ato që do doje ti të thosha”. Një leksion që e mora falas nga Mister Interviewer. Dje Elez Biberaj ka marrë detyrën e lartë në krye të Zërit të Amerikës. Është një lajm që na gëzon pa masë. Na gëzon jo thjesht se CEO do jetë një shqiptar. Por sepse Elez Biberaj është një model se si me punë, me punë dhe vetëm me punë mund të arrish gjithçka në jetë, duke e nisur nga hiçi. Një fëmijë emigrant që la trojet shqiptare, kaptoi Atlantikun, u shkollua, dhe punoi fort për të arritur deri këtu. Një model se si një njeri ngrihet duke qenë i përulur ndaj punës, një njeri shumë larg modeleve tona këtu në Tiranë që pa arritur gjë krekosja është kthyer në stil normal. Një gazetar që bilancin e punës e ka me numrin e intervistave që ka marrë dhe lajmeve që ka publikuar dhe jo sa vite drejtor ka në punë. Një gazetar që ka bërë studime të thelluara shkencore, ka marrë gradë shkencore dhe ka botuar libra të vlefshëm për gazetarinë dhe politikën dhe jo paçavure siç ndodh në Tiranën tonë që një takëm harxhojnë më shumë kohë për të bërë reklamë se sa për të shkruar një libër. Por modeli ynë Elez Biberaj ka tjetër sjellje, tjetër formim dhe sigurisht tjetër karrierë. Është një model se si një shqiptar, veçanërisht gazetar, arrin në majën e një prej mediave më të rëndësishme në SHBA. Më poshtë po publikoj pjesë nga kjo intervistë, e marrë më 22 shkurt 2018 në emisionin “Debati në Channel One”.

Elez Biberaj për komunizmin: E rrëzuan vetë shqiptarët

“Komunizmi në Shqipëri ra ashtu si në vendet e tjera komuniste, ra kur u poqën kushtet. Që të thuhet që komunizmi ra nga vetvetja këtë e kam pak të vështirë ta pranoj. Komunizmin e rrëzuan vetë shqiptarët. U ndërgjegjësuan, edhe pjesa e nomenklaturës komuniste u ndërgjegjësua që ky sistem nuk funksiononte. Edhe ndikimi i jashtëm por faktori i brendshëm ka qenë vendimtar në rrëzimin e komunizmit. Si faktor i brendshëm do të thoja ekonomia. Rënia e ekonomisë”.

Elez Biberaj për rrëzimin e komunizmit: Në “Zërin e Amerikës” nuk kishim direktivë që të ndikonim”

“Shumë analistë kanë thënë që kalimi nga komunizmi në shoqëri demokratike nuk mund të kalohej paqësisht por duhet thënë se tranzicioni këtu ka qenë i negociuar. Ne në “Zerin e Amerikës” nuk kishim asnjë direktivë që të ndikonim në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Siç e dini sepse ju si gazetar jeni marrë me çështjet e marrëdhënieve shqiptare amerikane përveç një ndërmarrje në fillim të viteve 50-të, SHBA nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të rrëzuar qeverinë e Enver Hoxhës këtu. Gjatë viteve 60,70 dhe më vonë SHBA kanë treguar gatishmërinë që të normalizonin marrëdhëniet me Shqipërinë. Kështu që nuk ka patur ndonjë direktivë.

“Zëri i Amerikës” është një organ qeveritar por ne jemi të pavarur nga Departamenti i Shtetit. Por misioni ynë është që të kapim informata të besueshme dhe të angazhohemi për ndryshimet demokratike. Ky ka qenë qëndrimi ndaj ish-Bashkimit Sovjetik, ndaj vendve të Evropës Lindore dhe e njëjta gjë edhe për sa i përket Shqipërisë. Unë kisha studiuar shumë rolin e mediave ndërkombëtare në transmetimin e tyre në Evropën e Lindore. Ju besoj ju kujtohet revolucioni hungarez që ka patur shumë kritika ndaj radios Evropa e Lirë dhe kundër Zërit të Amerikës. Kam qenë absolutisht i kujdesshëm të mos transmetojë diçka që mund të nxisë dhunën. Nuk ka asnjë fakt, askush nuk mund të dëshmojë që për një periudhë të gjatë që kam qenë shef i shërbimit shqip nga 1986 deri në 2004. I sfidoj të gjithë që të gjej një insinuatë apo të bëhet thirrje për dhunë”.

