Intervista/Kardinal Ernest Troshani: Historia e jetës sime

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga studmet në kolegj, arrestimi për meshën për nder të John Kennedy dhe torturat në burgun e Spaçit. Një intervistë e rrallë për jetën e rrallë të kardinalit që dje fitoi një tjetër betejë me jetën pas një operacioni

Nga ROLAND QAFOKU

Në moshën 92-vjeçare kardinali shqiptar Ernest Troshani fitoi dje një betejë tjetër në jetën e tij. Ai iu nënshtua një operacioni kirurgjikal në një spital në Firence dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Por kjo është një nga shumë beteja që ai ka fituar në jetë. I dënuar për 27 vjet nga regjimi komunist për shkak se si prift kreu një meshë për presidentin e SHBA-së të vrarë, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh. Po cila është historia e jetës së tij. Më 18 tetor 2016, në moshën 88-vjeçare, pak ditë pasi Papa Françesku e emëroi kardinal në Vatikan, unë i mora një intervistë në emisionin tim politiko-shoqëror “Debati në Channel One”, në të cilin ai tregoi me detaje të gjithë historinë e jetës së tij. Nuk para ndodh që një intervistë të kthehet dhe ribotohet por ky është rast përjahstimor për shkak të historisë që mbart jeta e tij. Studimet kë kolegjin Franceskan, vuajtjet në komunizëm, arrestimin, revoltën në Burgun e Spaçit, urdhrin e Feçor Shehut për ta djegur të gjallë dhe torturat në burg. Por edhe lirinë dhe moment kur në Shkodër iu kthye meshës. Një intervistë që tregon një histori, por më shumë edhe një epokë vuajtjesh të një kleriku vërtetë të veçantë. E tillë ishte jeta e kardinalit të dytë shqiptar pas Mikel Koliqit, Ernest Troshani.

18 tetori është një ditë e rëndësishme për ju. 88 vjet më parë keni lindur. Ju uroj gëzuar ditëlindjen dhe shëndet të keni!

Faleminderit për urimin! Në fakt 18 tetori është një ditë e shënueme. Kam lindur më 18 tetor 1928. Ishte koha e Zogut kur nuk kishte regjistra të saktë dhe nëna ma ka lënë ditën e Zonjës së Këshillit të Mirë të Shkodrës. Ajo lutet dy herë për këtë ditë, më 26 prill, por si zakonin bujar që ka shqiptari në pranverë në prill nuk ka shumë ushqime dhe lutet edhe në vjeshtë më 18 tetor, sepse ka më tepër prodhime.

Si ndiheni 88 vjeç kur lajmin më të mirë në jetën tuaj e morët pak ditë përpa kësaj ditëlindjeje kur Papa Françesku ju zgjodhi kardinal?

Ka qenë impresion i çuditshëm. Më kishin vënë vendin tek Papa në mbledhjen. Ndenjëm bashkë gati një orë, smë ka zënë gjë në gojë. Më datë 9, po shërbeja në Itali, sepse kam qenë si gjithë të tjerët për shërbime fetare, kur më thanë që të ka dhënë Papa titullin e nderit kardinal. Nuk u besova as syve e as veshëve. Kur hapa celularin pashë të dhënat që dha radio Maria, me emër me të gjithëve. Atëherë u detyrova të besoja se ishte një emërim shumë i nderuar në një moshë shumë të shtyrë, pavarësisht se me shëndet jam shumë mirë.

Papa Françesku ju dha titullin Kardinal nderi. Tani ju jeni Kardinal nderi. A mund të na shpjegoni çfarë është ky titull?

Po. Pyetje e drejtë. Unë si kardinal nderi nuk mund të zgjedh kënd, por as nuk mudn të zgjidhem,  për shkak të moshës së avancuar.  Vetëm ata kardinalë që janë 80 vjeç e poshte votojnë, ata që janë mbi 80 vjeç nuk votojnë. Pra, unë marr pjesë në aktivitete të Vatikanitr, por nuk mund të votoj dhe të votohem.

A do të merrni pjesë ju Hirësi në aktiviotete të ndryshme në Vatikan dhe kur do të jeni atje?

