Sabri Godo, shkrimtari zemërgjerë dhe plaku i urtë i politikës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Me kalimin e kohës jam bërë një njeri më i mirë dhe jam bërë më zemërgjerë ndaj gabimeve të të tjerëve, duke qenë i predispozuar t’i fal, mbase edhe kur nuk duhet të fal”

Nga Leonard Veizi

Asnjë nga intervista e mëparshme që kisha bërë deri atë çast, nuk i kishte tërhequr vëmendjen Sabri Godos, sa të më merrte mënjanë, të më shtrëngonte dorën e të më thoshte: “Faleminderit”. Një pretendim të tillë as që mund ta kisha në një rutinë të përditshme, lodhëse, keqtrajtuese e herë pas herë të përzishme. Lajme dite nga arena politike e republikanëve, diçka mbi punimet e seancave në Kuvend apo nga hartimi i Kushtetutë së Re, dhe ndonjëherë një reagim të shpejtë kur flitej për çështje e “konflikte nacionale”. Asgjë më shumë se kaq.

Të gjitha këto, jo vetëm për mua si gazetar në përditshmëri, por dhe për të me siguri duhej të ishin gjëra pa pikë rëndësie të cilave dukej se për nga ana mediatike nuk ua kishte fort ngenë. Dhe në mos nuk i lexonte fare, me siguri u hidhte një sy shkarazi. Gjithçka ndryshoi teksa një ditë i kërkova një intervistë “tjetër”, diçka jetësore, aspak me ngarkesa politike, dhe as nacionaliste sigurisht. Dhe kjo do të ishte pika e kthesës. Shumë natyral dhe shumë korrekt, si gjithmonë, më la një takim në hollin e hotelit “Rogner”.

Ishte fillim qershori i vitit 2003. Në 14 qershor, në gazetën “Dita” të asaj kohe, unë do të botoja një intervistë të gjatë me të, në dy faqe gazete, me titullin: “Pleqëria më ka bërë zemërgjerë”. Dhe ndjesitë e një interviste të realizuar 17 vite më parë po i risjell në këtë shkrim, pikërisht për të përkujtuar një datë të shënuar të këtij shkrimtari shqiptar, ditën e tij të lindjes në 8 gusht 1929.

Prologu

Në moshën 74-vjeçare, mbase njeriu e meriton cilësimin si në moshën e tretë, ose thënë ndryshe, plak. Ndoshta është një emër jo fort i gjetur, por Sabri Godo ma pranoi këtë fakt dhe u druajt fare pak teksa shqiptoi qetësisht se: mosha po e bënte bërë punën e saj. Ndërsa jeta vazhdonte të rrëshqiste edhe në pjesën e fundit për t’i dhënë ndijime të pazakonta.

Aso kohe ai kishte një ecje të ngadaltë dhe fliste gjithashtu ngadalë, por shkoqur. Nga larg dukej sikur një notë plogështie a ndryshku e kishte zënë. Por çuditërisht, mendimet i kishte  të zhdërvjellta e të kthjellëta, me harresa të pakonsiderueshme në subkoshiencë. Nuk kishte qenë asnjëherë amator në punët që kishte bërë, megjithëse pat pohuar se dhe profesionet nuk kishin qenë ato që kishte dashur të bënte në jetë.

Në luftë

Sapo kishte mbushur të 14-at dhe kish guxuar të merrte pushkën e të bashkohej me partizanët e Çetës së Rinisë së Gjirokastrës, duke u futur kështu në rrjedhën gjigante të Luftës së Dytë Botërore. Në 23 muajt e jetës partizane, 5 muajt më të vështirë i kaloi kur batalioni “Baba Abazi” i Brigadës së VI Sulmuese dhe i rreshtuar nën komandën e Divizionit të VI, kapërceu kufijtë shtetërorë shqiptarë, për të zmbrapsur forcat gjermane edhe nga tokat e Kosovës, atëherë nën flamurin jugosllav.

Pas lufte, titullohet oficer i Ushtrisë Shqiptare. “Unë kam ndryshuar shumë herë profesion. Koha kur kam shërbyer si ushtarak ka pasur një hapësirë prej një vit e gjysmë pas luftës. Pastaj kam shpenzuar 25 vjet të kohës, në atë që quhej “tregtia shtetërore”. Puna si shkrimtar nuk është se ka pasur ndonjë vend të veçantë në jetën time. Shkruaja ndërkohë që punoja”, është shprehur ai gjatë intervistës. Sabri Godo kujtoi se gjithsej, vetëm një vit kishte qenë shkrimtar në profesion të lirë. Titullarët e atëhershëm nuk pëlqyen disa nga shkrimet që ai arriti të botonte të shtypin e kohës.

