Rrezikohet karantina e dytë,virusi prek politikën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në vend figurojnë mbi 1900 raste aktive me COVID-19, mes të cilëve zyrtarë, qeveritarë, si dhe personalitete të famshme. Janë deklaruar të infektuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetët e Kuvendit Ralf Gjoni, Eljo Hysko dhe Enver Roshi. Vendi rrezikon një izolim të dytë pas përmasave të frikshme të përhapjes. Trendi i përhapjes vijon me 4 vdekje dhe 117 raste të reja në 24 orët e fundit.

 

Nga Ina Allkanjari, Kesjana Balili

 

Koronavirusi nuk njeh kufij, COVID-19 tashmë qarkullon mes politikanëve. Virusi ka gjetur rrugën e tij në korridoret e pushtetit, duke infektuar politikanë të një profilli të lartë, të cilët po luftojnë betejën me koronavirusin të izoluar në banesat e tyre. Pandemia e koronavirusit është përhapur në të paktën 188 vende në botë, ndërsa rezultojmë më shumë se 16 milionë të infektuar. Shqipëria është një ndër vendet e cila vijon të ketë shifra ditore të larta për sa u përket rasteve të reja të konfirmuara me virus.

Në vend figurojnë mbi 1900 raste aktive, mes të cilave zyrtarë, qeveritarë, si dhe personalitete të famshme. Gjatë kësaj periudhe pandemie nuk kanë munguar raste të personave të infektuar, të evidentuar mes radhëve të institucioneve shtetërore dhe në administratën publike. Mes personave të prekur me COVID-19 është konfirmuar pozitiv ditën e djeshme dhe është karantinuar në banesën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Por virusi është futur tashmë edhe mes deputetëve të Kuvendit, ku mësohet të jenë të prekur Ralf Gjoni, Eljo Hysko nga PS-ja dhe Enver Roshi, që u fut nga listat e LSI-së. I pari që u infektua me COVID-19 ka qenë kreu i Ballit Kombëtar, deputeti Adriatik Alimadhi, i cili tashmë e ka fituar betejën me virusin dhe figuron i shëruar.

Pas konfirmimit të disa deputetëve me COVID-19, Kuvendi duket se ka marrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit, duke dezinfektuar ambientet e godinës. Gjithashtu, mësohet se Kuvendi nuk do t’i pezullojë seancat plenare, por ka vendosur të shkurtojë afatin kohor të diskutimeve, si dhe do të ketë reduktime te stafi i medias, punonjësve të Gardës etj. Shtimi i rasteve të reja me koronavirus dhe përhapja masive në vend me shifra alarmante, rrezikon rikthimin e karantinës.

Mjekë dhe përfaqësues të Komitetit Teknik të Ekspertëve apelojnë çdo ditë për zbatimin e masave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos rrezikojë kolapsin. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi ditën e djeshme se duke vijuar edhe gjatë korrikut e gushtit, pritet që numri i të infektuarve të jetë i lartë, pasi vatrat e infeksionit nuk mund të zhduken menjëherë. Brataj tha që, nëse mbajtja e maskës, e cila tashmë është bërë e detyrueshme në ambientet e mbyllura, do të respektohej kudo si rregull, për 3-4 javë do të vihej re një ulje e rasteve me COVID-19. Në lidhje me 3 deputetët që rezultuan pozitivë me Covid, Brataj theksoi se këto janë raste të ardhura dhe jo të shpërndara brenda Kuvendit. Sipas tij, një i infektuar me maskë në Kuvend, mund të infektojë, por jo të gjithë sallën, pasi distanca ka qenë e madhe, në një sallë të madhe.

7 politikanët e prekur nga COVID-19

 

 

1.Erion Veliaj

 

Ditën e djeshme u bë i ditur lajmi se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit. Ishte vetë kryebashkiaku, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale, lajmëroi se është prekur nga COVID-19. Veliaj shprehet se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe thekson se, pavarësisht kësaj, do të vazhdojë të punojë për Tiranën nga shtëpia.

“Miq, pas testit më njofuan se dola pozitiv nga COVID-19. Jam në gjendje të mirë shëndetësore, ashtu si edhe familja ime. Por, nga sot do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Tiranën nga shtëpia”, shkruan Veliaj.

Ndër të tjera, kryebashkiaku u bën thirrje qytetarëve të repektojnë masat e përcaktuara për parandalimin e përhapjes së virusit. Ndërkohë pas këtij lajmi, në Bashki është bërë dezinfektimi i ambienteve të godinës, ndërsa përveç Veliajt nga shtëpia po punon edhe stafi i afërt i kryebashkiakut, që ka pasur kontakte të ngushta me të. Pas publikimit të lajmit ku kryebashkiaku rezulton i prekur nga COVID-19, ka reaguar presidenti i vendit, Ilir Meta, i cili i ka uruar shërim të shpejtë.

Nëpërmjet një mesazhi në facebook Meta ka gjetur rastin të apelojë edhe për qytetarët.“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e bëra publike për mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancave fizike, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.” shkruan presidenti.

Lexo edhe :  Ulet lindshmëria tek adoleshentët

 

2.Bledi Çuçi 

 

Një tjetër politikan i cili është përballur me COVID-19 është ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Më 24 korrik, në një prononcim ekskluziv për grupin mediatik “FJALA” Çuçi bëri me dije se prej disa ditësh ndodhej i infektuar me koronavirus, ndërkohë që tani ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është drejt shërimit. Fatmirësisht, Bledi Çuçi nuk e ka transmetuar virusin tek asnjë anëtar tjetër i familjes së tij, të cilët gëzojnë shëndet të plotë. Ministri dyshon se e ka marrë virusin nga aktivitetet e tij në terren, për shkak se ka pasur një agjendë shumë të ngjeshur, duke vizituar shumë ferma dhe ka takuar shumë fermerë.

