Shën Sofia, legjenda arkitektonike mes krishterimit dhe islamit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Debati nisi sërish; a duhet të jetë Shën Sofia një muze apo besimtarët myslimanë mund të falen e t’i bëjnë ritet e tyre nën kupolën e një godine e cila për 1200 ka shërbyer si strehë për të krishterët.

Një gjykatë turke ka anuluar statusin muze të Shën Sofisë në Stamboll. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, ka propozuar kthimin e Shën Sofisë përsëri në xhami. Ky veprim ka sjellë reagime të shumta nga hierarkët e lartë të Kishave Ortodokse kudo në botë.

…Ajo është Kostandinopoja. As më pak as më shumë, por kryeqyteti i dytë i Perandorisë Romake dhe vendi ku Evropa takohet me Azinë.

U themelua nga perandori Kostandini i Madh dhe për të paktën 1200 vjet ishte kryeqendra Perandorisë Bizantine, që në atë periudhë përfshinte Greqinë, Azinë e Vogël, pjesë të Palestinës, Egjiptit, Italisë e Ballkanit. Gjithsesi, sot Kostandinopoja e famshme mban emrin Stamboll.

Ndërsa ajo është bazilika e Shën Sofisë, e destinuar që në gurin e themelit për të qenë një kishë e të krishterëve si besim. Megjithatë, ai është dhe vendi ku prehen eshtrat e tre sulltanëve të Perandorisë Osmane. Në 1500 vitet e jetës së saj, mbi katedralen e famshme kanë kaluar furtuna të panumërta.

Është bërë pre e plaçkitjeve dhe e vandalizmit, por ka mundur të qëndrojë në këmbë sot e kësaj dite. Madje, as tërmetet e herëpashershme nuk kanë mundur ta shkatërrojnë, por vetëm e kanë dëmtuar. Pikërisht një prej kryengritjeve më të mëdha të antikitetit krijoi dhe premisën për t’u ngritur njëra prej godinave më madhështore të historisë së artit, e destinuar të marrë famë botërore me emrin grek “Hagia Sophia”.

Kisha e Madhe

E njohur si “Kisha e Madhe” apo në latinishte si “Magna Ecclesia”, kisha e parë u ndërtua në të njëjtin vend ku kishte qenë një tempull pagan. Ishte Kostandini II që përuroi Shën Sofinë, më 15 shkurt 360. Nga kronikat e Sokratit të Kostandinopojës, mësojmë se kisha u ndërtua me urdhër të Kostandinit të Madh. “Shën Sofi” do të thotë “Dija e shenjtë”, një prej karakteristikave të Jezu Krishtit.

Kjo kishë e parë ishte një bazilikë me çati druri. Kisha u dogj gjatë trazirave të vitit 404, që kur patriarku shën Joan Gojarti u dërgua në mërgim nga perandori Arkadius. Pas shkatërrimit, perandori Teodosi II urdhëroi riparimin e saj dhe e përuroi kishën e dytë në 10 tetor 405.

Ajo përbëhej nga elemente arkitekturore standarde të periudhës bizantine: një atrium, ndoshta një narteks dhe një bazilikë me galeri. Kisha e dytë u shkatërrua plotësisht gjatë trazirave të revoltës “Nika” në 13-14 janar 532. Sot, disa blloqe mermeri nga kjo kishë e dytë përfaqësohen në oborrin e kishës së tretë.

Ndërtimi i tretë

Justiniani i Madh i shtypi trazirat dhe filloi rindërtimin e kishës. Ai porositi Antemiusin nga Trali dhe plakun Isidor nga Mileti për të ndërtuar një kishë të tretë në të njëjtin vend, por më të madhe se paraardhëset e saj. Antemiusi dhe Isidori u quajtën “mekanikoi” që do të thotë mjeshtër të shkencës së mekanikës.

Në të vërtetë, Antemiusi ishte një matematikan dhe fizikan, dhe Isidori ishte një profesor i gjeometrisë dhe mekanikës. Asnjë prej tyre nuk dihet të ketë ndonjë përvojë ndërtimi para Shën Sofisë. Por ata krijuan një nga monumentet më të mëdha në tokë. Ndërtimi filloi pak kohë pas përfundimit të revoltës “Nika”.

Gjeometria e Shën Sofisë u bazua në një paraqitje të kryqit. Zona në qendër të këtij kryqi është dhoma e bazës katrore që mbështet kupolën. Shumë materiale u sollën nga e gjithë perandoria, përfshirë gurin e verdhë nga Siria, porfirinë nga Egjipti dhe kolonat helenike nga tempulli i Artemidës në Efes.

Më shumë se dhjetë mijë njerëz punuan për ndërtimin dhe kisha e tretë u përurua nga perandori më 27 dhjetor 537. Mozaikët u përfunduan më vonë, gjatë mbretërimit të Justinianit II (565-578).

Lexo edhe :  Parkim publik me energji diellore në Durrës, Rama ndjek nga afër punimet

 

Dëmtimet

Disa tërmete ndodhën dhe e dëmtuan Shën Sofinë. Tërmetet në gusht 553 dhe dhjetor 557 shkaktuan çarje në kupolën kryesore dhe gjysmëkubenë lindore, dhe me tërmetin e 7 majit 558 kubeja kryesore u shemb plotësisht, ndërsa tërmeti shkatërroi amvonën, altarin dhe ciboriumin mbi të.