Këtë nuk e di. Këto I vendos I Shenjti Papë. Por gjithmonë duhet të jem me detyrë për të ndriçuar shpirtrat e njerëzve në mënyrë që ata të jetojnë në harmon bashkë me të madhin Zot.

I nderuar Hirësi, veladoni I kardinalit është një simbolikë që juve ju dallon. Kur do tju shohim të veshur me këtë veladon?

Me petkun? Po. Më kishin thirrur dhe herë të tjera në Vatikan por edhe në qytete të tjera të Italisë. Para pak ditësh isha në Firence ku ka 50 mijë shqiptarë. Atje kam një nip timin, djalin e vëllait, o cili më shoqëroi. I mbajta dy fjalë për promovimin e librit që kishte bërë drejtori I azettes më të madhe të Vatikanit. Ndër personalitete të tjera të mëdhaja sihte edhe kardinali I Firences.  Mbajta dy fjalë për thjeshtësinë dhe të drejtën fetare që duhet të ushqejë çdo njeri.  Mbrëmë më mori në telefon nipi dhe I kishte thënë kardinali a mund ta ble unë petkun, I cili kushton rreth 1500 euro. Unë mbeta pa mend. I shpreh falenderimet më të madh.

Po nuk ua jep Vatikani petkun?

Se di.

Hirësia juaj Kardinal, a mund të na  tregoni cila është familja juaj?

Unë kam një vëlla. Është mjek. Jo pse është im vëlla por besoj se e di shumica e Shqipërisë se diagnozat që ka lëshuar ai janë të vërteta. Ai ka dy djem inxhinierë, njëri në Torino të Italisë dhe tjetri  në Gjermani dhe një vajzë, profesoreshë e gjuhëve të hauaj në Torino. Këta janë familja ime e ngushtë sepse familja ime e madhe janë të gjithë jerëzit. Unë kam qenë gjithmonë i të gjithë njerëzve në male, në lutje, në pajtime gjaqesh.

Keni qenë vëllezër e motra të tjerë?

Prindërit e mi, babi Im ka vdekur I dënuar në minierë në Spac më 1974. Nëna vdiq në 1981, edhe ajo ishte e dënuar. Kemi qenë 6 fëmijë, 3 kanë vdekur në moshë të vogël, fëmijë. Në vitin , 1989 vdiq I madhi në mënyrë të papritur nga infarkti.

Fëmijët e tjerë si kanë vdekur?

Ata të tre qysh në fëmijëri. Dy kanë qenë 2-3 vjeç, tjetri ka qenë 21 vjeç. Vdiqën nga varfëria, si koha që ishte. I madhi vdiq në 89, pa dalë ende hapja e fesë.

Cili ka qenë momenti që vendosët ti përkushtoheshit fesë dhe përse e morët këtë vendim?

Duhet kuptuar thellë dicka. Feja është mësuesja e madhe e bashkimti të gjithë popujve, bashkimit të ideologjisë me qëllim begatinë dhe iluminimin e njerëzve. Për ti ndihmuar njerëzit të duan njëri tjetrin dhe Zotin në të gjitha mënyrat. Ky është synimi kryesor. Dhe tjetra, njeriu jeton në kushte që se di kur vjen as kur kalon në këtë jetë. Këtë boshllëk të madh e eleminon feja. Pastërtia dhe dashurai janë kryesoret nga virtytet. Këto kanë qenë arsyet që më bën ti përkushtohesha fesë.

Si është jeta e një meshtari si ju?

Si meshtar? I kushtuar krejt vlerave hyjnore dhe të jem sa më afër popullit në çdo vend për ti afruar saë më shumë tek drita e të madhit Zot. Bëj meshën, lutjet e posaçme, filloj shërbimet kur më thërrasin. me celular kudo që të jem.

E përdorni celularin për punët tuaj si meshtar?

Po, kam edhe facebook. Më thërrasin prej Amerike, Australie dhe ua bëj lutjet. Me facebook komunikoj me atA që ajnë larg në Boston , në Florida, në Firence, kudo që të jenë.

Cila ka qenë lutja më e veçantë që ju kanë kërkuar për tua bërë?

Feja duhet të shkojë aty ku nuk mundet shkenca, mjekësia, sepse feja është mrekulli. Nëse nuk është mrekulli ëshët ideologji që kalon dhe mbaron.

