SPAK-u/Tetë muaj jetë, asnjë dosje të bujshme

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Struktura Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u formua më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Pritshmëritë për SPAK-un ishin shumë të mëdha, por statistikat tregojnë se në tetë muaj funksionim nuk ka nisur dhe përmbyllur asnjë çështje të ndjeshme kundër korrupsionit apo krimit të organizuar.

Gazeta “Fjala” analizon dosjet që ka në shqyrtim dhe deri ku kanë arritur. Kush janë 12 prokurorët e SPAK-ut që kaluan disa filtra dhe vonesat e pajustifikueshme në krijimin e BKH-së.

Nga Elvis Myrta

Prej katër vitesh, që me nisjen e Reformës në Drejtësi, të gjithë shqiptarët i kanë pasur sytë tek institucionet e reja të drejtësisë. Ngritja e këtyre institucioneve u bë me shumë zhurmë, ku politikanë, analistë, por edhe ndërkombëtarët deklaronin që krimit të organizuar dhe korrupsionit po i vinte fundi.

Në fund të vitit 2019, më konkretisht, më 19 dhjetor do të ngrihej SPAK-u, institucioni tek i cili të gjithë shqiptarët shpresonin dhe shpresojnë që do të vinte përpara drejtësisë të korruptuarit. Për shkak të vonesave, Struktura Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, u ngrit e cunguar.

Fillimisht në përbërje të këtij institucioni ishin vetëm 8 prokurorë, tek të cilët shpresohej se do të vinin përballë drejtësisë njerëzit e botës së krimit, por edhe të korruptuarit e politikës. Tashmë që kanë kaluar plot 8 muaj nga ngritja e tij, SPAK-u ende nuk është plotësuar, pasi përbëhet vetëm nga 12 prokurorë, pra duhen edhe tre të tjerë që ky institucion të marrë formë të plotë.

Sytë e të gjithëve janë te këta 12 njerëz, për të goditur krimin e organizuar dhe të korruptuarit në nivele të larta, siç janë zyrtarë të lartë, ministra, ish-ministra, prokurorë apo gjyqtarë.

Është e vërtetë se kjo strukturë speciale antikorrupsion kërkon kohën e duhur për t`u maturuar, por janë bërë shumë kohë dhe premtime, e deri tani përpara drejtësisë nuk ka dalë asnjë rast i të korruptuarve, apo siç janë quajtuar “peshqit e mëdhenj”. Deri tani SPAK-u nuk ka asnjë dosje të vetën, ku të ketë qenë ky institucion që ka nisur hetimet e më pas ta ketë dërguar dosjen në gjykatë.

Shumica e vendimeve që janë dhënë këtë vit nga GJKKO apo përfundimi i hetimeve që SPAK-u ka dërguar në gjykatë për gjykim, të cilat gjithsesi janë “shitur shtrenjt”, si sukses i tyre, janë bërë nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, ku pas shkrirjes, një pjesë e madhe e dosjeve i kaluan SPAK-ut.

Janë plot tetë muaj që institucioni, ku i kishin sytë të gjithë, ka nisur të funksionojë dhe deri asnjë zyrtar, ish-zyrtar nuk ka përfunduar nën akuzë. Gjatë kësaj periudhe, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë vënë nën hetim vetëm dy kryetarë bashkie, si dhe anëtarin e KPA-së, Luan Daçin.

SPAK-u e akuzon anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme, si dhe për mosdeklarimin e një mase disiplinore për largim nga puna, të vitit 1997. Por, GJKKO, një muaj më parë, rrëzoi SPAK-un, duke e rikthyer sërish në detyrë Luan Dacin. Masa e sigurisë për pezullimin nga detyra të Dacit u rrëzua nga trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara, Nertina Kosova dhe Sokol Binaj.

Në vendimin e saj gjykata argumentoi se paraqitja e të dhënave të rreme gjatë procesit të aplikimit për një post në institucionet e vetingut nga Daci, nuk ka elemente të veprës penale të falsifikimit. SPAK-u këtij vendimi i bëri rekurs në Gjykatën e Lartë. Nën hetim nga Strukturat e Posaçme Antikorrupsion u vu edhe kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i cili shfaqet në një video, ku u akuzua se kishte thithur kokainë.

