Të ndahet e ardhmja politike e personave nga e ardhmja e Kosovës 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ekrem Spahia*

Është një vlerë e spikatur e shqiptarëve të cilët, në çështje kombëtare, janë shumë të ndjeshëm. Në këtë kuadër, unë, si shumica e bashkëkombësve, kudo ku ndodhen, jemi të shqetësuar që e ardhmja politike e Kosovës, prej 21 vjetësh nga çlirimi dhe prej 12 vjetësh nga pavarësimi, mbahet peng edhe nga vetë politikanët e saj.

Ka më shumë se një shekull që bota e qytetëruar ka institucionalizuar, gjithnjë e më ashpër, dënimin e krimeve të luftës edhe të pas luftës. Gjyqi i Nurembergut është një rast klasik për të ilustruar se edhe në një luftë botërore, ku nuk mbetet shtet e njeri pa u përfshirë, dhe ku është shumë e vështirë të ndash shkakun e krimit nga ekzekutori i krimit, përsëri njerëzimi gjen instrumente për ta realizuar dënimin ndaj tyre.

Po aq klasik ishte dënimi i Millosheviçit dhe i kriminelëve të tjerë nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë spastrimit etnik në Kosovë, Bosnjë e në hapësira të tjera të ish-Jugosllavisë gjatë shpërbërjes së saj. Në këtë rast nuk ishte luftë botërore dhe, rrjedhimisht, identifikimi i autorëve të krimeve ishte më i lehtë. Sigurisht që kjo është një çështje ende e paezauruar, prandaj është në dinjitetin kombëtar të politikanëve të Kosovës të bëjnë detyrën e të mos reshtin që ky proces të shkojë deri në fund.

Kosova u përfshi në këtë luftë me një specifikë krejt unike. Është e njohur dhe e pranuar botërisht që ndaj saj u krye spastrim etnik masiv. Ky krim ndodhi pikërisht në fundshekullin e njëzetë, kur njerëzimi ishte dhe është shumë më i ndjeshëm. Prandaj, bota e qytetëruar, jo thjeshtë NATO, e ndëshkuan me luftë atë krim kundër njerëzimit. Ishte për herë të parë në histori që një luftë u ndërmor për arsye morale, jo për motive pushtimi, siç ka qenë historikisht motivi i luftërave. FARK-u dhe UÇK-ja ishin pjesë e këtij misioni, së pari, sepse duhet të vetëmbrohej si krah i armatosur i popullit dhe së dyti, sepse ky moral ishte në të njëjtën vijë me moralin e njerëzimit e të kombeve të qytetëruara, të cilat përfaqësoheshin nga NATO-ja.

Ishte luftë dhe, në luftë, përveç se zgjidhen çështje të mëdha, përveç se i shërbehet një morali të madh, sikurse ishte morali i FARK-ut dhe UÇK-së, mundet që mjegulla pas saj të jetë shfrytëzuar edhe për çështje të tjera, edhe për moral tjetër. Gjykata e Posaçme, e krijuar enkas për dënimin e këtyre rasteve edhe në Kosovë, një gjykatë e pranuar dhe e mbështetur nga pothuajse të gjitha partitë politike të Kosovës dhe e votuar me shumicë të cilësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka pikërisht këtë qëllim.

Ky është një rast unik që i bën nder Kosovës, popullit të saj dhe vetë klasës politike të saj. Këtij procesi i janë nënshtruar tashmë shumë politikanë e luftëtarë. Në këtë proces, që po e quajmë “veting” ligjor ndërkombëtar, është përfshirë tashmë edhe Hashim Thaçi – kontributor dhe drejtues në atë luftë dhe, po ashtu, udhëheqës për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës, aktualisht president i saj. Ashtu sikurse edhe Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe mbi 200 ish-pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Ajo që krijon dyshime për shkelje morali dhe ligjesh ndërkombëtare të luftës në këtë proces janë vrasjet pas mbarimit të luftës. Në një raport të Amnesty International, në vitin 2009, thuhej se rreth 800 vrasje kanë ndodhur gjatë një vale të zgjatur dhune ndaj pakicave etnike, por edhe ndaj anëtarëve të LDK-së në kohën kur pas largimit të forcave serbe, Kosova u vendos nën administrimin e OKB-së. Shumica e personave që thuhet se u rrëmbyen dhe u zhdukën nga ish-pjesëtarët e UÇK-së gjatë viteve 1998-2000 ishin serbë, romë ose shqiptarë të Kosovës të etiketuar si bashkëpunëtorë të Serbisë. “Anëtarët e Lidhjes Demokratike (LDK) u vranë gjithashtu nga luftëtarët e UÇK-së, të cilët e konsideronin “doktrinën pa dhunë” të LDK-së të barasvlershme me bashkëpunimin (me okupuesin)” – thotë një përfaqësues në misionin e OKB-së në Kosovë, në vitet 2000-2004.

