2 korrik 1986 Argjentina Kampione Bote/Maradona, idhulli i madh me golin e rremë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në një entuziazëm frenetik që shkarkonte emocionet e grumbulluara prej një muaji, Maradona, si kapiten i ekipit, ngriti lart kupën e fitores. Argjentina ishte shpallur kampione bote, pasi në ndeshjen finale kishin mundur Gjermaninë Federale me rezultatin 3-2.

Dhe teksa pjesëtarët e tjerë të ekipit mbanin mbi supe sulmuesin Armando, anglezët nga televizori shihnin se si sulmuesi që u shënoi një gol të turpshëm, ndihej krenar. Ishte 2 korriku i vitit 1986…

Nga Leonard Veizi

…Në Shqipërinë e viteve të komunizmit sporti i futbollit, i pacensuruar dhe i transmetuar nga RTSH-ja, shihej si argëtimi perfekt i masave. Sidomos kur bëhej fjalë për kampionatin botëror dhe atë evropian. Mund ta ndiqje një ndeshje mes shokësh, edhe nëse ndonjë i çartur, me banim në katin e parë, afronte televizorin te dritarja. Nuk piheshin birra me kanaçe, po ndonjë gotë raki edhe mund ta ktheje, duke tymosur vazhdimisht duhan. Bastet, megjithëse të paligjshme, ishin mbyllur disa orë më parë dhe ata që luanin me lekët e rrogës 15-ditore nuk ishin të paktë.

Por më me emocion se bastexhinjtë, ishin tifozët e papërmbajtshëm që në shumicë ishin me Italinë, me Brazilin, por dhe me Gjermaninë Perëndimore. Më të paktë ishin tifozët e Argjentinës dhe Anglisë. Dhe akoma më pak tifozë kishte kombëtarja franceze e futbollit. Asokohe, Holanda e kishte humbur shkëlqimin e Johan Cruyff-it dhe tifozët e shumtë të saj, në mungesë të “tulipanëve”, bënin tifo për ekipe të dyta. Për kombëtaret  e tjera, si fjala vjen Rusia, Skocia, Irlanda, as që bëhej fjalë. Tifozët e tyre numëroheshin me gishtat e dorës.

Fakti që në vitin 1886 kampionati botëror i futbollit do të zhvillohej në Meksikën e largët, ku dhe oraret e transmetimit nuk korrespondonin mirë me ato të Evropës, nuk ua ulte entuziazmin shqiptarëve që, edhe pse duhet të shkonin në punë në orën 07.00 të mëngjesit, i shihnin ndeshjet deri pasmesnate. Natyrisht, për ta fati më i madh ishte, nëse ai zhvillohej në Italinë fqinje, pasi dukej sikur zhvillohej në Tiranë. Për më tepër, që tifozët e kombëtares italiane ishin të shumtë në numër dhe kërkonin që Italia të përsëriste suksesin e katër viteve më parë, në Spanjën e vitit 1982, kur u shpall kampione pas një fitoreje me Gjermaninë.

Këtë herë fati dukej që ishte me Argjentinën që para fillimit të kampionatit. Vetë Argjentina i kishte sytë tek Armando Diego Maradona, i cili ishte rritur dhe katër vjet më shumë, dhe nuk ishte më ai 21-vjeçari i botërorit “Spain 82”, të cilit mbrojtësi Claudio Gentile, i kombëtares italiane, i shkaktoi 23 faulle, duke mos e lënë të bëjë asnjë sulm drejt portës, e ku në përfundim të ndeshjes tha dhe një batutë që mbeti si shprehje lapidare: “futbolli nuk është për balerinat”.

Diego hyri në histori me dy golat e tij ndaj Anglisë. Avantazhi erdhi pas asaj që prej 22 qershorit 1986 njihet si “dora e Zotit”. Ishte një gol me dorë në minutën e 51-të, që mashtroi arbitrin tunizian, Ali Bin Nasser,  dhe u dha avantazhin amerikanojugorëve.

Pjesa e parë kaloi pa asnjë gol. Në minutën e 6-të të pjesës së dytë, kapiteni i Argjentinës përfitoi nga pakujdesia e mbrojtjes angleze. Maradona me numrin 10 në shpinë, kaloi para Glenn Hoddle dhe u fut brenda dy lojtarëve të tjerë të Anglisë, përpara se të kalonte një pasim te Valdano. Topi u hodh mbi këmbën e Valdano-s dhe Hodge e goditi lart brenda zonës, ku Maradona u ngrit dhe grushtoi topin sipër Shilton-it, portierit legjendar të kombëtares angleze.

Lexo edhe :  Sazani, misteret e një ishulli në kohë lufte dhe në kohë paqeje

Asnjë nga gjyqtarët nuk e vuri re atë, përveç lojtarëve të Anglisë, të cilët nisën të reagonin të dëshpëruar ndaj gjyqtarit Ali Bin Nasser.

