Nasi Lera, shkrimtari i mirë e gris vetveten

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nasi Lera, shkrimtari i mirë e gris vetveten

 “Tregimet e para të miat kanë një lirizëm që me të vërtetë është lirizmi i krijimeve të para, i cili buron nga nostalgjia që unë kam për fëmijërinë. Po të shikosh në përgjithësi edhe tragjeditë e mëdha, kulmet e mëdha i kanë në tragjizmin e lirizmit të personazheve”

Nga Leonard Veizi

Në skrivaninë dhe koshin e mbeturinave pranë këmbëve të tij gjen gjithfarë letrash të shpërndara e të grisura subjektivisht, pa arsye. Puna e një nate më parë mund të mos këtë qenë aq fort efikase, edhe pse për të mbushur faqet e bardha i është dashur shumë mund dhe energji e shpërdoruar. E të shprishësh punën tënde stërmunduese të duhet guxim i marrë dhe fort objektiv, gjithashtu. Në rastin më oportun mund t’i stivosh letrat e nxjerra nga qarkullimi në një dosje arkivash, sepse një ditë ndoshta pendohesh dhe i kthehesh sërish mendimit të vjetër e të kalcifikuar tashmë.

Por ai nuk ngurron që diçka të shkruar në një entuziazëm aktiv e të tepruar ta shprishë e të shpëtojë nga ndikimi i saj, për të sjellë në jetë diçka krejt të re dhe krejt të pangjashme me të një nate më parë. Kokën nuk e kthen pas, madje dhe nëse ka një grimë pendimi. Dhe as nuk rrëmon te koshi i mbeturinave për të gjetur e ngjitur copat e vjetra të një pazëlli demode e për ta kthyer në postmodern, sepse pa pritur, mes mendjes së tij organike, letrës së ftohtë dhe një stilolapsi teknik, ka lindur diçka e re. Dhe kjo i zhbën të gjitha…

…Nasi Lera është një nga shkrimtarët më lirikë në letrat shqipe. Në librat e tij gjen gjithfarë karakteresh, të zbërthyera e të çmontuara deri në detalin e fundit, dhe shumë jetë humane të brishta e romantike. Gjurmë e tij si “punëtor letrash” gjenden kudo, në prozë me tregime e romane, si skenarist filmash, redaktor librash dhe përkthyes nobelistësh. Mund ta kishte mbyllur procesin e punës me letrat dhe të shijonte ditët e një pushimi pasiv, por kjo do të ishte një vetëvrasje e pakuptimtë. Prandaj skrivania e tij qëndron gjithmonë plot, me letra të shkruara dhe libra që duhen lexuar. Ndërsa në këtë intervistë për lexuesin e gazetës “Fjala” ai vjen duke rrëfyer plot detaje nga jeta dhe puna e tij e gjatë, shtrirë në kohë dhe hapësirë.

Si e kalon ditën një shkrimtar i lirë?

Në qoftë se do të përdorësh termin “shkrimtar i lirë”, do të thosha, duke qenë në pension, jam bërë njeri i lirë, nuk varem nga askush. Por dita ime është e mbushur me punë më shumë sesa më parë. Gati shkruaj çdo ditë. Nuk po them se çfarë cilësie ka çdo ditë, sepse mund të më ndodhë që shkruaj një javë rresht me një farë entuziazmi, unë i trembem entuziazmit në të shkruar, dhe kur e lexoj në fund të javës e prish të gjithën, sepse nuk më pëlqen. Por kjo më kënaq, se gjëja më e bukur që mund të ketë një shkrimtar është të ketë durimin dhe guximin të prishë vetveten, kur ai ka qenë entuziast më shumë se kurrë për vetveten. Është gjëja më e mirë, për mendimin tim, dhe është shenjë jo vetëm e pjekurisë si krijues, por është edhe shenjë e seriozitetit që ka shkrimtari ndaj vetes së vet dhe seriozitetit ndaj lexuesit. Mundet t’i servirësh lexuesit gjithçka, edhe në servirjen që ti mendon se po i shërben, bën të kundërtën e saj.