Të gjitha mbeten për t’u vërtetuar dhe, me siguri, kjo është për të mirën e besueshmërisë kombëtare e ndërkombëtare të politikanëve në Kosovë. Por këtu ka domosdoshmërisht nevojë urgjente për të bërë një dallim që është më shumë se moral: krimet me prapavijë politike. Prej vitesh ka pasur një refren akuzash e kundërakuzash për vrasje të tilla në Kosovë. LDK-ja ka akuzuar në vazhdimësi PDK-në dhe Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), një strukturë e afërt me PDK-në, se qëndron pas vrasjeve të anëtarëve të saj. Ndërkohë, këto pretendime janë mohuar nga PDK-ja dhe ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli. Ish-kreu i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se gjatë dhe pas luftës, anëtarët e partisë që ai përfaqësonte u bënë objekt hakmarrjeje për shkak të qëndrimit politik.

Lexo edhe :  Vlora Marina, Rama ndan pamjet nga punimet në portin turistik

Akuza të tilla janë bërë, për shembull, në vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit – ministër i Mbrojtjes së qeverisë në ekzil, në një atentat, më 21 shtator 1998, në mes të kryeqytetit shqiptar, në Tiranë. Më 11 janar 1999 në Prishtinë është vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij. Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës dhe i degës së LDK-së në Klinë. Ish-presidenti Rugova është shprehur se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000. Në tetor të vitit 2001 është vrarë gazetari Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku – të dy truproja të ish-presidentit Rugova. Më 17 janar 2002 është vrarë deputeti i LDK-së, Smajl Hajdaraj. Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi, kryetar i Komunës së Therandës dhe i degës së LDK-së në këtë komunë. Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit. Më 8 maj 2000 vritet përpara shtëpisë së tij, në rrethana misterioze, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë, komandant Drini – Ekrem Rexha.

Pas luftës ka të dhëna të besueshme se ka pasur tentativa për atentat edhe ndaj vetë ish-presidentit Rugova. Po ashtu, ka qenë tentuar të vriteshin Ismet Arifi, më 3 nëntor 1999, Nezir Gara, më 25 shtator 1999, Gani Geci, më 19 tetor 2001, e të tjerë. Vetëm gjatë vitit 2000 u shpëtuan atentateve për vrasje tre zyrtarë të LDK-së: ish-deputeti Adem Salihaj, kryetar i Podujevës, Agim Veliu dhe Ejup Visoka.

E vërteta është se politikanët e Kosovës, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, kanë meritë që Kosovën e kanë sjellë në një moment vendimtar që lidhet me njohjen e plotë ndërkombëtare. Dhe sigurisht që ky proces do të vijojë, sepse është një politikë konstante dhe një interes gjeopolitik që kjo njohje të ndodhë. Procesin nuk e ndërpret thirrja që Gjykata e Posaçme i ka bërë presidentit të saj, Hashim Thaçi, dhe Kadri Veselit, apo që do të mund t’u bëjë edhe të tjerëve, për të sqaruar nëse këta janë të përfshirë, kanë mbështetur, kanë dijeni apo nuk kanë vepruar ndaj krimeve të luftës, veçanërisht atyre të kryera pas luftës.

Thirrja që kjo gjykatë u ka bërë apo do t’u bëjë politikanëve apo drejtuesve e pjesëtarëve të UÇK-së për të dëshmuar për krime lufte nuk është aspak aludim për të barazuar UÇK-në me këto krime. Sigurisht që politika serbe do të kishte interes dhe, madje, e ka nxitur procesin në këtë kahje, por nuk është politika serbe që e mbyll procesin. Këtë proces e mbyll Evropa demokratike, drejtësia e së cilës do t’i shkojë deri në fund morisë së krimeve të pambyllura, shumë herë më të rënda në numër dhe në egërsi, të kryera nga makina shtetërore serbe dhe organizatat paramilitare të paguara prej saj.

Ajo që u takon politikanëve të Kosovës është t’i dëshmojnëpopullit shqiptar të Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar pastërtinë e tyre në tri dimensione: dimensionin ligjor, dimensionin moral dhe dimensionin kombëtar. Por, në dallim nga dyshimet për krime të tjera, të cilat krejt natyrshëm do të zgjidhen e duhet të zgjidhen përmes dimensionit ligjor, dyshimet për krime me motive politike duhet të zgjidhen edhe përmes dimensionit moral e kombëtar, në kuptimin që të zbardhen, me qëllim që të mos mbajnë peng të ardhmen politike të Kosovës.

Duhet kuptuar një herë e mirë se është krim më vete që e ardhmja politike e disa personave, kushdo qofshin ata, të mbajë peng të ardhmen politike të Kosovës.

*Ish-deputet & kryetar i PLL-së

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

“Plas lufta” në burgjet e Ekuadorit/ Shkaktohen trazira, qindra të vrarë në pak kohë

Ky lajm u njoftua nga qeveria, ku zëvendësministri i sigurisë Lyonel Calderon tha se numri ishte i përkohshëm, pasi do të bëjnë një shqyrtimi...

Lajme të tjera

Web TV