Historia e Burhan Jukës, nga agjent i aleatëve, në i burgosur i nazistëve 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Armer Juka 

Sikurse në jetë, Burhani tregoi në vdekje të njëjtin vullnet për të luajtur sipas rregullave të veta. Kishte parashikuar dhe përvijuar gjithçka me qartësi dhe saktësi karteziane si një kopsht à la française. Nuk pati njoftim të vdekjes, as ceremoni, as funeral, dhe as pritje për ngushëllime. Burhani thjesht kishte ndërmarrë udhëtimin e radhës… Trupi i tij, i inceneruar – gjë skandalizuese për motrën pasjetuese, Lumen – u tret në lumin Hudson, fare pranë shtëpisë së tij, në Riverdale të Bronx-it në New York, për t’u derdhur përfundimisht në oqeanin Atlantik. Si për të thënë se Burhani nuk i përkiste asnjë vendi në mënyrë ekskluzive, as Shteteve të Bashkuara, atdheut të më shumë se një gjysmë shekulli. Ishte ushqyer nga katër kontinente dhe tanimë, në këmbim, do t’i ledhatonte përjetësisht brigjet e tyre.

I lindur në Shkodër të Shqipërisë, më 5 gusht 1920, Burhani ishte fëmija i madh i Musa Jukës dhe Sadete Shpuzës. Gjyshi nga e ëma kishte qenë një kolonel i ushtrisë turke. Familja mbartte një kulturë të theksuar otomane, por që, njëkohësisht, shfaqte shenja kozmopolitizmi si rrjedhojë e shërbimeve në poste të ndryshme të gjyshit të tij brenda suazës së perandorisë.

Familja e të atit ishte gjithaq e mbështjellë nga kultura orientale, por sipas një interpretimi lokalist shkodran. Feja islame dukshëm e pranishme, megjithatë ritmet e jetës diktoheshin kryesisht nga zakonet stërgjyshore të qytetit: një sens i ekzaltuar i nderit dhe një protokoll i ngurtë i ndërveprimit shoqëror. Kur Burhani erdhi në jetë, i ati ishte prej katër vitesh kryetar bashkie i Shkodrës. Në dekadën vijuese, i ati u bë ministër, pronar i madh tokash dhe një nga njerëzit më të fuqishëm e të frikshëm të Shqipërisë.

Fëmija i madh i çiftit, Burhani ishte i adhuruari i përjetshëm i së ëmës, e cila kishte humbur më përpara një fëmijë të porsalindur. Jetonte në një vilë elegante në kryqëzim të Rrugës Mbretërore dhe Rrugës së Dibrës, mbikëqyrej nga një truprojë gjatë lëvizjeve të tij për në Gjymnazin shtetnuer apo diku tjetër, vishej me sqimë dhe luante tenis, dy pasione që do ta shoqëronin gjithë jetën.

Dhe e fundit, por jo më e pakta, ishte jashtëzakonisht i pashëm. Kur filloi studimet për drejtësi në Toulouse, pastaj në Paris, ai po kalitej pa mëdyshje për një karrierë të gjatë në shërbim të diplomacisë ose administratës së lartë shqiptare. Gjithë ky fat i madh, i përqendruar në një njeri të vetëm, tërhoqi jo vetëm smirën e njerëzve. Kamxhiku i zotave do të ishte Duçja, një “Atila oksidental, modern dhe i motorizuar” sipas thënies lapidare të Mehdi bej Frashërit.

Nga zbarkimi i ushtrisë fashiste në Durrës në 1939, për 15 vite, jeta e Burhanit luhatet mes magjisë dhe skëterrës. Për një skenar të denjë filmi, gjen arratisje nga ushtritë fashiste, misione të fshehta për ushtritë aleate, arrestim nga autoritetet naziste për zbulimin e një zarfi komprometues, asistencë të të atit në bashkëpunimin e tij me shërbimet inteligjente britanike, deri në pjesëmarrjen në organizatën subversive të CIA-s, Komitetin Kombëtar Shqipëria e Lirë.

