Romani “Pse’’ i Sterjo Spasses dhe fillesa moderne e prozës së gjatë shqipe

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Behar Gjoka

Krijimtaria e gjerë letrare e Sterjo Spasses, siç ka vënë re historiografia letrare, zë fill me romanin Pse? Ky tekst origjinal si frymë dhe kompozim, rrëfim dhe shprehësi, pa mëdyshje shënon një gur kilometrik të shkrimit letrar autorial, por njëherësh edhe një shteg fillimtar të lëvrimit modern të prozës, me gjasë të romanit të shkruar në gjuhën shqipe.

Romani, ashtu si shumica e vlerave të shkrimit letrar, sidomos të pjesës së parë të shekullit të njëzetë, pra të periudhës më të ndritshme të letërsisë shqipe, të harkut kohor 1912-1939 që, për hir të së vërtetës, bën kthesën e letrave shqipe, nga problematika e mprehtë sociale dhe nga realizmi, si koncept dhe model përjetues dhe pasqyrues i realitetit letrar, ka përjetuar kalvarin e plotë të mbijetesës së letrares në kontekste dhe rrethana të pazakonta:

A- Shfaqja e bujshme e tekstit romanor dhe shkëlqimi i plotë i tij, në kohën e botimit, përkatësisht në vitet 1934-1935, si një ngjarje e përveçme e letërsisë së viteve ’30, kur rrezëllitën shkollëza dhe rrymëza në skenën kulturore e letrare.

B- Letnimi dhe ndalimi i leximit të librit më të mirë të shkrimtarit, ashtu si jo pak vepra me vlerë të disa shkrimtarëve të së kaluarës, të cilët binin ndesh me parimësinë e realizmit socialist. Romani Pse? i Sterjo Spasses u mbyll në sepetet e mykut ideologjik, kryesisht për shkak të pranisë së pesimizmit të thellë dhe formalizmit të rrokshëm në hapësirat e tekstit.

C- Rigjetja dhe rivlerësimi i romanit Pse?, menjëherë pas viteve ’90, ku fillimisht u botua, në mënyrë që të merrte fund marrëzia e lënies në hije të një kryevepre letrare. Urojmë që ardhja e mbrame e romanit Pse? të jetë vërtet një rikthim përfundimtar në panteonin e letrave shqipe, madje të analizohet dhe shqyrtohet në të gjithë treguesit e vet, që të zbulohet si përvojë shkrimi, si akt i hedhjes së themeleve të ligjërimit modern të romanit shqiptar.

Fati i romanit Pse?, një vepër unike e letërsisë shqipe, pa më të voglën mëdyshje, një model literariteti, madje tepër kurajoz për kohën dhe më përtej saj, në një farë mënyre lidhet me idenë e Harold Bloom-in, kur shprehet: Aty na duket se hasim, në mos veten a miqtë, medoemos një realitet ekzistues, qoftë bashkëkohor, qoftë historik, pohuar në librin Si dhe përse të lexojmë, çka bart materia e romanit.

Pandarazi me të vjen edhe vetë fati i ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, me gjithë dritëhijet kohore, që vetvetiu nxjerr në evidencë dy problematika, mbase dy çështje thelbësore të mbijetesës së librit dhe të vetë letrave shqipe: nga njëra anë: teksti romanor, kaq i ngjeshur në shenjëzime artistike, në figurimin e personazheve, ku pa përjashtim të gjithë vijnë të skicuar, qoftë personazhet femra, si dhe ato meshkuj, por krejt i gdhendur shpaloset Gjoni, protagonisti dhe epiqendra e librit.

Pse? është po ai variant i botuar në krye të herës, me ato shenja fillimtare, po me atë formë shprehjeje të patjetërsueshme, të cilën autori, pavarësisht furtunave të ashpra të kohës së monizmit dhe të modelit të realizmit socialist, nuk bëri asnjë ndërhyrje ose rregullim, që në fakt do ta cenonte variantin parak dhe kohën shkrimore, por me siguri që do të kishte mjegulluar dëshminë letrare.

Në anën tjetër: në rastin e romanit Pse? të Sterjo Spasses, por edhe të veprës së gjerë letrare të atë Fishtës, Faik Konicës, Zef Skiroit, Ernest Koliqit, Etëhem Haxhiademit, Dhimitër Paskos, e të një sërë mjeshtrish të letrave shqipe, konteksti i leximit, pra rrafshet e ndryshme kohore, të lexim-mosleximit, duket sikur e ngjisin në majë apo e hedhin në greminë, një tekst dhe një segment letrar. Në këtë rast lënia në hije e një libri, modern në esencën e vetë shkrimore, në qasje dhe shprehësi, që i përkon një çasti të ndritshëm të literaritetit, largimi nga shansi i leximit, është vonesë absurde për të shijuar një vlerë, por edhe një akt që ndikon për të zbehur nivelin e vlerave letrare të gjuhës shqipe.

