Arshi Pipa, çfarë thuhet në dosjen e “armikut të betuar”

113 563 lexime

77,509FansaPëlqeje

“Gjatë regjimit të Zogut, ai vetë dhe familja e tij e kanë simpatizuar atë regjim”. “Ardhjen e okupatorit e kanë pritur mirë familjarisht…”. “Mbas çlirimit të Shqipërisë familjarisht nuk mbajnë qëndrim të mirë. Arshiu dhe familja e tij janë treguar të pakënaqur…” Kështu shkruhet mes të tjerash në “Biografia e t’aratisurit Arshi Mustafa Pipa”, në raportet e hartuara nga oficerët e Sigurimit të Shtetit për Drejtorinë II dhe III, e që mbajnë gjithashtu siglën “Sekret”.

 Për të thuhet se ishte një disident i shquar. Dhe pa dyshim kjo ka shumë vlerë. Por jo më shumë sesa krijimtaria e tij dhe punimet shkencore që ka lënë në trashëgiminë e letrave shqip

 Nga Leonard Veizi

 

I çuditshëm muaji korrik. Ka nxjerrë në jetë dhe i ka marrë në brendësinë e tij të njëjtët emra, fizionomi njerëzore, e mendje të ndritura gjithashtu. Dhe pa dyshim është një rastësi e çuditshme. Nuk po dua të rreshtoj këtu ata që kanë lindur dhe vdekur në muajin më të nxehtë të verës. Por do të përmend vetëm dy raste: vetëm pak ditë më parë shkrova nja profil për Dhimitër Shuteriqin, që kishte vdekur në 22 korrik të vitit 2003 në Tiranë, por që kishte lindur gjithashtu në 26 të këtij muaji në Elbasan. Dhe nëse do të kishte pak më shumë fat, sot do të ishte 105 vjeç.

Dhe fill pas tij një tjetër kolos letrash, Arshi Pipa, i cili ka vdekur në 20 korrik 1997, larg atdheut, në Uashington, por që ditën e lindjes e ka më 28 korrik vitit 1920 në Shkodër. Dhe nëse do të ishte po aq me fat sa thamë më sipër, do të ishte 100 vjeç…

 

…Për të thuhet se ishte një disident i shquar. Dhe pa dyshim kjo ka shumë vlerë. Por jo më shumë sesa krijimtaria e tij dhe punimet shkencore që ka lënë në trashëgiminë e letrave shqip. Ditët e fundit të jetës i kaloi në Amerikën e largët, por hiri i trupit të tij u derdh në detin Adriatik. Ishte një amanet që e kishte lënë sa ishte gjallë. Dhe po sa qe gjallë, një tjetër amanet të tij e çoi po vetë deti në fund; gjithë arsenalin e bibliotekës së tij personale ia dhuroi qytetit të Shkodrës. Dhe ajo bibliotekw njihet si një pasuri me vlera të veçanta, jo vetëm për qytetin e tij të lindjes.

Pikërisht në këtë ditë të shënuar për Arshi Pipën, 100-vjetorin e lindjes edhe “Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991” ka bërë publike se dosja e tij është deklasifikimin nga lista “top secret” e arkivit. Zyrtarisht dosja nr. 273/A, 165/2A e Arshi Pipës është deklasifikuar me 07.05.2020, ndërsa “Autoriteti për Informim…” bën të ditur se të interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e saj, në përputhje me ligjin 45/2015.

Po çfarë thuhet pwrpmbedhtasi në materialet e publikuara tashmë. Thuhet se Arshi Pipa, si rrugë shpëtimi për Shqipërisë shikonte atë të hapjes së saj drejt Perëndimit dhe se kritikonte ashpër politikën e vetizolimit të saj prej krerëve komunistw. Pra, Arshi Pipa ka kërkuar në vitet ’60-’70 atë që ne shqiptarët e tjerw, brenda klonit, nisëm ta kërkonin në fund të vitit 1990 e në vazhdim: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

 

Dosja “Pipa”

