100 vjet klub, çerekshekulli kampion/ Tirana, ekipi me më shumë trofe të Superligës

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Skuadra e Tiranës ka fituar titullin kampion të Superligës, duke siguruar këtë trofe për të 25-ën herë në 100 vite ekzistence si klub. Bardheblutë janë klubi me më shumë fitore të këtij kompeticioni në vendin tonë.

Skuadra e Tiranës është shpallur kampione e Kategorisë Superiore për sezonin 2019-2020 të këtij kampionati të futbollit shqiptar. Bardheblutë e kryeqytetit mundën të rikthenin titullin kampion në shtëpi pas plot 11 vitesh mungesë. 100-vjetori i krijimit të këtij klubi solli edhe kupën e 25 të Superligës për ta, pra nga një shekull ekzistencë Tirana ose siç quhet nga tifozët e saj Tirona, ka fituar çerekun e titujve të Superligës. Duhet theksuar se ky klub numëron më shumë trofe të këtij kampionati se çdo skuadër tjetër në Shqipëri.

Ishte ndeshja e mbrëmjes të së dielës midis Vllaznisë dhe Kukësit ajo që i dha matematikisht titullin kampion skuadrës së Tiranës. Shkodranët i mundën në shtëpi, me rezultatin 1-0 verilindorët, duke i bllokuar këta të fundit në garën për trofeun më të rëndësishëm në futbollin vendas. Ishte goli i Mevlan Adilit, 3 minuta përpara mbylljes së ndeshjes, ai që i solli festën ekipit kryeqytetas dhe në të njëjtën kohë preu çdo shpresë për skuadrën e trajnerit Orges Shehi.

Sezoni 2019-2020 nuk nisi aspak mirë për skuadrën e Tiranës, e cila po regjistronte vetëm rezultate negative dhe ndërroi dy trajnerë brenda tre muajve, Ardian Memën dhe Julian Ahmatajn. Pikërisht në momentin kur u duk se kishte humbur çdo shpresë, do të ishte ai që qëndronte në hije prej vitesh, trajneri i portierëve, nigeriani Emannuel Egbo, që do të ringrinte bardheblutë.

 

Egbo ka qenë pjesë e klubit kryeqytetas për plot 9 vite, 3 nga të cilat si lojtar dhe 6 të tjera në postin e trajnerit të portierëve, por duke qëndruar gjithmonë në heshtje dhe larg ‘dritave’ të skenës. Do të duhej 13 dhjetori që ai të merrte drejtimin e stolit të bardhebluve, për të rikthyer trofeun dhe nderin te ky klub.

Pas muajit dhjetor në fushë zbriti një Tiranë e ndryshuar tërësisht, me besim, forcë dhe këmbëngulje për të marrë fitore nga çdo ndeshje. Rezultatet treguan potencën që prej shumë vitesh kishte qenë e fshehur në gjenet e këtij klubi. Dhe në 100-vjetorin e krijimit të vet, Tirana triumfoi përballë çdo skuadre e, mbi të gjitha, përballë rivalit të përjetshëm, Partizanit.

Ishte 2020-a që riktheu fitoren e derbit te kjo skuadër që kishte rreth 5 vite vuajtje. Bardheblutë morën dy fitore radhazi dhe një barazim ndaj të kuqve. Megjithatë, ndeshja e ngulitur fort në mendjen e tifozëve të këtij ekipi është ajo e 28 shkurtit, kur Tirana fitoi me rezultatin 5-1 ndaj Partizanit. Ishin dy penalltitë e realizuara nga Idriz Batha, autogoli i Hektor Idrizajt dhe më pas dopieta e 19-vjeçarit, Ernest Muçi, që i shpartalluan të kuqtë. Ndërsa të vetmin gol për Partizanin e realizoi braziliani William Cordeiro.

Ndërsa dolën në sheshet e bulevardet kryesore të metropolit të vendit, tifozët bardheblu festuan me këngë, brohorima e fishekëzjarre këtë trofe. Ata nuk harruan të përmendin edhe fitoren e derbit 5-1, që tashmë për ta është simbol i epërsisë së theksuar të bardhebluve ndaj kundërshtarëve të tyre.

Lexo edhe :  Tifozi 14-vjeçar i Atletico Madrid vdes në festimet e kampionatit

Mirëpo, të rikthehemi tek trofetë që ky klub ka siguruar në 100 vite ekzistencë. Tirana është themeluar më 15 gusht 1920, ndonëse duhet theksuar se paraqitjen e parë si skuadër e ka bërë më 1911 dhe që nga ai moment dominoi turneun e asaj kohe, duke u shpallur kampionia e parë e Shqipërisë.

Megjithatë, duhet theksuar se zyrtarisht bardheblutë njihen si një ekip i mirëfilltë nga viti 1920 dhe që ai moment ia kanë dalë të marrin për plot 25 herë trofeun e Kategorisë Superiore, pra një dominim i elitës së futbollit të vendit tonë në një çerekshekulli.

