Nga Elvis Myrta
Një hetim 4-mujor, i drejtuar nga SPAK-u, vuri para drejtësisë 14 mjekë, punonjës në Institutin Shtetëror Shëndetësor, Institutin e Higjienës dhe disa poliklinika në Tiranë, të cilët akuzohen për “korrupsion aktiv”, “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”.
Nga hetimet ka rezultuar se ndër të tjera këta persona kryenin edhe ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm, për të bërë tamponin për COVID-19. Për të bërë tamponin, këta persona merrnin shuma monetare që varionin nga 5000 deri 10000 lekë të rinj.
Ndërsa kryefjala e çdo qytetari është koronavirusi dhe sëmundja që ka futur në ankth gjithë botën, 14 mjekë në vendin tonë e konsideruan si “kohë të artë” për të kryer korrupsion me fatkeqësinë.
Gazeta “Fjala” zbardh dosjen hetimore për 14 mjekët e akuzuar se kishin krijuar një skemë abuzimi me tamponat e COVID-19, me qëllim përfitimi. Nga hetimet që zgjatën 4 muaj, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit arriti në konkluzionin se mjekët në bashkpunim me njëri-tjetrin merrnin 5-10 mijë lekë të rinj për bërjen e tamponit.
Sipas dosjes hetimore, të cilën “Fjala” e disponon, institucioni i akuzës ka saktësuar të gjitha veprimet që kanë ndërmarrë 14 mjekët e vënë nën hetim. Rolin kryesor në këtë skemë abuzive e kishte z. Niko Nika, me profesion mjek në Institutin e Higjienës. Në dosje thuhet se mjeku i higjienës kishte rolin e sekserit, ai kontaktohej nga qytetarë të ndryshëm, të cilët i dërgonte te mjekja Eda Myftari dhe interesohej për kryerjen e tamponit.
I tillë është rasti i dy shtetasve rusë, të cilët gjatë kohës së pandemisë u bllokuan në Shqipëri dhe u duhej bërja e tamponit në kufi. Atyre u kërkohet që testin ta bëjnë në rrugë private, kundrejt shumës 15 mijë lekë. Sipas dosjes, e njëjta skemë është përsëritur disa herë nga mjekët.
Krahas pagesave për tamponin, mjekët kërkonin para nga subjektet tregtare që i konstatonin në shkelje të protokollit antiCovid. Personat e përfshirë në këtë skemë abuzimi, të cilët tashmë janë vënë nën hetim janë Niko Nika e Hazis Lura, që janë të punësuar në njësinë vendore të Kujdesit Shëndetësor, Eda Myftari, punonjëse në Drejtorinë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, Hasan Hasani, i cili deri ne vitin 2018 ka qenë i punësuar në Poliklinikën nr. 1 në Tiranë, ndërsa aktualisht rezulton i dalë në pension, Ilir Hoxha dhe Luiza Metani, mjekë në Poliklinikën nr. 6, Franc Daija, mjek në Poliklinikën nr. 4, i cili ka dalë në pension në muajin prill 2020 dhe në raste të veçanta me mjekë të tjerë, si Diana Hysi, mjeke pranë Qendrës Shëndetësore nr. 1 apo Marinela Sulmina (Hysa) mjeke pranë Qendrës Shëndetësore nr. 4.
Gjithashtu, nën hetim janë vënë edhe Johana Sinani, Ornela Balla, Anda Muçaj, Arjan Gjoka dhe Evald Bejaj janë të punësuar si inspektorë pranë Inspektoratit Shëndetësor në Tiranë. Prokuroria në dosjen e saj ka dokumentuar 3 raste të marrjes së ryshfetit. Rastet janë në një supermarket, klinikë dentare dhe në një shkollë private (që të tre emrat e subjekteve gazeta i disponon, por për arsye hetimore dhe etike nuk po publikohen). Përgjimet telefonike konstatojnë se ideatori i kësaj skeme, Niko Nika, telefonon një person me ermin Gjergji, të cilit i thotë që jemi nisur për kontroll dhe të rregullojë e pastrojë ambientin.