Për këtë rast kreu i Bashkisë Bulqizë tha se ishte i pastër dhe nuk kishte marrë kurrë kokainë. SPAK-u, pasi e mori në pyetje, urdhëroi të kryheshin analizat e urinës së tij, përgjigjja e të cilave vërtetoi se nuk kishte prani droge, e në këtë mënyrë hetimet ndaj tij u pushuan. Ndërsa dosja tjetër është hetimi për ish-kryebashkiakun e Hasit, Adem Lala, ndaj të cilit u hap procedim për tentativën e privatizimit të një godine në atë qytet, e cila në fund nuk u privatizua.

Kryebashkiaku i Hasit është zyrtari i parë dhe i vetëm, deri tani, që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Themi i parë dhe i vetëm, pasi dosjet e ish-zyrtarëve të tjerë, si Saimir Tahiri apo Adriatik Llalla, edhe pse ndodhen në SPAK, janë dosje që janë hetuar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda.

Sipas burimeve zyrtare, që nga ngritja e SPAK-ut, në këtë prokurori janë regjistruar 428 procedime penale, ku janë marrë mbi 100 të pandehur. Nga këto, 202 janë të trashëguara nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, ndërsa pjesa tjetër janë procedime të nisura nga SPAK-u.

Çfarë po heton SPAK-u?

Qytetarë, parti politike, avokatë apo edhe anëtarë të shoqërisë civile, së fundmi janë drejtuar në dyert e Prokurorisë së Posaçme, ku kanë bërë kallëzime të ndryshme, për persona të ndryshëm që, sipas tyre, kanë abuzuar, duke përfituar shuma të mëdha parash nga tenderë që, sipas kallëzuesve, janë cilësuar korruptivë. Gjatë kohës së pandemisë, Partia Demokratike bëri në SPAK dy kallëzime në një kohë të shkurtër.

PD-ja bëri kallëzim ndaj ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të kësaj Ministrie për veprat penale: “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; “shpërdorim detyre”; “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”; “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Në kallëzimin e saj PD-ja pretendon se, numri një i Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa vartës të saj kanë abuzuar me tenderin pa garë prej 1,5 milionë eurosh të ushqimit, duke përjashtuar mijëra kompani shqiptare, e shpallur fituese në fund të marsit një kompani të huaj, e cila nuk ka pasur eksperiencë në këtë sektor. Menjëherë pas marrjes së këtij kallëzimi, SPAK-u, më 30 prill, njoftoi në faqen online se janë duke u kryer hetime intensive për procedimin penal që ka për objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë së COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes.

Gjithashtu, po në atë njoftim Prokuroria e Posaçme tha se janë duke u verifikuar edhe denoncimet publike për prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë, me procedurë të klasifikuar “sekret”. Gjatë periudhës së pandemisë PD-ja denoncoi edhe tenderë të tjerë, të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe nga Ministria e Drejtësisë.

SPAK-u nisi hetimet edhe për koncesionin e sterilizimit pas kallëzimit që depozitoi në këtë institucion “Nisma Thurje”. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas padisë së depozituar nga “Nisma Thurje”, regjistroi dosjen dhe nisi punën për hetimin e saj.