A keni qenë pjesë e ndonjë mrekullie që e keni lutur dhe ka ndodhur?

Mrekullinë e bën I madhi Zot, por na ka thënë krishti po ju jap pushtetin të shkelni mbi gjarpërinj. Fjalët e Krishtit, e birit të Zotit, shpëtimtarit të njerëzimit për ti dhënë paqen qetësinë shpirtërore, iluminimin njerëzimit.

Po ju vetë Hirtësi, nga lutjet tuaja, a keni parë që ka ndodhur ndonëj mrekulli të Zotit përshembull me ndonjë të sëmurë apo me dikë në nevojë?

Këto I bën Zoti, por janë me qindra.

A mund të na tregoni ndonëj histori?

Duhet të flasin vetë ata të cilëve u ka ndodhur. Ska kuptim të flas unë. Por mund ëtg them se ka pasur nëna që nuk kanë patur fëmijë, nuk i kanë ndihmuar mjekët e Londrës e vendeve të tjera dhe pasi kam bërë lutjen u është plotësuar dëshira brenda muajit.

Si ua kthejnë njerëzit në formë falënderimi?

Ajo është dhuratë e Zotit, jo e imja, edhe unë vetë habitem. Është nëna e krishtit që I bën këto mrekulli. Thjesht duhet të jenë të pastër . Moralin në qime të flokut, sta fal.

Sa të lidhur me Zotin janë shqiptarët?

Gjithkund ka të mirë fort dhe njerëz negativë. Aty ku është thjeshtësia e bujaria aty ëshët feja gjallë. Për bujari më kanë thirr në shërbiem në shumë vende. Bujarinë që ka shqiptari të tjerët nuk e kanë. E kanë, por shqiptarët e kanë diçka më të fortë.

Hirësi, a rrëfehen shqiptarët?

Po të gjithë. Bota moderne është drejt braktisjes së Zotit. Kjo është vërejtje prej qiellet kthehuni nga Zoti. Po ju tregoj një histori. Në Iran populli kishte braktisur fenë. Një profet u thotë kthehuni nga Zoti se brenda 4 ditëve po nu ku kthyet nga Zoti do të bjerë zjarr nga qielli dhe do të shfaroseni. Darius, mbreti I Persisë së atëhershme, urdhëron gjithë mbretërinë të kthehen Nga Zoti dhe Zoti I fali të gjithë.

Dihet tashmë Hirësi që në vitin 1967 ishte Shqipëria që e braktisi fenë. Çfarë I ndodhi si pasojë popullit shqiptar?

Duhet ti ndajmë gjërat. Shpirtërisht shqiptarët nuk donin ta braktisnin fenë. Një faktor vendimtar nga partia në pushtet ishte I detyruaar, por jo se e ka braktisur.

Hirësi, a mund të na tregoni momentin tuaj të arrestimit?

Unë jam arrestuar para se të mbyllej feja. U vra John Kennedy. Unë jam arrestuar 3 javë më pas natës kur bëra meshën në Shkodër për vdekjen e tij. Dy ishin akuzat, e para: I ke thënë popullit të duan Krishtin dhe e dyta isha I abonuar në një revistë sovjetike. E morën revistën, e çuan në gjyq për të përforcuar dënimin. Në fakt në meshë kishte plot njerëz, gjithë rinia, në Shkodër, në Barbullush dhe kudo. Kishte thënë Papa që të gjithë kishat katolike duhet të bënin një meshë për presidentin e parë katolik roman të SHBA-së.

Si e morët vesh lajmin e vrasjes së Kennedy-t?

Papa Pali 6, pasi Kennedy ishte I pari president katolik roman, të gjithë kishat bërnë meshë në nder të tij. Unë këtë meshë e kryeva si të gjithë të tjerët. Por për pushtetin e asaj kohe kjo ishte një arsye për të akuzuar për agjitacioni. Ata thoshin si e grumbullon ti popullin në kishë? Është fakt që çdo katund e I gjithë qyteti ka qenë në atë kishë, pra në nëntor  1963. Pas kësaj jam arrestuar.

Hirësia juaj Kardinal Troshani, a ju kanë torturuar gjatë qëndrimit në burg?

