Komisioni i Vlerësimit/ Basha ua beson listën e kandidatëve veteranëve të PD-së 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryesia dhe Këshilli Kombëtar demokrat ka zgjedhur dje Komisionin e Vlerësimit të Kandidaturave ku bien në sy emrat e njerëzve që kanë një kontribut të gjatë në PD, ish-kritikë të Bashës dhe prurje nga bota akademike. Komisioni do të bëjë përzgjedhjen paraprake të kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie në 12 qarqet. Kush janë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, gazeta ‘Fjala” sjell një profil të shkurtër për 5 anëtarët.

 Nga Blerina Gjoka 

Partia Demokratike, më e madhja në opozitë, ka hyrë në një fazë të re të hapjes së saj, duke krijuar Komisionin e Vlerësimit të Kandidaturave për Deputetë. Komisioni me 5 anëtarë që u votua dje nga Këshilli Kombëtar ka një përbërje interesante, që nga themelues të kësaj partie, ish-bashkëpunëtorë të kryetarit të mëparshëm, Berisha, apo edhe kritikë të kryetarit aktual, Basha.

Në këtë komision, që ka si detyrë filtrimin e parë të listës së kandidaturave që kanë ardhur nga baza e partisë, bëjnë pjesë Genc Ruli, Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Mark Marku dhe Enriketa Papa. Kreu i kësaj partie, Lulzim Basha, i cili ka thirrur pranë vetes ish-kritikët e tij, e ka cilësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm për organizimin e partisë, për të nisur fushatën elektorale. Kryetari Lulzim Basha bëri të ditur se krahas përzgjedhjes së kandidatëve do të finalizohet programi qeverisës, do të ngrihen strukturat drejtuese të fushatës elektorale dhe do të organizohet partia për zgjedhje.

Kush janë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit

Genc Ruli, themelues i PD-së, më pas i larguar për shkak të konfliktit me Berishën dhe i rikthyer në këtë parti po nga Berisha, gjatë hapjes së parë të saj, në vitin 2004, ish-ministër gjatë qeverisjes 2005-2013. Ruli u distancua nga PD-ja pas ardhjes së Bashës në krye të saj, ashtu siç u distancuan shumë ish-ministra të Berishës, por, me sa duket, të qenët një veteran në politik, njohja e politikës dhe e partisë, e kanë shtyrë Bashën të kërkojë përsëri këshillat e tij. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Besnik Mustafajn, një patriot i Berishës, ministër i tij, shkrimtar dhe analist i politikës.

Mustafaj e ndërpreu karrierën politike në kulmin e saj, kur ishte ministër i Jashtëm. Motivet nuk u bënë kurrë publike, por ai u zëvendësua pikërisht nga Lulzim Basha, pak muaj para ardhjes në Tiranë të presidentit amerikan, Xhorxh Bush. Mustafaj ka qenë një kritik i madh i Bashës, i mënyrës se si po e drejtonte ai opozitën dhe i varësisë që kishte politikisht nga paraardhësi i tij. “Basha nuk e ka vrarë akoma babën (politik)” – thotë Mustafaj, duke iu referuar vasalitetit të tij ndaj Berishës. Tashmë ai ka pranuar ftesën e Bashës, për ta këshilluar dhe për t’u bërë pjesë e kësaj strukture që do të filtrojë emrat e rinj, përmes të cilëve PD-ja do të përballet me elektoratin.

Dhe këtë e ka pranuar duke bërë të qartë se nuk kërkon asnjë shpërblim politik, duke e përjashtuar veten nga lista e re e deputetëve. Anëtari tjetër i komisionit është Bujar Nishani, ish-president, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, një njeri që është një investim i Sali Berishës në politikë dhe shihet si figurë me integritet brenda partisë edhe për detyrën e lartë që ka mbajtur. Dy anëtarët e tjerë vijnë nga bota akademike. Mark Marku dhe Enriketa Papa, të dy pedagogë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, i pari në gazetari dhe e dyta në degën e historisë, militojnë prej kohësh pranë PD-së, por në këtë komision pritet të sjellin mendimin e pavarur dhe një këndvështrim intelektual në përzgjedhjen e listës përfaqësuese të partisë në zgjedhjet e reja. Marku ka qenë deputet i kësaj partie, por më tej ka vijuar jetën akademike dhe atë publike, si një nga analistët më debatues të studiove televizive. Papa, pedagoge e historisë, e njohur dhe si studiuese e krimeve të komunizmit, është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe njihet si një njeri i afërt i Bashës.