 

Elez Biberaj për Sigurimin e Shtetit dhe CIA:  “Nëse SHBA do kishte interes, do ta rrëzonte Enver Hoxhën”

“Nuk ka qenë një ndërmarrje serioze ajo që bëri pala amerikane dhe britanike në vitet ’50-të për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri. Në qoftë se do ishin të interesuara ta përmbysnin regjimin komunist të Enver Hoxhës ato duhet të kishin siguruar burimet e nevojshme për të kryer një mision të tillë. Nuk rrëzohet një qeveri që kontrollon gjithçka, me 200-300 veta. Sigurimi i Shtetit kishte agjentët e vete deri në SHBA”.

Për “Zërin e Amerikës”: Kodet që përdorja për të marrë lajme në Shqipëri.

“Ishte shumë vështirë të merrje informacion në Shqipërinë e izoluar. Por pas vdekjes së Enver Hoxhës ishte pak më lehtë. Merrja të gjitha gazetat e ditës dhe diku nëpër radhë gjeja diçka që më interesonte. Nuk kishim kontakte absolutisht, deri në vititn 1990, Në SHBA shumë pak refugjatë vinin nga Shqipëria. I pyesnim shpesh. Më kujtohen disa refugjatë që vinin nga Shqipëria. Na thoshin se e gjithë Shqipëria ju dëgjon. Thosha me vete si ka mundësi. Unë kisha njohuri shumë sipërfaqësore. për Shqipërinë. Duke filluar në vitin 1990 ndiqnim shtypin perëndimor dhe merrnin ndonjë intervistë me ta. Një mik i ngushtë i imi, profesor Nikolla Pano, një nga dijetarët e të shquar që ne kemi në diasporë. Vizita e tij e parë ka qenë në vitin 1973 gjatë fushatës së asaj që këtu u quajt grupi armiqësor i kulturës. Vizita e dytë në dhjetor 1990. Ata që vinin nga SHBA këtu gjatë regjimit komunist ishin simpatizues të atij regjimi për ndryshe nuk ua jepnin vizën. Natyrisht numri i tyre ishte i kufizuar por ata simatizonin regjimin komunist.

Një nga ditët më fatlume profesionale të jetës time ka qenë maj 1990 kur u vendos lidhja telefonike mes Shqipërisë dhe SHBA. Kjo na dha mundësi që të vinim kontakte me njerëzit. Nuk kishim burime. Nuk kishim numra telefoni. Ishte e rrezikshme të vinim kontakte me ndonjë profesor. E filluam duke telefonuar redaksitë e gazetave.

Lexo edhe :  "Na duhen gra si Thatcher, jo skemaxhie dhe xheloze"/ Plas keq në familjen Meta-Kryemadhi

Në fillim telefonuam në “Zërin e Popullit”. Unë kisha disavantazh që kur flisja unë me dallonin nga zëri i njohur me aksent verior dhe amerikan. Disa mbyllnin telefonin më quanin tradhtarë kurse të tjerët hynin në biseda. Në telefonatat e para kërkoja numrin e Sofokli Lazrit.. Më pas më ndodhi një incident shumë interesant. Agjencia e lajmeve zyrtare të Jugosllavisë “Tanjug” jepte lajme disinformuese. Një ditë më merr dikush nga zyra qendrore dhe më tha se “Tanjug” kishte dhënë një lajm se Ramiz Alia kishte dhënë urdhër dhe ishte arrestuar Nexhmije Hoxha. Ky lajm ishte me rëndësi por duhej konfirmuar sepse kishte shumë raste që Tanjug bënte kështu. Më thonë a duhet ta botonin dhe unë u thashë jo. Duhet ta verifikojmë. Telefonova në redaksinë e Zerit të Popullit. U paraqita si një shqiptaro-amerikan por personi në telefon menjëherë më njohu. Filluam një bisedë të tillë e cila kaloi për atë që unë interesohesha. Unë i thashë se mirë jam por këto kohët e fundit më ka vdekur gjyshja. Shpalli ngushëllimet ai. Dhe i them po ti si je, si e ke familjen? Më thotë jam mirë. Jam në Tiranë por gjyshen e kam në fshat. Këto vitet e fundit shkova në fshat më njoftuan se ishte shumë sëmurë, por në fshat merren edhe me disinformata. Shkova e pash gjyshen dhe gjyshja ishte shumë mirë. Mbylla telefonin dhe shkova në zyrën e lajmeve dhe u thashë që ky lajm nuk ishte e vërtetë”.