Sa isha në birucë, kishin dëshirë t’më bënin të flisja kundër fesë e eprorëve të mi. Por unë nuk e bëra këtë.

Ju jeni shprehur që një njeri iafërm juaji ka folur për ju dhe falë atyre që ai ka thënë te Sigurimi, juve ju kanë arrestuar.

I ka falur Zoti të gjithë për fenomenet që ndodhin. Kisha pastë mëshirë për të gjithë.

Si mund të arrijë një njeri  të falë atë që e ka futur në burg?

Krishti ka thënë të duam edhe armiqtë, ti falim e të lutemi edhe për ta.

A jeni lutur ju për armiqtë?

Po jam lutur.

Për kë jeni lutur? Jeni lutur për Enver Hoxhën?

Jam lutur.

Dhe si shkoi historia juaj pas spiunimit të njeriut të afërm?

Ai që foli për mua ishte mik, jo njeri I gjakut. Ishte major, ushtarak. Më kishin vënë mikrofon spiun dhe unë nuk dija gjë. Në një moment ky më thotë se këta ajnë kriminela duan të zhdukin kishën. Pastaj më pyeti ç’thua yi për ta? Unë iu përgjigja, po ti e ke një fije kulturë fetare, a nu kak thënë Krishti t’i falim armiqtë? Jeta ëshët e shkurtër. Unë dua ti shoh të gjithë në iluminimin që ka bërë gati Krishti. Zoti I uroftë udhëheqësit të punojnë për begatinë e popullit.

Hirësi a kanë ushtruar dhunë ndaj jush gjatë qendrimit në hetuesi dhe më pas në burg?

Në mënyrë që të flisja më shtrënguan prangat aq fort, sa të më fryheshin damarët dhe që të kaloja në infarkt. Në një moment e panë që po vdisja, më hodhën një kovë ujë të ftohtë dhe shpëtova, nuk vdiqa.

E mbani mend njeriun që të ka bërë këtë torturë?

Kanë kalaur 53 vjet. Janë të kaluara ato. Zoti I faltë të gjithë!

Nëse sot do ta kishit përballë këtë torturuesin tuaj çdo ti thoshit?

Gjithçka për mëshirën, për dashurinë, për të madhin Zot.

Autori I gjithë këtyre ishte Enver Hoxha dhe ju jeni lutur edhe për amrikun.

Janë të kaluara. Pastë mëshirë I madhi Zot. Historia flet vetë, ne si fe kërkojmë vetëm falje dhe mëshirë.

Si ishte jeta juaj e burgut?A kishte tortura të tjera për ushqim, për punë të rëndë?

Vetë fjala dënim I koncepton të gjitha këto. Për 3-4 vjet ishim në Rubik, më pas në Laç, më pas në Elbasan dhe pastaj në minierën e Spaçit. Atje punonim në galeritë e nëntokës dhe prodhonim bakër. Paga ishte 10-12 mijë lëkë në muaj me rrogat e asaj kohe por ne na jepnin vetëm 1-2 mijë lekë të vjetra. Paratë e mbetura nga rroga ime shkonin në ministrinë e Brendshme. Kur e çonin bakrin kishin një kontratë me çekët. Pasi mbaroi kontrata me çekët u lidh kontrata me Gjermaninë Lindore. Gjermanët në krye të vitit na sillnin 5 kuintal ar. Kur I pyesnin se çfarë ishte ky ar, ata shpjegonin se bakri ynë kishte edhe përmbatje ari dhe sasinë që dilte nga ajo që ua jepnim ne ata nuk e mbanin sepse kontrata ishte vetëm për bakrin. Por ndryshe nga Gjermanët, çekët e mbanin arin deh nuk na e ktehnin.

Lexo edhe :  Reagojnë diplomatët/ Akuzat ndaj SPAK, ambasadat kundër Metës

Hirësi, a ju takonte njeri në burg?

Po, familja.

Çfarë ju sillnin në burg?

Nuk kishin ç’na sillnin familjet. Por ushqimi ishte i mirë.

Sa vite punuat aty?

Aty kam punuar gati 12 vjet. Ishim 600 vetë, të burgosur, hynim dilnim si kokrra e mollës të gjithë. Na ruajti I madhi Zot, është dora e Zotit.

