Qytetërimet e mëdha lindin nga bashkëveprimi midis popujve

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Kujtim Mateli

Refleksione mbi novelën Zjarr dhe zjarr” të shkrimtarit Pandeli Koçi

Novela “Zjarr dhe zjarr” e shkrimtarit dhe kritikut të mirënjohur Pandeli Koçi, krijimtaria e të cilit njihet me emrin letrar Sazan Goliku, sjell artistikisht një periudhë të largët historike. Ngjarjet zhvillohen në Athinë, në shekujt IV-III para Krishtit. Një familje nga Onhezmi, emri i vjetër i Sarandës së sotme, zbret në Athinë, pas një fatkeqësie të rëndë që u ndodhi në qytetin e tyre. Djali i kësaj familjeje, Rukipeu, arriti të arsimohej në njërën nga shkollat filozofike të Athinës, me idetë e rëndësishme të autorëve antikë: Sokratit, Platonit Aristotelit, Haraklitit, Demokritit etj. Ishte koha kur në teatrot athinjote luheshin tragjeditë e mëdha të Eskilit, Euripidit, Sofokliut dhe komeditë e Aristofanit. Djaloshi i Kaonisë, idetë frymëzuese të këtyre autorëve i përtheu në një filozofi të re, e cila i dha mundësinë të krijojë vetë një shkollë filozofike që e bëri të dëgjuar në të gjitha mjediset intelektuale të Athinës antike. Baza filozofike e shkollës së tij mbështetej tek ideja se “lumturia është shpërblim i urtësisë, i kulturimit të mendjes dhe i zbatimit të virtytit”. Mirëpo kjo platformë filozofike vinte në kundërshtim me filozofinë e atyre që kërkonin ta edukonin e ta mbanin njeriun peng, të përgjunjur e të nënshtruar. Athina kishte tërhequr vëmendjen e shoqërisë së kohës, jo vetëm me shkollat e ndryshme, por dhe mjedisin e saj që kishte filluar të ndryshonte. Në novelën “Zjarr dhe zjarr” ky mjedis jepet në të gjithë diversitetin e tij. Me sheshe që u kushtoheshin perëndive, me rrugë të shtruara që të shpinin në qendër të qytetit ose në drejtim të shtëpive të pasura, shtëpi të vjetra me rrugica të ngushta që të çonin te shtëpitë e shtresave të varfra. Oborri i shtëpisë athinjote, i një familjeje të mesme jepet me oborr të bollshëm dhe me lule, të ndara në rreshta. “Dhomat ishin kaq të pastra, sa të vinte keq të shkelje i shkujdesur mbi mermer. Çdo orendi shkëlqente.” Në ditët e festave fetare, faltoret e Athinës mbuloheshin nga tymi i mishrave të pjekur, që i flijonin për perënditë. Njerëzit komunikonin me perënditë të cilave u përkushtoheshin nëpërmjet tempujve dhe faltoreve. Ishin çaste të rëndësishme në jetën e qytetarit athinas. Pas çdo flijimi a lutjeje, njeriu ndihej i lehtësuar dhe e fillonte me vrull jetën e tij. Athina shquhej për qendrën e saj ku mund të takoje njerëz të të gjitha niveleve. Në Agora do të gjeje poetë e filozofë, aktorë e pushtetarë, njerëz që diskutonin me pasion duke mbrojtur idetë e tyre. Njerëz që dyndeshin në dyert e teatrove. Do të gjeje dhe njerëz të rëdomtë që rriheshin me grushte në tregun e frutave dhe në atë të verës. Qyteti i Athinës kishte tregun e tij të skllevërve. Kapanone prej druri, pa dyer e dritare, mbushur me skllevër, të ndarë veças femrat dhe meshkujt, në një mjedis që kundërmonte nga era e keqe. Aty syri shikonte pamje të rënda. I damkosnin me vulë hekuri të skuqur në zjarr, shenjë që i bënte ata skllevër, duke i ndarë kështu nga jeta normale e shoqërisë njerëzore. Ata do të qëndronin pastaj, shumë poshtë nga njerëzit e tjerë që e quanin veten të lirë. Kundërshtari më i vendosur i shkollës së Rikupeut bëhet Hipalkimi, një pronar i pasur anijesh, i cili kishte ndjekur dikur një shkollë filozofike, por ishte njeri me vullnet të dobët për t`i thelluar dijet e tij, ndaj dhe u bë pre e argëtimeve të shthurura. Ai hapi një shkollë filozofike, por ndjekësit e shkollës së tij ishin fare të paktë. Ai shikonte me zili ndjekësit e shkollës së Rukipeut, duke përhapur në qytet lloj-lloj shpifjesh për të. Arrin deri atje sa dërgon në shkollën e Rukipeut një vajzë të paguar për t`i dhënë emër të keq shkollës së tij. Gjykata e Athinës, sipas thashethemeve që i përhapnin kundërshtarët, i ngre një akuzë se në shkollën e tij “shan zotat në sy të studentëve, predikon ide morale dhe nxit nxënësit për veprime të pahijshme, madje të turpshme.” Rikupeu arrin të mbrohet qetësisht duke ia rrëzuar akuzat gjykatësit dhe ai nuk u thirr në gjykatë asnjëherë tjetër gjatë gjithë jetës së tij. Duke medituar rreth punës së tij dhe atyre që predikonte në shkollë, arrin në përfundimin se në një pikë kundërshtarët e tij kishin thënë të vërtetën. Si ndjekës i Demokritit u kishte thënë studentëve se lënda është e përjetëshme, nuk është krijuar nga ndonjë zot dhe nuk ka nevojë për ndërhyrjen e tij, sepse burimin e lëvizjes e ka në vetvete. Goditjet kundër shkollës së Rikupeut nuk kishin të ndalur. Liku, njëri nga studentët e shkollës së tij ishte ngjitur te piedestali në sheshin e Apollonit dhe fliste kundër shkollës ku kishte mësuar vetë. Më në fund merr një nga librat e Rikipeut dhe e hedh në zjarr. Veprimet e kundërshtarëve të tij arritën kulmin kur i dogjën shtëpinë dhe bashkë me të dhe bibliotekën e pasur që kishte krijuar gjatë gjithë atyre viteve që kishte jetuar në Athinë. Novela paraqet luftën që bëhej mes shkollave të Athinës, jo vetëm si