Për vizitën e James Baker:  Vështirësi në përkthim sepse nuk kam qenë kurrë në një shkollë shqip.

“Unë kam patur një problem me përkthimin atë ditë. Unë nuk kam qenë në shkollë shqip kurrë. Kam qenë shumë i kujdesshëm në programet tona mbase fanatik. “Freedom works”, tha sekretari Baker. Një nga gabimet që përdorin përkthyesit është ajo që quhet “verbatim translation”. Rashë në dilemë si ta përktheja në mënyrë të përshtatshme dhe nuk doja të thosha liria punon, por jep rezultate, funksionon”.

Elez Biberaj për Enver Hoxhën: Figura më negative në Shqipëri, mbase në Evropë dhe botë.

“Mendimi im për Enver Hoxhën nuk ka ndryshuar. Është një nga figurat më negative në historinë shqiptare por edhe në nivelin evropian mbase edhe botëror. Janë të paktë shembujt që mund ta krahasosh Enver Hoxhën si diktator. Edhe vetë Partia Komuniste unë e konsideroj si një grup terrorist për mënyrën se si ka funksionuar sidomos në fillim. Enver Hoxha nuk ishte vetëm. Është e lehtë të thuash përse nuk i bënë një atentat. Për Luftën e Dytë Botërore ka një problem se duan të rivlerësojnë figurën e Enver Hoxhë sepse duan ta paraqesin si një komandant të lavdishëm dhe në njëjtën kohë nuk përmendim pasojat. Unë nuk di çfarë roli madhor ka luajtur Enver Hoxha në luftë.

Sa vendimtar ka qenë personalisht Enver Hoxha? Enver Hoxha luftoi apo gjithë të tjerët dhe ky e monopolizoi rezistencën. Ka shumë manipulime. Dëgjoj shpesh që disa thonë se nuk duhet të rishkruhet historia. Historia shkruhet shpesh, shkruhet çdo orë çdo ditë. Dalin burime të reja. Ka aq shumë manipulime për rolin e tij gjatë luftës. Arkivat po hapen tashti në të gjitha anët. Kemi nevojë për një studim më të thellë mbi rolin që ky person ka patur. Kurrë nuk kam patur dëshirë të intervistoj Nexhmije Hoxhën sepse nuk ka qenë objekt interesimi për mua. Ramzi Alinë do kisha shumë dëshirë ta intervistoja por nuk arrita”.

 

Elez Biberaj për qeverisjen e Edi Ramës: Jam shumë i shqetësuar që 200 mijë shqiptarë aplikuan për llotarinë amerikne.

“Është e papranueshme sinqerisht që politika shqiptare të jetë kaq konfliktuoze. Zgjedhjet janë zgjedhje. Jemi në një pikë që mund të themi se mandati i parë ishte siç ishte me koalicion. Tani ky mandat është mjaft i rëndësishëm. Rama tani i ka numrat. Tani ai është në mundësi që të qeveriset. Shqipëria ka humbur shumë raste. Disa çështje që mua më duken aq të rëndësishme sot nuk kanë rëndësi. Harxhohet aq shumë energji për debate në parlament. Kur shikoj parlamentin ditën e enjte si një qytetar i thjeshtë e shikoj si një model se si duhet të veproj unë. Dhe në qoftë se vazhdohet dhe veprohet në një mënyrë të tillë cili është mesazhi që jepet? Është shumë e rëndë që 200 mijë shqiptarë aplikuan në lotarinë amerikane. Në qoftë se vitet kaluara u larguan ata që ishin të paarsimuar, ata që largohen tani janë të kualifikuar. Jam shumë i shqetësuar nga një anketë e “Gallup” sipas të cilës 56 për qind e shqiptarëve po të kishin mundësi do largoheshin. Çfarë mase po marrin për ta ndryshuar këtë krizë. Kryeministri Rama është në pozitë shumë komode. Nëse më mandatin e parë akuzonte Berishën sot ai nuk mund të ketë një alibi të tillë. I ka të gjithë mundësitë të qeverisë dhe të mendojë për trashëgiminë e tij. Zbatimi I reformës në drejtësi mund të hapë rrugë të reja për Shqipërinë. Korrupsioni ka marrë përmasa të llahtarshme”.

