Dënohet ish-komandoja, stërviste djemtë e mitur për Xhihad 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Erzen Uka, i arrestuar në prill të vitit 2019, është gjetur fajtor dhe është dënuar me 3 vite burg, për nxitje të veprave penale me qëllime terroriste. Në atë kohë arrestimi i të riut u bë i mundur nga antiterrori dhe ish-Prokuroria për Krime të Rënda. Ai u mbajt nën vëzhgim prej gati dy vitesh, pasi dyshohej se ishte person me prirje radikale ekstremiste, simpatizant dhe përkrahës i organizatave ekstremiste, si p.sh. ISIS. Provat që prokuroria solli në gjykatë ndaj 30-vjeçarit ishin videot dhe fotot që Uka publikonte në rrjetet sociale.

 Nga Elvis Myrta 

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 3 vite burg ekstremistin islamik Erzen Uka, i arrestuar rreth një vit e gjysmë më parë. I riu u gjet fajtor nga togat e zeza të kryeqytetit për dy vepra penale, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. 30-vjeçari, u arrestua në prill të vitit 2019, pasi në adresën e tij të facebook-ut ka publikuar, shpërndarë video dhe pamje filmike që nxisin dhe propagandojnë veprat penale me qëllime terroriste.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale edhe fishekë luftarakë të kalibrit 7,62 mm dhe 7,65 mm. Prokurori Mysni Mylaj, gjatë leximit të pretencës ndaj 30-vjeçarit, kërkoi dënimin e tij me 5 vite burg, por në përfundim të këtij procesi gjyqtarja Elisabeta Tushe, e dënoi Ukën me 4,6 vite burg, por për shkak gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen me 1/3 të dënimit. Fillimisht Uka u hetua nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, por pas shkrirjes së këtij institucioni dhe ngritjes së SPAK-ut, dosja i kaloi për t’u gjykuar nga Gjykata e Tiranës.

Gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të tij, Uka u mbrojt me avokat kryesisht. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, mbrojtja pretendoi se Erzen Uka nuk ka shprehur nxitje për kryerjen e akteve terroriste. Sipas mbrojtjes, videot dhe statuset në rrjetin social ai i ka publikuar se është besimtar mysliman. Ndërsa për sa u përket fotove të fëmijëve dhe mënyrës se si i ka edukuar ata, kjo është çështje private. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe vetë 30-vjeçari gjatë procesit të zhvilluar ndaj tij. Për sa i përket gjetjes së fishekëve në banesën në momentin e arrestimit, përpara gjykatës, 30-vjeçari është shprehur se ai ata i mbante për kujtim, pasi ka qenë ushtarak.

Erzen Uka ka qenë person me precedentë penalë. Ai është hetuar për dhunë në familje. Ekstremisti islamik ka pasur probleme të vazhdueshme me ish-bashkëshorten e tij, pasi nuk lejonte që dy djemtë e tyre të mitur t’i mbante dhe të rriteshin nga e ëma, edhe pse gjykata kishte urdhëruar dhënien e kujdestarisë asaj. Sipas prokurorisë, ai i mbante vetë fëmijët dhe i stërviste me qëllim dërgimin në Siri, ku do luftonin përkrah ISIS-it.

Dosja hetimore 

Ish-komandoja Erzen Uka, fillimisht u hetua nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, pasi dyshohej se ishte rekrutuar nga ISIS. Ai u mbajt nën vëzhgim nga kjo prokurori që prej vitit 2017, si person i dyshuar për prirje radikale. Pas provave të mbledhura nga agjentët në terren dhe vëzhgimi i rrjeteve sociale të tij, në prill të viti 2019-s, zyra e antiterrorit urdhëroi arrestimin e 30-vjeçarit. Nga hetimet rezulton se, gjatë periudhës që Uka ka qenë nën vëzhgim, ka shfaqur prirje ekstremiste.

