Sot në Kuvend/Çfarë fati e pret marrëveshjen e 5 qershorit?!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një pakt i firmosur në ambasadën amerikane më 5 qershor do të votohet sot në Kuvend, në formën e ndryshimeve në kodin zgjedhor, por zbatimi i saj është në rrezik.

Ndryshimet kushtetuese që pritet të bëhen 1 javë më vonë, rrëzojnë këtë marrëveshje në pikën ku u dhemb të gjithëve; listat e hapura, rrjedhimisht ndalimi i koalicioneve parazgjedhore.

Një skemë që përkthehet si formula e fitores në 2021-shin. PS-ja kërkon t’i heqë me çdo kusht, ndërsa opozita me çdo kusht kërkon t’i ruajë. Çfarë loje po luhet me këtë marrëveshje dhe Kushtetutën, dhe cili do të jetë roli i ndërkombëtarëve në këtë krizë të re politike?!

Analizojnë për gazetën “Fjala” Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Leonard Karaj.

Nga Blerina Gjoka

 

Një letërkëmbim i denjë për librat e Markezit ka shënuar jetën politike dy ditët e fundit. Dhe pse të gjithë e dinë se çfarë duan dhe çfarë do të bëjnë, vijojnë t’i shkruajnë kundërshtarit për të treguar se ka mbetur akoma një portë nga mund të hyjë drita e një dialogu e, në rastin më të mirë, e një kompromisi. Kryeministri Edi Rama ka vendosur në një marrëveshje me një grup deputetësh që i përkasin opozitës në Kuvend, të ndryshojë Kushtetutën në një nen të vetëm, ku preket sistemi zgjedhor. Analistët e kanë parë këtë ndryshim si një taktikë ligjore që tenton të ndikojë drejtpërdrejt në kalkulimet elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit. Hapja e listave të kandidatëve, që imponon në vetvete dhe bllokimin e koalicioneve parazgjedhore, shihet si një formulë bllokuese, në mos shkatërruese, për mundësitë e opozitës që të fitojë zgjedhjet. Opozita aktuale forcën e saj elektorale e sheh te bashkimi i disa partive si PD, LSI, PAA, PDIU etj.., por një listë e hapur e përbashkët, do të krijonte probleme të mëdha brenda koalicionit në zgjedhjet e reja. Nga ana tjetër, kjo formulë besohet se i jep Partisë Socialiste, të kryesuar nga Edi Rama, që të shpresojë dhe për një mandat të tretë.

Marrëveshja e arritur më 5 qershor nga të gjitha palët politike, nuk e ka parashikuar një gjë të tillë, por ndryshimet kushtetuese që Rama mbështet, duke faktorizuar deputetët e opozitës së re parlamentare si një palë vendimtare, e bëjnë të mundur këtë. Për të kënaqur opozitën e vërtetë jashtë Parlamentit, Rama ka vendosur të votojë sot në Kuvend marrëveshjen e 5 qershorit, për ta “rrëzuar” atë vetëm një javë më pas, në 30 korrik, me ndryshimet në Kushtetutë. Dhe deri në atë moment ai po kërkon dialog në tryezën e Këshillit Politik, një organizëm ekstraparlamentar ku ulen të gjitha palët dhe që u besua se e mbaroi misionin e tij në 5 qershor. Opozita nuk ka pranuar të ulet dje në këtë tryezë, duke pritur votën e sotme të Kuvendit për marrëveshjen që ajo mbështet dhe ka firmosur. Ajo shpreson fort që në krah të ketë partnerët ndërkombëtarë, që ta ndalojnë Ramën ta “grisë” këtë marrëveshje një javë pas miratimit, pasi ndryshimet në Kushtetutë, nëse miratohen, do të kërkojnë rishikimin e saj në disa nene.

Një votues i thjeshtë zor se e kupton se çfarë po ndodh realisht në selitë e partive politike, të cilat i kanë zënë ethet e fitores së zgjedhjeve të ardhshme.

Gazeta “Fjala” sjell për lexuesin një forum debati, ku analistët e politikës tentojnë të shpleksin pikërisht këtë lëmsh deklaratash, nismash ligjore dhe të sqarojnë lojën e vërtetë që luhet në skenën politike aktualisht.