Vetëm disa javë pas regjistrimit të kësaj dosjeje prokurorët morën në pyetje mjekun Artan Koni, i cili ka qenë në grupin e personave që ka dorëzuar padinë. Për këtë çështje do të japin shpjegimet e tyre disa persona, mes të cilëve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Sipas “Nismës Thurje”, në padinë e dorëzuar në SPAK, në 23 dhjetor, për dhënien e këtij koncesioni ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, por edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë, kanë abuzuar me taksat e qytetarëve. Tri javë më parë “Nisma Thurje” depozitoi në SPAK një tjetër kallëzim penal për inceneratorin e Fierit. Shoqëria civile kërkon që Prokuroria e Posaçme të hetojë koncesionin dhe zyrtarët që janë përfshirë, sipas tyre, në këtë aferë. Kallëzimi është bërë për prishje të garës, barazisë në tender, keqadministrim të pasurisë publike, falsifikim të objektit të truallit të ndërtimit, shpërdorim të buxhetit të shtetit, evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale, si dhe përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Gazeta “Fjala” mësoi përmes burimeve të saj që prokurorët e posaçëm janë duke administruar të gjithë dokumentacionin për këtë kallëzim dhe, pas regjistrimit të kësaj dosjeje, SPAK-u do të nisë hetimet për inceneratorin e Fierit. Një tjetër dosje që po hetohet nga SPAK-u është edhe ajo për shembjen e Teatrit. Pas shembjes së tij, Aleanca për Mbojtjen e Teatrit, dorëzoi në SPAK dy padi.

Organizatorët e aleancës në paditë e dorëzuara në SPAK kallëzuan zyrtarët më të lartë të Bashkisë së Tiranës, drejtuesit e policisë, drejtorin e Teatrit Kombëtar, Ministrinë e Kulturës etj. Pas marrjes së kësaj padie, Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nisi zyrtarisht hetimet për shembjen e Teatrit. Prokurori që do të hetojë kallëzimin e AMT-së është Edvin Kondili. Për këtë çështje prokurori ka kërkuar dhe ka sekuestruar dokumentet e vendimit për shembjen e godinës.

Hetimi, sipas burimeve, nuk po bëhet për emra konkretë, siç e ka cilësuar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por kryesisht për Bashkinë e Tiranës. Prokurorët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion kanë vendosur të hetojnë edhe kolegët e tyre. Janë plot 10 gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që do të hetohen nga SPAK-u.

Lexo edhe :  “Je Papote”: Shqipëria magjeps me bregdetin dhe kulturën e pasur mesdhetare

Duke marrë shkak nga dosjet e shkarkimit të tyre nga KPK-ja, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do t’i hetojë subjektet për pasuritë e padeklaruara. Burime nga ky institucion thanë për “Fjalën”, se nën hetim janë vënë ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se kallëzimi penal për ta u bë nga avokati Fran Dashi. Ky i fundit ka kallëzuar edhe 10 prokurorë, po ashtu të shkarkuar nga detyra. Por për ta SPAK-u do t’ia dërgojë materialin kallëzues për vlerësim prokurorive kompetente, përkatësisht Prokurorive Durrës, Tiranë e Elbasan.

Zgjedhja e kreut të BKH-së

“Zgjedhja e kreut të BKH-së është në finale”, “zgjedhja e kreut të BKH-së për pak ditë”, “Pas mbledhjes së pikëzimit do të vendoset për zgjedhjen e kreut të BKH-së”, janë këto disa nga deklaratat të kreut të SPAK-ut, Arben Kraja, por edhe të kryetarit të KLP-së Gent Ibrahimi, për zgjedhjen e kreut të BKH-së, (Byrosë Kombëtare të Hetimit) ose siç quhet ndryshe si “nofkë arti”, “FBI-ja shqiptare”.

Në muajin shkurt, Komisioni i Përzgjedhjes, i përbërë nga drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, dhe nga dy prokurorët Eneid Nakuçi dhe Behar Dibra, zgjodhën katër kanditatët pretendentë që synojnë të marrin drejtimin e BKH-së. Por, që prej asaj kohe e deri sot që flasim ky proces ka ngecur dhe ende nuk e kemi një drejtues të kësaj hallke të SPAK-ut, e cila është më e rëndësishmja.

Por, edhe nëse do të zgjidhej kreu i BKH-së, do të duhet kohë që ai të nisë punën dhe hetimet, për shkak se kreut të saj do t’i duhet të bëjë më parë përzgjedhjen e stafit. Janë plot 60 hetues që do të jenë pjesë e kësaj strukture. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur prej muajsh garën për kandidatët që do të jenë pjesë e kësaj sturkture, por ata duhet të plotësojnë disa kritere, si dhe do të trajnohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas informacioneve, e gjithë kjo procedurë do të hajë mjaft kohë. Sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka siguruar, BKH-ja do të jetë gati për të nisur nga puna në nëntor të këtij viti. Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do të shërbejë vetëm pranë SPAK-ut dhe do të ketë në fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do të ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet.