Lexo edhe :  Dëshmitë e Goros në SPAK që nuk e shpëtuan nga burgu

“Nga hetimi i zhvilluar në funksion të këtij procedimi penal, është konkluduar se: më datë 12.04.2019, rreth orës 20:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Erzen Uka, i njohur dhe i evidentuar si element me prirje radikale ekstremiste, simpatizant dhe përkrahës i organizatës ekstremiste ISIS, i cili në kohë të ndryshme ka shfaqur dhe demonstruar duke qenë aktiv në rrjetet sociale, “facebook”, postime me fotografi dhe video të simboleve të këtyre organizatave ekstremiste, duke shfaqur admirim për krerët e këtyre organizatave, si dhe video, ku ky shtetas demonstron teknika të luftimit, stërvitjes, trajnimit nga luftëtarët ekstremistë”, thuhet në dosje.

Gjatë vëzhgimeve në terren, nga informacionet e mbledhura nga antiterrori, gjatë kohës që Uka vëzhgohej, ai ishte mjaft aktiv në rrjetet sociale në përkrahje të Xhihadit dhe luftëtarëve të ISIS-it. Referuar hetimeve të prokurorisë, rezulton se profili i quajtur “Hamzah Uka” i përket shtetasit Erzen Uka. Nga këqyrja që i është bërë nga ana e policisë gjyqësore faqes facebook të profilit “Hamzah Uka”, te profili i tij vërehen dy foto, ku te njëra dallohet një person që mban flamurin e ISIS-it, dhe fotoja tjetër në krahun e majtë të faqes së facebook, ku vërehet një person mashkull me mjekër dhe sfond të zi, e cila është fotoja e shtetasit Erzen Uka. Më pas, në faqen kryesore vërehen të dhëna personale, si datëlindja e shtetasit Erzen Uka, 13 janar 1990.

Gjithashtu, në profilin e facebook-ut të “Hamzah Uka”, vërehen foto të flamujve të ISIS-it, si dhe foto të personave të dyshuar si ektremistë të ISIS-it. Sipas dosjes së prokurorisë, në rrjetin social të 30-vjeçarit, është ngarkuar edhe një video me mbishkrimin: “Heqja e pistoletës nga dora e kundërshtarit”. Në këtë video shihen se si dy persona, që dyshohet se janë pjesë e ISIS-it, stërviten për t’i hequr nga dora armën. Prokuroria thotë se në rrjetin e tij facebook, Uka ka bërë shumë postime që kanë prirje radikale. “Duke vijuar këqyrjen në postimet e faqes “Hamzah Uka”, vërejmë një postim të kryer më datë 07.04.2019, ora 10:10, me titull “Përgatitini fëmijët tuaj fizikisht & psikologjikisht”, “Muslimani është ushtar i Allahut dhe si i till duhet të përgatitet”.

Të gjitha materialet e këqyrura në rrjetin social facebook të shtetasit Erzen Uka janë të pasqyruara dy CD, bashkëlidhur me këqyrjen”, thuhet më tej në dosje. Referuar dosjes hetimore, ka rezultuar se shtetasi Erzen Uka, që prej kthimit nga Afganistani, u kthye në besimin mysliman, duke qenë dhe një aktivist i fesë myslimane në përkrahje të Xhihadit. Ky shtetas më parë ka qenë komando me forcat paqeruajtëse në Irak./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Ja kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 Korriku 2024

Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga mesatare...

Gaz Bardhi deklaratë urgjente, paralajmëron lëvizjen e radhës, ja çfarë pritet

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka njoftuar sot një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp. Ai pritet të dalë para mediave rreth orës...

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës. Ish-ministri është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit...

“Je Papote”: Shqipëria magjeps me bregdetin dhe kulturën e pasur mesdhetare

Shqipëria është një vend i vogël, i cili ndodhet në veri të Greqisë, përballë Italisë jugore dhe në jug të Kroacisë, sipas një artikulli...

U arrestua për tjetërsim pronash, juristi tregon sa vite burg rrezikon Jorgo Goro

Juristi Redi Ramaj ka folur lidhur me arrestimin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Ai tha se rrezikon deri në 7 vite burg. Juristi u...

Lajme të tjera

Web TV