A i kryenit në burg të gjitha ritet fetare gjatë ditës?

Unë bëja meshën latinisht, 20-25 minuta në qeli, sepse në galeri ishte e pamundur.

Në 1973, në burgun famëkeq të Spaçit u krye një revolt. A ishit ju pjesë e kësaj revolte meqënëse ndodheshin aty?

Në maj 1973 u bë një farë gjoja revolte. Mua më akuzuan se prifti I ka ngritur peshë të burgosurit. Feçorr Shehu që ishte ministër I Brendshëm, I kishte kontrolluar të gjitha, na mblodhi të gjithëve dhe ka thënë “të djegim gjallë Dom Ernestin”. Unë isha dënuar me 12 djem të tjerë katolikë me akzuën se kishim organizuar revoltën . Po rata I thanë nuk kiemi frikë askënd por mos e dënoni Dom Ernestin për ëkto letra, për këto shpifje. Atëherë më ra nga shpatullat dhe më dha dorën. Për të dytën herë më ka shpëtuar I madhi Zot nga pushkatimi dhe dora e Feçorrit.

Ishit pjesë e asaj që të hiqnit yllin nga flamuri?

Unë vetë u habita.

Me cilët të burgosur të tjerë që tashëm njihen në publik keni qenë aty?

Ka ndonjë tek tuk të rrallë, se jam munduar që edhe në burg të rri larg se atëherë të kapte Sigurimi dhe të pyeste se çfarë kishim biseduar, çfarë keni thënë e të tjera si këto.

Hirësi, a ke pasur frikë kur ishit në burg?

Në Spaç kur kam qenë unë, ka pasur djem të rinj, që në dëshpërim I kanë thënë rojes “më vri”. Të rralla, këto lloj historish por kanë qenë.

Si u ndjetë kur qeveria organizoi ceremoni dhe vetë kryeministri Edi Rama ju priti në Rinas kur erdhëet nga Vatikani pasi morët titullin kardinal?

Unë kreva shërbimet si gjithmonë atje në Vatikan dhe Itali, pastaj u ktheva për të vazhduar shërbimet këtu. Kur zbrita në Rinas më thanë prit se kemi pak punë, unë prisja të vinte ndonjë gazetar, por kur pashë kryeministrin u habita. E falenderova, ne jemi të gjithë vëllezër, bij të të madhit Zoti.

Hirësi si ka mundësi që në historinë e shtetit shqiptar nga 33 kryeministra ne nuk kemi asnjë kryeminsitër katolik. Edi Rama, aktuali është I pagëzuar por jo me prejardhje.

Nuk jam marrë kurrë me këto. Por çdo pushtet vjen prej Zotit.

Brezi im kemi patur fation të jetojmë dhe njohim tre Papë. Ndërsa ju keni njohur dhe jetuar në 4 papë. A keni ndonje vlerëzim për secilin prej tyre?

Unë kam njohur 4 papa.

Papa Françesku, Papa Benedikti I XVI, Papa Xhovani Paolo II, Papa Xhovani Paolo I. Papa Paolo VI.

xxxxxxxxxxxxxxxxxx

Sipas studiuesëve 4 papë kanë qenë me orgjinë shqiptare. A keni dnonjë koment për historikun dhe këtë lidhje të shqiptarëve me papatin e Vatikanit?

Të them të vërtetën nuk jam në dijeni.

Kur do tju shohim me veladonin dhe kur do të jeni në Vatikan në ndonjë ceremoni?

Unë sdi gjë hiç. Pres udhëzime.

Cili është mendimi juaj për Papa Gjon Palin e Dytë.

Unë kam ndenjur me të në Vatikan, serioz, I dhimbshëm, shpirtmadh, ka bërë lutje të përgjithshme, ka bërë lutje për të gjithë, njeri I madh.

Po për papa Benediktin?

Kur mbusha 50-vjetorin e meshtarisë në 2006, më ka çuar dokumentin e bukur të urimit të madh.

Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, sin ë qiell ashtu edhe në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot, na I fal fajet tona si falim fajtorët tanë, e mos lër të biem në tundim, por na liro nga e keqja. Amin! Sa herë mund ta keni thënë gjatë jetës suaj këtë formulë?