Në të gjitha përgjimet telefonike të administruara tashmë nga gjykata, flitet për pazare mes mjekëve dhe subjekteve të ndryshme. Në disa episode, siç është rasti konkret, ku kërkohen libreza shëndetësore, qytetarëve u kërkohet shuma prej 15 mijë lekësh. Por qytetarët negociojnë për çmimin. Siç duket dhe nga këto përgjime, mjekët janë të prerë për çmime fikse.
Si lëshoheshin librezat pa u bërë analizat?
Në dosje theksohet se përfaqësuesit e subjekteve tregtare, me ndërmjetësimin e personit nën hetim, Niko Nika, paguanin shuma parash të cilat varionin në varësi të njohjes apo sasisë që kërkohet te personi nën hetim, Niko Nika, i cili, nëpërmjet njohjeve dhe lidhjeve të tij ua siguronte ato nëpërmjet mjekëve të familjes.
Ai bashkëpunonte me personat nën hetim Luiza Metani, Ilir Hoxha, por edhe mjekë të tjerë. Në një episod, për sigurimin e librezave shëndetësore Niko Niko komunikon me Hasan Hasanin, i cili e orienton atë te mjekët e Qendrës Shëndetësore nr. 1 në Tiranë. Nga përgjimet rezulton se Nika ka shkuar te Qendra Shëndetësore nr. 14 në Tiranë dhe është takuar me një infermiere të quajtur ”Fjori”, si dhe me mjeken e quajtur “Diana”. Në komunikimin e datës 01.06.2020, ora 06:14, Hasani e pyet: Fjori s’ishte aty? Dhe Nika i thotë “ishte Fjori pra, katër copë i dhashë unë, i dhashë tridhjetë mijë lekë, nuk e di do jetë e kënaqme?”, ndërsa Hasani i thotë: “Ou, e kënaqme që çke me të, herë tjetër të lidh me Fjorin unë…”.
Pasi siguroi dokumentet shëndetësore të lëshuara në mënyrë fiktive nga personeli mjekësor, personi nën hetim Niko Nika takoi Gazmend Shehin, subjekti tregtar në Gjokaj Vorë, dhe ia dha, ndërsa agjentët e ndoqën duke e kapur në flagrancë. Në dosjen që “Fjala” e disponon, theksohet se dy inspektorët Evald Bejaj dhe Johana Sinani në datën 17.02.2020 kanë ushtruar kontroll në këtë biznes, ku kanë konstatuar shkelje në lidhje me disa produkte dhe nuk kanë marrë masë administrative ndaj këtij subjekti.
Po sipas dosjes, Johana Sinani është telefonuar nga personi nën hetim i quajtur Niko Nika ish-punonjës pranë të njëjtit institucion, aktualisht i punësuar pranë njësisë vendore, i cili i thotë se pronari i subjektit është i njohuri i tij, dhe ta shohë me kujdes. Në përfundim Johana i thotë se ishte cope-copë, te njëra pikë nuk kishte higjienë dhe te pika në fjalë ia fshehën faktin e tregtimit të kripës, të cilën ata ia gjetën.
Ajo thotë që ia kanë mbyllur në rregull dhe ai i komunikon që do t’ju thotë “për një kafe”. Fakti që dy inspektorët kanë qenë për kontroll te ky subjekt provohet nga pamjet filmike të marra nga vetë ky subjekt, si dhe nga transkriptet e komunikimeve të bisedave të kryera ndërmjet personit nën hetim, Johana Sinani dhe Niko Nika.