Trajneri Bobby Robson i kombëtares angleze nuk u impresionua nga pretendimi i Maradonës, i cili pas ndeshjes u shpreh për ndërhyrje hyjnore, apo “dora e Zotit”, siç tha ai. “Nuk ishte dora e Zotit. Zoti nuk kishte asnjë lidhje me të… Atë ditë Maradona u zvogëlua në sytë e mi përgjithmonë”, u shpreh Robson.

Kryesori Bin Nasser dhe anësori bullgar, Bogdan Dotchev, fajësuan njëri-tjetrin. “Po prisja që Dotchev të më jepte një kuptim të asaj që ndodhi saktësisht, por ai nuk bëri sinjal për një prekje me dorë,” u shpreh Bin Nasser, kohë më vonë.

Vetëm pesë minuta më vonë ishte Maradona ai që dyfishoi avantazhin, me një gol që mbeti në histori si “goli i shekullit”. Diego bëri një sprint prej 70-80 metrash, me topin ndër këmbë, duke dribluar këdo që i doli përpara, madje edhe portierin, duke entuziazmuar në kulm 114600 tifozët në stadiumin “Azteca”. Në këtë mënyrë Maradona vuri nderin në vend, por askush nuk mund të thotë se si do të ishte ecuria e asaj ndeshjeje, nëse goli i tij me dorë do të ishte anuluar.

Robson këtë herë nuk kishte pretendime. “Ishte i shkëlqyeshëm. Nuk më pëlqeu, por duhej ta admiroja”, u shpreh ai.

Kapiteni i anglezëve, Gary Lineker, ngushtoi shifrat në fund të ndeshjes, me një gol që i mjaftoi për t’u kurorëzuar si kryegolashënuesi i turneut.

Kampionati Botëror i vitit 1986 do të kurorëzonte Argjentinën dhe “mbretin” e ri të futbollit, Diego Armando Maradonën, si kampionë, në një turne spektakolar, i cili nisi jo pa vështirësi, madje me shumë hije dyshimi mbi organizimin e tij.

Kohë më vonë legjenda e futbollit botëror, Armando Diego Maradona, rrëfeu se goli me dorë ndaj Anglisë ishte një lloj hakmarrjeje për luftën e humbur në 1982.

Anglia dhe Argjentina kishin luftuar për ishujt Malvine në 1982. Argjentinasit fillimisht pushtuan ishujt që i kishin anglezët, duke e quajtur çlirim, por më pas britanikët reaguan dhe e fituan luftën për ta. Katër vjet më vonë, Anglia dhe Argjentina u ndeshën në çerekfinalet e Kupës së Botës në Meksikë, dhe amerikanojugorët fituan 2-1. “Unë e dija që në atë kohë se shënova me dorë, – është shprehur Maradona, në një dokumentar, – nuk e mendova që më parë, por aksioni ndodhi kaq shpejt, saqë e bëra instinktivisht dhe vijërojtësi nuk më vuri re. Gjyqtari më hodhi një vështrim, pastaj tha “gol”. Ishte një ndjenjë e bukur, një lloj hakmarrjeje simbolike ndaj anglezëve”.

Për shumë vite me radhë në Angli kampioni i botës u konsiderua si “armiku publik numër një”.

Diego Armando Maradona, i cili, sipas sondazheve të zhvilluara nga gazeta prestigjioze, ndër të cilat edhe “The Times”, tanimë është një legjendë e futbollit botëror, i cili lë pas vetes edhe lojtarë të kalibrit, si braziliani Pele.

Asokohe tifozëria ziente edhe në Tiranë, ku ca e anatemonin golbërësin Diego, duke e sharë nga ç’i mbante pragu i shtëpisë, e ca të tjerë e merrnin në mbrojtje, duke thënë se ua kishte bërë mirë anglezëve mendjemëdhenj. Por më shumë se tifozëria, e shanin dhe mallkonin ata të cilët për shkak të dy golave të tij, kishin humbur në bast edhe rrogën e 15-ditëshit.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

‘Zien’ toka, dy lëkundje të forta tërmeti në vendin fqinjë, ja sa ishte magnituda

Një tërmet është ndjerë në Athinë, në brigjet e Peloponezit, pranë ishujve Strofades. Sipas informacioneve të para, intensiteti i lëkundjeve...

Nëse keni probleme me gjumin, ju mund të vuani nga këto 5 çrregullime

A e keni vënë re sesa keq ndiheni të nesërmen, pasi keni fjetur keq një natë më parë? Djersë të ftohta, minuta të tëra...

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e “Opinion” në Tv Klan. 3 elementë...

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit rrugor, Besmir Qibni në një...

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të rikthej në pushtet në vitet...

Lajme të tjera

Web TV