A ka të bëjë kjo me autocensurën?

Jo, absolutisht nuk ka të bëjë me autocensurën. Kjo ka të bëjë me kërkesën maksimale për një nivel sa më të lartë artistik dhe komunikativ me lexuesin. Kjo është ‘autocensura’ më e mirë që mund t’i bëj një autor vetvetes, për të dhënë vepra sa më të goditura për nga niveli artistik. Në qoftë se nuk e ka këtë ‘autocensurë’, që fare mirë mund të zëvendësohet kjo fjalë me “kërkesa rigoroze ndaj vetvetes”, është kërkesa që e ndihmon shkrimtarin për të mos u kënaqur asnjëherë me atë që ka arritur dhe që gjithmonë të kërkojë për të kapur nivele të reja.

Në qoftë se kjo kërkesë për të kapur lartësi të reja vjen duke pasur kërkesa të mëdha ndaj vetvetes, një nga kushtet e domosdoshme, sipas mendimit tim, është kontakti i vazhdueshëm me letërsinë botërore dhe me autorët shqiptarë, kuptohet. Për veten time, nuk mund të nis të shkruaj një vepër, një roman po e quaj, në qoftë se nuk kam në tavolinën time të punës pesë deri në dhjetë romane që presin t’i lexoj dhe pasi shkruaj, filloj dhe i lexoj ata. Dhe ndiej që leximi që u bëj këtyre shkrimtarëve është një ndihmë që ata më japin mua për veprën që shkruaj.

Jo se do t’i imitoj, se kjo është gjë e keqe, dhe vetë autorët e huaj nuk e pranojnë të imitojnë nga të tjerët, por të ngacmojnë për të parë se sa horizont të gjerë dhe të pafund ka letërsia, se sa mundësi të jashtëzakonshme ka ajo për të pasqyruar një shoqëri, jetën e njeriut; se sa pafundësi ka për t’u zhytur në shpirtin njerëzor dhe për ta zbërthyer atë. Gati shpirti njerëzor është krejt-krejt një humnerë e pafundme, dhe fundit të kësaj humnere mund t’i afrohesh sa më shumë nëpërmjet kërkesave që ke ndaj vetvetes, por edhe nëpërmjet kulturës që ti ke ndaj autorëve të huaj.

Shpesh ju cilësojnë si shkrimtar lirik. Ju pëlqen ky term?

Jo vetëm më pëlqen, por kam nostalgji për këtë term. Në të vërtetë, tregimet e para të miat kanë një lirizëm që me të vërtetë është lirizmi i krijimeve të para, i cili buron nga nostalgjia që unë kam për fëmijërinë. Por, sidomos, dhimbja që kisha për humbjen e babait, dhe shpesh herë duket sikur lirizmi është një shprehje e ndjenjave të holla, të brishta, shprehje e dashurisë, sidomos mes të rinjve, është shprehje e marrëdhënies së njeriut me natyrën. Për mua lirizmi është shprehje e dhimbjes njerëzore. Në qoftë se kemi një mjet me të cilin mund të shprehim dhimbjen njerëzore, mjeti më efikas për mua është lirizmi.

Po të shikosh në përgjithësi, edhe tragjeditë e mëdha, kulmet e mëdha i kanë në tragjizmin e lirizmit të personazheve, të marrëdhënieve të personazheve, se si ndjenjat e tyre të brishta, ndjenjat e tyre lirike etj., shkatërrohen nga shoqëria apo nga një rrethanë e caktuar historike. Prandaj lirizmi nuk është diçka që duket se shpeshherë të lë në sipërfaqe të jetës. Lirizmi është thellësia që kërkon shkrimtari në shpirtin njerëzor. Dhe për fat të keq apo të mirë, lirizmi shpirtëror është tepër i ngatërruar. Aty nuk ka vetëm paqe e qetësi. Aty ka ngjarje, ka tragjedi. Lirizmi të ndihmon për t’u futur në shpirtin njerëzor.