Kush janë 12 prokurorët e SPAK-ut

Gazeta “Fjala” ka renditur prokurorët që do të jenë pjesë e Prokurisë Speciale Antikorrupsion, SPAK, për të cilët ka një pritshmëri të lartë nga shoqëria mbi hetimin e korrupsionit në nivele të larta, ose siç cilësohen “peshqit e mëdhenj”? Cilat kanë qenë disa nga çështjet më të nxehta që ata kanë pasur nëpër duar? Sa do të paguhet një prokuror i SPAK-ut?

Gazeta është munduar t’u japë një përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, duke përshkruar karrierën e 12 prokurorëve dhe dosjet e bujshme që ata kanë pasur në dorë dhe kanë hetuar më parë. Për sa i përket pagës së tyre, ata do të marrin trefishin e pagës që ata kanë pasur.

Ky vendim është marrë për të minimizuar mundësinë që ata të korruptohen. Sipas përcaktimeve ligjore, paga e prokurorëve të SPAK-ut shkon nga 280 deri në 380 mijë lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe pagesat për vështirësi në punë, dietat dhe të tjera shtesa. Me këtë pagë prokurët e SPAK-ut bëhen njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi presidentin dhe kryeministrin. Kjo vlen edhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vetingun.

1 Arben Kraja

Më 19 dhjetor të vititi 2019 KLP zgjodhi drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në krye të këtij institucionit që do të hetojë zyrtarët e lartë dhe personazhe të botës së krimit, u zgjodh Arben Kraja, i moshës 48 vjeç nga Shkodra. Ai njihet për qetësinë dhe temperamentin e qetë që ka. Përpara se të zgjidhej prokuror dhe drejtues i SPAK-ut, Kraja ka qenë prokuror në Prokurorinë e Pëgjithshme. Ai mori vëmendjen e medias disa vite më parë, kur hetoi Lulzim Bashën në atë kohë ministër i Jashtëm, por që iu nënshtrua hetimeve në pozicionin e ish-ministrit të Transporteve.

2 Altin Dumani

Altin Dumani është zëvëndësdrejtor i Prokurorisë së Posaçme. 46-vjeçari ishte një nga tre kandidatët që garoi për marrjen e drejtimin të SPAK-ut. Altin Dumani është drejtues i seksionit të krimit të Organizuar në Prokurorinë e Posaçme. Ai do të mbahet mend si një nga prokuroriët që drejtoi i pari njësinë Task Force, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha.

3 Edvin Kondili

Edvin Kondili aktualisht është drejtues i seksionit Kundër Korrupsionit në institcionin më të ri të drejtësisë. Kondili ka qenë prokuror prej disa vitesh edhe në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, ku ka hetuar dosje mjaft të bujshme. Një nga dosjet e rëndësishme që ka në dorë Kondili për momentin është ajo e kapjes së 613 kg kokainë në Maminas rreth dy vite më parë.

4 Klodian Braho

Klodian Braho e nisi karrierën si prokuror në Vlorë, ku spikati me hetimin ndaj ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Në atë kohë, për shkaqe sigurie ai u zhvendos në kryeqytet dhe udhëtonte drejt qytetit bregdetar një herë në dy javë për të përfaqësuar akuzën, ndaj Gjikës dhe zyrtarëve të tjerë të pushtetit vednor. Braho ka qenë prokuror edhe i Krimeve të Rënda.

5 Behar Dibra

Prokurori Behar Dibra, i cili është edhe në komisionin për përzgjedhjen e kreut të BKH-së, e ka filluar karrierën në vitin 1997, në Shkodër. Që nga viti 2004 ai shërben si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Dibra ka pasur në dorë çështjen e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, së bashku me prokurorin Besnik Muçi. Aktualisht një nga dosjet që ka në dorë Dibra është ajo e vrasjes së avokatit Ravik Gura në Elbasan, dy vite më parë.

