Banka e Shqipërisë: Ekonomia në dorë të pandemisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pandemia e e koronavirusit e ka goditur rëndë ekonominë shqiptare dhe rekuperimi i saj po varet nga sjellja e pandemisë. Këshilli Mbikqyrës i BSH-së konstaton se do të ketë rritje të papunësisë dhe borxhit, ndaj vendosi të mos e ndryshojë normën e interesit. Rimëkëmbja e ekononisë parashikohet të nisë vetëm në 2021, në varësi të pandemisë.

 Nga Blerina Gjoka

 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori dje në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare, ku pranohet se pandemia e koronavirusit ka sjellë një goditje të rëndë për ekonominë shqiptare, si në nivel makro, ashtu dhe në nivel biznesesh e familjesh të veçanta. Në raport gjykohet se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë progresivisht drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim, ndonëse rekuperimi pritet të jetë i ngadaltë dhe balanca e rreziqeve mbetet në kahun e poshtëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke folur në emër të këshillit tha se në skenarin bazë aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021. Rritja e kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje të pagave e të kostove të prodhimit, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Ky skenar është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga shpejtësia e përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë, nga ndikimi i pandemisë në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit, si dhe nga efektiviteti në kohë i masave fiskale, monetare dhe financiare, të ndërmarra deri tani.

Goditja e ekonomisë

Në një konferencë për mediat guvernatori Sejko theksoi se pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë ekonominë shqiptare, ku për pasojë i gjithë aktiviteti ekonomik ka pësuar një ngadalësimm të fortë. Kjo situatë, tha guvernatori Sejko, pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, si dhe rritje të borxhit gjatë këtij viti. Për këtë arsye, Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur ta lërë të pandryshuar normën e interesit, përkatësisht në vlerën 0,5%.

Këshilli Mbikqyrës në analizën e tij vë në dukje se e aktiviteti ekonomik ka shfaqur një ngadalësim të fortë në gjysmën e parë të vitit, si pasojë e masave të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë. Relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa për një rekuperim gradual të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim. Në përfundim të diskutimit, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Kushtet aktuale monetare ofrojnë stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Megjithatë, përshkallëzimi i mëtejshëm i goditjes apo krijimi i vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, do të kërkonin rritjen e stimulit monetar. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u kontraktua me 2,5% në tremujorin e parë të vitit. Ky kontraktim pasqyroi tkurrjen e investimeve, reduktimin e eksportit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe ngadalësimin e konsumit privat. Të dhënat indirekte të disponuara sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të pësojë një rënie, dukshëm më të fortë, në tremujorin e dytë.

Lexo edhe :  'Sufllaqe nga qielli nuk bien më'/ Meta: Kush ka mendim ndryshe le të ngjitet në paralele

Masat e marra

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë progresivisht drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim, ndonëse rekuperimi pritet të jetë i ngadaltë dhe balanca e rreziqeve mbetet në kahun e poshtëm. Rimëkëmbja e ekonomisë parashikohet të nisë vetëm në fillim të vitit që vjen, por dhe ky skenar pozitiv lidhet me ecurinë e pandemisë. Sipas Sejkos, “ky skenar është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga shpejtësia e përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë, nga ndikimi i pandemisë në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit, si dhe nga efektiviteti në kohë i masave fiskale, monetare dhe financiare, të ndërmarra deri tani”.

Në këto kushte Këshilli Mbikëqyrës gjykon se stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar, ka qenë një element vendimtar në zbutjen e pasojave negative të krizës. Politika fiskale ka adaptuar një kah stimulues, duke mundësuar rritjen e shpenzimeve korrente, krijimin e skemave të garancisë sovrane, si dhe rritjen e investimeve publike, në interes të rekuperimit të pasojave të tërmetit dhe të rritjes së kërkesës agregate. Sejko bëri të ditur se Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, duke synuar uljen e kostove të financimit dhe rritjen e masës monetare në ekonomi.

Po ashtu, në bashkëpunim me industrinë bankare. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar ka dhënë një kontribut të qenësishëm në drejtim të amortizimit të goditjeve. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në tremujorin e dytë, duke kulmuar në nivelin 7% në muajin qershor dhe duke i mbështetur bizneset dhe familjet shqiptare me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Gjithashtu, ky sektor ka marrë mbi vete një pjesë të kostos financiare të goditjes, duke lehtësuar më tej barrën për sektorin privat.

Vendimet e BSH-së:

– Të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0,5%;

– Të lërë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0,1% dhe 0,9%.

– Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit.

Treguesit ekonomikë në terma makro:

– Inflacioni shënoi rritje të lehtë në tremujorin e dytë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 1,9%. Kjo ecuri u diktua nga rritja e kostove të prodhimit e të transportit, efekte këto të cilat dominuan mbi ndikimin rënës në inflacion që sjell tkurrja e kërkesës agregate.

– Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020.

Rreziqet për ekonominë vijnë nga:

-Zgjatja e theksuar në kohë e pandemisë dhe riprezantimi i masave të distancimit social për kontrollin e saj;

– Lindja e problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Jeta e hyjnores Eleonora Duse, e adhuruar nga të gjithë, por e poshtëruar në dashuri

Eleonora Duse, aktorja më e vlerësuar e teatrit ndonjëherë, nga kritika dhe publiku, vdiq e vetme në një dhomë...

A flisni një gjuhë ‘të madhe’ globale? Ja çfarë mund t’ju mësojë gjuha ime e vogël

Unë jam një nga 2.5 milionë përdoruesit e sllovenishtes - dhe anglisht dhe gjermanisht folësit do të bënin mirë të ishin kurioz për ne Ana...

Mandati i Xhaçkës ende në ajër, opozita e dërgon në Kushtetuese

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi dje se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur anti-kushtetues vendimin e mazhorancës në Kuvend për...

Meta gjen “armiq dhe tradhtarë” kudo, sulmon edhe Bashën

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në çdo dalje publike prej dhjetë ditësh ka sulmuar këdo, përveç kreut të Rithemelimit Sali Berisha. Akuzat...

Lajme të tjera

Web TV