Lorenc Vangjeli: Rama lëshon gjithçka vetëm që të heqë koalicionet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Intervistoi Blerina Gjoka

Politika është futur në një ngërç të ri, ndërsa u duk se marrëveshja e 5 qershorit i kishte dhënë zgjidhje të paktën reformës zgjedhore. Si e parashikoni zgjidhjen e këtij ngërçi, çfarë fati do të ketë marrëveshja e 5 qershorit? Sa i fortë besoni se është poli i tretë, siç e quan Rama, opozita e re që të bllokojë votimin e saj?

Ai që quhet ngërç për eufemizëm, në fakt, është krizë. Krizë e thellë. Që nuk ka nisur dje dhe as nuk ka për të përfunduar nesër. Kjo lloj krize është dëshmia e qartë e modelit të gabuar që ka ndërtuar politika më vite më Shqipëri. Që ka prodhuar një gënjeshtër të madhe, një doping publik, që kur mbaron efektin, që kur shuhet brohorima e rezultatit të marrë nën efektin e tij, e lë të dërrmuar të gjithë shoqërinë. Në tri dekada politika nuk ka mundur ende të “shpikë” ato mjete e mekanizma që do të krijonin atë vetë. Që do të sendërtonin një klasë politike normale. Jo të jahstëzakonshme. Jo të mbinatyrshme, por thjesht normale. Ende mbas 30 vjetësh nuk ka sistem karriere, nuk ka hierarki vlerash, nuk ka garë reale dhe normale individësh. Ka vetëm një partitokraci të ngulitur që nuk do ndryshim, por vegjetim. Eshtë e padurueshme që Tirana politike e sotme të mos ngrihet dot mbi nivelin e shokut Rita, të mos jetë më pak qesharake se trashëgimia e shokut Hekuran dhe të mos befasojë më shumë sesa shoqja Lenka. Ndonjëherë helmi është aq i madh, sa nuk i ndihet shija, kutërbimi është aq i rëndë, sa nuk kuptohet më, e zeza aq e thellë, sa nuk bie më në sy. Dhe Ritat, Hekrat dhe Lenkat e sotëm, të veshur me Versace e të larë me Ralph Lauren dhe Hermes, bien pak në sy, por janë edhe më pak se ta. Për ta shpjeguar më mirë, mjafton të diskutohet për dy kategoritë e shumëdiskutuara si elefantë në vitrinë porcelanesh, të përzgjedhur të kryetarëve, të pasurit dhe tipat me shumë emra.  Pse do të duheshin ata në Parlament? Të parët për të paguar. Politika është bërë gjithmonë e më e shtrenjtë. Partitë janë krijesa që kanë nevojë për gjithmonë e më shumë fonde. Çfarë marrin nga shteti, është një minimum që nuk del për asgjë. Donacionet normale apo kuotat e antarësisë janë në nivele totalisht minimale. Të qenët në opozitë është jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe është aritmetikë e thjeshtë: politika rekruton ca të pasur që janë donatorët e fshehtë të saj. Në këmbim është vendi në Parlament dhe ata marrin më pas me tenderë, favore të ndryshme apo para publike atë që kanë parapaguar më parë. E kanë hapur ndonjëherë gojën në Kuvend, qoftë në të majtë, qoftë në të djathtë pjesëtarë të kësaj kategorie? Të jesh i pasur nuk është krim, siç mendon shpesh opozita e djathtë komuniste në Shqipëri. Krim është përdorimi i tyre dhe shndërrimi në pesha në fytin e gjithë shoqërisë shqiptare. E njëjta logjikë edhe për ata me disa emra. I marrin në Parlament si makina elektorale, por kjo është një nga gënjeshtrat që nuk e besojnë më as ata që i kanë shpikur. Nuk është rastësi që kjo kategori parlamentarësh është bërthama e gabuar e Parlamentit. Dhe nga Parlamenti rrjedhin të gjitha pushtetet në Shqipëri. Nga ajo lloj ADN-je groteske nuk mund të priten krijesa normale më pas, as në ekzekutiv e as në administratë. Edi Rama ka kapur kalin e tij të ri të betejës. Listat e hapura, vlejnë apo jo, e zgjidhin apo jo problemin, e ngrejnë apo jo nivelin e Parlamentit, janë përgjigje për shqetësimin publik, i cili, ka bindje se keshtu siç është, nuk shkon më tej. Por edhe kjo tentativë për punën e cenimit të partitokracisë është vetëm e pjesshme. Eshtë si lufta ndaj Covid-it: synohet të lehtësohen pasojat, por jo të goditet Shkaku. Dhe shkaku merr gjasa për t’u shëruar me një reformë të gjerë kushtetuese.