 

Flasin për gazetën analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi, Leonard Karaj dhe akademiku Apollon Baçe

 

Intervista

 

 Lorenc Vangjeli: Rama lëshon gjithçka vetëm që të heqë koalicionet

 

Politika është futur në një ngërç të ri, ndërsa u duk se marrëveshja e 5 qershorit i kishte dhënë zgjidhje të paktën reformës zgjedhore. Si e parashikoni zgjidhjen e këtij ngërçi, çfarë fati do të ketë marrëveshja e 5 qershorit? Sa i fortë besoni se është poli i tretë, siç e quan Rama, opozita e re që të bllokojë votimin e saj?

Ai që quhet ngërç për eufemizëm, në fakt, është krizë. Krizë e thellë. Që nuk ka nisur dje dhe as nuk ka për të përfunduar nesër. Kjo lloj krize është dëshmia e qartë e modelit të gabuar që ka ndërtuar politika më vite më Shqipëri.

Që ka prodhuar një gënjeshtër të madhe, një doping publik, që kur mbaron efektin, që kur shuhet brohorima e rezultatit të marrë nën efektin e tij, e lë të dërrmuar të gjithë shoqërinë. Në tri dekada politika nuk ka mundur ende të “shpikë” ato mjete e mekanizma që do të krijonin atë vetë. Që do të sendërtonin një klasë politike normale. Jo të jahstëzakonshme. Jo të mbinatyrshme, por thjesht normale.

Ende mbas 30 vjetësh nuk ka sistem karriere, nuk ka hierarki vlerash, nuk ka garë reale dhe normale individësh. Ka vetëm një partitokraci të ngulitur që nuk do ndryshim, por vegjetim. Eshtë e padurueshme që Tirana politike e sotme të mos ngrihet dot mbi nivelin e shokut Rita, të mos jetë më pak qesharake se trashëgimia e shokut Hekuran dhe të mos befasojë më shumë sesa shoqja Lenka.

Ndonjëherë helmi është aq i madh, sa nuk i ndihet shija, kutërbimi është aq i rëndë, sa nuk kuptohet më, e zeza aq e thellë, sa nuk bie më në sy. Dhe Ritat, Hekrat dhe Lenkat e sotëm, të veshur me Versace e të larë me Ralph Lauren dhe Hermes, bien pak në sy, por janë edhe më pak se ta. Për ta shpjeguar më mirë, mjafton të diskutohet për dy kategoritë e shumëdiskutuara si elefantë në vitrinë porcelanesh, të përzgjedhur të kryetarëve, të pasurit dhe tipat me shumë emra.

Pse do të duheshin ata në Parlament? Të parët për të paguar. Politika është bërë gjithmonë e më e shtrenjtë. Partitë janë krijesa që kanë nevojë për gjithmonë e më shumë fonde. Çfarë marrin nga shteti, është një minimum që nuk del për asgjë. Donacionet normale apo kuotat e antarësisë janë në nivele totalisht minimale. Të qenët në opozitë është jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe është aritmetikë e thjeshtë: politika rekruton ca të pasur që janë donatorët e fshehtë të saj.

Në këmbim është vendi në Parlament dhe ata marrin më pas me tenderë, favore të ndryshme apo para publike atë që kanë parapaguar më parë. E kanë hapur ndonjëherë gojën në Kuvend, qoftë në të majtë, qoftë në të djathtë pjesëtarë të kësaj kategorie? Të jesh i pasur nuk është krim, siç mendon shpesh opozita e djathtë komuniste në Shqipëri. Krim është përdorimi i tyre dhe shndërrimi në pesha në fytin e gjithë shoqërisë shqiptare. E njëjta logjikë edhe për ata me disa emra.

I marrin në Parlament si makina elektorale, por kjo është një nga gënjeshtrat që nuk e besojnë më as ata që i kanë shpikur. Nuk është rastësi që kjo kategori parlamentarësh është bërthama e gabuar e Parlamentit. Dhe nga Parlamenti rrjedhin të gjitha pushtetet në Shqipëri. Nga ajo lloj ADN-je groteske nuk mund të priten krijesa normale më pas, as në ekzekutiv e as në administratë.