Ishin disa tregime me temën e luftës, të cilat u cilësuan si të shkruara nën ndikimet e rrymës së deheroizimit. Këtu filloi dhe goditja e tij intelektuale. U dha një urdhër i rreptë, që të hiqej si shkrimtar i lirë dhe, ç’është më e keqja, t’i hiqej e drejta e botimit, derisa të riedukohej. “Më dërguan për të punuar në një uzinë këtu në Tiranë. Ngandonjëherë kam qenë edhe pa punë, derisa në fund të viteve ‘80 dola në pension. Në atë kohë mbahesha dhe me honorare të shkrimeve të ndryshme, të cilat botoheshin si bashkëpunime në revistën “Hosteni” apo dhe në Kinostudio. Kam pasur detyrime familjare vazhdimisht. Dhe, bëja përpjekje për të mbijetuar“, është shprehur ai gjatë intervistës.

Në politikë

Në vitin 1991, nën frymën e re të pluripartizmit në Shqipëri, Sabri Godo u angazhua në jetën politike të vendit me krijimin e Partisë Republikane. Në këtë parti, për vite me radhë kishte qenë kryetari i saj, e si rrallëkush kishte dhënë dorëheqjen nga posti ekzekutues. Jeta e tij politike vazhdoi si deputet pranë Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura dhe, siç u shpreh vetë ai: “Kam kryer punët që më kanë dhënë të bëj”. Por çuditërisht nuk konkurroi më për deputet edhe pse flitej, se nëse kandidonte, me shumë gjasa fitonte pa balotazh. Kështu mbeti ndër të rrallët politikanë në Shqipërinë e tranzicionit postkomunist, që njohu në mënyrë të pandërprerë institucionin e dorëheqjes.

Dhashë dorëheqje, pasi e cilësoj si të ezauruar qenien time në krye të Partisë Republikane apo në sallën e Ligjvënësve. Kur e sheh se në një vend ato që kishe për t’i thënë i the, është më mirë të mos vonohesh më në skenë. Pastaj unë asnjëherë nuk e pata marrë si një drejtim të jetës time politikën. Kur hyra në fillim, mendova se do të ishte çështje muajsh sa të bëhej ndërrimi i regjimit dhe të vendosej një sistem demokratik në Shqipëri. Por politika e ka këtë të keqe, që mund të hysh me vullnetin tënd të lirë, pastaj nuk varet më prej teje.”, është shprehur Sabri Godo në intervistën e dhënë 17 vite më parë.

Por ai ka qenë aktiv edhe në media. Herë pas here thirrej në studio debatesh televizive, ku kërkohej opinioni i tij. Kamerat e terrenit nuk të lënë të qetë as kur e kërkon me ngulm këtë qetësi. E mbase më rrallë në faqet e gazetave. Megjithatë ai më tha se nuk kërkonte të penetronte me portretin dhe fjalën e tij në rrjetet televizive. “Nuk është se afrohem vet, me përjashtim të ndonjë rasti, kur dua të shpreh opinionin tim nëpërmjet shkrimeve në gazeta. Po në rastet e tjera është fare korrekte të them se kam qenë i kërkuar nga media. Madje, në më të shumtat e rasteve, duke qenë se më duket sikur përsëris vetveten, i kam eliminuar emisionet dhe intervistat për aq sa kam mundur. Por, në qoftë se dikush e kërkon në mënyrë të përsëritur praninë time në media, nuk mund të mbahem si një njeri mendjemadh, i cili refuzon të komunikojë me të tjerët. E megjithëse jam i kufizuar, prapëseprapë në njëfarë mënyre jam i pranishëm“.

