Leonard Veizi posaçërisht për “FJALA”: Një përmendore për Mao Ce Dunin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje


https://youtu.be/ozsERYHd-lk
Nuk dua të besoj që, nëse do të bëhej një referendum për t’u lidhur në një konfederatë me shtetin turk, shtetasit shqiptarë do të votonin për bashkim-vëllazërimin. Në fakt, kanë kaluar më shumë se 100 vjet që kur fituam Pavarësinë dhe Porta e Lartë ka mbetur prapa në histori.

Po pse u nisa të bëj një shkrim të tillë?!

Sepse jo shumë larg në kohë, punë ditësh, në fakt, ca shqiptarë të afeksionuar pas Sulltanatit dhe haremeve, nderuan e vendosën lule në një pllakë përkujtimore të vendosur në kodrat e Liqenit Artificial, ku janë shkruar emrat e ushtarëve të rënë gjatë grushtit të shtetit në Turqi. Birinxhi… Pllakati ka nxitur plot polemika, madje ca kodoshë e thyen njërin cep të tij, por, gjithsesi, ka nja dy vjet që qëndron në po të njëjtin vend, ku hera-herës polici i zonës i hedh nga një sy se mos mungon ndonjë emër në apel nga asllanët që ranë në krye të detyrës për të mbytur grushtin e shtetit që u zhvillua 15 korrik 2016.

“Bir ona, bir sana”.

Pyetja është e thjeshtë. Domethënë… këta u vranë për Turqinë, jo për Shqipërinë.…? Se hakshe-hakshe është njësoj sikur në Stamboll të ngrihet një memorial për dëshmorët e Brigadës VI Sulmuese. Ama çë…

Eh ju gazetarët, se ç’kapeni pas ca vogëlsirave.

Epo ja, Erdogani na ka ndihmuar me ca para për të ndërtuar ndonjë xhami. Punët e Zotit. Po vetëm për xhami ama, se paratë e tjera të Turqisë shkojnë për të rregulluar mirëqenien e popullit serb. Besoj dihet kaq gjë. Kështu ka ndodhur edhe kur ishim bashkë nën një perandori. Ne furnizonin Portën me jeniçerë, ata si shpërblim na bënë nja dy ura. Dakord. Sa pa gjë… 50 për qind e dyshimit bie menjëherë. Tani, që të jemi të sinqertë deri në fund, paratë e Erdoganit janë pesë me hiç përpara ndihmës së Ozalit e Demirelit, apo Tansu Çillerit e Bulet Eçevitit që në vitet e errëta të Millosheviçit ishin gati t’i binin Serbisë me detashmentet e tyre, po të prekej kufiri ynë shtetëror. Këtu i ngre duart përpjetë unë. Por ta lemë mënjanë këtë çështje. Fundja brenda Republikës së Turqisë janë të gjithë. Po e bëjmë dhe një sy qorr.

Aferim. Ja ta gëzojnë memorialin, te kodrat e liqenit…

Mirëpo kjo hap shtegun. Domethënë atyre që na japin nga një dorë në malore u duhet larë nderi, qoftë dhe me një kokë bronzi në ndonjë shesh të kategorisë së tretë.

S’na mbetet gjë tjetër vetëm t’i marrim e radhë. Hapim listën.

Nëpër Tiranë gjen buste e shtatore heronjsh e burra shteti, nis me Ahmet Zogun për të vazhduar me Adem Jasharin, Ded Gjo Lulin, Qemal Stafën, ka një basoreliev për Vojo Kushin, e mbi të gjitha kemi monumentin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Po me këta tanët rregullohemi, se i kemi të shtëpisë e s’u mbetet hatëri hiç. Por kur vjen puna për figurat e huaja, duhet menduar pak, dhe duhet vlerësuar se për çfarë e meritojnë t’u vihet në dispozicion një skulptor e për t’u ngulur nga një bust në çdo lloj cepi të kryeqytetit shqiptar.

Fjala vjen, Uillsoni ka një statujë në një nga kryqëzimet më të njohura të Tiranës, pikërisht në Tiranën e Re. Po pse ndodhet aty statuja e një presidenti amerikan? Sepse Uillsoni mori në mbrojtje çështjen shqiptare dhe nuk lejoi copëtimin e vendit nga fqinjët që sot i kemi partnerë strategjikë, Italisë dhe Greqisë. Këtij i them burrë unë.

Ja ta gëzojë…

Sipas këtij arsyetimi, po deshe që shqiptarët të të bëjnë një kallëp bronzi duhet të kesh dhënë patjetër ndonjë një kontribut, por jo domosdoshmërisht me para.

Po ne kemi edhe nja dy buste të papëve, të Gjon Palit e Franceskut. Po këta çfarë kanë bërë për Shqipërinë?

Ama pyetje. Po e kruan me gjethe fiku më duket. Po kush është ai burrë shteti që bën xhap, pa marrë izën e Papatit. Edhe Trampi që është burrë zamani, s’pyet njeri e po lufton dhëmbë për dhëmbë me establishment-in e vjetër, nuk kruan dot as kokën pa marrë miratimin e Bergolios nga Argjentina. Pastaj të dy papët që i kemi nderuar me buste e kanë shkelur këtë tokë dhe e kanë bekuar. Iku dhe kjo punë.