Lexo edhe :  “Në SPAK, 9 kallëzime ndaj Metës”/ Gazetari: Në banesën e nënës së Kryemadhit janë...

Ndezja e motorëve të fushatës 

Komisioni i Vlerësimit, si një strukturë e besueshme dhe me integritet, do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë nga anëtarësia e PD-së. Kjo është hera e parë në Shqipëri, kur kandidatët nuk përzgjidhen nga kryetari i partisë, por propozohen direkt nga anëtarësia dhe, më pas, seleksionohen nga një komision i posaçëm, për t’iu dërguar sërish anëtarësisë për vendimmarrje. Selia blu i mëshon faktit që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve që po aplikon ajo është risi në politikën shqiptare dhe në gjithë rajonin tonë Procesi, ku anëtarësia e PD-së u përfshi, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm me propozimin e një numri të madh kandidatësh, u vlerësua nga kryetari Basha për gjithëpërfshirjen dhe demokratizimin e mëtejshëm të funksionimit të PD-së.

“Emrat e propozuar nga anëtarësia përbëjnë një korpus të rëndësishëm për administrimin e qeverisjes që shqiptarët do t’i besojnë PD-së dhe aleatëve të saj në zgjedhjet e ardhshme. Përmes këtij procesi ne kemi të identifikuar jo vetëm ata që do të përzgjidhen si kandidatë për deputetë, por edhe drejtues të qeverisjes vendore, këshillave bashkiakë dhe qeverisjes qendrore. Më të mirët e më të mirëve për të sjellë ndryshimin që presin shqiptarët, zhvillim dhe punësim.”- u shpreh lideri i opozitës gjatë mbledhjeve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar. Anëtarësia do ta thotë fjalën e saj përsëri në shtator, kohë kjo, kur, siç u shpreh Lulzim Basha, opozita nis, de facto, fushatën elektorale për të mos u ndalur deri në fitoren e zgjedhjeve.

“Muaji gusht do të jetë muaj pune intensive. Krahas përzgjedhjes së kandidatëve ne do të finalizojmë programin qeverisës të vendit, do të ngremë strukturat drejtuese të fushatës elektorale dhe do të organizojmë partinë për zgjedhje, duke nisur nga qendra e votimit e deri te selia qendrore në Tiranë. Në shtator nisim fushatën elektorale, e cila do të mbyllet me fitoren e zgjedhjeve dhe hapjen e një kapitulli të qeverisjes për qytetarët dhe me qytetarët.” – u shpreh zoti Basha. /Bl.Ba/fjala.al

Të fundit

A do të ketë reshje shiu? Surpriza e motit për ditën e sotme

Pellgu i Mesdheut tashmë po ndikohet nga një masë ajri e ftohtë, duke sjellë mot të paqëndrueshëm në vendin...

Horoskopi i ditës, e premte, 19 Prill 2024/ Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

Dashi Kohët e fundit nuk keni pasur shumë fat në dashuri, por tani mund të filloni të rikuperoheni, ndaj hapuni më shumë me të tjerët...

Liverpool mposht Atalantën por eliminohet nga Europa, Leverkusen mbetet e pathyeshme

Atalanta nxjerr jashtë Europës Liverpoolin. Skuadra bergamaske u mposht 0-1 në shtëpi nga “The Reds”, por kualifikohen në gjysmëfinale të Europa League falë suksesit...

Roma triumfon sërish ndaj Milanit dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Europa League

Roma kalon në gjysmëfinalet e Europa League, ndërsa eliminon Milan-in, pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 3-1 të dy ndeshjeve çerekfinale. Pas takimit në “San...

Lajme të tjera

Web TV