Lexo edhe :  “Rienergjizimi i Diasporës”/ Rama njofton turin e takimeve me shqiptarët në Evropë

Në letërsi

Sabri Godo vinte në këtë intervistë pasi kishte përpunuar dy punimet e tij madhore, romanet historikë “Ali Pashë Tepelena” dhe “Skënderbeu” Ndërsa pyetjes: “E keni ndjerë ndonjëherë veten “Pasha” në letërsinë shqiptare?” – do t’i përgjigjej thjeshtësisht: “Jo. Unë gjithmonë kam dyshuar në ato që bëj, madje mund të përgëzoj veten për këtë se edhe vlerësimet që më bëjnë të tjerët, – të cilat askush nuk i refuzon, e ku unë nuk bëj përjashtim, – por unë i njoh vetes një të mirë, që gjithmonë u bëj një zbritje për ato që më thonë. Njeriu mund të jetë i sinqertë, mundet për mirësjellje të të thotë një fjalë të mirë, dhe në qoftë se të gjitha ato që të thonë për aftësitë e tua i merr për të vërteta, vjen një moment që thua se, “unë i di të gjitha, s’kam më mësoj”. Por në të vërtetë, është pikërisht kjo që mund ta quaj si “pika e vdekjes”.

 Në jetë

Gjatë kohën kur ai më ka dhënë këtë intervistë nuk ka qenë shumë i vjetër në moshë, 74 vjeç, por meqenëse unë isha 35, me gjasa duhet të më jetë dukur pak më i madh nga sa e mendoj tani. Dhe në improvizim e sipër, me një dilemë të shkurtër me veten në duhet ta bëja atë pyetje apo ta fshija nga memorja ku po vërtitej gjatë kohës që ai i përgjigjej pyetjes pararendëse, arrita t’i them duke e mposhtur drojën: “Në moshën 74-vjeçare, cila triumfon tek ju biofilia apo nekrofilia?” A mund t’i bëhej një pyetje e tillë një burri në moshë, ku qoftë rastësisht qoftë dhe qëllimisht elementi i vdekjes është më i pranishëm në mendje dhe në një perceptim sa tokësor aq edhe hyjnor? Pse jo. Dhe Sabri Godo, që nuk dinte të anashkalonte asnjë pyetje do të thoshte: “Do t’i përgjigjem në mënyrë disi të tërthortë kësaj pyetjeje.

E them me bindje këtë, se me kalimin e kohës jam bërë një njeri më i mirë dhe jam bërë më zemërgjerë ndaj gabimeve të të tjerëve, duke qenë i predispozuar t’i fal, mbase edhe kur nuk duhet të fal. Sepse them gjithnjë, se të gjesh të vërtetën është e vështirë. E vërteta ka disa shtresa dhe asnjëherë nuk mund të jesh i bindur se përse një njeri nuk e bëri një gjë dhe ti kërkon ta gjykosh atë rreptësisht. Por a e ndihmon atë duke e ndëshkuar apo duke e gjykuar? Ka raste kur inati më mban 24 orë me radhë dhe gjatë kësaj kohe duhet të mbaj veten në fre, sepse mund të bëja ndonjë gjë pa mend. Pastaj më ftohet gjaku dhe e ndjej se jam bërë gjithnjë e më tolerant. Ndërsa pasojat e moshës i ndjen kushdo. Unë nuk mund të them se kam pasur ndonjë sëmundje që mund të më vërë në gjendje invaliditeti, por tashmë nuk ec dot ashtu si më parë.

Mua më ka pëlqyer tërë jetën të ec. Mbase dhe nga kjo që eci gjithmonë me makinë nga shtëpia për në punë, e jam bërë si ato patat që i vënë në majmëri. Ndryshimi biologjik vjen si pa u ndjerë dhe duhet të kesh aftësinë ta njohësh dhe ta pranosh. Ka njerëz që e kundërshtojnë atë dhe, sipas mendimit tim, bëjnë mirë. Për shembull, ka njerëz të moshës time që bëjnë vrap nga liqeni. Unë i respektoj ata, por vetë jam i paaftë të bëj gjëra të tilla, sepse në jetën time private asnjëherë nuk kam pasur orar apo rregull të përcaktuar, por kam jetuar sipas rrjedhës së ditës. Nuk mund të them, se kam vënë ndonjëherë veten në zap, të them se kjo është e mirë për mua, qoftë dhe nga pikëpamja ime. Veçanërisht e di se më bën shumë dëm duhani, ndërsa vazhdoj ta pi”.