Elez Biberaj për Adriatik Llallën: Ambasadori tha të vërtetën

“Njoftimi është shumë i qartë. Që të ndërmerret një veprim i tillë duhet të jetë një çështje shumë serioze. Nuk besoj në atë që ka thënë Llalla se ambasadori ka deziinformuar. Ambasadori ka investuar shumë në këtë vend në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar. Qeveria amerikane funksionon në mënyrë mjaft perfekte. Që të ndërmerret një veprim i tillë duhet të ketë kaluar nëpër shumë kanale. Çështja duhet të jetë mjaft serioze. Vendimi është shumë i qartë”.

Elez Biberaj për Berishën: Është figura kryesore që pas 1990.

“Sali Berisha është figura kryesore politike e këtij çerek shekulli me sukseset dhe dështimet e tij. Tani është në një fazë ku unë do të mendoja që do të ishte mirë që të luante një rol tjetër në qoftë se mund të shpreh mendimin tim personal, ai duhet të reflektonte për sa i përket trashëgimisë së tij sepse ka një karrierë shumë interesante. Jo të heqë dorë Berisha nga Berisha por mendoj se është me rëndësi që politika këtu të ketë disa mandate të kufizuara. Duhet që çdo brez të nxjerrë udhëheqësit e vet. Në këto proceset demokratike është partitë duhet të kenë demokraci në radhët e veta. Mendoj se Berisha ka patur fatin që ka qenë një nga udhëheqësit kryesorë në procesin demokratik. Puna më e mirë e tij në karrierë besoj se ishte pjesë e udhëheqjes së lëvizjes demokratike e cila ka patur rreziqe. Merita nuk ishte vetëm e Berishës por edhe e të tjerëve. Por edhe kur ishte president shprehja e tij “Të gjithë kemi qenë bashkëvuajtës, të gjithë kemi qenë fajtorë” u bë e famshme pavarësisht se unë nuk kamë qenë dakord. Gabimi më i madh i zoti Berisha ishin ngjarjet që çuan në ngjarjet e vitit 1997”.

Elez Biberaj për median shqiptare: Shqetësohen kur Rama për median thotë kazan

“Më vret shumë veshin ajo që thotë Rama për median, kazan. Dhe nuk e kuptoj pse e përdor aq shpesh. Me shqetëson shumë. Çdo politikan që duhet të jetë i vetëdijshëm që kurrë politika nuk fiton ndaj medias. Edhe nëse ka fituar, ka fituar përkohësisht”.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Të shtunën Meta përjashton Kryemadhin dhe grupin e saj, zbardhet axhenda

Zbardhet axhenda e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi me anë...

“Opozita e shkatërruar”, deputeti Sula: Do dështojë në zgjedhjet e 2025-ës

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula tha se për fat të keq opozita është një “mozaik i paplotësuar”. Sipas tij, fakti që opozita është e...

VIDEO/ Një helikopter mbi shtëpinë e BBV, hidhen karafila nga qielli për Romeon

Një helikopter lëshoi karafila sot mbi shtëpinë e Big Brother, si surprizë për Romeo Veshajn nga vëllezërit e tij. “Të dua, vëllai im përgjithmonë. Më...

Reforma në Drejtësi dhe buzëqeshja e cinikëve

Nga Ben Andoni Ndërsa cinikët tanë (më së shumti politikanët) janë të pasur, kanë pushtet, të shpërfillin institucione, kanë mundësinë të merren me këdo dhe...

Ja sa feta bukë është e nevojshme të konsumoni në ditë për një organizëm të shëndetshëm

Disa njerëz priren ta teprojnë me këtë konsumimin e bukës kur ulen në tryezën e ngrënies. Nëse i përkisni kësaj kategorie, ndiqni këto udhëzime...

Lajme të tjera

Web TV