Artan Fuga posaçërisht për “FJALA”: Pse shqiptarët vdesin në dimër?

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

https://youtu.be/D0cTuTjS4Eg
Nga Artan FUGA

Ndofta duket si një titull filmi serial. Mbase edhe i pakuptueshëm për lexues të ndryshëm. Për të tjerë dhe i qartë vetvetiu kuptimi i tij: vdekjet kanë gjithmonë një mister! Mirëpo në të gjitha rastet ka vend t’i referohemi një shembulli konkret që ka fuqinë të na tregojë sesi ky titull ndoshta dramatik mund të marrë përmasa të pazakonta.

Por le ta nisim me radhë arsyetimin tonë: Sot kudo në botën e përparuar analiza e të dhënave statistikore është sa një shkencë aq edhe një teknikë për të menaxhuar shtetin, ekonominë, sipërmarrjet, madje edhe të diagnostikojë sëmundje, të ndalojë dëme mbi shëndetin publik, të kuptojë shkaqe vdekjesh masive, pra të jetë një mekanizëm jashtëzakonisht efikas për të siguruar jetën e kombit.

E thënë tani kjo, pra ndërkohë që infektohen, sëmuren, shtrohen në spital, pse jo edhe humbasin jetën njerëzit e infektuar nga Covid19, merr një rëndësi të dorës së parë. Për më tepër sepse tani më tepër se kurrë herë tjetër opinioni publik është i paqartë prej muajsh nëse ka të vdekur që kanë ndërruar jetën në shtëpitë e tyre dhe nuk janë diagnostikuar shkaqet e ndryshme dhe më të thella të vdekjes së tyre.

+++
Gjithsesi i kthehemi rastit konkret që duam t’i paraqesim lexuesit!
Një mbrëmje përpara disa javësh kam qenë i ftuar në një emision të rëndësishëm televiziv në një nga televizionet e ndjekur masivisht në Shqipëri. Aty, një zyrtar i lartë i gjendjes civile solli edhe të dhëna që tregonin përmasat e humbjeve të jetës të shqiptarëve në vite. Ideja ishte shumë e mirë, kërkuar nga moderatori i emisionit, një gazetar me përvojë dhe i mençur, pra synohej që po të krahasoheshin të dhënat e vdekjeve për një mijë banorë gjatë muajve shkurt – mars – prill 2020 dhe të krahasoheshin ato me të muajve respekt ivë të viteve pararendëse, mund të shihej nëse numri i vdekjeve gjatë pandemisë të coronavirusit ishte shtuar apo jo!

Nuk po ndalem te kjo çështje sepse ajo ka nevojë të debatohet atëherë kur të gjitha të dhënat, ndofta për të gjithë vitin 2020 të dalin në pah me objektivitet dhe në kushte gjakftohtësie. Mirëpo, duke vrojtuar me shpejtësi gjatë emisionit tabelat e dhëna më ra një sy diçka tjetër. Shumë e çuditshme! E ngrita si çështje gjatë emisionit, por nuk mora ndonjë përgjigje të besueshme as nga zyrtari në fjalë, dhe as nga kolegë e të ftuar të tjerë. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe. E para sepse çështja që ngrija dilte nga fokusi i atij emisioni, dhe e dyta njerëzit në studio, sikurse edhe unë, nuk ishin specialistë të mirëfilltë të statistikave në fushën e mjekësisë, e treta, nuk kisha të drejtë morale të devijoja temën e emisionit.

Për çfarë e kisha fjalën?
Nga tabelat që më ranë në duar menjëherë dallova diçka të rëndë dhe të papëlqyeshme fare. Diçka që më bëri të më cimbiste diçka në kraharor. Nga dhjetori 2016 deri në janar dhe shkurt 2017 kishin humbur jetën disa qindra, ndofta edhe më shumë se njëmijë e ca njerëz më tepër sesa në muajt e tjerë të vitit! Kishte ndodhur një katrahurë në Shqipëri dhe askush, të paktën në dijeninë time, nuk ishte tronditur për këtë gjë, nuk e kishte bërë problem këtë gjë, nuk kishte folur për këtë, nuk e kishte trajtuar këtë gjë.

Sigurisht në atë emision nuk u ndjeva shumë lidhur me këtë çështje sepse sikurse thashë më sipër nuk dukej se ishte rasti. Por, të nesërmen dhe me ditë të tëra nisa pak e nga pak ta shqyrtoj pak më shumë çështjen duke shpresuar se kisha bërë ndonjë alarm të kotë. Ndërkaq për autenticitetin e dokumentacionit nuk kisha përse të kisha ndonjë dyshim. Mi kishte “dhuruar” dhe jo vetëm mua në atë emision me zemërgjerësi vetë zyrtari i lartë i gjendjes civile.

