Ardian Vehbiu për debatin Camaj-Koliqi: Ata që flasin në emër të katolikëve

113 563 lexime

77,476FansaPëlqeje

Akademiku Ardian Vehbiu ka reaguar pas debatit publik që është hapur për të shkuarën e shkrimtarëve Ernest Koliqi e Martin Camaj, nëse kanë qenë bashkëpunëtore të agjenturave të huaja, pas publikimit të dokumenteve të Ish-Sigurimit të Shtetit dhe CIA-s amerikane.

Vehbiu si studiues i klasit të parë, ka publikuar dhe ka nxjerrë nga arkivat të dhënat e fundit që publikohen për shkrimtarët

Ardian Vehbiu shkruan se “Koliqi dhe Camaj, si shkrimtarë të shquar, u përkasin të gjithë atyre që i lexojnë dhe i duan: pavarësisht se ku ndodhen. Janë shkrimtarë shqip. Nëse katolikët e teprojnë, me “mbrojtjen” e këtyre ndaj gjithçkaje që shfaqet në horizont, ose duke thirrur UJKU UJKU, atëherë rrezikojnë që pjesa tjetër e shqiptarëve – që nuk identifikohen si katolikë – t’u kthejnë shpinën edhe këtyre figurave, duke i quajtur si jo të vetat.”

Postimi i plotë i Ardian Vehbiut

Gjithnjë shkoj me shpresën se këta që flasin në emër të komunitetit katolik, këta që thonë “ne katolikët”, “ne si katolikë”, etj., janë njerëz që gënjejnë veten – dhe se askush nuk i ka vënë të flasin me këtë titull. Sikurse shkoj edhe me shpresën se shumë katolikë besimtarë dhe që identifikohen kulturalisht si katolikë, nuk ndjekin këtë logjikë prej grigje. Kam përshtypjen se, disa liderë shpirtërorë të këtyre njerëzve, duke përfituar nga identifikimi i gjithsecilit si katolik (nëpërmjet fesë që ka ose prejardhjes kulturore) po duan t’i japin komunitetit, si parim identifikues dhe organizues, kujtesën e të qenit viktimë e regjimit totalitar. Vërtet, nëse flasim me komunitete, katolikët në Shqipëri e përjetuan më shtrenjtë se të gjithë dhunën totalitare. Regjimi i Hoxhës u vrau udhëheqësit shpirtërorë, u prishi komunitetet, u prishi kishat dhe institucionet fetare, u arrestoi priftërinjtë, i futi në burgje dhe në kampe internimi dhe, ç’është jo më pak e rëndësishme, i zhbëri dhe i shkatërroi marrëdhëniet e këtij komuniteti me komunitetet e tjera fetare dhe kulturore në Shqipëri (dëm ky i fundit që jo gjithnjë e vënë në dukje). Të ishe katolik në Shqipërinë e Enverit do të thotë të kishe frikë 24 orë në ditë. Sikur të mos mjaftonte kjo, duke përfituar nga kërcënimi, regjimi kish rekrutuar një numër të madh hafijesh dhe informatorësh nga ky komunitet, disa prej të cilëve janë rrotull sot e kësaj dite. Katolikëve në Shqipëri iu mohua dhunshëm e drejta për t’u identifikuar me kulturën e shkëlqyer të komunitetit të tyre – të përfaqësuar me figura si Fishta dhe Harapi, me revistat kulturore dhe variantin letrar të gegnishtes veriperëndimore. Këto janë gjëra shumë të rënda. Diku unë i kam quajtur “genocid kulturor”. Arsyet pse ndodhi kjo janë komplekse, por mendoj se mes tyre është edhe se regjimi totalitar e shihte kishën katolike (institucionin) si rivale, në luftën për dominimin dhe kontrollin e mendjeve. Gjithsesi, kjo e kaluar e dhimbshme dhe e hidhur ka lënë gjurmë te katolikët sot, edhe në formë të një PTSD (stresi post-traumatik). Ndërkohë diçka tjetër ka ndodhur: komuniteti, edhe pse jo më i persekutuar, nuk arriti t’ia kthejë dot shkëlqimin Shkodrës dhe institucioneve kulturore të komunitetit. Shumë katolikë në Shqipëri mund të kenë pyetur: pse ndodhi kjo? Dhe pastaj ta kenë shpjeguar këtë me persekutimin e djeshëm, çfarë na sjell sërish te statusi i viktimës. Edhe pse në Shqipëri kanë ardhur papët, edhe pse Nënë Tereza ofroi një kolonë të re të identitetit komunitar katolik, edhe pse marrëdhëniet me Italinë dhe Vatikanin nuk kanë qenë kurrë më të ngushta, sërish komuniteti nuk e ka shkëlqimin që kishte në vitet 1930. Të paktën kështu më duket mua. Atëherë Fishta, Mjeda, Koliqi, Prenushi, Harapi dhe të tjerë ishin në krye të jetës kulturore dhe u flisnin të gjithë shqiptarëve me autoritet. Sot kjo gjë nuk ndodh më. Dhe këtu ka katolikë që risjellin argumentin e viktimës, duke shpjeguar se kjo ndodh ngaqë ata sërish po persekutohen. Dhe nga kush? Nga bijtë e ish-komunistëve. Kjo është punë për edukatorët, sociologët dhe psikologët socialë që ta ftillojnë. Përndryshe, është lehtë të kalohet nga përjetimi i mirëfilltë i viktimës, te përdorimi i statusit të viktimës për privilegje. Në fakt, mes katolikëve – p.sh. në Mirditë – ka pasur edhe një traditë për t’i kërkuar shtetit privilegje; vetëm se sot privilegjet po kërkohen më shumë në kulturë, që nga trajtimi preferencial që iu dashka bërë gegnishtes së Shkodrës, te adhurimi – në kuptimin idhulltar – të katolikëve të shquar në rangun kombëtar. Edhe pse kësi privilegjesh janë shterpë, nuk prodhojnë asgjë. Edhe sikur 100 shkollave t’u vësh emrin Gjergj Fishta në Shqipëri, kjo nuk do të ndihmojë asgjë, për përparimin e komunitetit katolik – i cili nuk ka nevojë për arsye mburrjesh (“jam krenar që…”) por ka nevojë për një rimëkëmbje kulturore. Pa çka se ka njerëz, në Shqipëri, nga më prominentët, që viktimizmin e komunitetit katolik e kanë kthyer në trampolinë për të bërë karrierë. Edhe pse, për ta mbyllur, ky kultivim kryq-referencial i figurave katolike, ky përvetësim i një trashëgimie përndryshe kombëtare dhe kjo monotoni e katolikëve që shkruajnë e lëvdojnë për katolikët – zakonisht për t’i mbrojtur nga sulme ndonjëherë edhe të imagjinuara ose për t’i mburrur dhe promovuar – në mediat kulturore, rrezikon t’i izolojë këto figura. Pata shkruar që Koliqi dhe Camaj, si shkrimtarë të shquar, u përkasin të gjithë atyre që i lexojnë dhe i duan: pavarësisht se ku ndodhen. Janë shkrimtarë shqip. Nëse katolikët e teprojnë, me “mbrojtjen” e këtyre ndaj gjithçkaje që shfaqet në horizont, ose duke thirrur UJKU UJKU, atëherë rrezikojnë që pjesa tjetër e shqiptarëve – që nuk identifikohen si katolikë – t’u kthejnë shpinën edhe këtyre figurave, duke i quajtur si jo të vetat.