Prokuroria vendosi që 9 prej zyrtarëve t’i lërë në arrest shtëpie, 2 në burg dhe 3 të hetohen në gjendje të lirë. Të hetuarit nga SPAK-u janë zyrtarë dhe punonjës të institucioneve që kanë të bëjnë më shëndetin publik, konkretisht 5 nga drejtoria rajonale e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, 1 nga drejtoria rajonale e operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe 8 nga njësitë vendore të kujdesit shëndetësor dhe qendra shëndetësore të ndryshme në Tiranë. Zyrtarët kryenin kontrolle në subjekte të ndryshme tregtare në Tiranë dhe, ndonëse konstatonin shkelje, kundrejt ryshfetit, lëshonin libreza për punonjësit pa qenë fare.
Korrupsioni me tamponin për Covid-in
Një rast tjetër, është ai i datës 18 qershor, ku një person i identifikuar si shtetasi Gentian Q, telefonon Niko Nikën dhe i kërkon që ai të ndëhyjë për të bërë një tampon, nëse është apo jo i prekur nga COVID-19. Ky shtetas gjatë telefonatës i thotë Nikos se duhet ta bëjë tamponin në mënyrë urgjente.
“Niko, si kalove, më dëgjo se e kam urgjente… më duhet me bo një tampon me çdo lloj shifre të mundshme, e du urgjent… Le të kërkoj ça të doj, me thuaj ça do, na ja ku i ke, t’i çoj personin dhe të hyj. Si i bohet? Niko i thotë: Ja të flas me nji matrapaze që kena aty. Menjëherë më pas personi nën hetim Niko Nika telefonon Eda Myftarin, së cilës i thotë: Dëgjo, me bo nji tampon me pagesë, e bëjmë dot nesër, dhe sa t’i them.
Eda i thotë: Po bëhet pra, se ti e di shumë mirë që bëhet, ça më pyet kot… ik tani, flasim nesër. Një tjetër rast është kur mjeku Niko Nika komunikon me mjekun Ilir Hoxha për kryerjen e disa tamponave të COVID-19. Sipas bisedës që dy mjekët bëjnë me njëri-tjetrin, Nika i ka dërguar një listë me 35 persona për të bërë tamponin.
Iliri: E ke dërguar tek doktoresha listën, i ke dërguar të 35-ta?
Niko: Po, 35.
Iliri: Janë atëherë, po i bëj unë, atë porosinë do e sjellësh vetë?
Nilce: Urdhëro?
Iliri: Ato porosinë?
Niko: Po, po, kur t’i kesh gati, më thuaj, dhe vij.
Iliri: Okej.
Niko: Në rregull, mos ki merak.
Iliri: Okej, kur të mbarojmë, të themi.
Niko: Po më bëj një telefon… besoj për të hënën, s’mbarojnë sot.
Iliri: Unë po i bëj gati.
Niko: Po i bëtë sot, më bëj një telefon sot.
Iliri: Do lëviz, jo se s’dua t’i bëj po unë…
Niko: Jo, si të duash ti, të hënën leri, bëji për të hënën.
Iliri: Të hënën mbasdite i ke gati vëlla.
Niko: Je mbasdite të hënën në punë?
Iliri: Jam mbasdite javës tjetër.
Niko: Shumë bukur, vij unë i marr atje.
Iliri: Mir ardhsh atëherë, Faleminderit
Niko: Flasim, më bëj një telefon edhe… ky mbaje, është numri im.
Iliri: Ok, mirupafshim.
Emrat e zyrtarëve të Shëndetësisë nën hetim:
Niko Nika – arrest me burg
Hazis Lura – arrest me burg
Eda Myftari – arrest shtëpie
Ihsan Hasani – arrest shtëpie
Franc Daija – arrest shtëpie
Ilir Hoxha – arrest shtëpie
Ornela Balla – arrest shtëpie
Johana Sinani – arrest shtëpie
Arjan Gjoka – arrest shtëpie
Evald Bejaj – arrest shtëpie
Luiza Metani (Goduni) – pezullim nga detyra
Diana Hysi – pezullim nga detyra
Marinela Sulmina (Hysi) – pezullim nga detyra