Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës zhvillohet për njohje reciproke pavarësisht deklaratave të Presidentit Vuçiç, se Serbia nuk do e njohë kurrë Kosovën, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti.
Në një intervistë për DW, Hoti u shpreh se vetëm reciprociteti mund ta normalizojë marrëdhënien mes palëve.
“Dialogu zhvillohet për njohje reciproke dhe asgjë tjetër, sigurisht zhvillohet edhe për normalizim të marrëdhënieve në të gjitha fushat, por duke filluar nga njohja reciproke, sepse vetëm njohja reciproke siguron normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, deklaron kryeministri.
Anulimi i takimit të planifikuar për datën 27 qershor në Uashington për shkak të padisë ndaj presidentit Hashim Thaçi, do të ulë në tryezën e bisedimeve kryeministrin Hoti.
“Në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, sa i përket procesit të dialogut, është qeveria që ka përgjegjësi kushtetuese të udhëheqë këtë proces”, u shpreh Hoti.
Kryeministri i Kosovës më pas hodhi poshtë deklaratat për një konkurrencë BE-SHBA në dialogun Kosovë-Serbi./Fjala.al/Ke.Ba