Jani Gjergji, koreografi virtuoz i valles labe

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Me iniciativën, drejtimin si kryevalltar e krijues vallesh, Jani Gjergji është diplomuar që herët në këtë fushë me turnetë që ka bërë ansambli “Labëria” në Kosovë në vitin 1972, Maqedoni më 1979, Turqi më 1984

Nga Besnik Velaj

Të gjithë, kushdo dhe cilido, jo vetëm, nga artdashësit vlonjatë, por edhe nga gjithë Shqipëria kanë respekt për artistët vlonjatë të të gjitha llojeve të arteve që ushtrojnë në këtë trevë të Shqipërisë. Cilido ka lexuar në shtypin e përditshëm, parë, dëgjuar, duartrokitur në kulm kënaqësie artistët e Teatrit dhe Estradës së Pallatit të Kulturës “Petro Marko’ në Vlorë.

Për historinë e madhe të këtyre artistëve që kanë mbajtur, mbajnë, po mbajnë të gjallë jetën kulturore-artistike në qytetin bregdetar të Vlorës ne, artdashësit, duhet t’i nderojmë me shpirtin e respektit tonë. Një gazetë që e ka shpirtin e respektit konstruktiv për artistët vlonjatë është gazeta “Fjala”.

Midis artistëve të shumtë që edhe po shumohen dhe ne po i nderojmë me shpirtin e respektit tonë, është artisti-personalitet në fushën e koreografisë lokale-kombëtare, koreografi Jani Gjergji. Në rrugën e vështirë të koreografisë Jani Gjergjin e ka udhëhequr ndjenja njerëzore.

Artdashësit e shumtë vlonjatë me respekt njerëzor për të si njeri dhe për bukurinë e valles kërcyer dhe krijuar prej tij, pyesin: Mirë kur ishte i ri, se artisti i vërtetë e ka fuqinë e valles në energjitë e brendshme, të pashtershme, po sot që është në “pension”, si nuk i shterojnë energjitë? Përgjigjen e këtyre pyetjeve më së miri ua jep jeta e tij si kërcimtar i valles dhe si koreograf, e jep vetë C.V.-ja e tij.

Jani Gjergji ka lindur nga vallja që herët, nga barku i valles. Bisku i valltarit dhe koreografit mbetet përherë i njomë! Nuk janë pak, por 5000 valle, tablo e poema koreografike! Laureat i 3 festivaleve kombëtare folklorike, si Dukat e Vranisht (Shqipe me Famë), Tërbaç (Miro tërbaçotja). Laureat në festivalet në Bursë – Turqi; me ansamblin “Labëria” ka marrë çmimin “GOLT” në festivalin folklorik Izrael; çmimin e Parë në Moldavi. Me iniciativën, drejtimin si kryevalltar e krijues vallesh Jani Gjergji është diplomuar që herët në këtë fushë me turnetë që ka bërë ansambli “Labëria” në Kosovë në vitin 1972, Maqedoni më 1979, Turqi më 1984. Kanë vazhduar sukseset e jashtëzakonshme në nivele të larta artistike, pjesët koreografike të vëna në skenë nga ky koreograf si laureat i festivaleve kombëtare me ansamblin e Nartës, gjimnazin “Ali Demi’, në Durrës, Fier, Berat si dhe laureat me ansamblin e fëmijëve vlonjatë. Jani Gjergji ka bërë emër jashtë skenave të Vlorës para viteve ‘70, ku fillon angazhimi si valltar në Ansamblin e Ushtrisë, ku e ftonin për nivelin e lartë si koreograf e valltar, për suita vallesh të Labërisë.

Ai i vinte përpara përgjegjësisë me aftësitë e tij artistët e rinj, me lëvizjet e mrekullueshme, gati fluturuese të fustanellës labe, gërshetuar me elementet qytetare vlonjate. Ja ç’thotë për Jani Gjergjin Artisti i Merituar dhe Mjeshtri i Madh i Punës, solisti më i mirë i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, zoti Rexhep Çeliku: “E njoh që nga viti 1970, kur fillon dhe angazhimi si valltar pranë Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Jam befasuar nga ky koreograf me përmasa profesionale, kërkues për nivelin koreografik.

Nuk ishte e lehtë që Ansambli i Ushtrisë Popullore, një trupë profesioniste, të punonte me një koreograf të talentuar si Jani Gjergji. Kjo suitë vallesh e këtij ansambli u vlerësua me çmimin më të mirë në Dekadën e Majit të vitit 1970! Po ju flas me ndjenjat e një artisti, se e kam pasur për nder të jem nxënës i Jani Gjergjit. Në të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar dhe zhvillohen në Vlorë dhe, sidomos në turnetë jashtë shtetit, kur isha i ftuar nga ky koreograf të inkuadrohesha në ansamblin “Labëria” si në turneun që bëri ansambli “Labëria” në vitin 1979, në Festivalin Ndërkombëtar në Bursa të Turqisë, më 1984 ku ansambli “Labëria” u vlerësua si një nga ansamblet më të mira ndër 22 ansamblet që morën pjesë në këtë festival. Pra, kjo i dedikohet këtij koreografi me një pjekuri të plotë profesionale, kërkues dhe me një nivel të lartë artistik!!!”