Edi Rama ka kapur kalin e tij të ri të betejës. Listat e hapura, vlejnë apo jo, e zgjidhin apo jo problemin, e ngrejnë apo jo nivelin e Parlamentit, janë përgjigje për shqetësimin publik, i cili, ka bindje se keshtu siç është, nuk shkon më tej. Por edhe kjo tentativë për punën e cenimit të partitokracisë është vetëm e pjesshme. Eshtë si lufta ndaj Covid-it: synohet të lehtësohen pasojat, por jo të goditet Shkaku. Dhe shkaku merr gjasa për t’u shëruar me një reformë të gjerë kushtetuese.

Nga ana tjetër, a besoni se mazhoranca do të miratojë ndryshime kushtetuese pa konsensus të gjerë politik dhe, nëse miratohen, çfarë rreziku ka kjo për prishjen e paktit politik e rikonfigurimin politik të Parlamentit të 2021-shit?

Poli i tretë nuk është as i fortë, as serioz dhe as imponues. Ka legjitimitet formal, por jo legjitimitet moral. Eshtë thjesht qesharak në thelb, por e bëjnë të fortë dhe tmerrësisht serioz disa rrethana.

Duke nisur nga prania në Parlament dhe vota që ka në dispozicion. Në demokraci edhe mjeku, edhe pacienti, edhe akademiku, edhe budallai, edhe murgesha, edhe prostituta, kanë të njëjtën cilësi vote.

Largimi i opozitës nga Parlamenti është një faturë që Basha e Kryemadhi do të vazhdojnë ta paguajnë edhe më tej e, ndoshta, edhe me parakomprometimin e rregullave të lojës në zgjedhjet e 2021-shit dhe vetë rezultatin e tyre. Kjo opozitë rivlerësohet edhe më shumë, sepse kjo është ajo që i intereson vetë Ramës. I cili tani është në pozitën klasike të atij që mund të gjuajë mbi këdo, duke hedhur gurin dhe duke e fshehur dorën mbas kurrizit të Murrizit.

Nga ana tjetër, a besoni se mazhoranca do të miratojë ndryshime kushtetuese pa konsensus të gjerë politik dhe, nëse miratohen, çfarë rreziku ka kjo për prishjen e paktit politik e rikonfigurimin politik të Parlamentit të 2021-shit?

Për hir të kësaj bindjeje, Rama mund të pranojë disa humbje rresht. Duke filluar me opozitën parlamentare që do t’i “imponojë” listat e hapura.

Duke iu “nënshtruar këtij vullneti, duke rrezikuar edhe marrëveshjen e 5 qershorit në rast ekstrem, duke rrezikuar edhe një krizë me ndërkombëtarët e Tiranës dhe duke humbur pra, në këtë negociatë katërpolare, Rama fiton shanse të papërballueshme për t’i fituar zgjedhjet. Dhe në Shqipëri fituesi i merr të gjitha. Edhe dashurinë e ndërkombëtarëve!

Pse debati për lista të hapura kandidatësh u hap kaq vonë, kur Këshilli Politik që prej janarit e kishte si çështje në tryezë dhe asnjëra nga palët e mëdha nuk shprehu interes për këtë çështje, çfarë loje politike po luhet me “listat e hapura”?

Ky është rasti klasik kur dukja gënjen dhe thelbi është tjetër kund. Ky nuk është debat për hapjen e listave, por për mbylljen e koalicioneve. Nuk ka filluar tani. Shihni disa deklarime të Damian Gjiknurit, duke nisur nga dimri i këtij viti, kur thotë se nuk është e drejtë që vetëm mazhorancës t’i vihen kushte.

Sepse edhe ata në një moment të caktuar mund të thoshin fjalën e tyre për koalicionet. Dhe siç thoshte po Gjiknuri, këshilla e vetme që i kishte dhënë Rama për negociatat, ishte që të mendonte për paranojat e djeshme të socialistëve në opozitë.

Tani loja duket më e qartë: socialistët janë të gatshëm të ofrojnë gjithçka, me kushtin e ndalimit të koalicioneve. Sepse koalicionet komprometojnë pothuaj pakthim shanset e tyre. Listat e hapura janë ambalazhi.

As Rama nuk do të donte të ishte i kushtëzuar, qoftë dhe fare minimalisht, nga votuesi i panjohur shqiptar. Është si në një marrëdhënie dashurie që pritet të shkojë në martesë. Për shkak të bijës se adhurueshme, duhen mbyllur sytë para vjehrrës së urrejtshme. Ose anasjelltas!