Vitet kur klubi bardheblu është shpallur kampion i Kategorisë Superiore janë: 1930, 1931, 1932, 1934, 1936, 1937, 1964–1965, 1965–1966, 1968, 1969–1970, 1981–1982, 1984–1985, 1987–1988, 1988–1989, 1994–1995, 1995–1996, 1996–1997, 1998–1999, 1999–2000, 2002–2003, 2003–2004, 2004–2005, 2006–2007, 2008–2009, 2019–2020. Data që kur i sheh duken vërtet që janë shumë.

Tirana është klubi më i suksesshëm dhe më i dekoruar i Shqipërisë. Bardheblutë mbajnë rekord kombëtar për trofetë e fituara në çdo kompeticion të luajtur në Shqipëri, kampionat, kupë e superkupë. Trofeu i parë në historinë e klubit ishte Kampionati Kombëtar Shqiptar, i zhvilluar në vitin 1930, ky ishte kompeticioni i parë zyrtar i mbajtur në Shqipëri. Trofeu më i fundit i fituar nga klubi është trofeu i fituesit Kategoria Superiore më 19 Korrik 2020.

Të shumta janë edhe trofetë e kompeticioneve të tjera vendase, si 16 Kupa të Shqipërisë dhe 11 Superkupa të Shqipërisë. Qershia mbi tortë e këtij sezoni për ekipin bardheblu do të ishte një dopietë trofesh, pra ai i Superligës me Kupën e Shqipërisë. Tirana është një nga finalistet e këtij kompeticioni që do të mbyllet më 2 gusht. Bardheblutë do të presin në një ndeshje që paraprakisht nuk duket aspak e lehtë, ekipin e Teutës.

Durrsakët do të bëjnë të pamundur për të çuar në shtëpi Kupën e Shqipërisë, por i njëjti qëllim shihet edhe në radhët e kryeqytetasve që do mundohen me çdo mënyrë të marrin trofeun e radhës dhe ta festojnë siç u ka hije këtë 100-vjetor.

Ndërsa në arenën e futbollit evropian, Tirana është e njohur me pjesëmarrjen e saj në Ligën e Kampioneve (14 herë) ; në Kupën UEFA (10 herë), ndërsa në Kupën e Kupave (3 herë). Tirana ka marrë pjesë 7 herë në Kupën Ballkanike, ku është shpallur 1 herë nënkampione. Bardheblutë mbajnë rekordin e paraqitjeve të një klubi shqiptar në Evropë, jo vetëm për numrin e lartë të pjesëmarrjeve (27), por dhe për sukseset e arritura përgjatë historisë 47-vjeçare të kësaj pjesëmarrjeje, ku numërojnë plot 11 ture të kaluara ne kupat e ndryshme evropiane, si asnjë skuadër tjetër shqiptare.

Sukseset më të mëdha Tirana i arriti në vitet ’80, ku u rreshtua 4 herë mes 16 ekipeve më të mira të kontinentit, nga të cilat 3 herë në Ligën e Kampionëve. Gjithashtu, bardheblutë mbajnë rekordin e të gjitha kohërave edhe për pozicionin më të lartë të një klubi futbolli shqiptar në renditjen e IFFHS-së, kur në vitin 1987 renditeshin të 31-tët në botë.

Tashmë duket se ajo Tiranë është rikthyer sërish, me të njëjtat qëllime, për të qenë më e mira e Shqipërisë dhe ndër të parat e Evropës./Nga Katerina Tafa/Fjala.al/


Të fundit

Rama poston foto nga kisha e “Shna Ndout”, kryqi me drita të bardha ndriçon Laçin

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga kisha e “Shën Ndout”, ose siç njihet ndryshe kisha e Laçit. “E...

Aksident në Yzberisht, makina përplas 6 vjeçarin, dërgohet me urgjencë në spital

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Një makinë e drejtuar nga 29 vjeçari M.Gj ka përplasur një fëmijë...

Luigi Soreca surprizohet nga 15 vjeçarja në Përmet, i merr mikrofonin dhe i thotë dy fjalë

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ditën e sotme është surprizuar në vizitën e tij në qytetine  Përmetit. Gjatë fjalës së tij përpara...

Gazetari habitet nga makina që lëviz Agron Shehaj: Erdhi në studio jo me Range apo Mercedes, por zbriti nga një…

Gazetari Sokol Balla është surprizuar këtë pasdite nga makina me të cilën lëviz kandidati për kryetar i PD-së, Agron Shehaj. Në një shënim në rrjete...

“U arratis” në SHBA pas zgjedhjeve, Rudina Hajdari takohet me zyrtarin e lartë

Rudina Hajdari prej disa ditësh ndodhet në Amerikë, ku ka postuar foto në një nga kafet e New Yorkut. Ditën e sotme deputetja ka patur...

Lajme të tjera

Web TV