Pandemia që nuk i tut shqiptarët

113 563 lexime

77,309FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Thuhet se jo çdo gjë e keqe vjen vetëm për keq. Ka dhe ajo të mirat e saj. Vetëm se duhet të jesh pak i vëmendshëm e ca avangardë dhe të kuptosh me nuhatje se ku gjendet “thembra” e Akilit.

Te raca e shqiptarëve ka diçka që s’shkon.

Që në krye të herës u tha se pandemia që ishte planifikuar të pushtonte botën, do ndryshonte modën e të jetuarit në gjithë planetin. Me pak fjalë kësaj i thonë që rusët nuk do kërcenin më kalinkën, grekët do hiqnin dorë nga buzuqi, italianët nga spageti alla carbonara dhe amerikanët nga sherret west me pistoleta 22 magnium.

Po shqiptarët? Çfarë kanë sakrifikuar ata nga kultura e tyre? Vallen e Devollit, apo atë të Kukësit. Rakinë e kumbullës apo mishin në hell?

Deri tani nuk duket se ka lëvizur gjë, edhe pse pandemia është shtruar këmbëkryq prej muajsh e po kap vitin. Në fakt pandemia, e frikshme dhe panikndjellëse, nuk i ka trembur aspak ata. Veç ca ditë në fillim ku përveç portavoçit që shfaqej në televizion duke njohur mbi rrezikun e “luftës së tretë” doli dhe ushtria të demonstronte forcën me makinat e reja HUMVEE. Por kaq qe e gjitha, se sapo dolën nga shtetrrethimi, vdekjet nga kallashi dhe aksidentet, të munguara gjatë asaj periudhe, u zëvendësuan më shpejt nga sa mendohej. Ndaj të vdekurit nga Covid-19 s’na u dukën fare. Thënë shkoqur, ne që jemi mbledhur në këtë pjesë të Ballkanit, ku ka ujë e diell plot, vazhdojmë të mos zemë mend.

Ç’është e vërteta shqiptarët janë ca më ndryshe se pjesa tjetër e botës. Më fanatikë. Vështirë të heqin dorë nga ato gjëra që i kanë me qejf të madh. A mund ta dënosh një shqiptar të mos i pijë ato katër a pesë kafetë në ditë, ekspres me shkumë, sa të mos bjerë as sheqeri në filxhan? Sipas statistikave, gjatë ditëve të izolimit është pirë aq shumë kafe saqë… Ç’t’u them! Edhe dyqanet e sallamit vendosën nga një makinetë ekspresi aty në hyrje dhe… yrysh.

Shkurt, situata e pandemisë globale thjesht ka ngadalësuar ca ritmin e tyre çapraz, por jo se ata kanë hequr dorë nga ndonjë adet i vjetër. Dasmat po bëhen dasma me nga 200 veta, por jo në Tiranë. Mirëpo ne me sa duket ende s’e kemi kuptuar se veç brenda Unazës ka jetë dhe jashtë saj. Dhe në sallat e kulturës të trashëguara nga kooperativat, mund të bësh alamet banketi e të ftosh gjithë fshatin. Por edhe funeralet po bëhen sipas zakonit, me puthje e përqafime, kafe, raki e qoka për çdo rast.

Lokalet po dihet, i sheh plot kudo, në fshat e në qytet. Me të drejtë, them unë. Tek e fundit kush i paralajmëroi shqiptarët për rrezikun që po u kanoset? Nga njëra anë, sensibilizimi për rrezikshmërinë e virusit duket ca i vakët. Paketa reklamuese që veç e shfaqet në ekranet televizive, për mbajtje distance deri në 2 metra, larje duarsh me sapun Rrogozhine dhe vendosje të maskës poshtë syve si ushtarët e Hamasit, nuk i tut aspak shqiptarët. Për të mos thënë që kjo u duket lojë tredimensionale si ajo me “balenën blu”. Pastaj kur flitet për dezinfektimin e lëkurës me alkool situata bëhet dhe më qesharake. Se ne e kemi me qitap: alkooli përdoret për të dezinfektuar gurmazin. Ç’janë këto salltanete?

Po sa vlen jeta e shqiptarëve, do pyesni ju? Aq sa e çdokujt tjetër në botë. Vetëm se, ndoshta nuk ia dimë fort mirë vlerën. Ndaj e marrim rrezikun nëpër këmbë. Tani, jo se të gjitha fjalët e thëna nga një vesh u kanë hyrë e nga tjetri u kanë dalë. Se sa për sy e faqe, shqiptarët i mbajnë maskat në rrugë dhe autobusë gjatë ditës.

Lexo edhe :  Dekreti/ Meta kthen në Kuvend ligjin për Policinë e Shtetit

E keqja është natën. Ngaqë u duket sikur edhe virusi ka orar të reduktuar, 8 orë punë, 8 orë gjumë, 8 orë jetë social-kulturore. Prandaj sa bie mbrëmja kërcet ahengu dhe në mëngjes maskat i gjen të hedhura kudo nëpër rrugë. S’ka rëndësi që qeveria hoqi muzikën dhe këngëtarët nga jeta e natës. Edhe me një magnetofon monokasetë, qejfi bëhet qejf. Në këtë drejtim disiplina që na vuri Enver Hoxha, për fizkulturë mëngjesi, zbor, punë vullnetare e përgatitje ideopolitike me shkrim, nuk na ka bërë fajde. Sapo fituam lirinë shkuam në bazament. Aty ku rrihet më mirë. Atje ku dhe jeta ka më pak vlerë.