ide, por edhe në rrafshin ekonomik. Mbizotërimi i një shkolle mbi një tjetër si rezultat i ideve më përfaqësuese të mendimit përparimtar athinas, sillte natyrshëm dhe një numër më të madh ndjekësish të këtyre shkollave që rezultonte me një përfitim ekonomik më të madh se shkollat e tjera. Sjellja e një fryme të re në shkollat athinase ishte domosdoshmëri e kohës që diktohej edhe nga faktorët ekonomikë. Në këtë novelë jepen artistikisht përplasjet midis individëve dhe ideve filozofike. Personazhet që marrin pjesë në të paraqesin një botë të bukur dhe të gjerë shpirtërore. Ato i kundërvihen një bote të errët e të cunguar nga ligësia. Personazhet e kësaj novele janë skalitur me kujdes duke plotësuar njëri-tjetrin në një mjedis që u jep mundësinë të shfaqin personalitetin e tyre dhe të veprojnë lirshëm në atë që synojnë të realizojnë. Kiprina është një nga personazhet femërore e skalitur si karakter në mjediset e shkollës ku Rukipeu jepte mësim. Ajo nuk është e ndrydhur nga realiteti, as nga dashuria që i ka lindur në shpirt. Mirëpo njeriu që dashuronte dhe që ishte pedagogu i saj, nuk ishte i përgatitur për martesë. Ajo tërhiqet dhe mbyllet në vetvete. Në zbrazëtinë e krijuar trokasin përsëri zërat e jetës dhe ajo kthehet shpejt në përditshmërinë e saj. Karakteri i saj personifikon njerëzit që nuk mposhten nga goditjet, sado të forta e të ashpra të jenë ato. Edhe kur rrëzohen, dinë të ringrihen përsëri dhe të shpalosin para shoqërisë karakterin e tyre të vërtetë. Personazhi kryesor i kësaj novele, Rukipeu i Onhezmit, është i skalitur mjeshtërisht si karakter. Ai përfaqëson njeriun që jetën ia ka kushtuar dijes, duke sakrifikuar një pjesë të rëndësishme të jetës. Ai nuk martohet, kur njëra nga studentet e tij i propozon për martesë, duke gjykuar se mosha e tij ishte sa dyfishi i moshës së saj dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodhte, sepse cenonte parimet bazë mbi të cilën duhet të ndërtohet një familje. Edhe kur kundërshtarët e tij i djegin shtëpinë e bibliotekën, nuk e ndërpret veprimtarinë, përkundrazi ecën përpara më me guxim dhe numri i studentëve vjen vazhdimisht duke u rritur. Përplasjen mes shkollave filozofike të Athinës e shikonte si normalitet, si pasqyrim i realitetit të shoqërisë athinjote, e cila kishte filluar të lëvizte në horizontin e së ardhmes. Rukipeu i Onhezmit ndihej i plotësuar, kur shikonte që idetë dhe mendimet e veta i kishte mbjellë si farat e bimës në mendjen e njerëzve që vështronin drejt dritës. Dhe nuk mund të ndiente gëzim më të madh, kur njëra nga nxënëset e tij, Kiprina, e lajmëron se kishte çelur një shkollë filozofie dhe i kërkonte ndihmë për t`i dërguar disa libra. Në çastet e fundit të jetës, një student i sjell lajmin se në një nga rrugët që të çonte drejt kopshtit të shkollës së tij, po i ngrihej shtatorja. Kreu i fundit nuk është vetëm një përcjelljeje lamtumire, por një shpjegim i asaj që njerëzit i mban të lidhur me jetën tokësore, edhe kur njeriu largohet në drejtim të misterit që mbulon botën tjetër. Universi shpirtëror i popujve do të kishte humbur dhe ne nuk do të kishim mundësi të dinim asgjë rreth tij, nëse nuk do të ishin shkrimtarët dhe artistët që e përjetësuan dhe e përjetësojnë në veprat e tyre artistike. Novela “Zjarr dhe zjarr” sjell artistikisht një realitet historik i cili në kohën e vet të lulëzimit shenjoi një hap të rëndësishëm për shoqërinë njerëzore. Është koha kur njeriu filloi të artikulohet për ardhmërinë e vet dhe të njerëzimit. Kjo vatër drite e ndezur në Athinë mblodhi dijetarë nga tërë kjo hapësirë që sot quhet ballkanike. Zbritën aty nga Iliria e Dakia, nga Traka e Maqedonia dhe secili vend çoi atje shtratin kulturor të popullit të vet, duke i gërshetuar këto kultura me njëra-tjetrën. Mund të veçohet Aristoteli i Trakisë që me kulturën e tij të gjerë përgatiti një nga strategët më të mëdhenj të antikitetit, Aleksandrin e Madh të Maqedonisë dhe që andej, ai iu drejtua Athinës me vizione të gjera politike e filozofike që ndikuan jo vetëm mbi epokën në të cilën ai jetoi, por dhe në mijëvjeçarët në vijim. Athina ka meritën e madhe që i bashkoi këto kultura, u dha mundësinë dhe hapësirën këtyre dijetarëve të shpalosnin idetë e tyre, të cilat ndriçuan njëra-tjetrën dhe ndezën zjarrin e madh të qytetërimit athinas. Një nga këta dijetarë që zbriti nga trojet jugore të Ilirisë është dhe protagonisti i kësaj novele, i cili me idetë e tij e gjallëroi dhe vazhdoi mendimin filozofik të Athinës. Në novelë theksohet ideja se qytetërimet e rëndësishme nuk janë produkt i një populli të vetëm, por lindin nga bashkëveprimi midis kulturave që kanë krijuar popujt e një epoke të caktuar. Përçarja prodhon luftëra që zhdukin popuj dhe qytetërime, kurse e kundërta e saj, bashkimi dhe bashkëveprimi prodhojnë dije dhe kulturë, prodhojnë ide të rëndësishme që kapërcejnë kohët dhe bëhen shtrati ku do të ecë shoqëria njerëzore. Ndaj dhe qytetërimi i Athinës, i sjellë artistikisht në këtë novelë, përbën modelin e parë që ngriti shoqëria njerëzore për të ndërtuar një botë më të bukur dhe më të mirë./Fjala.al/