Fundja nuk ishte detyra e tij t’i analizonte ato të dhëna, ai i kishte sjellë me transparencë. Pra, dokumentet duhej të ishin autentike dhe të dhënat atje të verifikuara më së miri meqë zyrtari i lartë i kishte sjellë edhe në televizion për t’ja treguar publikut.
Pak e nga pak, sikundër thashë, nisa të vrojtoj tabelat, shifrat, të ndërtoja kurbat që më nevojiteshin. Doja shumë që t’i gjeja ndonjë gabim vetes dhe ta hiqja mendjen që andej. Mirëpo nga ana tjetër mendoja që nëse problemi është real, mua më ra për ta zbuluar, cila do të kishte qenë përgjegjësia ime etike nëse nuk e nxirrja problemin në shesh, në publik atë katrahurë?

Atëherë ajo që bëra ishte në fillim të ndërtoja kurbën e parë që lidhej me numrin e vdekjeve në shifër absolute në muajt shtator, tetor, nëntor, dhjetor 2016 dhe pastaj në muajin janar dhe shkurt e mars 2017. Kastile mora disa muaj radhazi në konsideratë për të evituar ndonjë artefakt statistikor që mund të vinte nga një fotografim në një kohë të shkurtër të dinamikës të vdekjeve. Ajo që vura re ishte se sidomos në muajin janar dhe ndofta edhe në mesin e shkurtit 2017 kishte ndodhur një pik vdekjesh goxha i rëndë. Pra në krahasim me muajin shtator të vitit 2016


kishim pothuajse një numër vdekjesh dy herë më të lartë aty nga fundi i janarit 2017 !!!
Dy herë më të lartë ! Pra nëse në shtator 2016 tabela tregonte që kishim aty te rreth 1500 vdekje, në janar 2017 numri i vdekjeve kërcente ndjeshëm mbi shifrën 3000. Pra, një rritje me më shumë se 100 përqind!!!

Sigurisht situata nuk ishte e lehtë për t’u menduar. Imagjinoni ne në kushtet sotme diskutojmë, shqetësohemi me të drejtë, për një numër zyrtar të deklaruar njerëzish që kanë humbur jetën nga Covid19 dhe që rrotullohet te 50 ose 60 vete. E theksoj që flas për një numër të vdekurish sipas deklarimeve zyrtare, sepse askush besoj, me përjashtim të disa pseudoshkencëtarëve të çartur, nuk i merr këto të dhëna sikur të ishin reale. Madje as ata që i deklarojnë, sigurisht. Imagjinoni tani që dy vite më parë ka pasur një numër vdekjesh suplementare nja 30 herë më të madh sesa vdekjet përgjatë pandemisë aktuale. Atëherë askush nuk u ndje, asnjë problem nuk u ngrit, kurse këtë mot u mbyllëm për nja tre muaj dhe ekonomia, psikika dhe jeta sociale pësuan një tkurrje dhe goditje të tmerrshme, ndofta të pashmangshme.

Rreth 1500 të vdekur më shumë në janar 2017 në krahasim me shtatorin 2016. 30 herë më shumë sesa numri i të vdekurve deklaruar zyrtarisht sot për pandeminë aktuale.
Megjithatë, përsëri nuk isha i sigurt që arsyetimi im qëndronte dhe interpretimi statistikor i të dhënave ishte i pagabuar. Mendova diçka që mund ta hidhte në erë arsyetimin tim. Po sikur të ishte një gjë e zakonshme që në dhjetor – janar – shkurt të çdo viti numri i vdekjeve të kërcente kështu në mënyrë të papritur ?

Dhe mund të ndodhte!
Në këtë rast do të thosha mbase që ajo që kishte ndodhur në dimrin 2016 – 2017 nuk ka pas qenë veçse rezultat i faktorëve të përhershëm. Mbase dimri si periudhë e të ftohtit, lagështirës, është stina kur të sëmurët dhe të moshuarit rrezikohen më shumë sesa në muajt e tjerë të vitit. Mbase në këtë periudhë dimri të çdo viti kemi grip sezonalë. Mbase ka arsye të tjera që janë pra karakteristikë e kësaj periudhe. Mbase të varfrit, banorët e zonave malore, etj., kanë më shumë vështirësi për të mbijetuar. Çfarë nuk bën vaki !!!
Prandaj iu ktheva statistikave të vdekjeve për vitet e tjerë. Këtu po paraqes vetëm kurbën e statistikave të numrit të vdekjeve për vitin pararendës 2015 – 2016.

