Rritja e borxhit publik/Opozita kërkon hetim nga SPAK-u për qeverinë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Opozita akuzon qeverinë se po fsheh shifrat reale të borxhit publik dhe kërkon hetim nga struktura hetimore antikorrupsion.

Petrit Vasili thotë se borxhi ka kaluar me kohë 90%, por fshihet në mënyrë kriminale. Zv.kryeministri Erjon Braçe pranon se me aktin e fundit normativ borxhi shkon 80,04 për qind.

Nga Blerina Gjoka

Rritja e borxhit publik pas dy goditjeve të njëpasnjëshme që mori ekonomia nga tërmeti i nëntorit dhe nga pandemia e COVID-19 është kthyer tashmë në një argument të fortë politik për opozitën kundër qeverisjes aktuale. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi dje publikisht qeverinë socialiste se ka rritur nivelin e borxhit publik në shifra “të frikshme” të cilat, sipas tij, mbahen sekret.

Për këtë akuzë ai i ka bërë thirrje njërit prej organeve kryesore të drejtësisë, pikërisht Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar, që ta hetojë këtë gjë. Sipas Vasilit, “borxhi e ka kaluar me kohë shifrën 90% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por fshihet në mënyrë kriminale”.

Deri më tani zyrtarisht është pranuar nga ministrja e Financave, Anila Denaj se borxhi publik është 80%, ndërsa zv.kryeministri Erjon Braçe pranoi dje se ai do të pësojë dhe një rritje tjetër, duke kapur shifrën 80,04 %. Vetëm një javë më parë agjencia Standard & Poor’s e paralajmëroi Shqipërinë se do ta ulte në renditjen e saj, nëse borxhi publik vazhdon të rritet.

Akuza e opozitës

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një dalje publike dje tha se niveli i borxhit publik është në shifra “të frikshme”, ndërsa i ka bërë thirrje SPAK-ut të hetojë. Sipas tij, borxhi publik e ka kaluar me kohë 90%, ndërsa bën përgjegjëse për situatën qeverinë.

“SPAK-u të dërgojë pas hekurave qeveritarët për krimin ekonomik kolosal të borxhit publik, çfarë presin më? Që katastrofa ekonomike të shkatërrojë gjithçka. A ka ndokush ndonjë dilemë se kjo qeveri mund të ndalë katastrofën? A ka dyshim ndonjë se qeveria vetëm rëndon e thellon ajo vetë krizën?

A ka ndonjëri mundësi të mohojë baterdinë me tenderë korruptivë edhe në kohën e pandemisë?” – shkruan Vasili. Sipas tij, qeveria ka pasur një menaxhim skandaloz të pandemisë, që jo vetëm amplifikoi pandeminë mjekësore, por shkaktoi edhe pandeminë aktuale ekonomike.

“Sot niveli i borxhit publik është në shifra të frikshme dhe rrënuese. Borxhi e ka kaluar me kohë 90% dhe ai nuk deklarohet, fshihet dhe shpërdorohet në mënyrë kriminale nga qeveria dhe kryeministri i rilindjes. Përgjegjësia për këtë situatë bie vetëm mbi qeverinë dhe Edi Ramën. Ç’pret SPAK-u që nuk lëviz për këte krim ekonomik të përmasave kolosale, që përfaqëson borxhi publik dhe që mund të kolapsojë vendin brenda pak ditësh? Hetimi dhe nxjerrja e përgjegjësive penale për borxhin publik sot është mision kombëtar.”- apelon Vasili.

Qeveria: Borxhi vijon rritjen

Rritja me ritme të shpejta e borxhit publik është pranuar edhe nga qeveria që pas goditjes së tërmetit dhe vijon për shkak të krizës ekonomike që solli pandemia. Por shifrat zyrtare, edhe pse të afërta me ato që trumbeton opozita, janë më të ulëta se 90 për qind. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës që nuk janë të reja në këtë drejtim, zv.kryeministri Erjon Braçe, gjatë një interviste dhënë dje për A2Cnn, pranoi se borxhi po rritet, por sipas tij, kjo nuk vjen për faj të qeverisjes. Ai e lidh këtë krizë me pandeminë e koronavirusit.