Si e vlerësoni rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë politike, a duhet të ketë një presion më të drejtpërdrejtë të tyre në mbrojtje të marrëveshjes së 5 qershorit, e cila ishte produkt i investimit direkt të diplomacisë së huaj?

Në 5 qershor nuk u firmos as Bibla dhe as Kurani. Madje, teksti ishte më pak edhe se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Vlera e vërtetë e marrëveshjes ishte që pati marrëveshje. Si e tillë ajo nuk është tabu.

Rama do të tentojë të bëjë të pamundurën që edhe të mbrojë 5 qershorin, edhe të sigurojë listat e hapura, pra, të shmangë koalicionet parazgjedhore. Në të kundërt, sado i fortë të jetë presioni i ndërkombëtarëve, ai e ka gjetur tashmë mbrojtjen e tij.

Kurrizi i Murrizit, qëndrueshmëria me shqipe të përmirësuar e Rudinës, Ralfi që e tremb, Kerpërata që ka votë sovrane, Kryenaltmadhnija në tentativë që i “con haber tek shpia” e të gjitha këto arsye, do t’i detyronin kritikët e kryeministrit të mos grindeshin me të për mustaqet e Çelo Gjuzit. Secili nga këta veç e veç, vlen më shumë se Lulzim Basha që është jashtë Parlamentit. Thjesht fare, ata kanë atë që kryetari i opozitës nuk e ka më: votën formale.

Kush kujton foton triumfuese të Bashës te dera e Kryesisë së Kuvendit kur dorëzoi mandatet, kupton se nga momenti i përdhunimit të arsyes e deri te pagesa e faturës, duhet të kalojë shumë kohë. Vitin tjetër në verë, para dhe pas zgjedhjeve, mund të shihet portreti i vërtetë i monstrës që lind kur, në emër të dashurisë, arsyes i hiqen br…ekët me dhunë e dhëmbë!

 

SOMARIO

“Edhe kjo tentativë për punën e cenimit të partitokracisë është vetëm e pjesshme. Eshtë si lufta ndaj Covid-it: synohet të lehtësohen pasojat, por jo të goditet Shkaku. Dhe shkaku merr gjasa për t’u shëruar me një reformë të gjerë kushtetuese.  “

 

Plator Nesturi: Rama po kërkon të jetë protagonisti i vetëm në lojë

 

Politika është futur në një ngërç të ri, ndërsa u duk se marrëveshja e 5 qershorit i kishte dhënë zgjidhje të paktën reformës zgjedhore. Si e parashikoni zgjidhjen e këtij ngërçi, çfarë fati do të ketë marrëveshja e 5 qershorit? Sa i fortë besoni se është poli i tretë, siç e quan Rama, opozita e re, që të bllokojë votimin e saj?

Nuk e shoh situatën se tashmë është krijuar ngërç politik. Ngërçi ka nisur që nga koha kur opozita ka braktisur mandatet e saj në Parlament dhe çka vjen më pas është thjesht absurde dhe e pandeshur në asnjë vend tjetër të botës demokratike. Ajo çfarë perceptoj është se çka po ndodh këto ditë, që janë dhe ditët e fundit të funksionimit të Parlamentit për këtë sezon, nuk ka të bëjë se cili do të jetë fati i marrëveshjes së 5 qershorit, apo ca më pak, ajo me opozitën parlamentare.

Gjykoj se e gjithë kjo amulli po shkaktohet për protagonizëm. Dhe kryeministri do që të mbetet pikërisht ai protagonist, (në mos i vetëm, kryesor), Të jetë ai si protagonist në ide, në iniciativa politike qoftë edhe me ndryshime kushtetuese, por mbase edhe protagonist në terheqje, duke hequr dorë në momentet e fundit, për të lënë në fuqi marrëveshjen e 5 qershorit.

Vini re se sa ironi ka ndërsa krijohet ideja se Ramës do t’i duhet të zgjedhë midis marrëveshjes së 5 qershorit dhe marrëveshjes së para dy ditëve me Murrizin. Ramës, pra, i duhet të zgjedhë midis opozitës në rrugë dhe atyre që ka në Kuvend?! Të dyja kanë të njëjtën peshë valente?