6 Ened Nakuçi

Një tjetër emër i njohur që është pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion është prokurori Ened Nakuçi. Ai e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000, si prokuror i Prokurorisë së Tiranës. Në vitin 2003 ai është emëruar Prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë prej 16 vitesh.

7 Enkeleda Millonai

Enkeleda Millonai ka mbajtur përherë një profil të ulët dhe larg medias, aq sa ishte e vështirë të bëje identifikimin e saj. Është magjistrate dhe njihet si një nga prokuroret që ka shfaqur vullnet për të luftuar krimin dhe bandat. Drejton përkohësisht akuzën e qytetit të Elbasanit.

8 Elida Celami (Kaçkini)

Prokurorja Elida Celami (Kaçkini) filloi karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Lushnjës dhe më pas në Prokurorinë e Tiranës. Prokurorja rezulton se është trajnuar nga ambasada amerikane dhe DASH.

9 Vladimir Mara

Dy muaj më parë SPAK-ut iu shtuan edhe tre prokurorë të tjerë, duke e çuar në 11 numrin e tyre. KLP-ja emëroi në këtë institucion Vladimir Marën. Ai ka qenë prokuror i disa çështjeve të rëndësishme, ku ka hetuar ish-minstrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dhe dosjen 339, ku u goditën katër grupe kriminale, mes tyre edhe grupi i “Avdylajve”. Kjo dosje bëri shumë zhurmë në media, pasi në përgjime doli ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, me një nga pjesëtarët e grupit.

10 Dritan Prençi

Edhe Dritan Prençi, i zgjedhur dy muaj më parë si pjesë e SPAK-ut, më parë ka ushtruar funksionin pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai ka qënë prokuror i çështjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të Orest Sotës dhe të financierit të Habiljave, Nezar Seiti.

11 Sotir Kllapi

Sotir Kllapi nuk është një emër mediatiak, pasi ai nuk ka pasur asnjëherë në dorë dosje të bujshme. Ai ka qenë drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Pogradecit. Ai kaloi procesin e vetingut në maj 2019. Ai garoi për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme menjëherë pasi kaloi vetingun. Ai u vlerësua me 174 pikë nga KLP-ja në procesin e vlerësimit, duke lënë pas kolegët e tij, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

12 Manjola Kajana

Katër ditë më parë Komisioni i Posaçëm i Apelimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokuroren Manjola Kajana, pavarësisht se Komisioneri Publik kishte evidentuar probleme me pasurinë e saj fillimisht. Por në mënyrë të papritur gjatë procesit KPA-ja ishte tërhequr nga ankimimi, duke ia hapur Kajanës rrugën për t’u emëruar në SPAK.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Njihuni me 3 shenjat e horoskopit që kanë më shumë fat për muajin prill

Këto janë 3 shenjat e horoskopit kanë shans të kenë më shumë fat në muajin prill: Binjakët Binjakët do të kenë...

Shakira në një lidhje dashurie me aktorin e njohur?

Një dashuri e re? Tani që Shakira është single, po fokusohet në muzikë! Mirëpo, disa ditë pasi publikoi videoklipin e saj "Puntería", ku është protagonist...

Kafja ju ndihmon të bini në peshë, ja sa filxhanë në ditë duhet që të shihni rezultate

Shpesh dëgjojmë, për shembull, se kafeja zvogëlon oreksin dhe ndihmon në humbjen e peshës, ndërsa të tjerë pretendojnë se pirja e kafesë mund të...

15 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, PD e Rithemelimit ndryshon fasadën e selisë

Shënohen 15 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Me këtë rast Partia Demokratike e Rithemelimit nderon këtë arritje madhore...

Qerrata Gjekmarkaj

Nga Namir Lapardhaja Personazhe politike që nuk e dinë çfarë thonë e çfarë besojnë, ka plot. Por nënkryetar Parlamenti nuk ka ndodhur shpesh të bëhen. I...

Lajme të tjera

Web TV