Lexo edhe :  Veliaj: Të jesh lider i mirë duhet të marrësh vendimet e duhura në momentin e duhur

“Pse unë e komandova pandeminë të vijë në fund të mandatit. Nuk e doja fare, se isha shumë mirë deri në fund të vitit që shkoi, pavarësisht tërmetit”, shprehet Braçe. Më tej ai pranon se borxhi publik i Shqipërisë “me aktin e fundit normativ do të shkojë 80,04% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”. Borxhi publik i vendit arriti në nivele rekord, prej 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke arritur që në mes të vitit objektivin për fundin e 2020-s, sipas Ministrisë së Financave.

PD: Klimë mbytëse, bizneset po ikin në Maqedoninë e Veriut

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha se klima e biznesit në vend është “mbytëse”, ndërsa thekson se bizneset shqiptare zgjedhin të investojnë jashtë vendit. Me një shënim në facebook, Tabaku shkruan se bizneset shqiptare kanë zgjedhur Maqedoninë e Veriut, ku kanë investuar jo pak, por 1,3 miliardë euro.

Tabaku bëri me dije se bizneset shqiptare kanë investuar jashtë Shqipërisë 1,3 mld euro dhe shumica kanë shkuar në fqinjin e Maqedonisë së Veriut. “Jo vetëm nuk tërheqim investime të huaja, por as nuk bindim bizneset vendase të investojnë në Shqipëri. Mijëra vende të reja pune në RMV prej investimeve të biznesit shqiptar, ndërkohë që radhët e të papunëve në Shqipëri shtohen për ditë. Pse ndodh kjo? Sepse kryeministri në ikje ka krijuar klimën më mbytëse për punësimin, investimet dhe sipërmarrjen shqiptare. Në vend të ndihmës për ekonominë, qeveria Rama ka shpërdoruar dhe vjedhur me PPP-të korruptive një vlerë sa 13% e Prodhimit të Brendshëm, afërsisht sa investimet e humbura në Shqipëri.

Këto miliarda euro dhe mijëra vende pune të humbura për shqiptarët, fqinji ynë na i ka marrë si pasojë e politikave fiskale dhe ekonomike probiznes. Vetëm për 2019-n vlera që kemi humbur ka qenë sa 10% e PBB-së.”- shkruan Tabaku në facebook. Sipas saj, punësimi ka nevojë për biznese dhe investime.

Në këtë drejtim Tabaku risjell premtimet e opozitës që, sipas saj, synojnë eliminimin dhe reduktimin e 18 taksave dhe mbi 60 tarifave, moratorium 1-vjeçar për inspektoratet, si dhe lehtësimi i çdo procedure burokratike dhe prezantimi i taksës së sheshtë 9%. Këto masa, sipas PD-së, “do ta kthejnë Shqipërinë në një vend normal dhe shumë konkurrues, me qëllim investimet më të larta në rajon.”

la.mi/Fjala.al

Të fundit

“Je i poshtër”/ Nuk përmbahet Egla, ia ‘plas në sy’ Arbër Hajdarit:Duhet të zëvendësohesh

Me diskutime të shumta u shoqërua darka e mbrëmjes së kaluar në ‘Big Brother VIP Albania’, ku pjesë e...

Kreu i PL-së bën mea-culpa, tregon ‘gabimin e tij të madh’: Askush nuk merr më poste…

Kreu i PL-së, Ilir Meta ka bërë “mea cupla”, teksa tregoi “gabimin e tij të madh” që duke mos ndërtuar një sistem meritokratik brenda...

Arrestimi i Soni Malajt, Don Phenom-it dhe Vllasaliut, VIP-at marrin vendimin e papritur

Telashe me drejtësinë për artistët shqiptarë në Zvicër. Ashtu edhe si ka qarkulluar në media, Soni Malaj, Don Phenom dhe Sinan Vllasaliu janë arrestuar...

Nënën mund ta zëvendësojë edhe ujkonja, po shoqërinë nuk e zëvendëson dot kush

Nga Çapajev Gjokutaj  Mirë e kishe shkruar statusin e sotëm – më tha arkëtarja e marketit, juriste në profesion – po bën mirë t’i thuash...

“Fuqizimi i grave”/ Meta: Gratë në PL do shpërthejnë. Çantat e shtrenjta dhe takat…

Partia e Lirisë po mban tryezën me temë “Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave – garanci për një të ardhme më të mirë për...

Lajme të tjera

Web TV