Lexo edhe :  Qendër e re administrimi në Vaqarr/ Rama: Hapësirë multifunksionale për të gjitha moshat

Ky është humor veror e ku Rama përtall e nënqesh me të dyja palët. Basha mendoi se u bë protagonist, pas marrëveshjes së 5 qershorit, e në këtë rast kryeministri po i dëshmon se është lojtar që kontrollon gjithçka.

Që nga kushtet e lojës e deri edhe rezultatin. Sidoqoftë loja mbetet me opozitën, pasi ajo çfarë thoni për pol të tretë e që përfshnin tufën e deleve të humbura të listave të opozitës, nuk besoj se do të kenë ndonjë relevancë votash në përballjet që do të vijnë.

Nga ana tjetër, a besoni se mazhoranca do të miratojë ndryshime kushtetuese pa konsensus të gjerë politik dhe, nëse miratohen, çfarë rreziku ka kjo për prishjen e paktit politik e rikonfigurimin politik të Parlamentit të 2021-shit?

Nëse do të ishte për interesat e PS-së në përballjen e pritshme elektorale vitin e ardhshëm, natyrisht që ndryshimet kushtetuese do të përbënin një avantazh të madh. Kjo jo për hapjen e listave (që gjithsesi do të mbeten në 1/3 të mbyllura), por për ndalimin e koalicioneve. PS-ja mbetet partia me elektorat më të madh, edhe kur është në humbje, dhe kjo e vendos Ramën në pozita komode, pasi i takon atij të ketë të drejtën të formojë qeverinë. Koalicioni mund të maksimalizojë rezultatin pozitiv të një opozite PD -LSI që, gjithsesi, në këto vite ka pasur ulje e ngritje, përqafime, por dhe akuza në bashkëpunimin midis tyre.

Një koalicion parazgjedhor i vendos në një front të përbashkët në mënyrë të detyruar, edhe kur ka dyshueshmëri në qëndrimet e liderëve. Në këtë mënyrë, mungesa e koalicionit, ku secili do të garojë i vetëm e ku besimi i dyanshëm është skeptik, do të çojnë jo vetëm në përfitim elektoral për PS-në, por dhe në mundësinë e peshkimit paszgjedhor të njërës prej partive opozitare, për të krijuar koalicion qeverisës.

Nisur nga kjo, kryeministri nuk ka pse të mos e tentojë këtë. Në fund të fundit, ky është dhe test për vetë opozitën se sa këllqe ka për të mos e lejuar. A do të shkojë deri në fund Rama me ndryshimet kushtetuese? Kjo më së shumti do të varet nga reagimi i opozitës. Ndërkohë, vihet re se opozita thjesht po vëzhgon se si do të reagojnë ndërkombëtarët për prishjen e marrëveshjes, thua se nuk janë aktorë, por spektatorë të këtij teatri politik.

Pse debati për lista të hapura kandidatësh u hap kaq vonë, kur Këshilli Politik që prej janarit e kishte si çështje në tryezë dhe asnjëra nga palët e mëdha nuk shprehu interes për këtë çështje, çfarë loje politike po luhet me “listat e hapura”?

Çështja e listave të hapura është thjesht panoramike dhe, aktualisht, nuk ka ndonjë vlerë diskutimi. Ajo çfarë ka vlerë për zgjedhjet e ardhshme e që ndikon në to, nuk janë listat e hapura, por fakti a do të ketë koalicione apo jo. Çështja e listave është thjesht një diversion. Imagjinoni që nuk ka asnjë efekt. Nga 140 vende që ka Parlamenti, 1/3 e listës që do të jetë e mbyllur përkthehet në 47 deputetë. Pra 47 deputetët i cakton sërish kryetari te secila parti. Supozojmë se vetëm dy parti, PS dhe PD do të marrin mbi 50 deputetë, për partitë e tjera nuk ka asnjë vlerë lista e hapur e propozuar. Pra, e gjithë loja e listave të hapura për zgjedhjet e ardhshme do të ketë të bëjë vetëm me fatin e 10 emrave për deutetë dhe jo më tepër. Ndërkohë që edhe këta të 10 janë caktuar aty po nga të njëjtët kryetarë.

Si e vlerësoni rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë politike, a duhet të ketë një presion më të drejtpërdrejtë të tyre në mbrojtje të marrëveshjes së 5 qershorit, e cila ishte produkt i investimit direkt të diplomacisë së huaj?