Epilogu

Në familjen Godo ruheshin reliket e vjetra të familjes së madhe të Vrionëve. Sot me siguri e meritojmë të hyjnë në një fond të artë antikuarësh. Historia dhe vjetërsia e tyre ndoshta tregojnë më shumë se vetë historia e shkruar. Shtëpia e tyre, ndodhej në një nga pallatet e reja të ndërtuara në zonën e quajtur “Ali Demi” në Tiranë. Por cila ishte gjendja e tij ekonomike, meqenëse Sabri Godi, dihej, që ishte dhëndër në një nga familjet më të pasura shqiptare, në derën e Vropnasje. Dhe ai u ëhstë përgjigjur këtyre pyetjeve: Nuk jam i pasur. Por nuk mund të them as heq keq, fjala vjen për të pirë një kafe apo për të pasur gjërat e domosdoshme që duhen në jetë.

Nuk kam ndonjë pasuri mënjanë. Jetojmë me ato që janë të ardhura të muajit, që për një familje burrë e grua siç jemi ne janë mëse të mjaftueshme. Madje po të jem i kujdesshëm në shpenzime, mund t’i jap të drejtë vetes të pushoj dy javë në ndonjë vend të bukur në Evropë. Mirëpo ne kemi shpenzime të shumta, pasi janë vajzat e nipat që hyjnë e dalin. Gati jetojmë së bashku. Por deri këtu e përballoj. Por them se nuk do t’u lë pas trashëgimtarëve ndonjë gjë të madhe, përveç apartamenteve ku jetojnë aktualisht. Dikur kam jetuar shumë ngushtë, vetë i tetë në një dhomë e një kuzhine, ndërsa tani kam një apartament me rreth 160 metra katrorë, ku ngandonjëherë më duhet të lëviz nëpër shtëpi për të gjetur se ku është gruaja. E vërteta është se unë nuk kam marrë atë që ka si trashëgim gruaja ime. Kur i kam parë në gazetën zyrtare jam habitur.

Është një pasuri e madhe. Por unë vetë nuk jam  impenjuar, nuk kam luftuar, duke u nisur dhe nga një lloj paragjykimi politik, sepse, meqenëse në Partinë Republikane, që nga krijimi kemi mbrojtur shumë të drejtën e pronës private në Shqipëri, unë e kam pasur gjithmonë kujdes veten se ç’thonë të tjerët për mua. Paragjykoja se ata që më dëgjonin të flisja apo shkruaja, do të thoshin: “Ky lufton se ka hall të marrë pronat e tij”. Por po të bëhet ndonjë ligj më i mbarë për pronat, tek i cili, në të vërtetë unë nuk shpresoj, mund të jetë më e lehtë të bëjmë ndonjë kompensim, i cili në fakt, më fort do të shkonte në dobi të nipave. Ndërsa më pëlqejnë dhe antikuaret, por nuk është se kam në shtëpi. Kemi vetëm disa mobilie që shpëtuan nga shtëpia e gruas, që janë të vjetra dhe që kanë një vlerë, por asgjë tjetër./Bl.Ba/Fjala.

Të fundit

Studim/ Zbuloni sa fëmijë duhet të keni që të jeni të lumtur

Rezulton se britanikët janë mjaft vendimtarë për madhësinë optimale të familjes me 49% të të rriturve në Mbretërinë e...

Nga niveli i rrezatimit te stresi, ja pse duhet të fikni Wi-fi gjatë natës

Pasojat e përdorimit afatgjatë të teknologjisë moderne mund të mos dihen për një kohë të gjatë, pasi nevojiten kërkime afatgjata. Sidoqoftë, ajo që dimë tani...

Jeni gjithnjë të uritur? Fajësoni horoskopin, ja 4 shenjat më llupëse

Nuk është mister që forcat kozmike kanë një ndikim në marrëdhënien e shenjave të horoskopit me tryezën. Jupiteri simbolizon lidhjen me ushqimin. Ata që janë...

Meta po stërvitet që të bëhet gati për burg

Kohët e fundit Ilir Meta mëngjes për mëngjes poston në rrjete sociale video nga aktivitetet fizike që bën. Namir Lapardhaja thotë se me këto...

Gazetari zbulon shumën marramendëse. Kjo është pasuria e Monika Kryemadhit!

Gazetari Adriatik Doçi foli për Ilir Metën dhe Kryemadhin, për çështjet gjyqësore që janë hapur ndaj tyre në SPAK, një prej të cilave është...

Lajme të tjera

Web TV