Këtë herë ishte Isidori i Ri, nipi i Isidorit të Miletit, i cili do të rindërtonte kubenë. Ai e ngriti kupolën me 6,25 metra, e cila mori lartësinë që ka aktualisht, 55,6 metra. Me kryesinë e patriarkut Eutkius, katedralja u hap përsëri në 23 dhjetor 562. U bë selia e patriarkut ortodoks të Kostandinopojës, gjithashtu atje u mbajtën edhe ceremoni perandorake.

Hagia Sophia pësoi dëme nga zjarri i vitit 859 dhe pas një tërmeti në vitin 869. Në këtë tërmet u shemb një gjysmëkube, por më pas u riparua me urdhër të perandorit Vasili I. Në 25 tetor 989 kupola e bazilikës u dëmtua përsëri nga një tërmet. Këtë herë perandor ishte Vasili II, dhe ai urdhëroi arkitektin Tradat që ta riparonte kubenë. Ndërtimi përfundoi në 13 maj 994.

Në Kryqëzatën e Katërt, Shën Sofia u rrëmbye nga të krishterët latinë dhe shumë materiale e relikte të rëndësishme u morën në muzetë në Perëndim. Me okupimin latin të Kostandinopojës, midis 1204 dhe 1261, kisha u bë një katedrale katolike romane. Më 1261 bizantinët e morën përsëri Kostandinopojën. Me tërmetin e vitit 1344 kubeja mori çarje të reja, ndërsa tërmeti i 19 majit 1346 bëri që disa pjesë të ndërtesës të shemben. Riparimet u kryen nga arkitektët Astras e Peralta dhe përfunduan më 1354. Deri në atë kohë kisha mbeti e mbyllur.

Vendi i sulltanëve

Profeti i Zotit në fenë myslimane, Muhameti, kishte parathënë se myslimani i parë që lutet në Shën Sofi do të shkonte në parajsë. Që nga ajo kohë, ishte një ambicie e madhe për udhëheqësit myslimanë për të marrë Shën Sofinë.

Më 29 maj 1453, sulltani i Perandorisë Osmane, Mehmeti II, e pushtoi Kostandinopojën pas një rrethimi prej 54 ditësh. Sapo hyri në qytet, ai shkoi drejt në katedralen e lashtë bizantine. Mehmeti II urdhëroi që të ndaleshin grabitjet dhe kisha të shndërrohej në xhami. Ai ngriti një minare.

Në vitet që pasuan sulltanët pasardhës shtuan diçka në ndërtesë. Sulltan Bajaziti urdhëroi ngritjen e një minareje të re. Në shekullin e 16-të, Sulejmani i Madhërishëm solli dy qirinj kolosalë nga Hungaria për t’u vendosur në të dyja anët e mihrabit. Në fund të shekullit të 16-të, gjatë mbretërimit të Selimit II, arkitekti i famshëm, Sinani, e përforcoi ndërtesën duke shtuar mbështetëse strukturore në pjesën e jashtme të saj.

Ai, gjithashtu, ndërtoi dy minare në skajin perëndimor të ndërtesës dhe mauzoleumin e Selimit II, në juglindje të ndërtesës. Në vitet 1600, dy mauzole u shtuan pranë atij të Selimit II: ai i Muratit III dhe ai i Mehmetit III. Dy restaurime u bënë në Shën Sofi gjatë viteve në vijim. Më 1739, gjatë mbretërimit të Mahmutit I, u shtuan një medrese, një kuzhinë për të varfër, një bibliotekë, kurse më 1740 u ndërtua një shatërvan për abdeset rituale.

Kthimi në muze

Më 1934, themeluesi i Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturku, urdhëroi që ndërtesa të shndërrohej në muze. Këtë herë suvatimet e bardha që mbulonin mozaikët u hoqën dhe, po ashtu, u hoqën tapetet në dysheme, duke nxjerrë në dritë dekor origjinal prej mermeri. Muzeu Shën Sofia u hap në 1 shkurt 1935.

Monumenti i trashëgimisë kulturore u mor në mbrojtje nga UNESCO-ja, dhe admirohet nga miliona kureshtarë. Në vitin 2014 Shën Sofia tërhoqi pothuajse 3,3 milionë vizitorë. Sipas të dhënave të nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Shën Sofia ishte atraksioni turistik më i vizituar i Turqisë në vitet 2015 dhe 2019.

Përgatiti: Leonard Veizi

la.mi/Fjala.al

Të fundit

“Le Figaro”: Ja cilat janë plazhet më të bukura shqiptare

Media më e madhe franceze thotë se vija bregdetare shqiptare konkurron vendet elitare në turizëm. Riviera shqiptare për të përditshmen...

Ne nuk tërhiqemi, Këlliçi njofton datën e protestës së radhës para bashkisë së Tiranës

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, anëtari i Kryesisë së PD të Rithemelimit, Belind Këlliçi, njofton  se protesta e radhës do të zhvillohet të...

Çfarë po përgatitet me skemën e re të pensioneve

Nga vlerësimet e deritanishme të skemës së pensioneve, ndërhyrja për përmirësimin e saj, pritet të bëhet në disa drejtime, duke nisur nga indeksimi, kompensimet,...

Kryemadhi ‘thumbon’ Metën nga rrjetet sociale: E drejta për tu përmisuar është për këdo

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka dalë me një mesazh, duke thënë se meritokracia, mendimi ndryshe, vlerat e individëve në vite që...

E fundit/ Familja Halili nxjerr në shitje aksionet e KF Tiranës, zbulohet arsyeja

Dalin në shitje aksionet e familjes Halili te Tirana. Zyra e Përmbarimit privat Albase ka shpallur daljen në ankand të 66% të aksioneve të klubit...

Lajme të tjera

Web TV