“A thua se shqiptarët janë dele që hanë bar…”, u shpreh një herë e një kohë ai i gjati. Jo vëlla, e ke gabim. Ç’hyjnë delet te kopshti i ujqërve. Shqiptarët mund të jenë dele për punë votash, për politikë e për ndonjë gjë tjetër të këtij kallëpi. Le pastaj të hanë bar. Ata po  hanë Covidin me dhëmbë e s’u bën syri tërrrt. Ec e thyeji pasqyrën e benzit një shqiptari… Atëherë folim. Le po t’i thuash “vendos maskën se erdhi virusi”. Aty nuk e kthen kokën fare, se ta ka vënë tritolin me kohë e të hedh zgupthi me kuç e me maç. Pra, duket se mes shqiptarësh nuk funksionon dhuna për kapjen e normave, ulërimat për rregullim disiplinor dhe prangat pas dhënies së llapës aty ku nuk u takon. Në praktikën tonë popullore ne jemi gati të vritemi për vendin e parkimit, gërvishtjen e makinës, karikuesin e celularit dhe sidomos karshillëku me vështrim drejt e në sy u vë vulën të gjithave. Në këtë kuadër, pandemia nuk solli asnjë gjë të re tek ne.

Revolucioni i pretenduar, as që u pa gjëkundi, vetëm në dashtë Zoti ta nisim këtë punë nga shtatori, meqenëse nën zë thuhet se do na rrasin përsëri në karantinë, ndoshta ngaqë nuk përfituam asgjë nga izolimi i muajve që shkoi.

Tanimë shqiptarët janë ambientuar në bashkëjetesën me një virus aspak miqësor, madje shumë dashakeq. Ai është dhe vdekjeprurës. Por kjo nuk na çudit aq shumë. Se si shqiptarë zakoni jeta na ka mësuar që të keqes t’i vëmë gjoksin para, o si Mic Sokoli, o si Selam Musai. Jemi apo s’jemi shqiptarë?! Ne edhe nëpër filma jemi si kapedan Suloja me dy pëllëmbë mustaqe, që kemi luftuar me grekun, serbin, italianin, dhe jo si ca e ca që u kujtuan të ngrinin pushkë vetëm nja gjashtë muajt e fundit me gjermanin. Shkurt jemi burra e vdekja nuk na tremb.

Natyrisht, nuk është hera e parë që ndodh kjo. Sepse shqiptarët gjithmonë kanë bashkëjetuar me rrezikun, dhe për këtë arsye kanë imunitet, apo siç thotë populli “u është bërë faqja shollë”, mirëpo në botë lufta kundër epidemisë është sofistikuar. Dhe për karantinë nuk flitet më as në Itali dhe as në Spanjë ku u bë nami sezonin e kaluar. Del apo nuk del vaksina, për shumë vende të botës kjo s’ka hiç rëndësi, sepse ata dinë ta mbajnë larg rrezikun. Ndërsa tek ne ai është me mesin tonë, mes ahengjeve, tallavasë e synetllëkut. Edhe këtu, si kudo, ne shqiptarët ndryshojmë nga pjesa tjetër e botës. Epo si i bëhet që duam të biem në sy me hir a me pahir. Dhe këtë të fundit e kemi më për zemër.

Tani, jemi në periudhën e pushimeve verore e po shullëhemi në diell. Por do të presim shtatorin e të shohim ç’do të ndodhë. A do të ndryshojë stili i jetesës së shqiptarëve? Se po doli vaksina… aha… ec e t’i mbash pastaj!  /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Vritet me armë zjarri një 23-vjeçar në Bulqizë

Një 23-vjeçar është vrarë gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të premte në qytetin e Bulqizës. Sipas informacioneve...

Digjet automjeti gjatë natës në Vlorë, në pronësi të shefit të paraburgimit

Një automjet Nissan me targa AA 091 NB u dogj natën që lamë pas në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, në lagjen...

Nuk jemi të varfër, por disi të vjedhur

Nga Erald Shulla Një vit nga tërmeti e pandemia bashkë. Përvjetorë të tillë, që s’ikin, na ka dhënë qeveria... Tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit...

Të “lypësh” me nder

Ekskluzive Nga Leonard Veizi Tirana është një amalgamë urbane. Një qytet ku shtresat janë ndarë prej vitesh e nuk bëhet më fjalë që të ketë...

Pse dorëzimi i pushtetit në Shtetet e Bashkuara zgjat kaq shumë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, megjithatë, ka filluar t’ia dorëzojë detyrat pasardhësit të tij, Joe Bidenit. Dorëzimi i rregullt i detyrave (“tranzicioni”) pas zgjedhjeve presidenciale...

Lajme të tjera

Web TV