Shkrimtar, por edhe përkthyes. Ju keni sjellë në shqipe vepra të autorëve vërtet të rëndësishëm, si Saramagon, Le Clezio… E keni pasion, apo e keni parë si mënyrë jetese?

Janë të dyja, për të qenë i sinqertë. Si përkthyes ka qenë interesi im për shkrimtarët, por edhe interesi im ekonomik, sepse unë në kushtet kur ndodhën ndryshimet, doja të bëja një jetë krejt normale. Dhe, u përpoqa që, në qoftë se unë po e përkthej këtë, që të marr edhe një shpërblim, duhet që këtë shpërblim t’ia kthej lexuesit duke i dhënë autorë që ai nuk i njeh, por autorë të mëdhenj, që ai ia vlen t’i njohë. Dhe, kështu, i vura si synim vetes të përktheja disa shkrimtarë nobelistë që nuk ishin përkthyer në Shqipëri. Ju përmendët Saramagon, dhe unë iu futa atij në mënyrën më pasionante.

E di që është shkrimtar shumë i vështirë, sidomos romani “Manuali i Kuvendit” ishte mjaft i lodhshëm, por është romani që kur u botua portugezët thanë “më në fund e kemi dhe ne Markezin tonë”. Vërtet ai është i njëjti kalibër siç është dhe Markezi, autorë të mëdhenj të shekullit të kaluar. Por ka dhe një rastësi, sepse bashkëshorti i vajzës sime është nga Portugalia dhe kur vendosa ta përkthej Saramagon, i kërkova vajzës të shkoja me të në Portugali. Sidomos për të parë Lisbonën, duke pasur parasysh një nga romanet më të bukura të tij, “Viti i vdekjes i Rikardo Reis” ngjarjet e të cilit zhvillohen në Lisbonë. Dhe duke e pasur si guidë turistike, pashë disa nga vendet ku zhvillohet romani.

Lexo edhe :  Rama paralajmëron furtunë ndryshimesh në qeveri/ Sfidon amerikanët dhe Kushtetuesen

Kjo më ndihmoi jashtëzakonisht shumë për të kuptuar shpirtin e natyrës portugeze, por edhe shpirtin e natyrës së tyre njerëzore. Pasi m’u dukën njerëz mjaft komunikues dhe të çiltër. Po kështu, edhe ndonjë shkrimtar tjetër që përktheja, kur më jepej mundësia, përpiqesha të njihja të paktën në mos vende ku zhvillonte ngjarje, të paktën në qoftë se kishte pasur një shtëpi në Paris, të shkoja të shikoja shtëpinë e tij apo rrugën ku kishte banuar, apo ku kishte shëtitur, apo Senën ku kishte dashuruar. Përkthimi më ndihmoi të futesha thellësisht në veprën e një autori, se si e kam bërë, nuk e di. Në qoftë se do të më pyeste autori se si e ke përkthyer, unë do të thosha: kam dhënë maksimumin, por ky maksimum mund të jetë i pakënaqshëm për ju. Por unë s’kam pasur asnjë rezervë.

Ju keni edhe disa përvoja në kinema, si skenarist. Ju mungon kinemaja?

Sigurisht, kinemaja më mungon dhe kënaqësia që të jepte realizimi i një skenari, kënaqësia që të jepte premiera e filmit, kënaqësia që të jepte spektatori. Për shembull, në qoftë se në një roman ka njëqind lexues, unë nuk i kam pranë ata. Ndërsa në film i kisha drejtpërdrejt. Diku më përgëzonin, pavarësisht se në premierë zakonisht gjithmonë ka përgëzime, por e ndieja që filmi diçka kishte dhënë, diçka kishte prekur, diçka kishte emocionuar, nuk kishte kaluar pa një gjurmë te shikuesi. Dhe kënaqësinë që të jep teatri, filmi nuk ta jep dot romani, është shumë konkrete. Sigurisht, që vjen një kohë që shikuesi ka filmat e tjerë për të parë, ndërsa libri, që mund të takosh lexuesin, që e ka lexuar veprën tënde që para 20 apo 30 vjetësh, e kujton atë vepër menjëherë. Kjo është kënaqësia që nuk ta jep askush tjetër.