Lexo edhe :  Tomori është thirrur “baba” që nga kohët homerike

Sikurse e tregon diagrama numër 2, vërtet që në periudhën e dimrit edhe në këtë vit kemi një rritje të ndjeshme të numrit të vdekjeve, por jo asnjëherë jo, absolutisht jo si në vitin 2016 – 2017. Në vitin 2015 – 2016, kemi një rritje afërsisht vetëm me 500 të vdekur në muaj po qe se krahasohet shtatori 2015 me muajin dhjetor 2015, me muajin janar 2016, me muajin shkurt 2016. Por jo gjithsesi 1500 të vdekur në muaj më shumë si në rastin e dimrit 2016 – 2017 krahasuar me shtatorin 2016.


Ndërkohë kështu u strukturuan dy probleme:
Përse na vdesin kaq shumë njerëz në periudhën e dimrit ? A kemi ndonjë studim epidemiologjik, statistikor, sociologjik, etj. për t’i dhënë përgjigje këtij problemi ? Në dijeninë time nuk kam parë të botuar apo të bërë publik. Shihet se kemi të bëjmë me një studim që do të duhej të ishte ndërdisiplinor. Kush bën te ne studime ndërdisiplinore ? Këtu institutet kërkimore dhe shkencore si edhe departamentet e universiteteve janë të ndërtuara si kuti konservash, të ndara me mure kinezë prej njeri tjetrit sepse ashtu i do ligja për shkencën dhe arsimin e lartë. Vdesin njerëz dhe ligja për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk na lejon të dimë se përse vdesin.

Pa le të kishte ndonjë studim doktoral për këtë çështje. Jo një, por tridhjet doktoratura mund të bëheshin rreth kësaj çështjeje. Mirëpo pjesa dërmuese e doktoratave nuk u jep mundësi doktorantëve të ndërmarrin kërkime shkencore që duan fonde, duan kohë, duan infrastruktura, duan ekipe të tëra teknikësh, specialistësh IT, etj. Te ne doktoratat konsiderohen thjesht punëra individuale, pra që i interesojnë vetëm individit. Promovimi i gradave dhe titujve shkencorë te ne është për faqen e zezë.

Pse vdesin shqiptarët në dimër?
Ka sëmundje më shumë? Cilat lloje sëmundjesh u marrin jetën ? Ka epidemi të rënda ? Cilat janë ato dhe përse nuk parandalohen ? Vdesin më shumë femra a meshkuj, të rinj a të moshuar, në fshat a në qytet, në Veri a në Jug ? Mos vdesin se ushqimi nuk është ai i duhuri në dimër ? Mos vdesin sepse janë të varfër ? Mos nuk ngrohen mirë ? Çfarë ndodh ?
Por për këtë kërkohet një sistem mbledhjesh të dhënash statistikore që lyp një revolucion të madh në statistikë, në pushtetin lokal, në sistemin shëndetësor, në zyrat e gjendjes civile, në gjithçka. Ka nevojë të ndryshojë mjekësia ligjore, mjekësia e familjes, etj. Vetëm kështu mbrohet kombi, mbrohet jeta e shqiptarëve, nuk tkurret kombi, rritet shpresa për jetën. Vetëm kështu qytetari është i sigurt se shteti dhe shërbimi shëndetësor kombëtar kujdesen për të.

Se duket sikur jemi në kohën e hurit dhe të gurit, në kohën e Mesjetës, a të Lashtësisë, kur njeriu ndikohej fort nga natyra. Sikur përleshej me tigrin, luani, ujkun, përballej me erën, dëborën, furtunat për jetë a vdekje sepse jetonte në shpella, zgavra malesh, shkëmbej a në fusha me malarje, përmbytje, a ku e di se me çfarë tjetër. Jo sikur jemi një shoqëri e qytetëruar që e ka rritur pavarësinë e saj nga faktorët klimaterikë që i marrin jetën njeriut.
Duke u kthyer te problemi i ngritur në fillim të këtij shkrimi, përsëri mendohesha që të kuptoja mirë të dhënat. Pa të shoh se çfarë ndodh çdo janar të viteve të ndryshëm ? Të marr vetëm muajin janar njëherë ? Dhe të krahasoj statistikat e dhimbshme janar më janar. Sikurse tregon kurba e diagramës numër 3 nga janari 2015 krahasuar me janarin 2017 përsëri ka një rritje të numrit të vdekjeve në muaj me


më shumë se 600 ose 700 persona. Përse kanë vdekur këta ? Cfarë ka ndodhur ? 10 herë më shumë se numri i vdekjeve të deklaruara zyrtarisht si të shkaktuara nga Covid19.
E njëjta gjë edhe për statistikat krahasuese ndër vite për muajin dhjetor të çdo viti sikurse tregon diagrama numër 4.

