“Listat e hapura”/Lorenc Vangjeli: Palët bëjnë atë që nuk mendojnë dhe thonë atë që s’duan

113 563 lexime

77,495FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli për Gazetën Fjala

Marrëveshja e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, mes përfaqësuesve të PS, PD, LSI dhe Rudina Hajdarit nga opozita parlamentare, u konsiderua si “sukses politik” mes palëve. Por, duket se gjithçka mund të kthehet në pikën zero, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do të vendosë një shtesë mbi platformën e dakordësuar që ka të bëjë me opsionin e “listave të hapura”. Sa e rrezikon ky qëndrim çështjen e Reformës Zgjedhore?

Një nga fjalët që ka inflacion më të madh në fjalorin e politikës, është fjala “sukses”, por duke lënë jetim të kundërtën, dështimin. Rastet kur politika ka pranuar dështimin janë më të rralla se elefantët në Tiranë. Kështu që suksesi i djeshëm dhe dështimi i mundshëm i nesërm duhen parë në një tjetër këndvështrim.

A është Reforma Zgjedhore një qëllim në vetvete, apo një mjet i nevojshëm dhe i domosdoshëm drejt një caku që politika shqiptare ende nuk e ka arritur prej thuajse 3 dekadash: realizimi i zgjedhjeve që humbësi të mos kontestojë me mllef dhe fitimtari të refuzojë me arrogancë kapjen në vjedhje. Për herë të fundit, për paradoks, zgjedhje të lira u bënë nga komunistët, në marsin e vitit 1992, e deri diku edhe për referendumin e Kushtetutës në 1994-n. Çfarë erdhi më pas, është një histori deformimi, mashtrimi dhe shpërdorimi të vullnetit të shqiptarëve.

Askush nuk e kujton se sa herë kanë ndryshuar rregullat për zgjedhje, dhe askush nuk mund të vërë bast se qoftë edhe një sistem i përkryer rregullash, do t’u jepte fund problemeve zgjedhore, sa kohë që nuk është adresuar problemi kryesor i tyre: vullneti politik i palëve. Ka një qasje të gabuar për zgjidhjen e këtij problemi, synohet të shërohet pjesa duke dëmtuar të tërën, të kurohet pasoja, por duke harruar shkakun.

Nuk ka marrëzi më të madhe se të bësh të njëjtin veprim, duke synuar rezultat të ndryshëm. Në Shqipëri është thyer parimi i ekuilibrit dhe kontrollit të pushteteve, dhe rishkrimi i Kodit Zgjedhor nuk është përgjigje për zgjidhjen e problemit. Vendi ynë rezulton Republikë Parlamentare në Kushtetutë, por realisht është shtet tipik presidencial, ku kryeministri është i tërëfuqishëm. Si SHBA-ja, për shembull, apo Gjermania e Franca, por me një diferencë, veç shumë të tjerash: me kontradiktën e asaj që është në letër dhe zbatimit praktik.

Shqipëria është vendi i njëshit, i prijësit dhe i fisit. Kështu funksionon ajo edhe politikisht. Kësaj natyre duhet t’i japë përgjigje klasa politike, jo nëpërmjet reformave të pjesshme, por me një reformë tërësore kushtetuese, për të përputhur Kushtetutën me atë çka ndodh në realitet. Kush nuk e shikon këtë nevojë ulëritëse, nuk ka shumë zgjidhje, ose është budalla, ose është hipokrit. Ky është operacioni që duhet bërë, kjo është pjesa ku duhet ndërhyrë. Por duke njohur të gjithë aktorët, jam skeptik se mund të ndodhë.