Jani Gjergji e do shumë vallen për hir të dashurisë njerëzore si artist, sepse e ka krah të fuqishëm jete. Jani Gjergjin nuk e kanë vrarë kohët e trishtueshme, nxitjet politike për të krijuar e kërcyer vallet sipas nxitjeve të pushtetarëve të djeshëm apo të sotëm “modernë’… që të lënë në harresë!!! Ai ka sfiduar me artin e tij të përmasave të mëdha të valles. Vallja dhe valltari nuk harrohen, por (pusht)etet dhe pushtetarët humbasin si vesa para diellit!

Ai është këtu në fushën e valles, para spektatorit, duke u dhënë besën e burrave të valles me rrënjë në shpirtin e gjakut të zemrës së tij dhe duke iu drejtuar spektatorit që është i pranishëm në ëndrrat e tij krijuese, që me kushtrimin e valles piskamë i thotë: “Hajde t’i bashkojmë duart tona këtu në mes të sheshit, të kërcejmë vallet e popullit të të gjitha krahinave, për të qenë valltarë për jetë!! I ngarkuar me energji të pashtershme, me vullnet të çeliktë, i palodhur, vë në skenë me nivel të lartë artistik tablotë koreografike: Projektojmë të ardhmen, Pranverë në atdheun tim, vallet: Vjelja e rrushit, të vëna në skenë me Ansamblin e Nartës, tabloja “Bilbili” me Ansamblin e Ushtrisë dhe muzikë të Kujtim Laros…

Lexo edhe :  Goditi me sende të forta efektivin e policisë, vetëdorëzohet në polici autori

Pjesëmarrja e këtij koreografi e valltari virtuoz në arenën ndërkombëtare për përgatitjen e ansamblit të valleve “Labëria” është një shembull i rrallë në Vlorë për kulturën artistike të valleve, pjekurinë; artist i formuar, ndërsa të tjerët vijnë pas tij…!! Njohës i madh në folklorin koreografik, koreograf i rreshtuar midis më të mëdhenjve në këtë fushë, si Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj, Femi Shaqiri.

Nuk ishte e rastit që kolegët e tij i kishin vënë epitetin “Aeroplani fluturues” për meritat e tij si një ndër kërcimtarët virtuozë pranë trupave profesioniste Tiranë (Opera, Ansambli i Ushtrisë), Estradës Profesioniste, ku përveç valleve spikatëse të mrekullueshme vlonjate, Jani ka kërcyer edhe valle spanjolle, bullgare, ruse, meksikane, braziliane dhe të gjitha vallet e Evropës. Nga duart e këtij koreografi kanë dalë kërcimtarë me përmasa profesionale të vërteta, si Fitim Haxhiraj, Guri Gjeçi, Kadri Sharra, Afrim Agalliu, Spiro Qirixidhi, Petrit Bani, Luan Hasani, Gëzim Murati, Vladimir Fejzo, Artur Bani, Dhori Pasho, Kujtim Fisheku, Cane Myrto, Gjon Batalli apo valltaret e mrekullueshme: Pandora Gjeçi, Tefta Çiraku, Leonora Vollkova, Elpiza Gazhga, Natasha Koleci, Rajmonda Gjoka, Doloreza e Kozeta Zguro, Donika Xhaka, Shpresa Murati, Apostolica Nako etj., etj.

45 vjet koreograf profesionist dhe 20 vjet valltar profesionist, Jani Gjergji ka përgatitur për shkollën e lartë disa nga kërcimtarët e ansamblit “Labëria”, si Artur Bani, Anila Braho, Vladimir Fejzo, Ylber Deromemaj, Shpresa Murati, Albana Gjergji, Roberta Mone, Artur Golemi (sot koreograf në Kanada ). Jani Gjergji, si gjithë artistët e nderuar të Vlorës, është një pjesë e nderit të qytetit bregdetar, sepse ka sakrifikuar gjithë rininë e tij për Vlorën dhe artin e saj të veçantë, vallen. Edhe pse ka 14 vjet në pension, sot në moshën 74-vjeçare punon me një ansambël të fuqishëm të fëmijëve, me emrin e nderuar “Aulona Folk” i cili transmeton te brezat e fëmijëve vallet tona popullore të pahumbura kurrë nga të tilla personalitete të artit të koreografisë.

Në krye te ansamblit “Aulona Folk”, ka marrë pjesë në turnetë brenda dhe jashtë Vlorës dhe Shqipërisë, duke dhënë mbi 100 shfaqje në Maqedoni, Kosovë dhe Turqi, ku u cilësua si një nga ansamblet më të mira. Vallet e mrekullueshme të ansamblit “Aulona Folk”, si Vlora jonë e bukur, Ali Pashë Tepelena, Dasmë kosovare, Po martohet malësori, Motive tiranase, Çelu trëndafil çelu, Me opingë e pi rakinë, Valle arbëreshe, Cuca e Radomirës etj., etj., janë një repertor i jashtëzakonshëm që ka ansambli “Aulona Folk”, si fond artistik. Ai duhet të tërheqë më shumë dhe angazhimin e Bashkisë Vlorë, për të ndihmuar financiarisht “Aulona Folk”-un.