 

3.Fatmir Toçi

 

Ish-deputeti dhe botuesi i njohur i “Toenës” rezulton i prekur me virusin COVID-19. Në një njoftim që ka shpërndarë më 17 korrik, afër mesnatës, në faqen e tij në facebook, Toçi njofton publikisht se është prekur nga virusi. “Dua të njoftoj miqtë e mi, të afërmit dhe të njohurit e shumtë se pas disa hamendjesh e dyshimesh, për shkak të një gjendjeje dobësie shëndetësore vendosa të bëj provën e tamponit, nëse kjo vinte nga prekja e sëmundjes së shekullit, COVID-19.

Dhe rezultova pozitiv”, shkruan Toçi. Ish-deputeti në një postim të dytë të bërë më 25 korrik, njofton se gjendja e tij është e stabilizuar, edhe pse beteja e tij me COVID-19 vijon ende. Për fat të mirë, Toçi shprehet se familjarët e tij nuk kanë rezultuar si ai bartës të virusit.

Në përfundim të postimit, ish-deputeti shpreh mirënjohje për personelin e spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, për mjekët, specialistët e infermierët, ku, sipas tij, profesionalizmi, kujdesi dhe humanizmi i të cilëve janë shfaqja më dinjitoze e misionit që kanë marrë përsipër dhe i kanë kushtuar jetën e tyre.

 

4.Adriatik Alimadhi

 

Deputeti i Kuvendit, Adriatik Alimadhi, u konfirmua pozitiv me koronavirus në muajin mars. Lajmin asokohe e bëri publik vetë ai, në rrjetin social facebook me një foto nga shtrati. Në statusin e tij, ku njoftoi se ishte pozitiv, Alimadhi akuzonte kryeministrin Edi Rama për mungesën e infrastrukturës në spitale dhe për autoambulancën e rrënuar, e cila e kishte çuar për në Sanatorium, ku edhe bëri analizat.

Pas akuzave të ngritura drejt tij, Rama nëpërmjet një reagimi në twitter është shprehur se e mirëkupton deputetin për gjendjen në të cilën ndodhet, dhe i kërkon të ndjekë këshillat e mjekëve. “I uroj shëndet e shërim të shpejtë zotit Alimadhi dhe i mirëkuptoj fjalët e tij të tepërta, në kushtet në të cilat ndodhet, duke iu lutur të ndjekë këshillat e mjekëve e të mos mbistresohet për strategjinë e luftës, të cilën e vendosin ekspertët e shkëlqyer që kemi, jo ne politikanët!”, shkruan Rama. Më datën 27 mars gjendja e tij shëndetësore u rëndua dhe u shtrua në Spitalin Infektiv. Alimadhi qëndroi për rreth dy muaj në spital, ndërsa arriti ta fitonte betejën me sëmundjen.

5.Ralf Gjoni

 

Listës së politikanëve me koronavirus iu shtua ditën e djeshme deputeti i Kuvendit Ralf Gjoni.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë deputeti paraditen e djeshme. Në postim deputeti shkruan se pas tri ditësh temperaturë dhe gjendje gripale, bëri tamponin ku mësoi se ishte pozitiv. Deputeti shprehet se është mirë dhe drejt rekuperimit, ndërsa thekson se infektimi do ta kushtëzojë që të marrë pjesë pas dy ditësh në votimin për hapjen e listave.

“Gjatë dy javëve të ardhshme do të qëndroj në izolim total në shtëpi, për të mbrojtur të tjerët. Me sa duket, praninë fizike në javën më kyçe të angazhimit tim parlamentar, atë të hapjes së listave, do të ma mohojë një virus i padukshëm”, shkruan Gjoni teksa kërkon nga qytetarët të mbrohen, duke respektuar masat dhe të mos dalin pa maskë. Ai shton se do të qëndrojë i izoluar në shtëpi për dy javë. Gjoni ka qenë me temperaturë të lartë për tri ditë me radhë.

 

  1. Eljo Hysko

 

Deputeti i PS-së dhe kryetari i FRESSH-it, Eljo Hysko, ka konfirmuar për Fjala.al se është infektuar me koronavirus dhe se po qëndron i izoluar në shtëpi. Në një prononcim për gazetarët e grupit mediatik “Fjala”, Hysko deklaroi se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se po qëndron i izoluar.

 

 

  1. Enver Roshi

 

Deputeti Enver Roshi ka folur posaçërisht për “Fjalën” lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.

Në një prononcim, ai ka pranuar se është infektuar me COVID-19 dhe se gjendet në banesën e tij, me parametra normalë. I vetmi shqetësim për Roshin duket se janë telefonatat e shumta nga gazetarët, për të cilat ai shprehet se ndihet shumë i lodhur. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Ja kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 Korriku 2024

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga mesatare...

Gaz Bardhi deklaratë urgjente, paralajmëron lëvizjen e radhës, ja çfarë pritet

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka njoftuar sot një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp. Ai pritet të dalë para mediave rreth orës...

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës. Ish-ministri është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit...

“Je Papote”: Shqipëria magjeps me bregdetin dhe kulturën e pasur mesdhetare

Shqipëria është një vend i vogël, i cili ndodhet në veri të Greqisë, përballë Italisë jugore dhe në jug të Kroacisë, sipas një artikulli...

U arrestua për tjetërsim pronash, juristi tregon sa vite burg rrezikon Jorgo Goro

Juristi Redi Ramaj ka folur lidhur me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Ai tha se rrezikon deri në 7 vite burg. Juristi u...

Lajme të tjera

Web TV