Ja t’i gëzojnë edhe ata…

Po ne kemi pasur edhe buste e monumente të Stalinit. Do të thoni ju, çfarë kontributi ka dhënë ai për Shqipërinë? Krahasimisht me Leninin, që ka pasur po aq buste e monumente e që me shumë gjasa as që e dinte nga binte Shqipëria, Stalini na dha ca traktorë, ca vinça, ca makina riportabël, ca grurë dhe ca armatime. Ato që i kërkuam tek e fundit. Por na i dha atëherë kur desh po i binim këmbës, pra pas lufte. Pikërisht kur në depot e shtetit nuk kishte as një koçan kallamoq nga ata që hanë bagëtitë e jo më grurë që mund të bëje byrek. Por që e zhgrapi fare na bëri si dhuratë dhe një kombinat tekstili, i cili u montua në periferi të Tiranës, ku u ngrit një qytezë me emrin “Kombinat”, ndërsa vetë kombinati u quajt “Stalin”. Kështu e meritonte që m’u në mes të tij t’i ngrihej një shtatore bronzi diktatorit gjeorgjian të sovjetikëve.

Lexo edhe :  Lufta e Kosovës, koha kur u rishkrua historia

Epo e meriton kaq gjë. Ja ta gëzojë dhe ky…

Prit o prit, se e paske marr përpjetë sot. Stalini ka shkuar për skrap që këtu e yhyyyy…, d.m.th. monumenti. Një shtatore tjetër e tij rri si rojë prapa Galerisë së Arteve. Si i bëhet???

Djall o punë. Sot emrin e tij nuk guxon kush ta zërë me gojë, ashtu si emrin e Uillsonit gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri, as mendohej të përmendej dhe jo më t’i ngrihej gjithë ajo shtatore.

Epo mirë, varja Stalinit. Nuk humbëm ndonjë gjë të madhe. Veç 21-shit që na kujton datëlindjen e tij meazallah se ia heqim dot damkën. Kështu që u barazuam.

Epo, ta gëzojë 21-shin…

Kush na mbeti tjetër…? Kush është ai që e meriton ta ketë një statujë prej bronzi në kryeqytetin e shqiptarëve.

U… se desh harruam, është edhe Mao Ce Duni në tavë.

Po ç’ka bërë ky për Shqipërinë?

Pyetje me vend. Se nga mosnjohja bëhen gafa të mëdha. Po ja ta shkoqisim: në kohën e tij të artë, Kina mike i ka dhënë aq ndihma motër Shqipërisë, sa po të mos ishin bërë tanke e bunkerë lufte, apo rrush e kumbulla, siç thotë populli në zhargon, sot do t’i kishte Shqipëria bankat e Zvicrës dhe zviceranët me shumë gjasa do të zinin radhën në konsullatë për një vizë shqiptare. Gjatë kohës së Maos vaporët kinezë shkarkoheshin me mall e gjë në portin e Durrësit. Dhe na vinin nga Lindja e Largme veç orizit me shumicë dhe lapsat me ngjyra, lodrat për fëmijët, biçikletat që kishin një stampë ku reklamohej teoria e tri botëve e deri te bilbilat që policët të rregullonin trafikun e makinave të komunales. Pa u shkarkuan nga vaporët shumëtonësh me torno e freza. Pastaj u shkarkuan një tufë agregatesh për uzina. Dhe se fundi një shqelm bythëve dhe… Shoku Enver i shkroi një letër shokut Mao ku e bënte qepaze, se kishte shkelur parimet dhe doktrinën. Ja këtu të parimet nuk dua të ngatërrohem, se secili e di vetë ku i pikon çatia. Mirëpo ikën ndihmat, filluan triskat.

Hajde qyfyre, hajde.

Domethënë edhe këtij ia paskan shkrirë bustet.

Ç’thua ore. I shkreti Mao Ce Dun nuk ka pasur fare, as statuja e as buste në Shqipëri. Ai vetë po nuk ndihej në botë. Burrë pa naze tjetri. Kinez mo. Pastaj ne shqiptarët 20 vjet me radhë dhe emrin ia kemi thënë së prapthi mor jahu. Po vate kjo punë. Ndërsa për t’i vënë shenjën e barazimit të miliarda dollarëve që i hëngrëm e përjetësuam vetëm në një edicion pullash që i ngjisnin kalamajtë nëpër kartolina. Ja u mbyll me kaq.

Mirë po a e meriton Mao Ce Duni një monument në Shqipërinë tonë?

E meriton që ç’ke me të. Nëse ka ndonjë burrë shteti që e meriton ta ketë një monument në Shqipëri, ai është i timonieri Mao, më të madh si ai i komandant Enverit që ishte 8 metra mbi bazament. Se edhe Maoja e bëri një kërcënim ndërkombëtar, kur foli për ushtrinë kineze që nuk do të pyeste për shtete e kufij, nëse prekej Shqipëria. Dhe ec e t’u bësh karshillëk ushtarëve kinezë, të kam rixha.

Mirëpo çështjen e monumentit të Maos nuk e hedhim dot as për votim në forume. Se shqiptarët e traumatizuar nga dogma, do të qajnë e do të na qeshin. Ndaj e kanë më të lehtë të pranojnë nderet e vogla të Erdoganit dhe ushtarët e tij dëshmorë për çështje kushtetutshmërie, se sa Mao Ce Dunin me gjithë ndihmën e madhe që i dha vendit tonë në ditët aspak rentabël të kooperativizmit. Se me ritmet që kishim parimi “edhe bar do të hamë…” nuk do të ishte intensifikuar në ‘85-sën, por që pas viteve ‘60.

Fundja, mos e vrisni mendjen shumë për çështje monumentesh bronzi e bustesh në allçi. Paratë shkojnë e vijnë… Të kemi shëndetin.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

Lajme të tjera

Web TV