Nga ana tjetër, a besoni se mazhoranca do të miratojë ndryshime kushtetuese pa konsensus të gjerë politik dhe, nëse miratohen, çfarë rreziku ka kjo për prishjen e paktit politik e rikonfigurimin politik të Parlamentit të 2021-shit?

Poli i tretë nuk është as i fortë, as serioz dhe as imponues. Ka legjitimitet formal, por jo legjitimitet moral. Eshtë thjesht qesharak në thelb, por e bëjnë të fortë dhe tmerrësisht serioz disa rrethana. Duke nisur nga prania në Parlament dhe vota që ka në dispozicion. Në demokraci edhe mjeku, edhe pacienti, edhe akademiku, edhe budallai, edhe murgesha, edhe prostituta, kanë të njëjtën cilësi vote. Largimi i opozitës nga Parlamenti është një faturë që Basha e Kryemadhi do të vazhdojnë ta paguajnë edhe më tej e, ndoshta, edhe me parakomprometimin e rregullave të lojës në zgjedhjet e 2021-shit dhe vetë rezultatin e tyre. Kjo opozitë rivlerësohet edhe më shumë, sepse kjo është ajo që i intereson vetë Ramës. I cili tani është në pozitën klasike të atij që mund të gjuajë mbi këdo, duke hedhur gurin dhe duke e fshehur dorën mbas kurrizit të Murrizit.

Lexo edhe :  Sulmet e Iranit ndaj Izraelit, reagon kryeministri Rama

Nga ana tjetër, a besoni se mazhoranca do të miratojë ndryshime kushtetuese pa konsensus të gjerë politik dhe, nëse miratohen, çfarë rreziku ka kjo për prishjen e paktit politik e rikonfigurimin politik të Parlamentit të 2021-shit?

Për hir të kësaj bindjeje, Rama mund të pranojë disa humbje rresht. Duke filluar me opozitën parlamentare që do t’i “imponojë” listat e hapura. Duke iu “nënshtruar këtij vullneti, duke rrezikuar edhe marrëveshjen e 5 qershorit në rast ekstrem, duke rrezikuar edhe një krizë me ndërkombëtarët e Tiranës dhe duke humbur pra, në këtë negociatë katërpolare, Rama fiton shanse të papërballueshme për t’i fituar zgjedhjet. Dhe në Shqipëri fituesi i merr të gjitha. Edhe dashurinë e ndërkombëtarëve!

Pse debati për lista të hapura kandidatësh u hap kaq vonë, kur Këshilli Politik që prej janarit e kishte si çështje në tryezë dhe asnjëra nga palët e mëdha nuk shprehu interes për këtë çështje, çfarë loje politike po luhet me “listat e hapura”?

Ky është rasti klasik kur dukja gënjen dhe thelbi është tjetër kund. Ky nuk është debat për hapjen e listave, por për mbylljen e koalicioneve. Nuk ka filluar tani. Shihni disa deklarime të Damian Gjiknurit, duke nisur nga dimri i këtij viti, kur thotë se nuk është e drejtë që vetëm mazhorancës t’i vihen kushte. Sepse edhe ata në një moment të caktuar mund të thoshin fjalën e tyre për koalicionet. Dhe siç thoshte po Gjiknuri, këshilla e vetme që i kishte dhënë Rama për negociatat, ishte që të mendonte për paranojat e djeshme të socialistëve në opozitë. Tani loja duket më e qartë: socialistët janë të gatshëm të ofrojnë gjithçka, me kushtin e ndalimit të koalicioneve. Sepse koalicionet komprometojnë pothuaj pakthim shanset e tyre. Listat e hapura janë ambalazhi. As Rama nuk do të donte të ishte i kushtëzuar, qoftë dhe fare minimalisht, nga votuesi i panjohur shqiptar. Është si në një marrëdhënie dashurie që pritet të shkojë në martesë. Për shkak të bijës se adhurueshme, duhen mbyllur sytë para vjehrrës së urrejtshme. Ose anasjelltas!