Lexo edhe :  “Fluturo tashmë me engjëjt”/ Elton Deda dedikim prekës për humbjen e regjisorit Pirro Mani

 

 


Të fundit

Rama tregon projektet shqiptaro-turke: Nga infrastruktura, sistemi i kontrollit me dron dhe fabrika e vaksinave

Kryeministri i vendit, Edi Rama ndodhet në Turqi për një vizitë dy ditore atje. Përmes një postimi në rrjete sociale,...

Përralla e udhëheqësit të domosdoshëm në PD

Në garën për kryetarin e PD-së Basha, edhe mbështetësit e tij po artikulojnë idenë se ai është një lider i domosdoshëm për PD-në, i...

Covid në Shqipëri/ Ja sa persona u infektuan dhe humbën jetën në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vijojnë të zbatojnë me përpikmëri rregullat për parandalimin e COVID19: Vendosni maskën mbrojtëse...

Gjaku i hardhucës mund të shërojë Covid 19, shkencëtarët: Proteinat e tyre pengojnë…

Një ekip kërkimor në një universitet në Tajlandë po heton për të parë nëse gjaku nga hardhuca mund të përdoret për të luftuar kancerin...

Tërmet i fortë në Greqi, lëkundjet ndihen në disa qytete

Një tërmet ka tronditur pasditen e sotme Greqinë. Mësohet se tërmeti ka qenë me madhësi 4.6 i shkallës Rihter. Tërmeti është shënuar në orën...

Lajme të tjera

Web TV