Në vitin 1946, Burhani braktisi Stambollin ku jetonte asokohe familja e tij dhe u rikthye në Paris. Aty zbuloi dy dashuritë e mëdha të jetës së vet. Dashuria e parë quhet Marguerite Pascal, një franceze tipike, sy bojëqielli dhe elegante, e lindur më 2 prill 1928 në Montfermeil. Nga një familje me origjinë auvergnate protestante, ajo ishte rritur nga dy prindër të revoltuar ndaj fesë. Ishte pagëzuar katolike në moshën 16-vjeçare për synimin praktik të të qenit ndrikull e nipit të saj.

Pas liceut, filloi studimet në Universitetin e Parisit. Në bankat e Sorbonne-s u dashurua me një djalë të pashëm njëherazi të qytetëruar dhe ekzotik, i cili për t’iu afruar i kërkonte shënimet e leksioneve. Të dy ndiqnin kursin e Letërsisë franceze – dashuria e dytë e madhe e jetës së Burhanit.

Midis 1947 dhe 1952, Marguerite-n dhe Burhanin i ndante deti Mesdhe. Burhani iu bashkua familjes së tij të zhvendosur në Aleksandri të Egjiptit. Për pesë vite ai dha mësim gjuhë frënge në shkollën e mesme Ahrassiah. Jetonte në lagjen Camp de César, zemra e Aleksandrisë kozmopolite. Ishte shumë popullor mes shoqeve të të motrave, sikundër dëshmon njëra prej tyre, Vicka Surotsov, e bija e një rusi të bardhë, të mërguar në Egjipt.

Në vitin 1952 Burhani pranoi shërbimin në Athinë për llogari të CIA-s në kuadrin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë. Cilësohet si legjitimist (mbështetës i mbretit Zog I, shënim i autorit) dhe është i pajtuar me një rrogë mujore prej 250 dollarësh. Më tepër sesa besimi për suksesin e sipërmarrjes, Burhanin e shtyn dëshira për t’u shpërngulur në Shtetet e Bashkuara. Pas përmbysjes së mbretit Faruk I, Egjipti nuk kishte më të ardhme, ndërsa Evropa ende përpëlitej në përpjekjet e rimëkëmbjes së pasluftës. Në vjeshtë të vitit 1952 Marguerite vendosi t’i bashkohej përfundimisht Burhanit. Duke braktisur shtëpinë e saj në Seine-en-Oise, në krahinën parisiane, ajo ndërmori aventurën më të krisur të jetës së saj.

Në Athinë jetuan në një apartament të këndshëm, në lagjen chic të qytetit, pranë hotelit Megas Alexandros. Shpejt u shtrua çështja e martesës së tyre: nuk ishte e lehtë në Greqinë e atyre viteve të bashkëjetonin dy të pamartuar. Mungesa e kurorës martesore përbënte gjithashtu pengesë për planet e së nesërmes. Mirëpo shteti grek në atë kohë nuk e njihte martesën civile. Çifti iu drejtua fillimisht popëve ortodoksë, të cilët i kërkuan ryshfet. Iu qasën pastaj kishës katolike për një martesë natyrore mes një të pagëzuare dhe një të papagëzuari. Kjo lypte leje të posaçme të Vatikanit dhe u paralajmëruan se dhënia e pëlqimit merrte tepër kohë. Së fundmi, gjetën një imam shqiptar, në një kamp refugjatësh, i cili celebroi dhe bekoi martesën e tyre sipas Sheriatit.