Shumë më tepër se buka që ha dhe uji që pijmë. Duhet të lutesh të paktën 3 orë në ditë. E them të paktën 25 herë në ditë. Është mesha dhe lutja për popullin, që populli të dojë Zotin dhe të mbrohem nga tërmete, katastrofa.

Disa papë kanë fotografi me pëllumba. A keni pëllumba në kishën tuaj?

Unë zakonisht mbaj kanarina, sepse ato I ka pasur baba. Por pëllumbi tregon shpirtin e thjeshtë. Por çudi, zog kaq I bukur, por nuk këndon.

Por priftërinjtë nuk janë vrarë vetëm gjatë komunizmit. Edhe në kohën e Zogut është ekzekutuar me varje një prift I njohur si Dom Gjon Gazulli. Keni koment?

Se kam dëgjuar, por ka qenë kundër rrymës së Zogut. Smund të flas për atë që nuk di.

Çfarë është kisha për një shqiptar?

Vetë fjala kishë, do të thotë bashkim, të bashkohemi të gjithë , të kryejmë veprat e Zotit, të gëzojmë edhe të mirat e jetës, të harmonizojmë mendtë e të gjithëve për një shoqëri kompakte, me vëllazëri e dashuri për të gjithë.

Çfarë është Vatikani për ju? Keni përjetim të veçante kur shkoni atje?

Roma ishte baza e paganizmit botëror. Aty është shprehja e fjalës hyjnore. Njeriu ka nevojë për shpresë. Kjo botë nuk garanton asgjë. Duhet të duam tjetrin dhe do të kemi shpërblimin e madh që na pret të gjithëve.

A janë besimtarë të mirë shqiptarët?

Ka por ka edhe negativë.

Si është cilësia e jetës suaj, si jetoni dhe çfarë konsumoni dhe a do ndryshojë jeta juaj tani që u bëtë kardinal?

Nuk është puna se rritet grada kishtare dhe do ndryshojë diçka tek unë.  Unë dua të rri afër popullit, aty k ute jetë nevoja me e madhe, nuk dua të shes mend për bujari, por k y është misioni ynë.

Si jetoni ju dhe si është ekonomia juaj?

Po si të jetoj. Unë nuk kam as shtëpi.

Po ku jetoni?

Në shtëpinë ë vëllait. Kam jetuar 50 e ca vjet me qira më parë.

Në Shkodër kemi edhe kishën dhe xhaminë, edhe muslimanë edhe të krishtere, çdo methënë kjo për ju?

Jemi të gjithë bijtë e të madhit Zot, feja është bashkim.

A kemi realisht harmoni fetare ne në Shqipëri?

Rastis ndonjëherë atje ku jam unë. Të gjithë janë vëllezër dhe kanë harmoni të plotë, myslimanë e katolikë.

Si ka mundësi që ky popull ka harmoni fetare, por ne nuk merremi vesh për asgjë tjetër?

Këtu është drita e të madhit Zot, nuk shihet me sy, por ndihet me zemër.

Në këto 26 vite feja ka qenë e lirë, por nuk ka patur ndikim shumë të madh në shumë fenomene si vrasjet. Janë afro 7 mijë shqiptarë të vrarë nga viti 1990 deri më sot në ngjarje nga më tragjiket. Si ka mundësi që feja nu kea k ndalur?

E kam të vështirë të diskutoj për këtë fenomen. Po të ishte dëgjuar fjala e Zotit, për të dashur njëri-tjetrin, asnjë e keqe nu kdo të ndodhte.

A jeni për shkishërim të atyre që kanë bërë vrasje për gjakmarrje? Ka patyur një vendim të tillë para disa vitesh nga kasha katolike.

Unë nuk kam ndonjë dijeni, për pajtime gjaqesh po. Më ka ndodhur, kam pajtuar rreth 60 gjaqe.

Ju jeni nga Shkodra, një vend me traditë në besimin katolik. Po origjina juaj e largët nga është?

Edhe orgjina ime është nga Shkodra.

E ken injohur Imzot Rrok Mirditën?

Po, por nuk kam pasur kontakt me të. Me Hafizin Sabri Kocin e Shkodrës, 17 vite kam qenë në burg me të. Ishte burrë I mirë, I drejtë, I mirë.