Beteja mes tekstit dhe kontekstit të leximit dhe rileximit, gjithnjë mbetet e hapur dhe, kur është fjala për vepra cilësore, siç përfytyrohet nga lexuesit dhe studiuesit përgjithësisht romani Pse? që ndërkaq shënon një kryevepër të autorit, por edhe një roman të zanafillës moderne të tipologjisë së prozës së gjatë. Kuptohet se në këtë rast triumfi i plotë është i tekstit letrar, me kaq shumë shtresëzime estetike.

Madje, në një këndshikim më të ngushtë, dritëhijet e kontekstit të leximit, të distancës dhe afrimit, janë thjesht segmente të përthyerjes kohore, pra të një leximi të prekshëm me hijedrita, me shumë gjasa, pra më tepër janë hapësira për të shijuar rrafshet e shumëfishta të një teksti letrar të mirëfilltë. Thelbi modern i shkrimit letrar të romanit Pse? në brendi dhe formë, në sendërtimin e botës romanore, të rrëfimit dhe përshkrimit, të dialogut dhe të depërtimit në brendësi të shpirtit të personazheve, megjithatë përbën një tipar të pohuar, që në krye të herës, pra sapo libri pa dritën e botimit, ndonëse më vonë më tepër paraqitet si e nënkuptuar, edhe kur ndalohet si tekst, përbën në fakt pistën shqyrtimore, nga duhet orientuar studimtaria e shqipes, po kaq, nga rreket të hedhë dritë, sadopak edhe kjo qasje, verifikuese e vlerave të projektuara dhe bartura në këtë roman.

Moderniteti i librit Pse? është tërësor dhe në të gjithë elementet thadruese të romanit, si frymë dhe atmosferë, si strukturë dhe teksturë shkrimore, tejet i rrokshëm në shpalimin e vet, me shumë gjasa i hapësirës tekstologjike, lidhet me shumëçka që bart në tipologjinë e vet, por materializmi i këtillë, i rrëfimit dhe shprehësisë së shqiptuar, mundet të kërkohet, veçmas në disa rrafshe: së pari, në rrafshet e përtheksimit tërësor të këtij romani, të brendisë dhe formës, të mesazhit dhe shprehësisë, të skicimit të personazheve, si portretizim fizik dhe shpirtëror, të cilat në fakt e bëjnë një vepër unike të fillesave moderne të romanit shqiptar, e po kaq edhe njërin nga librat më të mirë të Spasses, mbase kryeveprën e tij në gjithë krijimtarinë letrare.

Lexo edhe :  Bashës nuk i del inati me kthimin e Berishës në PD: “Pazar për Xhaçkën”

Së dyti, në rrafshet e rrokshme përmbajtjesore, ku gjejmë të ngërthyera kalvarin e kohës, si fat i qenies shqiptare, i dashurisë së shumëngjyrtë, i përfshirjes në shtjellat e filozofisë së kohës, kontrasti qytet-fshat, po kaq shënon një marrëdhënie të vetë qenies shqiptare me paranë, me pamjet e mjerimit të skajshëm, një problematikë e gjerë, që vetvetiu përçon dimensionin e pakohësisë, të dhënie marrjes së qenies me realitetin e gjerë dhe faktik, megjithatë, të një përthyerjeje imagjinare, në teksturën e pentagramin e larmisë rrëfimore, që këtu na zbulohet përmes ditarit, që dukshëm e tejkalon kronikën, pothuajse në të gjithë parametrat.

Së treti, shenja, mbase kryeshenja unike dhe përdalluese, me romanin shqiptar në përgjithësi, është klima e plotë filozofike, që përcjell teksti i romanit Pse? Filozofikja, jo si materie ideologjike dhe dogmatike, por si frymë dhe përjetim, e bashkëshoqëruar me anësim të rrokshëm nga pesimizmi dhe mbyllja në vetmi, duket se buron nga leximi i autorëve më të shquar të frymës së filozofisë moderne, Niçe, Shopenhauer, si dhe të shkrimtarëve të shquar të kohës, si Tolstoi e Dostojevski.

Pra, shtysa autoriale për të konceptuar dhe shkruar këtë tekst është librore, por ndjesia që përcillet, është e plotë si një dëshmi letrare, pavarësisht sfondit filozofik, që e mbështjell materien tekstologjike. Në fakt, rrafshet filozofike në tekstin e romanit janë po kaq të pranishme edhe në poetikën e Migjenit, nga njëra anë, e vendosin shkrimin letrar të dy autorëve, në një koherencë të përfillshme me lëvrimin letrar të përbotshëm, nga ana tjetër, filozofikja e tyre, gjithnjë si atmosferë, ose është ende e pashqyrtuar, ose është parë si një kufizim ideor i shkrimtarëve.

Përballja me këtë aspekt dhe shenjë autoriale, madje tepër të rrokshme në substancën tekstologjike, do të ndihmonte për ta vënë tekstin e romanit në vendin ku i takon, në hierarkinë e letrave shqipe. Së katërti, forma e gjetur e ditarit, një formësim zbulues ky i universit të brendshëm të personazhit, si botë dhe karakter, si pasqyrë e përthyerjes së shpirtit njerëzor, që është e pranishme edhe në romanin Sikur të isha djalë, të Haki Stërmillit, pa asnjë dyshim, është një tregues i mirëfilltë strukturor, për ta vendosur në kohë ndodhinë, por ndërkaq formësimi si ditar disamujor, ndërthurur me poetikën e rrëfimit dinamik, i jep tekstit një frymëmarrje tjetër.