Si e vlerësoni rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë politike, a duhet të ketë një presion më të drejtpërdrejtë të tyre në mbrojtje të marrëveshjes së 5 qershorit, e cila ishte produkt i investimit direkt të diplomacisë së huaj?

Në 5 qershor nuk u firmos as Bibla dhe as Kurani. Madje, teksti ishte më pak edhe se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Vlera e vërtetë e marrëveshjes ishte që pati marrëveshje. Si e tillë ajo nuk është tabu. Rama do të tentojë të bëjë të pamundurën që edhe të mbrojë 5 qershorin, edhe të sigurojë listat e hapura, pra, të shmangë koalicionet parazgjedhore. Në të kundërt, sado i fortë të jetë presioni i ndërkombëtarëve, ai e ka gjetur tashmë mbrojtjen e tij. Kurrizi i Murrizit, qëndrueshmëria me shqipe të përmirësuar e Rudinës, Ralfi që e tremb, Kerpërata që ka votë sovrane, Kryenaltmadhnija në tentativë që i “con haber tek shpia” e të gjitha këto arsye, do t’i detyronin kritikët e kryeministrit të mos grindeshin me të për mustaqet e Çelo Gjuzit. Secili nga këta veç e veç, vlen më shumë se Lulzim Basha që është jashtë Parlamentit. Thjesht fare, ata kanë atë që kryetari i opozitës nuk e ka më: votën formale.

Kush kujton foton triumfuese të Bashës te dera e Kryesisë së Kuvendit kur dorëzoi mandatet, kupton se nga momenti i përdhunimit të arsyes e deri te pagesa e faturës, duhet të kalojë shumë kohë. Vitin tjetër në verë, para dhe pas zgjedhjeve, mund të shihet portreti i vërtetë i monstrës që lind kur, në emër të dashurisë, arsyes i hiqen br…ekët me dhunë e dhëmbë!

 

SOMARIO

“Edhe kjo tentativë për punën e cenimit të partitokracisë është vetëm e pjesshme. Eshtë si lufta ndaj Covid-it: synohet të lehtësohen pasojat, por jo të goditet Shkaku. Dhe shkaku merr gjasa për t’u shëruar me një reformë të gjerë kushtetuese.  “ /Ra.My. Fjala.al/

Të fundit

Dalja befasuese e Henry Winter një shenjë e evolucionit të thyer të mediave të futbollit

Shkrimtari i Times ndoshta gjëja më e afërt që gazetaria e futbollit kishte me një personazh të famshëm, por...

Arsimi ishte lehtësisht i arritshëm për personat me aftësi të kufizuara gjatë Covid

Pandemia tregoi se mësimi në distancë është efektiv. Është absurde që universitetet po kthehen në procese që na përjashtojnë Rosie Anfilogoff Rruga ime për në universitet...

Kharkiv rrezikon të bëhet ‘Alepo i dytë’ pa ndihmën e SHBA-së

Banorët e qytetit të dytë të Ukrainës tregojnë për ndikimin e sulmeve në rritje ruse që synojnë periferitë dhe furnizimet me energji elektrike Dan Sabbagh/...

“Rroftë vdekja”, makabri mes dashurisë dhe urrejtjes

Nga Leonard Veizi "Rroftë vdekja" Togfjalëshi bombastik, që më pas u kthye në një sentencë gati stilistike por krejt inorganike, u lëshua si predhë nukleare a...

Lufta e brendshme/ Basha “xheloz” për forcën e Bardhit

Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha i ka quajtur deputetët e PD-së që janë pjesë e Rithemelimit si “bubat” e kryeparlamentares Nikolla. Mandati i...

Lajme të tjera

Web TV