Lexo edhe :  “Je Papote”: Shqipëria magjeps me bregdetin dhe kulturën e pasur mesdhetare

Lajmi i shumëpritur erdhi. Një kishë amerikane, që ndihmonte refugjatët evropianë, u premtoi dy vende në tragetin Bremmen-Quebec. Por më parë çifti duhet të bënte një ndalesë në Egjipt. Kunati i Burhanit, Omari, një avokat egjiptian, i siguroi një anije mallrash me të cilën ata udhëtuan nga Greqia, përmes Qipros, deri në Port-Said. Marguerite mban mend që vila ku jetonte familja Juka, në 2 rue Naucratis, ishte elegante dhe e mbajtur mirë, e rrethuar me shumë lule, veçanërisht jaseminë. Ndarja ishte e dhimbshme.

Më mbresëlënësi ishte takimi me Musa Jukën. Ai burrë energjik dhe hijerëndë, pas një ataku kardiak, ishte pakësuar në trup dhe dobësuar në shpirt. Lëvizte me vështirësi dhe rrinte i ngujuar në shtëpi gjithë ditën me pizhame. Me frëngjishten e zgjedhur por arkaike, siç e përshkruan Marguerite, Musai i dha bekimin dhe lamtumirën çiftit me fjalë shumë prekëse. Kur u ndanë, i dolën lot.

Pas një udhëtimi rraskapitës, me ndalesa në Genova, Bremmen dhe Quebec, çifti arriti në tokën e premtuar. Burhani, pas një fragmenti në bibliotekën e NY, emërohet profesor në liceun Horace Mann, një shkollë e mesme elitare në Shtetet e Bashkuara. Revista Forbes e shpall shkollën e dytë më të mirë përgatitore për pranimet në universitet për vitin 2010.

Aty punoi përmbi njëzet vite derisa doli në pension. Ndërkohë që Burhani jetonte mes librave dhe ishte protagonist i jetës shoqërore, Marguerite është mendja praktike e çiftit. Ka një karrierë të suksesshme në redaksinë e revistës në gjuhën frënge Réalités, me zyrë në Qendrën Rockfeller, duke u bërë më pas zv/presidente e saj. Në vitet e fundit përpara daljes në pension, i bashkohet Shërbimit Kulturor të Ambasadës së Francës të atashuar në New York.

Çifti pati dy fëmijë: një djalë me emrin Alexander (1959-2012) dhe një vajzë me emrin Elizabeth (1958). Emri i pagëzimit ishte Valeria, si i nunës së saj, Lulu (Valeria) Vrionit, një mikeshë e afërt e të atit. Lulu ishte e bija Kahreman bej Vrionit dhe e Eminesë, motrës së Mid’hat Frashërit.

Burhani la mbresa të pashlyeshme në kujtesën e studentëve të vet, të cilët e mbajnë mend si një burrë me stil të perfeksionuar dhe plot hir, gjithnjë me veshje të kuruar, dhe me një sens të jashtëzakonshëm humori. Me dhjetëra breza studentësh i detyrohen Burhanit për dashurinë ndaj gjuhës së Molierit dhe kundrejt qytetërimit francez.

Pas mësimit, Burhani luante shpesh tenis, sport të cilin e praktikoi deri në të shtatëdhjetat. Adhuronte makinat e mira dhe një herë në disa vite shkonte në Munich për të zgjedhur BMW-në e tij fringo të re, të cilën i pëlqente ta ngiste me shpejtësi buzë Atlantikut. Në shtëpinë e bashkëshortes, në Hagerstown, Maryland, ende gjenden shishet e përzgjedhura të whiskey-t dhe të verës, të dhuruara nga miqtë me rastin e festave që organizonte. Një nga pasionet më jetëgjata të Burhanit ishin udhëtimet: Kroçiera në Bahamas dhe në Karaibe, udhëtime në Quebec-un frankofon, vizita te miq dhe familjarë në kontinentin e vjetër: Në Angli te Vera Mellet Blloshmi, stërmbesë e Ismail Qemalit; në Itali për t’u çmallur me kushëririn Kemal Juka, ushtarak i lartë, me studime të mbaruara në Akademinë e Modenës; në Francë për të vizituar shokët e dikurshëm dhe familjen e bashkëshortes.