Sepse për vjedhje vote flet Lulzim Basha, përfituesi direkt i grabitjes barbare të Bashkisë së Tiranës në 2011-n, kur Edi Rama ishte viktimë e tij. Flet po ashtu për mbrojtje të votës edhe ky i fundit, i cili, gjithashtu, ka deformuar mbi bazën e vullnetit të tij vetjak vullnetin e të gjithë shqiptarëve. Në një skenë ku “viktima” dhe “xhelati”, “preja” dhe “gjahtari”, ndërrojnë vendet, është hipokrizi të flitet për moral, sukses apo dhe dështim. Çështja e listave të hapura është rasti tipik, kur palët bëjnë atë që nuk mendojnë dhe thonë atë që s’duan.

Sado paradoksale të duket, sado komike dhe e pabesueshme, duke i pasur pro apo kundër vetes, Edi Rama duhet të llogarisë edhe opozitën parlamentare, qoftë edhe në rastin kur ai i përdor ata në mënyrë brutale dhe tallëse, qoftë kur ciniku i dikurshëm sillet me ta me raportin mes blerësit të fundit që merr në trastë çfarë ka mbetur ende në tezgat e tregut. Për të qenë të qartë, opozita jashtëparlamentare nuk e ka paguar deri në fund faturën e gomarllëkut historik për djegien e mandateve. Pasojat e atij vendimi do ta ndjekin shumë gjatë dhe do të kenë një ndikim shumë të fortë edhe në zgjedhjet e vitit tjetër.

Në daljen publike, Rama e justifikoi këtë shtesë dhe ndryshim kursi si nevojë dhe respekt për opozitën parlamentare, e cila e ka kushtëzuar votën e saj me “listat e hapura”. Nga ana tjetër, PD-ja këmbëngul që nuk do të pranojë asnjë votim në Parlament, i cili deformon platformën e dakordësuar mes palëve. Marrëvëshja e 5 qershorit u arrit me imponimin e hapur nga treshja e ambasadorëve të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë. A është kjo një sfidë e qeverisë dhe deputetëve opozitarë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë?

Lexo edhe :  OBSH: Zgjidhja ndaj Covid-19 nuk do të jetë e thjeshtë

Ka një ide që është shumë e përhapur në Shqipëri, sipas së cilës, vetëm për shkak të ndryshimit të fashave të orareve, zyrtarët në Bruksel nuk bëjnë asgjë tjetër veçse presin drekën për të telefonuar në Uashington, të shqetësuar, në hall e dilema se çfarë do të bëhet me Kodin Zgjedhor në Shqipëri? Në çfarë mënyre do të ndikojmë te Rama? Si do ta bindim Bashën? Është mirë Rudina që ka teshtirë dy herë?!

Çfarë mendon Myslymi dhe a është i kënaqur Gjuzi? Nuk është siç mendojnë megalomanët primitivë të Tiranës, që e dinë hallin e tyre qendër të botës dhe vetë botën si shtrat ku halli i tyre sh…kep çdo hall tjetër. Kjo është pjesë e një miopie të frikshme lokale, e cila s’bën gjë tjetër veçse na turpëron për pamundësinë tonë proverbiale për t’i zgjidhur problemet e përditshme të demokracisë. Të gjithë atyre që bëjnë politikë në këtë vend, në kushte normale, do t’u mjaftonte të lexonin një manual didaktik për demokracinë, për të kuptuar se ç’duhet bërë dhe asgjë më shumë.

Por, në kushtet e një beteje të egër mes palëve, të huajt bëhen të domosdoshëm. Por duke u kuptuar në një mënyrë tjetër: faktori ndërkombëtar kërkon rezultatin dhe jo mjetin për të mbërritur te ky rezultat, kërkon zgjedhje të ndershme dhe të lira, dhe jo thjesht formulim formal të kodit. Pakkush ka dyshime për faktin që në këtë sistem zgjedhor shqiptarët nuk kanë mundësi të zgjedhin. Ata formalizojnë vullnetin e kryetarëve të partive, të shprehur me listat që ata firmosin.