Opozita po beson se kjo do të varet vetëm nga ndërkombëtarët. Por nuk e shoh kështu. Për çfarë do t’i bëhet presion Ramës për rregullat e një reforme zgjedhore? Me bllokimin e negociatave? Por bllokimi është shprehur indirekt prej kohësh. Ramën nuk mund ta detyrosh se do të bllokoj negociatat. Ramën mund ta detyrosh të ndryshojë vetëm me premtimin se do t’i hapim negociatat. Dhe ky është goxha ndryshim.

Leonard Karaj: “Tallja” e radhës, Rama nxjerr gështenjat nga zjarri me duart e Murrizit

 

Politika është futur në një ngërç të ri, ndërsa u duk se marrëveshja e 5 qershorit i kishte dhënë zgjidhje të paktën reformës zgjedhore. Si e parashikoni zgjidhjen e këtij ngërçi, çfarë fati do të ketë marrëveshja e 5 qershorit? Sa i fortë besoni se është poli i tretë, siç e quan Rama, opozita e re, që të bllokojë votimin e saj?

 

Personalisht, nuk shikoj asnjë ngërç procedural dhe ca më pak juridik. Pasi, nëse mazhoranca, me mbështetjen edhe të opozitës parlamentare (legjitime ose jo, gjithkush e konsideron si të dojë, por faktet janë kokëforta, pasi vota e tyre vlen…), do të kërkojë ndryshime kushtetuese që prekin thelbësisht kodin zgjedhor, kjo gjë teknikalisht është më se e mundur.

Nga ana tjetër, marrëveshja e nisur më 14 janar dhe përfunduar më 5 qershor, nga ana formale thuajse nuk preket fare, pasi në asnjë cep të kësaj marrëveshjeje nuk flitet për lista të hapuara apo ndalim koalicionesh parazgjedhore.

Dhe e tillë sikundër është, Rama dhe të tijët nuk e kanë aspak problem që ta votojnë në Kuvend ditën e nesërme (sot). Nga ana tjetër, askush nuk e ndalon dot Ramën të bëjë llogaritë e veta për t’u futur në zgjedhjet e radhës më i qetë e, pse jo, edhe më i avatazhuar. Politikisht, kush është ai kryetar partie që nuk punon që grupi i tij politik të mund t’i fitojë zgjedhjet e radhës(?!)

Ndaj, ashtu sikundër ka bërë me dhjetëra herë në të shkuarën, duke përdorur herë, Nanon, herë Berishën, herë Metën, por edhe Bashën, çfarë e pengoka sot që t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e Murrizit & CO (?!). Sakaq, nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë “pol të tretë”, pasi ky i fundit nuk është as pol. Nuk ka se si të jetë “pol” një grupim i cili ka qenë vijimësisht shtojcë, paradhomë dhe, pse jo, edhe tualet i mazhorancës.

Thuajse të gjitha ligjet e qeverisë janë miratuar pa më të voglin kundërshtim nga ky “pol-opozitar”, ndaj edhe në këtë rast, thjesht po përdoret në mënyrën më vulgare të mundshme nga kryeministri. Por në fund të ditës, juridikisht, vota e Murrizit vlen apo aq sot sa edhe dje, nën siglën e PD-së.

Ndaj gjasat më të mëdha janë që marrëveshja e 5 qershorit sot të kalojë ashtu sikundër është, dhe në këtë rast Rama “u bën qejfin” qejfprishurve dhe në seancën e radhës, pas 7 ditësh, të vulosë atë skenar të parapëlqyer nga ai, për gjoja lista të hapura, por që më e rëndësishsmja është se ndalojnë koalicionet parazgjedhore.

 

Nga ana tjetër, a besoni se mazhoranca do të miratojë ndryshime kushtetuese pa konsensus të gjerë politik dhe, nëse miratohen, çfarë rreziku ka kjo për prishjen e paktit politik e rikonfigurimin politik të Parlamentit të 2021-shit?

 

Jam i bindur se Rama do t’i shkojë deri në fund idesë së tij, e cila siç e theksova edhe më lart, mund të mos jetë e moralshme, por është legjitime, nëse do të votohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë, konsensusi i gjerë për këto ndryshime është po aq i kuptueshëm sikundër edhe në 2008-n. Edhe në atë kohë Rama dhe Berisha nuk denjuan që të dëgjojnë zërin gjithëpërfshirës, aq sa Ilir Meta bëri grevë urie në Parlament.