Por cilat janë elementet përmbledhëse të kësaj dosjeje? “Autoriteti…” shkruan se në 28 korrik, 100 vjet më parë lindi në Shkodër Arshi Pipa, intelektual i mirënjohur, arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog me kontribute në jetën akademike të vendit dhe jashtë tij. Themelues të organit “Bota e re” të Lidhjes së Shkrimtarëve, Arshi Pipa me Mitrush Kutelin, të dy jokomunistë, më pas u dënuan me burg dhe u rigjetën në punën e rëndë për tharjen e kënetës së Maliqit. I arrestuar në korrik të 1947-s, Pipa e vuajti dënimin në kampet e punës së detyruar në vend, mes të cilëve, këneta e Maliqit, me shumë të dënuar të tjerë politikë. Nga Vloçishti e Maliqi, ai arriti të merrte poezitë e ferrit në SHBA, ku u vendos pas arratisjes në 1957, siç i kishte shkruar, në letra cigaresh, për t’i botuar më pas si “Libri i burgut”. Sot, e gjithë biblioteka dhe krijimtaria e tij i është dhuruar Muzeut Historik Shkodër. Arshi Pipa u mbajt në vëzhgim nga Sigurimi i Shtetit për 44 vjet. Drejtoria e Zbulimit Politik e çeli dosjen për ndjekjen e tij në 29.4.1960 dhe e mbylli në vitin 1992. Në dosje bëhet e qartë që Sigurimi mbajti në vëzhgim, veç tij, edhe 35 veta të rrethit familjar që jetonin në Shqipëri pas arratisjes së tij, po kështu, rrethin miqësor dhe kolegët në SHBA. Sigurimi i Shtetit e cilësonte “agjent të amerikanëve”, por vlerësonte se “është i mprehtë, i zgjuar, mjaft dinak dhe armik i betuar i joni”.

 

Raportet “Sekrete”

Në dosjen e Arshi Pipës gjen gjithfarë informacionesh ku shkruhet historia e tij familjare, si e një familjeje kundër regjimit komunist dhe veprimtaria e tij agjenturore në shërbim të amerikanëve.

Në një faqe të dosjes me siglën “Sekret” dhe titull “Analizë mbi bazushmërinë e përpunimit 2/A Arshi Pipa mes të tjerash thuhet: “Në përpunim është marrë me vendimin e datës 16.03.1979, me motivacion se: nga të dhënat rezulton se ka qenë agjent i amerikanëve dhe arratisja e tij në vitin 1957 është bërë me ndihmën e tyre. Në një sërë shkrimesh të tij në SHBA vjell vrer kundër pushtetit popullor. Flet shpesh në radjon “Zëri i Amerikës” dhe bën pjesë në grupin e intelektualëve të Nju-Jorkut që inkurajohet nga CIA.”

Lexo edhe :  Parashikim i errët: Të ardhurat për frymë të çdo shqiptari pritet të ulen me 270 euro

“Gjatë regjimit të Zogut, ai vetë dhe familja e tij e kanë simpatizuar atë regjim”. “Ardhjen e okupatorit e kanë pritur mirë familjarisht…”. “Mbas çlirimit të Shqipërisë familjarisht nuk mbajnë qëndrim të mirë. Arshiu dhe familja e tij janë treguar të pakënaqur…” Kështu shkruhet mes të tjerash në “Biografia e t’aratisurit Arshi Mustafa Pipa” në raportet e hartuara nga oficerët e Sigurimit të Shtetit për Drejtorinë II dhe III, e që mbajnë gjithashtu siglën “Sekret”.

Një raport tjetër të 28 janarit 1992, kur Sigurimi i Shtetit ishte ende në fuqi, i drejtohet Drejtorit të Drejtorisë II Gavrosh Muzaka, të hartuar nga punëtori operativ Ilia Zhulati dhe kryetari i Degës III Vangjel Lili. Në këtë dokument me siglën “sekret” thuhet se: “Është marrë në 2/A në vitin 1973 si agjent i zbulimit amerikan. Ka shkruar dhe propaganduar ashpër si antikomunist. Si rrugë shpëtimi për Shqipërisë shikon atë të hapjes së saj drejt Perëndimit. Ka kritikuar ashpër politikën e vetizolimit të Shqipërisë” Dhe për më poshtë raporti vijon: “Është i moshuar e sa më sipër vendosëm: Të hiqet nga përpunimi dhe të arkivohen materialet në dosjen e tij”.