E thënë në mënyrë të thjeshtë: varësisht vendit në listën e kryetarëve, dihen saktësisht emrat e 125 apo 130 deputetëve të të gjitha ngjyrave përpara votimit të shqiptarëve, të cilëve iu mbetet të zgjedhin vetëm kusurin mes tyre. Në këtë kuptim, shqiptarët nuk janë bashkëfajtorë për nivelin barbar të parlamenteve dhe, sidomos, këtij të fundit. Më mirë një armik i mençur se një mik budalla, kjo aksiomë nuk njihet nga ata që bëjnë listat dhe as nga ata që përfitojnë nga listat.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, por edhe zëra të rëndësishëm në Bruksel, bënë thirrje që të votohet pa asnjë ndryshim apo shtesë marrëveshja e 5 qershorit. Megjithatë, Rama duket i vendosur për “shtesë në mënyrë të njëanshme”. Nëse votohet pa “aprovim ndërkombëtar”, sa i rrezikon kjo zgjedhjet e ardhshme?

Kur Damian Gjiknuri vuri firmën në marrëveshje, pretendoi se e vetmja porosi që i kishte dhënë kryeministri i tij për procesin ishte që të mendonte si në opozitë, që të kujtonte gjithë paranojat dhe plojat që i shqetësonin ata në kohën kur PD-ja ishte shumicë. Atë darkë Rama postoi një pasazh nga filmi shqiptar ‘Duel i heshtur’, ku njëri nga personazhet që do të vritej më pas, thërriste fitore, fitore!

Me shumë gjasa, kur Kodi të votohet në Parlament, Rama do të nxjerrë një tjetër pjesë filmi, ku një tjetër personazh thotë batutën e famshme: Por puna e komisarit ishte loja! Komisari” i socialistëve di një gjë me saktësi: zgjedhjet e ardhshme rrezikohen nga sjellja e palëve në garë, rrezikohen nga vullneti i tyre se si do të hyjnë në garë, jo nga rregullat e lojës. Dhe atij i duhet t’i bindë të huajt për këtë vullnet dhe jo për teknikalitete të ligjit. Ka shumë gjasa që sërish të gjendet një kompromis mes palëve.

Do të kalojë kjo mes fabulës së listave të hapura apo listave të mbyllura, mes komisioneve politike apo të depolitizuara, këto janë detaje që kanë pak rëndësi. Thelbi është gjetkë, është te leximi pa fraktura i vullnetit të shqiptarëve. Është e lehtë të parashikohet që, nëse palët bien dakord, dhe ata do ta bëjnë këtë me hir apo me pahir, edhe të huajt do ta pranojnë një gjë të tillë. Nuk ka rëndësi nëse dakordësia e tyre vjen si rrjedhojë edhe nga një dokument i shkruar fillimisht në anglishte.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Tiranë/I dehur me makinë hipën në trotuarë, përplasë 4 persona

Arrestohet në flagrancë i shtetasi A.L., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi në gjendje të dehur duke drejtuar mjetin...

Krimi horror në Pogradec/ Djali vrau nënën në sy të mbesës 15 vjeçe: Boll jetove

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja horror e cila tronditi qytetin e Pogradecit pasditen e djeshme, pasi rreth orës 18:15, Olsi...

Historia e Burhan Jukës, nga agjent i aleatëve, në i burgosur i nazistëve 

Nga Armer Juka  Sikurse në jetë, Burhani tregoi në vdekje të njëjtin vullnet për të luajtur sipas rregullave të veta. Kishte parashikuar dhe përvijuar gjithçka...

Qetësia para furtunës/ Kalkulimet politike që bëhen për rikthimin në Këshillin Politik 

Në 20 gusht hyjnë në fuqi “marrëveshja e 5 qershorit”, si dhe ndryshimet kushtetuese për listat e hapura, duke e vënë Këshillin Politik para...

Krime të rënda, motive banale, zbardhen dy vrasjet 

Muaji gusht nisi me dy ngjarje të rënda kriminale. Më 3 gusht, një 71-vjeçar u ekzekutua nga dy vëllezër me 7 plumba në Fushë-Prezë,...

Lajme të tjera

Web TV