400 vdekje më shumë në muaj në dhjetorin e viti 2017 në krahasim me numrin e vdekjeve në muaj në dhjetorin e vitit 2016 !!!
Çfarë bëhet kështu? – pyeta veten i tronditur.
Çfarë ka ndodhur në Shqipëri në atë kohë?
Dikush që do të vinte pas 500 vjetësh do të pyeste:
Çfarë lufte kanë bërë shqiptarët në atë dimri 2016 – 2017 ? Me cilin armik të tmerrshëm kanë luftuar që i ka kositur kështu ? Përse për 60 të vdekurit e vitit 2020 kanë bërë kaq zhurmë mediatike, dhe nuk ndihen për ata qindra të vdekur të tre viteve më parë? Cili armik u kishte mbyllur gojën?

Çfarë kolere, lufte kimike, aksidente bërthamore u kanë ndodhur? Cili tren i shpejtësisë së madhe u ka dalë nga shinat? Cila anije dëfrimi si Titaniku u është mbytur ta zëmë në lumin Osum ? Cili central bërthamor që kanë pasur u ka shpërthyer?
Sigurisht nuk ishte detyra e këtij shkrimi të shkonte më larg sesa ka shkuar. Por, mund të shkoj unë vetë me një studim të plotë. Mirëpo nuk kam as mjete as financim. E kush të jep financime ! Financime u jepen vetëm militantëve të Partisë, jo kritikuesit të testit të Turit të Ministrisë ! Nuk ka problem, nuk është shqetësues përjashtimi social që bëhet, pengesat që krijohen, ndërkaq shqiptarët vdesin në dimër.

Dhe këtu nis e mendon si është e mundur që në epokën e big datave, të dhënave masive numerike që lejojnë kryqëzime të hatashme, ne nuk jemi në gjendje të shohim qartë e të segmentojmë hollë të dhënat tona numerike. T’i lidhim ato me stinët, territorin, gjininë, moshën, diagnozat, medikamentet e marra, numrin e anëtarëve të familjeve, largësinë nga qendrat shëndetësore, epidemitë, e pa fund të dhëna që sot na mungojnë në sistem. I ngjajmë atij nxënësi të shekujve të kaluar që numëronte me gogla, me gishta, dhe kur sot në epokën e Internetit dhe të big datave !

Statistikat janë në duart e të paaftëve, militantëve, përtacëve që si Nostradamus sharlatanë modernë na gënjejnë duke parashikuar kurba që nuk ndodhën kurrë. Ndërsa shqiptarët vdesin në mënyrë të pakuptueshme, të heshtur, pa alarm, pa e bërë qejfin qeder njeri si në dimrin e tmerrshëm 2016 – 2017, ku humbën aq shumë jetë njerëzore sa asnjë luftë në histori nuk u ka marrë kaq shumë jetë në kaq pak muaj.

Të fundit

Spektakolare/ Hajdutët boshatisin dyqanin brenda 90 sekondave (Video)

Një grup personash grabitën një dyqan me pajisje elektronike për më pak se 2 minuta. Ngjarja ka ndododhur në...

Çudira shqiptare/ Qytetarët protestojnë për kafshët me xhupa lëkure veshur

Sot po zhvillohet protesta e dytë në Tiranë për mbrojtjen e kafshëve nga dhunimi dhe keqtrajtimi, ashtu siç edhe ishte parashikuar. Qytetarë, por edhe disa...

Devijon sërish trafiku tek ish-Sheshi Shqiponja, ja si do bëhet hyrja dhe dalja në Tiranë nga nesër

Nga nesër (4 prill), do të ndryshojë sërish skema e lëvizjes në ish-Sheshin Shqiponja për hyrjen dhe daljen nga qyteti i Tiranës. Autoriteti Rrugor bën...

Epike/ Qeni i rrëmben mikrofonin gazetares gjatë raportimit ‘live’ dhe ia mbath me të katra (Video)

Një gazetare në Rusi është përballur me një situatë të pazakontë teksa po raportone live motin në Moskë. Nadezhda Serezhkina e Mir TV në momentin...

Çfarë ndodhi me Markun? Rudina Dembacaj bën deklaratën e papritur për ish-burrin: Ai është më i miri

Moderatorja Rudina Dembacaj është nënë e një vajze, Viktoria të cilën e ka nga martesa e parë me ish-bashkëshortin Aleksander Varfaj. Sapo u zbulua për...

Lajme të tjera

Web TV