Jani Gjergji, koreograf dhe valltar i përjetshëm, me detyrën si udhëheqës artistik, si mësues i ansamblit “Aulona Folk”, që e shkel pëllëmbë për pëllëmbë gjeografinë e Labërisë, Shqipërisë, Ballkanit me fëmijët valltarë vlonjatë, është një veprimtar patriotik në art, sepse ruan me fanatizëm folklorin, duke e transmetuar nga tradita te brezat e rinj. Gjithë forcat dhe mundësitë e tij artistike Jani Gjergji po ia kushton përhapjes së shkollës së valles në Vlorë. Në këtë veprimtari humane e patriotike ai synon që dhe artet e tjera në Vlorë të arrijnë maja të tilla e jo të ndahen. Artet në Vlorë duhet të jenë në ballë e jo pas shpine, ato duhet të shëndoshen me ushqim artistik nga tradita.

Vetë jeta e tij e ndershme tregon se artin e Jani Gjergjit duhet ta hedhin pas shpine, i bëjnë pritë ata që sjellin art koreografik të importuar të linjës “ shqedhio-shqedhio”… të tipit karnavalesk helenika “Karamanjolla”. Ata të errësirës që janë në drejtim në Bashki, në pallatin “Petro Marko”, duhet të kenë dëshirën qytetare, vullnetin për të nderuar me detyrim ligjor jo një, por edhe shumë artistë të tjerë në Vlorë. Duhet të mërgojë koha që artistët të rrinë të heshtur, duke menduar se ata të tjerët lart në (pusht)et do të mendojnë për Jani Gjergjin dhe ata të tjerët. Vlora e ka nderuar, po e nderon Jani Gjergjin si figurë të shquar të koreografisë së qytetit bregdetar. Duke nderuar artistë të tillë, shmanget përkrahja për bastardët tenderaxhi të arteve, që po mbijetojnë në kurriz të të shquarve.

Ja si shprehet më tej, me konsideratën më të lartë, Z. Rexhep Çeliku: -“Po ju them edhe një herë, se e kam për nder që kam qenë nxënësi i tij, kam mësuar shumë prej tij. Titullin e lartë që kam sot “Mjeshtër i Madh i Punës”, përpara meje e shumë të tjerëve e meriton ky koreograf. Ky ka qenë mendimi edhe i mikut të tij kompozitor, i të ndjerit Haxhi Dalipi, Artist i Merituar, që gjithmonë më thoshte kur takoheshim të tre: “Rexhep, Jani Gjergji është koreograf i përmasave të mëdha mjeshtërore!”. I përmenda këto fjalë nga miku i tij, sepse kanë punuar 25 vjet bashkë dhe Vlorës i kanë dhënë shumë. Akoma më shumë po i jep koreografi Jani Gjergji me brezin e ri, që vallen popullore e kërcen aq bukur dhe me koreografë të tillë nuk kanë për të humbur kurrë vlerat e tyre të rralla!!!”

Vlerën e Jani Gjergjit aktualisht e tregojnë edhe interesime nga vende të tjera të Ballkanit: Qendra e Festivalit Ndërkombëtar Folklorik Osijek, Kroaci nga menaxheri i Festivalit, prof. Ivan Çuveie: “Ftojmë ansamblin e valleve për fëmijë “Aulona Folk”, të marrë pjesë në Festivalin e 7-të Ndërkombëtar për Fëmijë “Perlat e Evropës”, i cili organizohet nga 21-24 qershor 2007 në Osijek, Kroaci”!!!

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Detaje të reja nga vrasja e Pëllumb Metës/ Arma u ble 1 ditë para krimit, tjetër person..

Rreth një muaj më parë, opinioni publik u shokua nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Shënavlash të...

Porositi ekzekutimin e ish-bashkëshortes, jepet pretenca për avokatin Alban Bengasi

Prokuroria ka kërkuar këtë të enjte 6 vite e 6 muaj burg për avokatin Alban Bengasi i cili akuzohet se ka porositur eliminimin e...

Gazetarja Anduena Llabani: Jam ngacmuar nga politikanë dhe personazhe të botës së krimit

Flirtet dhe ngacmimet në sferën politike, e kudo, kundrejt personazheve vajza dhe gra, kanë ndodhur dhe mesa duket ende vazhdojnë të bëhen nga persona...

“Listat e kandidatëve, në mars”, Basha gënjen sërish, nuk nxori asnjë emër

“Dhe brenda 31 marsit, 140 kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike gati për procesin zgjedhor, në çdo moment”, zotohej Basha. Shumë ndoshta prisnin që të...

Arrestimi i ish-drejtorëve të Bashkisë/ SPAK me njoftim zyrtar, ja për çfarë akuzohen

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75,...

Lajme të tjera

Web TV