Leonard Veizi posaçërisht për “Fjala”: Depresioni i Madh i 2020-ës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi
https://youtu.be/p5LZFtaOC0U
Në statistikat e ardhshme viti 2020 me siguri do të mbahet mend si koha e sëmundjeve mendore apo si “depresioni i madh”. Ashtu si Amerika e viteve ’30 të shekullit të kaluar, me krizën ekonomike e cila u shfaq edhe në shumë vende të tjera për një periudhë gati 10-vjeçare. Në epokën moderne dhe vitet e shpejta të zhvillimit teknologjik, depresionet kanë qenë të herëpashershme, por shpesh të ndara nga njëri shtet në tjetrin. Ndërsa depresionet e mëdha mbahen mend për globalizimin e tyre.

Prej rënies së Murit të Berlinit, në këto tridhjetë vite të gjata të tranzicionit, Shqipëria futet për herë të dytë në një periudhë depresive. Hera e parë ishte ajo e vitit 1997.

Një mjek psikiatër me përvojë, me të cilin mora kontakt ditët e fundit, duke më shpjeguar shkaqet e traumave të mëdha shoqërore, më tha se aktualisht baza e njerëzve që paraqiteshin me simptoma ankthi e paniku, për të marrë ndihmë mjekësore, ishin nga kontingjenti i njerëzve me postrtraumat prej tërmeteve të vjeshtës 2019. Tetëdhjetë për qind e tyre ishin nga rrethi i Durrësit, pikërisht aty ku tërmeti u ndie më i fuqishëm, ku pati viktima e shumë dëme të mëdha materiale. Trauma thellohet edhe më fort kur shpresa për apartamentet e premtuara që do ndërtoheshin shpejt, është zbehur dhe ende asgjë s’po duket në horizont.

Sa për traumat si pasojë e karantinimit tremujor, të cilat erdhën në mundësi të shmangies së infektimit nga virusi “Sars Cov-2”, duket se kanë edhe pak kohë deri në shfaqjen e plotë të simptomave që kanë të bëjnë me ankthin dhe panikun.

Pacientët pritet të zënë radhën për të marrë konsulta ambulatore apo terapi të thelluara spitalore, pas pak kohësh. Ndoshta në fillim të vjeshtës. Pikërisht atëherë kur trumbetohet se Sars Cov-2 do të bëjë revolucionin e dytë shkatërrues brenda vitit. Kjo pa dyshim që do të sjellë pasoja zinxhir.

Pra, kemi të bëjmë me një “depresion kombëtar”.

Në vitin 1997 shqiptarët kaluan gjithashtu një traumë të tillë gjithëpërfshirëse, ku të sëmurët mbushën pavijonet e psikiatrikut, si fillimisht kishin tejmbushur ato të kirurgjisë e reanimacionit me të plagosurit e shumtë nga armët e zjarrit. Humbja e kursimeve në të ashtuquajturat “firma piramidale”, shoqëruar me zbrazje automatikësh e hedhje granatash në një luftë artificiale, ishte po aq traumatike sa një tërmet shkatërrues shoqëruar nga një luftë bakterologjike e heshtur, e keqja e së cilës nuk dihet asnjëherë se nga të vjen.

Këtë herë nuk do të jetë problem vetëm Infektivi me numrin e kufizuar të shtretërve. Po aq në krizë së shpejti do të jetë dhe “5”-sa e Tiranës, “17 “ e Elbasanit apo psikiatrikët e Vlorës e të Shkodrës. Numri do të rritet ndjeshëm, sepse jo të gjithë janë të gatshëm t’i përballojnë sprovat e jetës me mospërfillje e duke i futur një mendje të lehtë.

Aktualisht, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë po na bombardojnë me statistika të përditësuara mbi të infektuarit me COVID-19. Situata bëhet më e rëndë kur përmendet numri në rritje i të vdekurve. Akoma më e rëndë, kur me kalkulime përqindjesh e veprime matematikore të vështirësisë së lartë na thuhet se për të infektuar, intubuar e viktima po arrijmë Italinë e Spanjën, e po vazhdoi kështu, do t’ia kalojmë dhe Amerikës. Kjo paradë shifrash, si një spektakël triller me skenar e regji të komanduar, e thellon situatën e depresionit e cila në një të ardhme të afërt do të jetë e pandalshme.

Tanimë virusi “Sars Cov-2” që në infektim e sipër ndërron kodin e kthehet në COVID-19, është i pari në Top Liste. Por ne nuk kemi informacion mbi të sëmurët nga kanceri, nga ata që ndërrojnë jetë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, për diabetikët, hemofilikët… Ne kemi të dhëna të përditshme vetëm për Covid-in. Dhe këto shifra duken vërtet të frikshme, nëse ballafaqohen krahasimisht me asgjënë. Ka 5 muaj rresht që Ministria e Shëndetësisë delegon një zyrtare, të hipë mbi një foltore e të na japë një informacion të panevojshëm. Sepse Covid-i nuk është më i keq, më i vështirë apo dhe vdekjeprurës nga gjithfarë sëmundjesh të tjera. Tanimë ai thjesht është kthyer në një gogol me të cilin tremben të rriturit.