Një roman i juaji, i ekranizuar, a është zhgënjyes kur përballeni me çka u servir regjisori?

Dikur ka pasur diskutime se cila është kryesorja, skenari apo regjia. Për të qenë sa më objektiv, filmi është i regjisorit, nuk është i skenaristit. Po them vetëm kaq që, shumë shkrimtarë që thirren për të bërë dialogun, se zbërthimin tekniko-regjisorial e ka bërë regjisori, por regjisori thotë që nuk jam unë shkrimtar, ndaj duhet që për këto skena dialogu t’i bëjë shkrimtari, se ai është mjeshtri i dialogut.

Të them të drejtën, e kam respektuar gjithmonë regjisorin dhe e kam dëgjuar atë, ashtu siç kam dëgjuar dhe ata regjisorë me të cilët bashkëbisedoja në kohën e procesit kur shkruhej skenari, apo kur xhirohej apo lindte ndonjë problem që e nxirrte sheshi i xhirimit. Gjatë leximit të skenarit nuk kishte lindur problemi, por ai zgjidhej nëpërmjet të dyve. Por nuk kam pasur absolutisht ndonjë xhelozi. Kam respektuar gjithmonë punën krijuese të regjisorit.

Shkrimtar para viteve ’90 dhe pas viteve ’90, si e përballuat lëvizjen ose lirinë?

Të them të drejtën, rri e mendoj për veten time, por edhe për jetën e shokëve apo moshatarëve të mi. Ndryshimet sociale që ndodhin, siç ndodhën pas viteve ’90, çfarë ndryshimesh do të shkaktonin tek unë si shkrimtar, si njeri? Dhe, unë jam i mendimit që çfarëdo ndryshimesh të ndodhin, shkrimtari duhet të mbetet një njeri i ndershëm, siç ka qenë në fillimet e veta.

Duke ruajtur ndershmërinë e tij, ai ruan dhe veprën, krijimtarinë e tij dhe vijueshmërinë  e krijimtarisë së tij. Sigurisht që ndryshimet sjellin dhe tema të reja, që nuk i ka trajtuar dhe nuk mund t’i trajtonte apo t’i mendonte. Trajtimi i këtyre temave që lindën pas ’90 e këtej, nuk do të thotë se unë kam ndryshuar dhe kam mohuar krijimtarinë që kam bërë para ’90. Absolutisht. Unë e shikoj krijimtarinë e pas viteve ’90 si vazhdim të tërë krijimtarisë sime.

Si i keni shpëtuar censurës së socrealizmit?

Po ju them vetëm një gjë. Një njeri shumë i ndershëm, shumë dashamirës, Dalan Shapllo, që ishte kryeredaktor te revista “Nëntori”, shkoj ta takoj te Lidhja e Shkrimtarëve për të pyetur se kisha çuar një novelë për botim, se çfarë mendimi kishte, do ta botonte apo jo? Dhe më thotë: “Sikur novela juaj të mos kishte atë frymë humaniste, ajo do të ishte e pabotueshme. Pikërisht këtë frymë humaniste ruaje”.

Më ka thënë në Klubin e Gazetarëve një shkrimtar shumë i nderuar, i ndershëm, Petro Marko, i cili e ndiqte krijimtarinë e të rinjve, jo timen vetëm. Kisha botuar një tregim te “Drita” dhe hyra ditën e hënë te Klubi i Gazetarëve. Ma bëri me shenjë që të ulesha pranë tij. Të them të drejtën, i kam respektuar jashtëzakonisht dhe e respektoj kujtimin e tyre, shkrimtarë që ishin më të moshuar se unë, dhe druhesha.