Cili është mendim për kreun e kishës Ortokdokse Hirësinë e tij Anastas Janullatos?

Se kam parë kurrë. SdI ç’të them.

Në nëntor do shpallen martirë të fesë katolike 38 priftërinj shqiptarë që u vranë në komunizëm. Si e keni pritur këtë vendim të Vatikanit?

Fjala e Krishtit ka 2 mijë vjet. Ai ka thënë: si më kanë ndjekur mua, do ju ndjekin edhe ju, por mos kini frikë se unë e kam fituar botën. Dëshmoni vetëm me falje e dashuri. Shpërblimi vjen një ditë nga Zoti.

Përse ndër këta 38 nuk është emri I Patër Anton Arapit? A lidhet kjo me faktit që komunistët e akuzuan për bashkëpunim me gjermanët?

Mund të ketë edhe të tjerë, por unë nuk jam në dijeni. Meqë ra fjala për Patër Anton Harapin di vetëm këtë gjë që gjatë kohës që ai ishte regjent u ka thënë gjermanëve se nuk do të hidhte asnjë firmë për pushkatim të askujt. “Ne jemi vetëm për shpëtim” ka thënë ai. Më kujtohet se në vitin 1946 kur u pushkatua Patër Antoni, ishim duke u lutur, fiks në minutën që është pushkatuar ai, është dridhur dhe tronditur kisha në Shkodër.

Uau. Çfarë ishtye kjo? Vërtetë?

Po po e vërtetë. Isha aty unë në kishë. Janë dridhur muret e kishës kur po e pushkatonin. Gjashtë vite e kam pasur Patër Antonin drejtor të kolegjit Françeskan.

Ai u pushkatua në Tiranë në zonën e Kodrës së Priftit bashkë me Lef Nosin dhe kryeministrin shkodran Maliq Buishati, por eshtrat e tyre, pra edhe të Patër Antonin nuk janë gjetur. Por si ka mundësi që nuk është në listë e 38 mart9irëve të fesë katolike?

Se di përse nuk është në listën e martirëve.

Cila ka qenë marrëdhnia juaj me At Zef Pëllumbin?

Me padër Zefin kemi qenë bashkë në kolegjial, në shkollë. Pas arrestimit edhe atë e prunë në Spac. Në minierë e zbatonin ligjin, nuk hiqnin atë që kishin mbushur 50 vjec, ky ishte 55-60. E kanë mbajtur dhe rrinte aty. Unë kam qenë 38 vjeç kur kam punuar në minierë.

A mund të na tregoni ndonjë detaj nga miqësia juaj dhe jeta e burgut?

Nuk I jam afruar shumë se kishim frikë se na kapnin e na pyesnin çfarë keni folur. U kam ndenjur larg të gjithëve.

Ai popull që nuk mban të lidhur bijtë e vetë të këqinj është I destinuar të vuajë, ka thënë  At Zef Pëllumbit. Cili është komenti juaj për këtë thënie?

Gjithçka për t’i shërbyer amshimit.

E keni takaur Nënë Terezën kur ka ardhur në Shqipëri?

Kam qenë në një makinë me të gjatë vizitës në Shqipëri. Madje më kujtohet se ajo më ka nxjerrë vizën e parë për në Itali. Një nënë që përgatiti njerëzit shpirtërisht edhe në forma të tjera. U takuam me të dhe erdhi në shtëpinë tonë në Shkodër. Rra biseda se ishim thirrur në Vatikan dhe nënë Tereza ndërhyri dhe më nxori vizën. Ishte viti 1991 dhe ishte e rrallë një vizë për në Vatikan.

Keni qenë në meshën e parë në Shkodër kur u vendos rikthimi I lirisë së fesë?

Më kujtohet se mua më thirri kryetari I Degës së Punëve të Brendshme Dilaver Papare. Më mbajti nja 5 orë në Degë, në vitin 1990. Dikush I thotë pse e mbani. Erdhën nipërit e mbesat sepse menduan se do të më arrestonin. Më thanë se më thirrën për të më njoftuar se kisha do të hapet. U thashë faleminderit shumë, por unë jam prift I thjeshtë, spo hap dyqan, kjo është diçka shpiertëtore e gjithë popullit. Papare indirect më tha dil e thuaje moshën se të ruajmë ne. Nga ai moment nisëm organizimin dhe bëmë meshën e parë që nga viti 1967 kur ishte ndaluar.