Pse nuk u dha atëherë konsensusi i gjerë politik dhe u dashka të bëhet tani(?!) Sot për sot, nëse pyet qytetarët, pjesa e më e madhe e tyre (ndoshta edhe në padituri), janë për lista të hapura, ndaj në këtë kontekst, duket se Rama është goxha komod, pasi ku ka konsensus më të madh sesa “konsensusi popullor”.

Sakaq, Parlamenti i 2021-shit, me shumë gjasë do të jetë më i mirë, të paktën krahasuar me aktualin, i cili me gjasë mban rekordin në 100 vjet parlamentarizëm si më i dobëti. Dhe pak rëndësi ka nëse aty Rama apo Basha do të jenë mazhorancë. Zor (për të mos thënë e pamundur), se PS-ja dhe PD-ja do të mund të krijojë një mazhorancë unike, sikundër ndodhi në 2017-n.

 

Pse debati për lista të hapura kandidatësh u hap kaq vonë, kur Këshilli Politik që prej janarit e kishte si çështje në tryezë dhe asnjëra nga palët e mëdha nuk shprehu interes për këtë çështje, çfarë loje politike po luhet me “listat e hapura”?

 

Sepse askush nuk i ka dashur listat e hapura. As Rama dhe as Basha. Madje, Rama nuk i do as tani, përderisa po hap listën vetëm për ata që dihet se nuk fitojnë. Por debati u hap tani, për faktin se Rama ka kuptuar më së miri në referencë të sondazheve të vazhdueshme që bën, që opozita e bashkuar e lë me shumë pikë pas mazhorancën aktuale. Ndaj heqja e koalicioneve parazgjedhore i jep vetvetiu PS-së një avantazh të mjaftueshëm, sa teorikisht të jetë parti e parë dhe më pas të ketë mundësi të bëjë allishverishe me cilin të dojë (në atë pikë, LSI, PAA, PDIU etj., do të “luteshin” për pakëz pushtet).

 

 

Si e vlerësoni rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë politike, a duhet të ketë një presion më të drejtpërdrejtë të tyre në mbrojtje të marrëveshjes së 5 qershorit, e cila ishte produkt i investimit direkt të diplomacisë së huaj?

 

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Ç’të mbjellësh, do të korrësh”! Nëse ndërkombëtarët e kanë përkëdhelur me tepri gjatë gjithë kësaj kohe Ramën (kanabis pa fund, koncensione tejet të dyshimta, korrupsion i dukshëm, pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, borxhi publik alarmant, dhe asnjë reagim, apo deklaratë e fortë kundër qeverisë), normalisht, sot janë në kulmin e tekave të këtij të fundit. Ndaj në këtë kontekst, janë thuajse të dorëzuar përpara kryeministrit. SHBA dhe komuniteti evropian janë investuar realisht shumë për marrëveshjen, por në fund edhe ata, më shumë sesa demokracinë dhe të drejtën, duan stabilitetin. Dhe jo pa qëllim Juri Kim theksoi pak ditë më parë: “Ne punojmë me atë që zgjedh populli shqiptar….”.

 

Listat e hapura? Forma më poshtëruese e poshtërimit të vullnetit të popullit

 

Nga Apollon Baçe

 

Dje (zyrtarisht) katër të vdekur, 115 të shtruar nga kovidi. Në realitet shumë më tepër. Gradualisht po lëmë pas progresionin aritmetik, duke iu afruar progresionit gjeometrik dhe Perëndimi që e njeh gjendjen reale po na i mbyll dyert e aeroporteve. Ky është kryelajmi ? Jo mor zotni, ky është një lajm i dorës së tretë. Lajm është marrëveshja e 5 qershorit.

Ndërkohë Edi Rama, për të cilin Kim Mehmeti thoshte kam frikë të hap frigoriferin se mos më dalë Edi Rama, nuk e ka më fare problem kovidin, por zgjedhjen e tij pas një viti. Kovidin ia ka lënë në dorë ministres luleshtrydhe, ndërkohë që kovidi nuk luftohet as me manaferra dhe as me luleshtrydhe, por me ministra mjekë. As me vjedhjen e qindarkave të tamponit. Jemi shteti i fundit në Evropë për tampona dhe i parafundit ka kryer 3 herë më tepër teste se ne.