 

Jetëshkrimi i shkurtër

Me origjinë ishte nga Libohova, por Arshi Pipa u lind në Shkodër. I ati, Mustafa Pipa, qe jurist i shkolluar në Stamboll. Vitet e para të arsimit i mori te Kolegji Saverian. Më tej në liceun shtetëror të Shkodrës. Studioi për filozofi në Universitetin e Firences. Disertacioni i tij, “Morali dhe feja te Bergson”, u paraqit më 1942 me të cilin mori gradën e doktorit në filozofi. Kthehet në atdhe ku u emërua mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës. Në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit për të vepruar në përputhje me politikat e regjimit komunist.

Dhjetë vite do t’i kalonte në burgjet e kampet e punës së detyruar. Në 1957-n u arratis për në Jugosllavi. Gjatë asaj periudhe përktheu në shqipe përzgjedhje nga poezia lirike latine. Në vitin 1958 emigroi në Shtetet e Bashkuara. Emërimi i tij i parë, në vitin 1960, ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë. Ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, dhe iu besua drejtimi i departamentit të gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira”.

Ka qenë pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s, dhe profesor i asocciuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njëjtën kohë, gjatë verës, jepte filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare. Po ashtu jepte leksione dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor. Në vitin 1966 drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi. Nga viti 1966, ka qenë në Universitetin e Minnesota-s dhe Minneapolis-it, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane.

U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi, në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese: Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë, përfshi seminaret Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe. U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve frënge dhe italiane: Simbolizmi francez dhe hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në letërsinë italiane. Me daljen në pension, u vendos përfundimisht në Uashington.

 

Nga krijimtaria

Korpusi i veprave të tij përbëhet nga 45 tituj. Në vitin 1944, atëherë vetëm 24 vjeç, Arshi Pipa themeloi revistën letrare me titull “Kritika”. Në numrin e tretë dhe të katërt të saj botoi, ndër të tjera, edhe një analizë të gjatë mbi poezinë e Migjenit.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, një përmbledhje lirikash që dëshmon një talent novator në shpërthim, e botoi në vitin 1944.

Të dytin, “Libri i burgut”, një përmbledhje liriko-epike, të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë, në vitin 1959.

Gjatë viteve të burgut u punua dhe “Rusha”, botuar në 1968, në Mynih, poemë epike me një subjekt të theksuar dramatik.

Po në Mynih, Pipa botoi më 1969 antologjinë poetike “Meridiana”, një përzgjedhje nga botimet e mëparshme dhe disa poezish të pabotuara, që tingëllojnë si testamenti poetik.

Gjatë viteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives”, vepër me rreth 900 faqe.

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”.

Ka botuar artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese i ka botuar në revistat e huaja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revievv”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Arshi Pipa ka lënë një trashëgim të pasur edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Një kontribut të veçantë përbën veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit dhe gjuhësisë. /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Video/Perëndim spektakolar i diellit në Karaburun

Pamje mahnitëse e natyrës shqiptare. Kjo pamje vjen nga Karaburuni ku duket një natyrë e qetë dhe një kombinim...

Horoskopi për nesër, 2 gusht 2020

Ky është parashikimi i horoskopit për ditën e nesërme, 2 gusht 2020 nga Paolo Fox Dashi Kjo nuk është koha ideale për dashurinë, do të ketë...

Brazili një nga vendet më të prekur nga pandemia, regjistrohen mbi 92 mijë të vdekur

Brazili është një nga vendet më të goditur nga koronavirusi, i cili regjistron një numër të lartë të të prekurve. Vetëm në 24 orët e...

Pushuesit kthehen nga plazhi, Policia e Shtetit jep detajet e qarkullimit

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për të gjithë pushuesit që janë duke u kthyer nga plazhi. Ajo ka apeluar drejtuesit e mjeteve për...

Greqi/110 raste të reja me koronavirus, ja zonat e prekura

Edhe Greqia duket se ka pasur sot një numër të konsiderueshëm të prekurish me koronavirus. Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik njoftoi sot për 110 raste...

Lajme të tjera

Web TV