Fillesa e romanit si një kronikë e komponuar me ditarin e Gjon Zaverit, që është epiqendër e universit të romanit Pse? realisht nis më 1 tetor 193… dhe mbyllet pak ditë pas 31 korrikut 193…, ku duket se motet të shpien në vitet ’30, të shekullit të kaluar, ndërsa koha imagjinare, e një segmenti të caktuar, shtrihet në harkun kohor tetor-korrik të atij harku kohor. Sugjerimi i T. Todorov: “Nuk ka gjë më të zakonshme se përvoja e leximit dhe nuk ka gjë më të shpërfillur. ” (2000:165), te libri Poetika e prozës, zbulon përpara lexuesit dy anë të medaljes, se pa lexuar dhe rilexuar tekstin e romanit dhe të gjithë krijimtarisë së Spasses, nuk kemi asnjë mundësi dhe shans të rrokim idenë fillestare dhe ideale të autorit, sidomos në tekstin shumështresor të romanit Pse?

Me daljen në dritë të romanit, qysh në krye të herës, ndër të tjera nga lexues të vëmendshëm të asaj kohe, theksohet: Ky roman meriton të këndohet e të studiohet, mbasi ka një vleftë shoqërore, nga mjeshtëria e shkrimit, nga tema sidomos shoqërore, cilësi këto të përfillshme që librin e bëjnë tërheqës. Romani Pse? me shumë mundësi, një libër shpirti dhe ëndrrash, një eksperiment letrar i përfunduar, sendërtuar në formën e ditarit, një cak fillimtar i shkrimit të autorit, pret të lexohet dhe vlerësohet, më në fund në meritat dhe shenjat që përçon, në shenjat dhe vlerat artistike.

Nga toni dhe ngjyrat është një roman tronditës dhe melankolik, çka e përthekson si tipar edhe fundi pa lumturi, ikja makabër nga kjo botë, pa e gjetur dhe pa u nginjur me dashuri, që duket se bëhet edhe shkaku për ta përcaktuar si pesimist dhe për ta lënë në hije për jo pak kohë. Nga brendia, humane dhe shoqërore e theksuar, e nginjur me fate tragjike të disa prej personazheve të romanit, vijon të mbetet edhe sot e kësaj dite krejt i veçantë në letrat shqipe dhe, siç kanë vënë re me të drejtë, ka si të ngjashëm Verterin e Gëtes, por edhe Ana Kareninën e Tolstoit. Fundi tragjik, një ikje e paralajmëruar, madje ashtu si në fatin tragjik të Anës, e cila shkon drejt shinave të trenit, ashtu siç e pa ngjarjen në fillim të romanit, as më pak e as më shumë, është një ndarje që ka ngjarë, me mikun e ngushtë, si dhe me dy mikeshat e shtrenjta të Gjon Zaverit.

Romani i parë i autorit, me titullin kaq domethënës dhe provokues, Pse? në një rrafsh është edhe roman i dashurisë, me gjasë i kërkimit të saj, që bëhet shkak për të pasur një rrjedhë kaq tragjike të disa personazheve. Megjithatë, nga ana e studimeve letrare, Pse?  më tepër është përcaktuar si roman filozofik dhe psikologjik, ndonëse mendimi i kësoshëm, vjen i shoqëruar me kalvarin e të jetuarit, midis qytetit dhe fshatit.

Po kaq, romani i parë i shkrimtarit, një sprovë ditari e realizuar mjeshtërisht, ndërkaq është edhe një vepër sociale dhe realiste. Është sociale për nga depërtimi në vatrat që e dhunojnë dashurinë dhe individin, ku madje përvoja e fshatit dhe e qytetit, që ka ngritur mure të larta për individin, por edhe për shurdhërinë e komunitetit, skicohet si molo e saj. Është realist, me gjasë si poetikë e kritikës së hapur ndaj realitetit të kohës, që e vriste pa mëshirë dashurinë dhe vlerat e tjera humane e, sidomos individin. Këto rrafshe tërësore dhe përfaqësuese shërbejnë për ta vendosur romanin e individit, e fatit të qenies, me shumë gjasa të krizës së plotë e të shumëfishtë, ku ka rënë njeriu, të përshkruar në rrathët e përcaktuar të ditarit, një cilësi e rrokshme e modernitetit, të pjesës së parë të shekullit të njëzetë./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor,...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Rritet numri i pensionistëve më 2023, por jo përfitimet!

Rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë u përshpejtua në vitin 2023, me ritmet më të larta të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave...

Jeta triumfon: Erdhi në jetë 1750 gramë, fiton betejën Raina e vogël

Pas disa ditëve në terapi intensive, Raina e vogël e cila erdhi në jetë vetëm 1750 gramë ia doli të fitojë betejën për jetën....

Lajme të tjera

Web TV