Megjithëse i kredhur në mjedisin politik qysh nga dita e lindjes, Burhani e përbuzte politikën partizane. E vërteta dhe e drejta nuk kanë vokacion për t’i përkitur një partie apo një grupi në përjashtim të një tjetri. Urrente idetë e parafabrikuara. Kur e pyet për pikëpamjet e Burhanit mbi besimin, Marguerite e cilëson si një “volterian” që besonte në një fe natyrore, por tepër skeptik dhe mosbesues ndaj klerit dhe kultit të organizuar. Por Burhani ishte pragmatik dhe, në këtë aspekt, një shqiptar tipik që përzgjodhi të vinte kurorë përpara një imami për të bërë letrat e martesës dhe të pagëzonte fëmijët e vet për lehtësi integrimi në shoqërinë pritëse.

A mund ta njohim jetën, veten dhe të ardhmen? Burhani e merrte jetën me një dozë humori dhe me një qesëndi të shëndetshme. I nënshtrohej pa pretendime kiromancisë dhe grafologjisë. “Është një person intuitiv që arrin tek e vërteta përmes ndjenjave dhe jo përmes skemave logjike”; kjo intuitë, vijon më tej një prej analizave grafologjike, “së bashku me një sens estetik të lindur, ku mbizotëron një shije e pamatë për të thjeshtën dhe të bukurën, shpërfaqin tek ai një shpirt prej artisti”.

“Njeriu jeton vetëm dy herë” thotë një këngë e Nancy Sinatra-s. Herën e dytë, Burhani jetoi përmes imagjinatës dhe artit. Në Tiranë apo në Paris, në Stamboll apo në Aleksandri, në Evropë apo në Amerikë, Burhani ishte i aftë të ndihej në shtëpi kudo: në kontrast me motrat dhe vëllain e tij, që kurrë nuk u ndien rehat me materializmin dhe individualizmin amerikan. Kozmopolit në botëkuptim, kultura e ngashërente në të gjitha format e saj. Fliste rrjedhshëm gjashtë gjuhë dhe zotëronte mirë edhe katër të tjera. Literatura dhe qytetërimi francez ishin atdheu shpirtëror i adoptuar. Por arti kryesor që Burhani praktikoi deri në ekselencë ishte ai i të jetuarit.

*Autori është avokat pranë Dhomës së Tiranës dhe kushëri i pestë me Burhan Jukën 

Të fundit

Sondazhi: 80% e të pyeturve mendojnë se java e punës me katër ditë përmirëson balancën

Një javë me vetëm katër ditë pune mund të sjellë një balancë më të mirë mes punës dhe jetës...

Rekord/ Biden mblodhi rreth 25 milionë dollarë në fushatën e tij në Nju Jork

Presidenti amerikan Joe Biden mori pjesë në një mbledhje fondesh për fushatën e tij presidenciale në Nju Jork së bashku me ish-presidentët demokratë Barack...

Rikthehet kaosi në kufirin me Shqipërinë, doganat greke paralajmërojnë grevë 48-orëshe

Nga data 2 prill në orën 08.00 të mëngjesit, për 48 orë, do të paralizohet lëvizja në pikat kufitare me Shqipërinë. Kjo pasi doganat...

Dasmë në Big Brother, Heidi dhe Romeo do të martohen

Heidi dhe Romeo pas një shkëputje të lidhjes së tyre u ribashkuan fill pas spektaklit të së martës, ku shkëmbyen puthje dhe përqafime. Dyshja simpatike...

Papa Françesku thyen traditën, lan dhe puth këmbët e grave të burgosura në Romë

Sot është e Enjtja e Madhe për besimtarët katolikë dhe ashtu siç e do tradita, Papa Françesku ka larë këmbët e 12 grave në...

Lajme të tjera

Web TV