Po të takonit Enver Hoxhën, cdo ti thonit për vuajtet tuaja dhe të popullit shqiptar?

Asgjë.

Ju tani jeni kardinal në Vatikan dhe po ju pyesim: A duhet ta njohë Vatikani Kosovën?

Kjo është një çështje që se di.

Si e komentoni shenjtërimin e Nënë Terezës?

Veprimtaria e njeriut në prizmin fetar është të shohi të lumtur. Shpirti I saj u nis nga Shqipëria në vendet më të humbura të çonte paqe, tek njerëzit që vuanin.

Ka pasur përjekje nga Sigurimi të bënte për vete priftërinj?

Janë çështje që unë nuk I di.

A jeni dakord që në shkolla të futet lënda e fesë?

Për atë që e do Zotin, duhet të ketë mësim për vlerat hyjnore, jetën e përtejshme, të duan Zotin dhe të promovojnë vëllazëri. Duhet patjetër, për të mësuar të mos bëjnë asnjë të keqe. Feja është mbrojtëse e jetës së njeriut.

Çfarë do ti uronit gjithë shqiptarëve?

Gjithçka është për të madhin Zot. Shenjtërim i Nënë Terezën për shqiptarin. Unë jam I vetmi që jam gjallë, në tërë ata që kanë qenë në kohën e parties së Punës. Shpesh më thonë shkruaj, ju them ka shkruar I madhi Zot, shkrimet tona nuk kanë asnjë vlerë. Unë vetë jam përpjekur të përcjell fjalën e Krishtit jo të shkruaj.

A ka shumë njerëz në Shqipëri që kanë shpirt të bukur?

Ky është misioni ynë kryesor, ti shohim të gjithë të bukur në shpirt, sepse shpirti jeton pa pushim.

Çfarë gjuhësh zotëroni?

Gjermanisht, italisht, frëngjisht, latinisht, greqishten e vjetër.

Si ka qenë politika këto 26 vite?

Ka qenë shumë e mirë. Liria fetare, statute etj. Flas për marrëdhëniet shtet-kishë.

Shqiptari rron më mirë tani apo më parë?

Nuk krahasohet me më parë.

Çfarë vesesh duhet të heqë populli shqiptar?

Duhet të binden të duan njëri-tjetrin në të gjitha mënyrat e të duan Zotin, ajo sjell ekonomi e gjithë të tjerat. Ne jemi shtegtarë, sot për nesër. Së pari të ndihmohet familja, pastaj të mos shkojë as fija e flokut dëm, të ndihmohen të varfërit dhe ata në nevojë.

Cili është urimi më I madh për shqiptarët?

Të njohin e të duan të madhin Zot.

Çfarë do tu thoni të pasurve dhe milionerëve në Shqipëri?

Gjithcka që kanë tua japin të varfërve, është vepër që s’ka fund kurrë./Fjala.al/

 

Të fundit

Vaji i peshkut, a është zgjidhja e duhur për stresin dhe depresionin?

Ekspertët janë të mendimit se suplementët e vajit të peshkut mund të lehtësojnë simptomat e depresionit në njerëz të...

Tre shenjat e horoskopit që u japin gjithnjë para borxh miqve

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

Meta sjell Llama 3: Çfarë ofron modeli më i ri i inteligjencës artificiale?

Meta Platforms ka lëshuar për përdorim versionet e para të modelit të tij më të ri të madh gjuhësor, Llama 3, dhe një gjenerues...

Sula ngre alarmin: Ulet numri i kafshëve në Shqipëri, po mbarojnë produktet vendase

Pak ditë më parë denoncova se si qumështi që vjen nga Hungaria po zëvendëson atë vendas dhe blegtorët në Shqipëri po braktisin fshatin e...

Burgoset fansja pasi përndoqi Harry Styles, i dërgoi 8000 letra

Një grua që i dërgoi këngëtarit Harry Styles rreth 8000 letra në më pak se një muaj, është burgosur. Myra Carvalho, 35 vjeçe, mbërriti...

Lajme të tjera

Web TV