Më thirri, u ula në tavolinë dhe më thotë: “Nasi, mos hiq dorë nga lirizmi yt! Asnjëherë mos hiq dorë, se mund të ndodhesh në presione, mund të kesh ndonjë akuzë që Nasi merret me trajtime të temave të vogla. Por ti mos hiq dorë nga lirizmi yt”. Dhe të them të drejtën, të dyja këto këshilla të dy njerëzve që m’i dhanë me shumë dashuri, i kam pasur parasysh. I kam pasur parasysh jo për t’ia hedhur censurës, por për të qenë i natyrshëm në krijimtarinë time, për të mos qenë i sforcuar, apo më mirë për të mos qenë hipokrit me vetveten në krijimtarinë time. Për të qenë sa më i natyrshëm.

Vitet e fundit kemi shumë poetë e prozatorë, në fakt, ku është letërsia shqiptare sot?

Unë u kërkoj ndjesë shkrimtarëve të rinj që nuk ua kam lexuar veprën. Në moshën time shkrimtari ka nevojë për t’u orientuar nga një kritikë që, ka dalë libri i X-it, ka këto e këto vlera, dhe atëherë të më intrigojë për ta lexuar. Se, të them të drejtën, nuk kam aq kohë sa të lexoj çdo gjë. Kur isha i ri, çdo libër që dilte në librari e blija dhe e lexoja me një frymë, tani nuk e kam më këtë mundësi.

Tani e kam me të vërtetë kohën flori. Por, duke qenë se kam punuar për një kohë si redaktor te Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” pas viteve ’90, vija re se shumë të rinj binin menjëherë viktimë e një kulture të cekët, binin viktimë e emrit të një shkrimtari të huaj, pa e njohur veprën e tij. Kishin dëgjuar, Kafka apo Markezi, pa e lexuar veprën e tyre, pa kuptuar rreth tyre, dhe pretendonin se po bënin letërsi të realizmit magjik. Kjo nga ndonjë gjë që lexoja, më trishtonte. Shkrimtarët e mëdhenj janë të paimitueshëm. Kush i imiton ata, kthehet në karikaturë të vetvetes.

Por ai mendonte se duke imituar Kafkën, mund të bëhej i madh si Kafka apo dikush tjetër. Megjithatë, kam lexuar edhe ndonjë shkrimtare të re, e më duket sikur lexoj, – druhem se nuk dua të fyej njeri, – sikur lexoj një telenovelë melodramatike, ku rëndësi ka reklama që do të bëjë telenovela për mobilimin e shtëpisë, për veshjen, për krehjen etj., sesa zbërthimi i personazheve dhe problemeve. Më duket sikur kam përpara një dramë që nuk është sociale, por një dramë artificiale e personazheve. Personazhe që duket se po përjetojnë një dramë të madhe, kur në të vërtetë është e vogël fare, një dramë pa asnjë vlerë.

Ndërkohë keni humbur edhe kritikën?

Nuk ka fare kritikë. Ndaj ju thashë, ju kërkoj ndjesë për shumë autorë që mund të kenë botuar një vepër shumë të mirë, që duhet ta kisha lexuar me shumë kënaqësi, por që ka humbur kritika. Dhe kjo është vrasëse për autorët e rinj, kur vepra e tyre me vlerat e tyre humbet në morinë e titujve që nuk kanë ndonjë vlerë.

Me çfarë do t’ju shohim së afërmi?

Shpresoj të mbaroj një roman që kam nisur. Shpeshherë më kap një frikë, pasi jam 76 vjeç, dhe shpesh në këtë moshë vepra që shkruan mund të jetë edhe e fundit. Dëshiroj që, të paktën, të mos jetë një vepër e pambaruar./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV