Omer Kaleshi, artisti dhe “identitetet vrastare”

113 563 lexime

77,508FansaPëlqeje

Në kohën e sotme identitetet bëhen vrastare kur nacionalistët e një komuniteti kërkojnë të dominojnë mbi komunitetet e tjera përmes racizmit, dhunës, urrejtjes e deri tek shfarosjet etnike, çka ne ishim dëshmitarë të luftërave në Ballkan në vitet 1990 me gjenocidet e shfarosjet në Bosnje dhe Kosovë.

 

Nga Luan Rama

 

Para shumë vitesh një një takim miqsh në Paris, Omeri ishte njohur dhe me shkrimtarin Amin Maalouf me të cilin që atëherë, rastësia e solli mos ta takonte më. Por shpesh janë librat që na pikëtakojnë me autorët e tyre.

Një ditë Omeri më thirri në atelierin e tij për të parë serinë e fundit prej 13 tablosh që sapo kishte mbaruar: “Koka, trungje dhe eros”. Diçka e guximshme rreth erotikës njerëzore nën petkun e pemëve, trungjeve. Kur shkova e gjeta me një libër në dorë që sapo kishte përfunduar së lexuari: “Les identités meurtrières” (“Identitete vrastare”) të përkthyer tashmë dhe në shqip. Ishte një libër që padyshim i fliste shumë dhe për jetën e identitetin e  tij. Aty ai gjente vetveten, ashtu si dhe unë që prej 30 vjetësh jetoja në Paris. I thashë se para pak javësh, në një shkrim në facebook, krahas tablove të tij dhe një artikulli të shkurtër kisha shkruar se Omeri ishte një piktor turk me origjinë shqiptare. Sigurisht, shtoja se ai në fakt ishte një piktor ballkanik dhe europian gjithashtu.

Por rreth shkrimit pati shënime të shumta, të nxehta, shpesh të një natyre nacionaliste, pasi mjaftoi fjala “turk” që shqiptarët e Maqedonisë së veriut ta quanin piktor kërçovar, po kështu shpreheshin emigrantët kërçovarë të Çikagos. Turqit e konsideronin si piktor turk, kosovarët dhe shqiptarët si piktor shqiptar, etj. Një debat me reaksione të forta që e pashë se ishte e kotë të vazhdoja shpjegimet rreth identitetit të tij si dhe problemeve antropologjike rreth artistit dhe marrëdhëniet e tij me të kaluarën, artin dhe botën. Ia tregova këtë Omerit dhe ai mblodhi buzët i trishtuar duke shtuar: “Kështu ka qenë gjithnjë!…”

Sigurisht nuk ishte hera e parë që hapej ky debat dhe ku çdo vend që lidhej me veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij kërkonte që artistin ta bënte vetëm pjestar të komunitetit të tij duke ua mohuar këtë të tjerëve. Mu kujtua gjithashtu dhe një intervistë e një gazetareje në Shkup shumë vite përpara me të e cila disa herë ngulmoi që ai të përcaktonte se çfarë piktori ishte: shqiptar apo maqedonas… Omeri ishte mërzitur dhe ashtu i revoltuar i kishte thënë: “Që fëmi dhe deri në rininë time jeta ime kaloi në Kërçovë dhe Shkup, më pas në Stabmboll ku familja ime emigroi dhe ku unë mbarova studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, e më pas emigrimi në Paris ku prej 50 vitesh jetoj e krijoj atje. Atëherë ç’mund të them tjetër?”

Në fakt ajo parapëlqente që ai të thoshte se ishte piktor shqiptar! E megjithatë, me kalimin e viteve shpesh kjo pyetje rivinte gjatë bisedave të tij me miq të rinj: Je shqiptar, maqedonas apo turk? Interesante ishte se dhe Amin Malouf, i cili kishte jetuar në Liban deri në moshën 27 vjeçare, 23 vjet i kishte kaluar pastaj në Francë. Ishte arab-folës dhe frankofon. Gazetarë apo lexues që e takonin në mjedise të ndryshme përsëri e pyesnin rreth identitetit të tij: “Libanez ? Francez? Arab?” Ose: “Je më shumë libanez apo më shumë francez”, e të tjera pyetje si këto.

Dhe ai pyeste pastaj vetveten: “Si mund të ndahesha nga njëra apo tjetra anë e identitetit tim?” E kështu pas shumë pyetjesh, më së fundi ai e dha përgjigjen e tij në formë libri: shkroi “Identitetet vrastare”, duke përshkruar jo vetëm përkatësinë e tij, jetën në dy komunitete, dy gjuhë, dy kultura apo dy botë religjioze, si i krishter që ishte por dhe si fqinj e bashkëjetues me arabët muslimanë. “Identiteti, – shkruan në këtë libër akademiku i Akademisë Francez Amin Maalouf, – nuk është një përkatësi që të jepet vetëm njëherë në jetën tënde, por ai rindërtohet, transformohet gjatë gjithë ekzistencës”.

Madje ai përmend dhe identitetin e shqiptarit Mehmet Ali Pasha të Egjiptit dhe transformimit të këtij identiteti. Padyshim, identitetet nuk janë të ngurta, ato transformohen, kultura të tjera ndërhyjnë, eksperienca të tjera jetësore, siç ndodhi me emigrantët e Europës në kohën kur ndërtohej shoqëria amerikane në anën tjetër të Atlantikut, ku origjina, historia e tyre e kaluar, u shoqërua me identitetin ri të një shoqërie të re, siç ndodhi në fakt dhe me shqiptarët e Amerikës që zbarkuan atje në vitet e para të shekullit XX. Duke iu kthyer Omerit, konstatojmë se ai është një përzjerje gjuhësh, historish, përjetimesh.

Lexo edhe :  FOTO/Përplasen dy makina në mes të autostradës, një grua humb ndjenjat

Gjuhësh sepse përveç shqipes që flitej në shtëpinë e tij apo fshatin e tij, nëna shpesh fliste dhe maqedonisht, gjuhën e nënës së saj, e një tjetër populli, identiteti. Më vonë, si gjuhë e tretë për Omerin erdhi turqishtja që e mësoi në emigracion bashkë me familjen e tij. E më pas hyri frëngjishtja të cilën e ka folur tashmë mbi 60 vjet. Kështu dhe kulturat që ndërhynë në identitetin e tij: ajo shqiptare, ajo maqedonase, ajo turke dhe ajo franceze. Themi piktor turk edhe pse arti i tij është i lidhur me studimet pikturale në Stamboll dhe se një pjesë e mirë e ekspozitave hapet në Stamboll dhe se një treg i rëndësishëm është Turqia. Por në pikturën e tij është dhe bota shqiptare, portretet dhe kësulat e tyre, është dhe influenca e Gojës, Rembrandit… Omeri e ka ndjerë se gjatë jetës së tij ai veç është pasuruar nga këto shtegtime fizike, psikike, kulturore, gjuhësore, historike. Ai ka jetuar dhe jeton midis shumë historish dhe territoresh, midis shumë identiteteve. I ati i tij ishte hoxhë dhe kur Omeri nisi të pikturonte tablotë e tij atit nuk i erdhi mirë që i biri pikturonte fytyra njerëzore, ku aktin e pikturimit të fytyrës e shihte si një lloj mëkati ndaj Zotit të tij.

Pikërisht kjo përzjerje identitare gjuhësh, kulturash e historish e kanë bërë atë një etalon të tolerancës, për ta parë fqinjin e identitetit tjetër të ngjashëm me të, pra të ketë një tjetër optikë për Tjetrin, në një kohë që çështjet identitare janë bërë tepër të ndjeshme në ditët tona. Ja pse ai ndjen të njëjtat emocione kur pikturon dervishët e tij ashtu siç adhuron dhe tablotë e piktorëve të Rlindjes europiane, artin e katedraleve, etj., ashtu siç “koka e prerë” e Gjon Pagëzorit në një ikonë qëndron në muret e atelierit të tij. Madje tek ai duket se përkatësia identitare zhduket përballë artit dhe njeriut. Dhe kështu të ngjan se ky artist reflekton brenda tij njëherësh disa identitete të pazgjidhshme mes tyre. Ja pse atij i pëlqen më shumë termi apo përcaktimi “piktor ballkanik e europian”. Dhe kjo është mëse e vërtetë.

Në kohën e sotme identitetet bëhen vrastare kur nacionalistët e një komuniteti kërkojnë të dominojnë mbi komunitetet e tjera përmes racizmit, dhunës, urrejtjes e deri tek shfarosjet etnike, çka ne ishim dëshmitarë të luftërave në Ballkan në vitet 1990 me gjenocidet e shfarosjet në Bosnje dhe Kosovë.

Në fund të librit të tij Amin Maalouf “imagjinon se shumë e shumë vite më vonë, një ditë nipi i tij i vogël do të zbulojë në ndonjë bibliotekë librin e tij “Identitetet vrastare” dhe do të ngrejë supet, duke u habitur se në kohën e gjyshit të tij njerëzit merreshin me çështje të tilla…” Një shpresë e bukur padyshim por a do arrijmë dot që pas dy dhe tre gjeneratash këto identite të mos jenë vrastare, aq më tepër që me ndryshimet klimatike zhvendosjet e popullsive do të jenë edhe më të mëdha?

C’do të ndodhë vallë? Do të përplasen këto identitete apo shoqëritë moderne do arrijnë të gjejnë mekanizmat për ti parandaluar këto përplasje “vrastare”? Padyshim që veçse në regjime demokratike, të respektit të të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor mund të arrijmë në tolerancën më të madhe, në atë siç e përjetojnë aktualisht studentët e Programit “Erasmus” të Europës së Bashkuar, të cilët lëvizin nëpër Europë duke e konsideruar Europën si shtëpinë e tyre dhe pa kufij me njëri-tjetrin por sigurisht pa e harruar përkatësinë historike të tyre. Erasmus nuk është thjesht një figurë simbolike e së kaluarës por një ide e madhe që pikëtakoi Viktor Hygonë në shekullin e XIX dhe Jean Monet në shekullin e XX dhe sot e ardhmja jonë padyshim është në dorën e humanistëve.

Gjenerata më vonë, publiku që do të jetë përballë tablove të Omerit në një muze të Tiranës, të Stambollit, Shkupit, Prishtinës apo Parisit, nuk do të pyesë rreth përkatësisë identitare familjare dhe rrugëtimin e artistit por së pari do të ndeshet me identitetin e tij si artist. Do të shohë personazhet e tij dhe botën njerëzore që ka ofruar me artin e vet. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Shtrohet me urgjencë në spital mjeku reanimator, rezultonte pozitiv me koronavirus

Një mjek reanimator i cili kishte rezultuar pozitiv me koronavirus vetëm pak ditë më parë, është shtruar sot në...

45-vjetori i nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit/Meta: Liritë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të merren si të mirëqëna e të paprekshme

Presidenti Ilir Meta nëpërmjet një statusi në Facebook ka kujtuar sot 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit. “Dekalogu i Helsinkit ndihmoi në fundin...

Përcillet për në banesën e fundit Aneta Rama (FOTO)

Aneta Rama, nëna e kryeministrit Rama është përcjellë për në banesën e fundit. Për shkak të pandemisë një numër i kufizuar njerëzish kanë marrë pjesë...

Nënat e 33 kryeministrave shqiptarë/Nga Ismail Qemal Vlora tek Edi Rama

Thonë se pas një burri të suksesshëm fshihet një grua e mrekullueshme. Për këtë shprehje, atributet zakonisht i takojnë bashkëshortes, por gruaja e parë që...

Lajm i mirë për vaksinën/Ekspertët: Mund të jetë e disponueshme në vitin 2021

Në Shtetet e Bashkuara numri i vdekjeve nga Covid-19 ka arritur në mbi 150,000, ndërsa në disa zona të vendit vazhdojnë të rriten rastet...

Lajme të tjera

Web TV