“Edhe lekët për një dosje i marrin, edhe 100 lekë për një dosje e marrin e fusin në llogari”, shpërthen më kot Bujar Asqeriu. Karvani leh, qentë ecin para.

Pyesni nëse politika (nëse do quheshin politikanë Ballat dhe biondet e kooperativës), nuk është futur në ngërç: kur je brenda, nuk ke si të futesh brenda, kur je në ngërç, nuk ke si të futesh në ngërç. Ajo që shohim është vetëm një olimpiadë estradash kooperativash bujqësore. Por me çmim bilete tejet të lartë. Me çmimin e rakapjekjes drejt greminës.

Listat e hapura ? Forma më poshtëruese e poshtërimit të vullnetit të popullit. Në Dhiatën e Vjetër, te vizioni i Ezekielit, Ezekieli dëgjon një shungullimë shurdhuese dhe para tij zbret nga qielli perëndia ulur në fron qelibari. Anash tij qëndronin dy serafinë (nga ata engjëjt me 4 palë duar), detyra e të cilëve ishte vetëm të bënin fresk me gjethet e palmës dhe t’i përsëritnin pa ndalur. “Je i madh. Je shumë i madh. O sa i madh që je”.

Nëse je i pesti në listën e hapur, bëj ç’të duash, je i zgjedhur deputet. Nëse je i pesëmbëdhjeti në listë, bëj ç’të duash, nuk zgjidhesh dot deputet. Kjo të bën armik të çdo armiku të kryetarit. Që kap për fyti armiqtë e kryetarit dhe njëkohësisht demokracinë partisë së tij. Dhe nëse një parti nuk ka demokraci, nuk ka si t’i ofrojë demokraci popullit.

Paradoksi është se mbylljen e listave e kërkoi Rama një duzinë vjet më parë, dhe ai që kërkon t’i hapë listat është po Rama. U “ftillu” si thotë Elbasani ? Lenini, pati thënë për Stalinin që grabiste banka, “një halabak është i dobishëm, pikërisht ngaqë është halabak”. Falë halabakërisë ai i fitoi zgjedhjet dhe halabakëria në Kuvend u kthye në limon të shtrydhur dhe PD-ja e ndihmoi që t’i bënte dalje. A i duhen listat sot ? Kurrkund, ai e ka arritur stadin e despotit dhe nuk ka zot që e kundërshton. PD-së i duhen, Basha nuk është as Berisha dhe as Rama dhe karriget e para të PD-së (që nuk do të fitonin asnjëherë ballë për ballë) i duhen që të kontrollojë PD-në.

Ndërkohë për Ramën, ato janë çelësi për të hapur kutinë e Kushtetutës dhe ndalimin e koalicioneve. Me koalicione humb, pa koalicione fiton. Kompania çifute e sondimeve ia ka thënë qartë këtë.

Dhe kjo të shpie në panoramën me Bashën majë shkëmbit që pret që lumi t’i kalojë para kufomën politike të Ramës. Ndërkohë që nuk fryn asnjë frymë. Në zgjedhjet e 2005, ajo ndihej deri në “Stalingrad,” në zonën elektorale nr. 5 ku kandidoja. “Boll me këta. Nuk durohen më”. Sot një limonti totale. “Edhe këta si ne janë”, është slogani i ditës. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

 

 

 

Të fundit

Horoskopi i ditës, e premte, 19 Prill 2024/ Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

Dashi Kohët e fundit nuk keni pasur shumë fat në dashuri, por tani mund të filloni të rikuperoheni, ndaj hapuni...

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale të Europa League falë suksesit...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem, ja çfarë u ndodh këtyre 5 shenjave të Zodiakut

Më 20 Prill, Dielli kalon në Dem dhe fillon zyrtarisht sezoni i shenjës së dytë të kalendarit astrologjik. Kjo ditë do të sjellë ndryshime...

Çfarë është “mashtrimi i së ardhmes? Flamuri i kuq në një raport në çift

Është normale të imagjinoni një të ardhme me dikë që ju intereson, sidomos pasi takimi i parë ka shkuar shumë mirë dhe jeni në...

Lajme të tjera

Web TV