Lexo edhe :  Brian Austin Green ndan sekretin e tij për bashkë-prindërimin me Megan Fox

Një gjë e tillë shkakton traumë. Dhe njerëzit që janë të prirë të dëgjojnë për ditë zyrtaren e radhës që ngjitet te foltorja e Covid-it, nëse kanë shpëtuar nga infektimi prej virusit, do të bëjnë pjesë në kontingjentin e atyre që së shpejti do të kërkojë një shtrat te Spitali Psikiatrik.

Sot, me këdo që mund të pish një kafe, shok, mik a i njohur i largët, do të të hapet e tregojë pa doreza se sa i stresuar është nga gjithçka ndodh përreth. Dhe nuk duhet shumë për të kuptuar që kjo është një traumë kolektive. Mjafton që kafenë ta pish te një lokal pranë një kryqëzimi me semafor. Dhe doza paranojake do të të shtohet dyfish. Aty do të shohësh se si shqiptarët që nuk i hipin më autobusit, por bredhin me makina prodhuar në vitin 2020, nuk durojnë dot as sekondën, por u bien borive në kor si të çmendur, sherrosen e shajnë brenda kabinave me ajër të kondicionuar, duke shtrënguar çdo sekondë me njërën dorë timonin dhe tjetrën celularin që i apdejton në mënyrë pabesueshmërisht të shpejtë.

A nuk është ky një tregues kolektiv i paqëndrueshmërisë psikike?

Çfarë duhet tjetër për të kuptuar se shoqëria po përjeton traumën dhe depresionin. Nuk është e nevojshme të dëgjosh lajmet për shtimin e numrit të vetëvrasjeve, apo të këshillave që japin psikologët për të mbajtur të presuara simptomat e sapofilluara. Mjaft të përqendrohesh te njerëzit në rrugë, në markata, në vendet e punës, në kafene e aty rreth vendbanimeve. Do të ndeshesh me gjithfarë çudirash të papara, nervozitet të pajustifikuar, me veprime absurde, me fjalor të tmerrshëm banal e konflikte të paqena. Dhe kjo nuk ka të bëjë me temperaturat e larta të stinës. Madje, e gjitha kjo situatë nuk ka të bëjë as me nivelin e kulturës apo edukatës së çdonjërit prej nesh. Thjesht, ka të bëjë me nivelin e mbajtjes nën kontroll të presionit e të stresit. Dhe kur nuk arrin ta menaxhosh dot më, pa dyshim do të japësh një spektakël negativ publik.

Në një studim të lexuar së fundmi, mbi situatën e sëmundjeve mendore në Shqipëri, thuhej se ato ishin në nivele të larta ku 1 në 4 persona të moshuar kishin shenja klinike të depresionit. Fakt tjetër, sipas këtij studimi, është që depresioni te gratë është më i shpeshtë se te burrat, ku pothuajse 1/3 e tyre kanë gjithashtu shenjat e depresionit. Pa dyshim, studimi nuk arrinte të kapte periudhën e tërmeteve apo të Covid-it, sepse një studim i tillë, nëse ka filluar tani, do kohën e vet deri në daljen e përfundimeve.

Dhe së fundi, dua të theksoj se ne flasim e i japim shumë rëndësi vetëm sëmundjeve mendore për të rriturit, por ndërkohë harrojmë se janë dhe fëmijët shtresa më e prekshme në situatat e depresionit gjithëpërfshirës. Duket sikur ata nuk janë aq të vëmendshëm ndaj zhvillimeve problematike, ndërkohë që janë po ata të cilët kanë përthithur të gjithë informacionin e pafiltruar, që përpunohet vazhdimisht në trurin e tyre, deri në shfaqjen e parë të atakut. Periudha të tilla depresive, pa dyshim do të shpërthejnë si simptoma të forta e plot ngarkesa vite më vonë, kur fëmijët e sotëm të jenë rritur mjaftueshëm, të kenë hyrë në jetë dhe të kenë marrë ‘stafetën’.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Presidenciale në SHBA, qëndrimi i kandidatëve për president mbi armëmbajtjen

Dy kandidatët kryesorë për president të Shteteve të Bashkuara vazhduan fushatën këtë javë. Presidenti Joe Biden vizitoi një qytet...

Leipzig nuk gabon në transfertën e Heidenheim dhe ruan vendin e katërt ndaj Dortmund

Leipzig nuk gaboi në transfertë ndaj Heidenheim me miqtë që triumfuan me shifrat 1-2. Leipzig hapi llogaritë e sfidës në minutën e 42 me...

Sipas stinës, këto janë lista e ushqimeve që pastrojnë enët e gjakut

Enët e gjakut luajnë një rol shumë të rëndësishëm në organizëm. Ato transportojnë ushqyesit dhe oksigjenin nga zemra drejt organeve të tjera. Në disa raste, enët...

Cili nga qytetet e Shqipërisë do të ketë rritjen më të madhe të të nxehtit deri në 2040-n

Deri në vitin 2040, Durrësi do të jetë qyteti me rritjen më të madhe të valës së të nxehtit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Është...

Operacionet e Policisë, reagon Balla: Po gjurmohen personat me precedentë kriminalë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar gjatë ditës së sotme në lidhje me operacionet e fundit të policisë së shtetit, ku janë arrestuar...

Lajme të tjera

Web TV