P.S. Këtë argument, të përvetësimit të vlerave dhe aseteve kulturore kombëtare nga pakicat, në emër të identifikimit dhe të supremacisë, e kam sjellë edhe në debate të tjera, si në atë në lidhje me “i kujt është Skënderbeu?”. Politikat kulturore të ndjekura nga ish-ministrja Kumbaro, i mëshuan fort evidentimit të rrënjëve lokale të këtyre vlerave dhe aseteve kombëtare – çfarë ushqeu, në afat të mesëm, prirjet centrifugale dhe partikularizmin; dhe jo vetëm në Shkodër a mes komunitetit katolik, por kudo në Shqipëri.

Të fundit

Aktori Naim Frashëri përkujtohet nga i biri në ditën e lindjes së tij

Aktori Naim Frashëri edhe pse nuk jeton më është përkujtuar sot nga i biri, Anili në ditën e lindjes së...

Çdo të thotë të jesh tiranas? Ja si përgjigjet Parid Turdiu

Parid Turdiu ka folur për Fjala edhe lidhur me origjinën e tij teksa ka treguar se çdo të thotë të jesh i lindur në...

Ndërron jetë nga Covid-19 zyrtari i Partisë Socialiste

Bëhet fjalë për Ndue Ndocin, kreun e PS-së në njësinë numër 11 në Laprakë. Lajmi është konfirmuar nga miqtë dhe kolegët e tij, të cilët...

Parid Turdiu: Katunarët në Shqipëri kanë shpërthyer zinxhirët

Parid Turdiu, djali i Qazim Turdiut dhe vëllai i Silva Turdiut, i cili banon në SHBA prej 30 vitesh, në një intervistë ekskluzive për...

Lajme të tjera

Web TV